“Wanderlust in Albania”, fotot dhe videot e Shqipërisë turistike në një konkurs ndërkombëtar - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Wanderlust in Albania”, fotot dhe videot e Shqipërisë turistike në një konkurs ndërkombëtar

“Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj”, me këtë fokus Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë shpallur sot Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels. Me anë të këtij konkursi fotografë e vizitorë të apasionuar pas fotografive dhe videove  do të përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore, kulinarisë e siteve arkeologjike.

Në një konferencë shtypi të organizuar sot, ministrja Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizimit Zana Çela kanë ftuar fotografë, kameramanë, njerëz të apasionuar pas fotografisë, por edhe thjesht pushues e vizitorë të Shqipërisë që të bëhen pjesë e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “WANDERLUST IN ALBANIA: Photos & Reels International Competition”.

“Jemi në një moment ku sezoni vazhdon, asnjëherë nuk kemi folur për turizëm në nëntor. Kemi pritur deri në 31 tetor, 8.98 milionë vizitorë, ndërsa vetëm ky tetor pati 89% më shumë vizitorë të huaj se tetori I vitit të shkuar. Vazhdimisht kemi shpërndarë në faqet tona online bukuritë e Shqipërisë të realizuara nga amatorë e profesionistë. Por ka qenë pikërisht ky komunikim dixhital me këta njerëz pasionantë, me këta shqiptarë dhe të huaj që hedhin në rrjetet sociale për kënaqësinë e tyre, emocionet e momentit që i fiksojnë përmes një telefoni apo përmes një aparati, emocioni që shkaktojnë është e njëjtë, përcjellja e mesazhit është i fuqishëm dhe ishte ky komunikim i këtyre dy viteve me këta njerëz që na çoi në këtë produkt. T’u japim një mirënjohje ndryshe, edhe më profesionale, edhe më institucionale, gjithë kësaj armate pasionantësh të talentuar dhe të dashuruar me natyrën dhe bukuritë shqiptare. është një projekt që erdhi në mënyrë shumë të natyrshme”, tha në këtë konferencë ministrja Kumbaro.

Kurse drejtoresha Çela, ka treguar dhe si lindi ideja për një konkurs të tillë ndërkombëtar. “Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj – pikërisht këtë trend po demonstrojnë veçanarisht këtë vit miliona turistë, që vizituan e vazhdojnë ta bëjnë, vendin tone”, – tha ajo duke vazhduar se – “Ky trend na dha idenë e zhvillimit të Konkursit  të parë Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels, ku fotografë profesionistë, e vizitorë të apasionuar pas fotografive dhe videove do na përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore e siteve arkeologjike, agrobiznesit, kulinarisë etj”.

Konkursi “Wanderlust in Albania” do të ndahet në 10 kategori, me tematika të ndryshme:

1. Peizazhe (natyrore, malore, bregdetare); 2. Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistikë); 3. Monumente & site arkeologjike (monumente kulture, kala, amfiteatër, muze dhe site arkeologjikë ose të ruajtur nga UNESCO); 4. Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë); 5. Artizanati & Zejtaria; 6. Agroturizëm & Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm); 7. Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj); 8. Turizmi sportiv & Ekoturizmi (hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm, flora & fauna, shtigje, parqe); 9. Arkitekturë (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane); 10. Foto-reportazh (foto lajm, që rrëfen ngjarje nga jeta).

Të gjithë mund të aplikojnë lehtësisht në faqen e krijuar enkas për këtë konkurs www.wanderlustinalbania.al, duke filluar nga data 20 nëntor. Duke krijuar një profil të personalizuar me të dhënat inidividuale, pjesëmarrësit në konkurs mund të ngarkojnë brenda faqes të gjithë punimet sipas kategorive të përcaktuara, me një titull specifik, e duke shpjeguar vendin e vitin kur fotografia apo videoja është realizuar. Fotografët profesionistë dhe të apasionuarit pas fotove e videove artistike e dokumentare mund t’i dërgojnë punimet e tyre më të mira, me imazhe origjinale, autentike, me rezolucionin e duhur për printim dhe përdorim digjital sipas të gjitha kritereve teknike, artistike e etike. Gjithë informacioni gjendet i detajuar në faqen www.wanderlustinalbania.al

Në këtë konkurs përmes një jurie me ekspertë do të zgjidhen 300 fotografitë dhe 100 videot reels më të bukura nga Shqipëria turistike, me imazhe që frymëzojnë udhëtimet dhe turizmin, për të pasuruar fondin arkivor të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si promovuesja kryesore e natyrës së rrallë, traditës, kulturës, artit e historisë shqiptare, për cilindo që dëshiron të vizitojë Shqipërinë. Pjesëmarrësit në këtë konkurs ndërkombëtar do të kenë mundësinë të çlirojnë kreativitetin dhe të përcjellin emocionet e magjisë shqiptare dhe të fitojnë edhe çmime speciale.

Ky konkurs do të ketë dy forma votimi, ku do të përzgjidhen 10 fotografitë dhe 10 vidoet reels më të bukura për secilën kategori përmes një jurie profesionistësh dhe 2 çmime nga votimi online, për fotografinë dhe videon reels më të mirë nga sytë e publikut, votim që do të kryhet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (Visit Albania) në Facebook.

Shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbrëmje gala në 12 dhjetor.

Ashtu sikundër miliona turistë zgjodhën Shqipërinë këtë verë edhe Konkursi Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania” është një ftesë e hapur dhe për të ëndërruar së bashku me fotot e reels-et për një Shqipëri magjepsëse dhe të vërtetë!

Link:

Wanderlust in Albania! – Share your view, share the wonder!

Previous Vaksinimi kundër gripit, Koçiu: Rreth 119.855 persona të vaksinuar