Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor Arben Kingji, morën pjesë në ceremoninë e “Ditës së Vizitorëve të shquar”, në kuadër të stërvitjes së koduar “Strong Balkan 23”, me pjesëmarrjen e Forcave Speciale të 9 shteteve të Ballkanit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, të pranishëm ishin edhe ambasadorë e atashe ushtarakë të vendeve të Ballkanit, komandantë forcash, deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se stërvitja “Strong Balkan 2023” është një nga stërvitjet më të rëndësishme multinacionale të këtij viti, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit.
Ministri Peleshi vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e efektivëve të Forcave Speciale, të cilat i cilësoi forca elitë. “Është një materializim i shkëlqyer i vullnetit për të forcuar mbrojtjen multilaterale dhe bashkëpunimin ushtarak mes vendeve për të adresuar sfidat e sigurisë rajonale në mënyrë koherente”, – u shpreh Peleshi.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes: “Sfidat e sigurisë me të cilat përballemi në këtë botë komplekse, nuk mund të përballohen vetëm. Vetëm së bashku mund të përballojmë sfidat e një mjedisi të pa qëndrushëm. NATO ka hyrë në një epokë të re të mbrojtjes kolektive. Ajo që ne duhet të bëjmë është të harmonizojmë planet tona kombëtare të mbrojtjes për të përshpejtuar përmbushjen e detyrimeve dhe kërkesave sipas modelit të Aleancës”.
Gjatë fjalës së tij ministri Peleshi evidentoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për ushtarakët, sa i përket rritjes historike të pagave, por edhe politikat sociale. Ai kërkoi nga vendet pjesëmarrëse që të vijojnë bashkëpunimin e përbashkët për të zgjidhur problemet me të cilat përballet rajoni.
Ndërsa SHSHPFA, gjeneralmajor Arben Kingji, pasi falenderoi gjithë pjesëmarrësit në këtë stërvitje të përbashkët dhe shumë të rëndësishme, u shpreh ndër të tjera: “Siguria e vendeve të Ballkanit është e rëndësishme dhe e domosdoshme për një Evropë të sigurtë. Bashkëpunimi ushtarak dhe stërvitjet si kjo e sotmja shërbejnë që të rrisim ndërveprimin, zhvillojmë kapacitetet dhe mbrojmë vendet tona nga një gamë e gjerë kërcënimesh”.
Në vijim, gjeneralmajor Kingji vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të forcave të operacioneve speciale dhe efektin shkurajues të tyre, duke theksuar aftësinë për të realizuar me preçision dhe efektivitet operacione të rrezikut të lartë dhe arritur objektiva në nivel operativ dhe strategjik.
Në përfundim të fjalës së tij, gjeneralmajor Kingji falënderoi ministrin Peleshi për mbështetjen e palodhur në interes të organizimit të kësaj stërvitje, dhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse për angazhimin dhe kontributin në materializimin e kësaj stërvitje të shkëlqyer.
Stërvitja “Strong Balkan ‘23’’ është një stërvitje e cila zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ku marrin pjesë Forcat Speciale të vendeve të Ballkanit si, Shqipëria, Bosnje – Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia dhe Rumania. Nga këto shtete vetëm shtatë prej tyre marrin pjesë me trupa speciale dhe elementë të shtabit për forca speciale SOTG, ndërsa Bosnje – Hercegovina merr pjesë vetëm me dy vëzhgues.
Ceremonia e “Ditës së Vizitorëve të Shquar” e stërvitjes së koduar “Strong Balkan 23”, u përmbyll me një demonstrim klasik të trupave pjesëmarrëse me operacione speciale nga toka dhe ajri, dhe në përfundim të demonstrimit u realizua hedhja me parashutë me përfaqësues nga secili shtet, të shoqëruar me flamujt përkatës të tetë vendeve të Ballkanit pjesëmarrës në stërvitje.