Nëntorin e dy viteve më parë, në ditën e Flamurit Kombëtar, nisi në jetësimin në terren Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një prej investimeve strategjike më të rëndësishme për turizmin dhe ekonominë e vendit, porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë, me perspektivën për t’u shndërrur në aeroportin kryesor të vendit.
Sot, për këtë vepër madhore po punohet në disa fronte njëkohësisht, ku aktualisht pista, ka marrë formë, është realizuar ngritja e terminalit prej 20 mijë metra katrorë, kullës së operimit, godinës së zjarrfikësve, hangarëve, ndërtimi i rrugëve lidhëse dhe krejt infrastrukturës së fushës aeroportuale.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku inspektoi në kantier ecurinë e punimeve dhe u njoh nga afër me pjesën e realizuar të projektit.
“Ky aeroport është kategoria 4 E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan. Nga ana tjetër, tani po shkelim terminalin e ri. Është një terminal me një sipërfaqe 20 mijë metër katrorë. Puna këtu ka qenë shumë intensive dhe nga ana inxhinierike e komplikuar duke qenë se ndodhemi në një sipërfaqe që është 2 metra nën nivelin e detit. Pista është 2.6 metra e lartë nga niveli i tokës dhe aeroporti gati 4 metra. Ky aeroport do të ketë edhe një inovacion, të cilin e kemi thënë disa herë por tani fillon dhe bëhet i dukshëm. I gjithë aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore, të cilat janë marrë masat dhe janë studiuar nga aviacioni civili, nga Autoriteti i Aviacionit Civil që të mos krijojnë problematika gjatë uljes dhe ngritjes së avionëve me reflektimin e tyre dhe këtu do të prodhohet rreth 5.2 megaëat energji e rinovueshme që do jetë kryesisht për nevojat e aeroportit.”- detajoi zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrsatrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila ndër të tjera shtoi se “Në vitin e kam parë ne do të kemi më shumë se 1 milionë pasagjerë, vetëm në Vlorë dhe i referohemi periudhës nga marsi 2025 dhe në vazhdim dhe jo një vit i plotë pothuajse. Kështu që, parashikimet janë shumë optimiste. Jemi të sigurtë që as nuk do të aktivizohen garancitë koncensionare të cilat janë parashikuar në kontratë.”
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.