Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama

Mirëdita, mirë se keni ardhur! Së pari, dua të sjell në vëmendjen e të gjithëve se jemi në përfundim të një viti dhe në prag të fillimit të një viti tjetër, i cili qysh në nisje të tij do të risjellë në këtë godinë prindërit, bashkëshortët, fëmijët, familjarët e katër qytetarëve të vrarë nga shteti, nga qeveria, nga dritaret dhe gardhi i kësaj godine në 21 janar.

Është për të ardhur keq që në ndërkohë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka nxjerr një vendim shumë domethënës, shumë kuptimplotë, shumë të qartë lidhur me një krim shtetëror, që prej më shumë se një dekade është mbuluar nga pluhuri i jo vetëm harresës, por edhe i pabesisë së institucioneve të drejtësisë, reagimi i përgjithshëm në mexhlisin e debatit publik dhe mbi të gjitha i zëdhënësve të opinionit publik, pra i mediave ka qenë fare i zbehtë, por unë nuk jam këtu për të kritikuar mediat, por jam këtu për të risjellë në vëmendje peshën e jashtëzakonshme të këtij vendimi të Gjykatës Europiane mbi jetën shoqërore të vendit tonë. E kam thënë qysh në krye të herës që krime shtetërore si ai i 21 janarit, historia mëson se vonojnë shumë për tu zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur.

Në ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, me ligjin dhe natyrisht pastaj edhe me dhimbjen dhe të drejtën e familjareve të viktimave në radhe të parë, por edhe të gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë, një provë të re të dalë para disa muajsh, është koha që drejtësia e re të reagojë pasi në ndërkohë, qysh se ky krim ka marrë rrugët e Prokurorive dhe Gjykatave të vendit ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarëve të lartë hetohen nga një tjetër strukturë.

Leximi i vendimit të Gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh në vite dhe vendosja e gishtit drejtpërdrejtë tek autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë, jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri, i cili ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, Gjykata nënvizon, vë gishtin dhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është shumë e qartë në vendim se autoritetet ekzekutive më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale, (kriminale) drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

Unë e kam bindje të palëkundur edhe sot e gjithë ditën, që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por sigurisht mund të vonohet. Mund të vazhdojë të vonohet. E për këtë arsye jam këtu duke i shprehur këto konsiderata sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, për moralin e reformës në drejtësi, për moralin e institucioneve të reja të drejtësisë që të mos vazhdojë kalvari i familjeve të viktimave, të mos vazhdojë të rrijë pezull e gjithë shoqëria për shkak të këtij krimi dhe të mos vazhdojë tërheqja e mos këputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së bërjes deri në fund drejtësi për mbi janarin.

Përballë 21 janarit dhe krimit shtetëror të 21 janarit, të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë herë më pak në mundësinë për të peshuar në vendosjen e plotë të të gjithë themelit të ri të drejtësisë, i cili sapo ka nisur të ndërtohet. Nëse 21 janari mbetet në ajër, atëherë dhe themeli i ri i drejtësisë nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik, në një vend ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për të marrë jetë njerëzish te pafajshëm.

Kjo ishte hyrja ime, por natyrisht përderisa ju kam ftuar, jam i gatshëm për pyetjet tuaja sepse ka dhe gjëra të tjera që janë me interes në këtë fazë.

* * *

Zoti Kryeministër, parlamenti prej disa javësh është përfshirë nga kaosi dhe tensioni, ndërkohë opozita deklaron se do i vijojë betejën e saj pa kthim deri në plotësimin e kërkesave të saj për ngritjen  e komisioneve hetimore. Gjendur përpara këtyre kushteve, çfarë do të bëjë maxhoranca, a do të hedhë një hap pas për dialoguar, ndërkohë një ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi u shpreh i  hapur për të negociuar me PS. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Së pari, ne nuk negociojmë me “non gratën” dhe me asnjë zëdhënës të “non gratës”, këtë e kemi thënë qysh ditën e parë dhe nuk është e re.

“Non grata’’ dhe zëdhënësit e tij që kanë marrë përsipër që për një hall krejtësisht personal me drejtësinë e re, të kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit që ndezja deri edhe e flakës në sallën e parlamentit merr dhenë nëpër të gjithë mediat e botës, a thua se kjo sjell gjë tjetër, përveç shkarravitjes të imazhit të Shqipërisë, janë në drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre. Parlamenti ka rregullat e veta, ka dhe kufizimet e veta sepse në kushtet kur rregullorja e parlamentit përcakton si masën më ekstreme të mundshme, nga vetë parlamenti, përjashtimin vetëm për 10 ditë edhe të një zjarrvënësi, atëherë, ne nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse me qetësi, me durim, të presim që drejtësia të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës së të tjerëve.

Nga ana tjetër, këtu nuk ka asgjë për të negociuar për arsyen e thjeshtë, se është krejt e pavërtetë  që komisionet hetimore mund të ngrihen sepse një numër i caktuar firmëtarësh iu teket të ngrenë komision hetimor. Mënyra se si ngrihen komisionet hetimorë është qartësisht e përcaktuar, jo vetëm në ligj, por është qartësisht e kornizuar edhe nga vendimet e Gjyshatës Kushtetuese. Se po ishte kushtetuese çdo nismë për të ngritur një komision hetimor, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do kishte mundur të shpallte komisione antikushtetuese hetimore siç edhe e ka shpallur, që do të thotë se në rastin e ngritjes së një komisioni antikushtetues, ka gabuar Kuvendi. Që do të thotë, që kur Kuvendi ngre një komision hetimor, duhet ta ngrejë brenda kornizës kushtetuese dhe duke i marrë parasysh të gjitha ato përcaktime të ligjit për arsyet pse dhe për mënyrën si ngrihet një komision hetimor. Nuk mund të ngresh komisione hetimore bazuar në thashetheme i ke përhapur vetë.

Kjo nuk mund të bëhet pavarësisht se ti mund të kesh një mandat deputeti dhe mund të kesh me vete dhe një numër deputetësh që firmosin që thashethemet që ti i ke përhapur vetë, mund të kthehen në një komision hetimor.

Së treti, ne e kemi thënë qenë krye të herës që është koha të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore, duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe duke marrë parasysh edhe dështimet e panumërta të komisioneve hetimore në gjithë këto vite. Dhe ky komision ad-hoc nuk është ngritur sepse nuk ka patur vullnet nga ana tjetër për t’u përfshire, ndërkohë ne kemi punuar intensivisht gjatë këtyre muajve qysh se e kemi marrë këtë nismë, dhe kemi konsideruar dy drejtime të kësaj pune; e para, integrimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore në ligjin e komisioneve hetimor dhe e dyta: burimin e vetë ligjit tonë të komisioneve tonë hetimor që është ligji gjerman i komisioneve hetimore. Kjo, e shoqëruar dhe me një analizë të ligjeve dhe të mënyrës së funksionimeve të komisioneve hetimore në vendet e BE.

Dhe unë këtë, sepse isha i bindur që do të vinte kjo pyetje, kam të gjithë studimin e bërë nga grupi i punës për të ndërhyrë në ligjin për komisionet hetimore. Është një studim voluminoz që ka brenda shumë të dhëna. Por, një nga të dhënat që dua ta ndaj me ju, është që Shqipëria mban numrin rekord me diferencë, me shumë distancë nga të gjitha vendet e tjera te Ballkanit dhe të BE për numrin e komisioneve hetimore që ka ngritur në gjithë këto vite. Dhe nëse ju do t’i referoheni historisë së komisioneve hetimore në Shqipëri dhe do të nxirrni përfundimet se cilat komisione hetimore kanë prodhuar ndonjë rezultat mes atyre rezultateve që supozohet se duhet të prodhojnë, të cilat janë kryesisht dy rezultate; e para, rishikim të legjislacionit si rezultat i një komisioni hetimor, se ky është qëllimi i një komisioni hetimor dhe/ose çuarje përpara organeve të drejtësisë të gjetjeve me gjasë të natyrës penale, atëherë do ta shikoni që është bërë shumë zhurmë në vite për shumë pak gjë në raport me të gjithë zhurmën.

Kështu që ne nuk mund të jemi një rast unikal në Europë, me një metodë unikale në Europë për ngritje e komisioneve hetimore dhe me një sjelle unikale ne Europë, për mënyrën se si i trajtojmë komisionet hetimore, por edhe në këtë pikë ne duhet të jemi thjeshtë një vend evropian. Kësaj do t’i shërbeje edhe ndërhyrja në ligj që do të pasojë javët në vijim për komisionet hetimore.

 

– Zoti kryeministër, doja një përgjigje nga ana juaj në lidhje me akuzat e ish kryeministrit Sali Berisha se vajza juaj ose siç e ai quan thjeshtra, ka marrë shumë tendera publik. Po ashtu ai ka deklaruar se edhe kunati juaj është vazhdimisht përfitues nga fondet publike.

Kryeministri Edi Rama: Tani më vini në pozitë pak të vështirë, sepse ndërkohë që nuk jam fare i prirur që t’i komentoj apo përgjigjem akuzave të dikujt që është subjekt i listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për korrupsion madhor dhe për minim të demokracisë dhe subjekt i drejtësisë në Shqipëri për ato arsye që ju i dini dhe që nuk dua t’i komentoj. Pyetja më vjen nga ju, domethënë nga një gazetar dhe shmangia mbase do të krijonte mbase një keqkuptim të padrejtë në raport me personat që t’i citove që janë shënjestër e kësaj mënyrë shumë të ulët të të shfrytëzuarit të mundësisë për të folur në publik.

Përgjigja ime është shumë thjeshtë: Kurrë. Kurrë! Në asnjë rast, asnjë anëtar i familjes sime nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe jo vetëm kaq, po meqë po ma jepni këtë mundësi, unë dua që ta mësojnë të gjithë edhe ata të cilët mbase mund të impresionohen nga akuza absurde për milionat euro të shpenzuara për fluturime, që unë dhe në të gjitha rastet anëtar të familjes sime udhëtojnë me mua. Udhëtoj në dy mënyra. Në rastet e vizitave zyrtare apo të punës time si Kryeministër, me avionin përkatës dhe në të gjitha rastet e tjera me avionët e linjave si të gjithë shqiptarët, më ekonomik dhe me shpenzimet e mia e të familjes. Dhe në të gjitha rastet kur ka ndodhur që unë të kem një vizitë pune dhe bashkëshortja ime të më shoqërojë, por jo si pjesë e vizitës së punës, biletën e saj apo të cilido nga fëmijët që ka qenë me ne, e kemi paguar vetë. Nuk e ka paguar shteti.

E bëj këtë sqarim, sepse dua të sjell një shembull, nuk është i vetmi, për mënyrën se si e kuptoj unë dhe si e kuptojmë ne në familjen tonë detyrën time, dakord? Por natyrisht që siç e kam thënë dhe më parë, asnjë nga këto çështje dhe këto akuza dhe asnjë nga këto hedhje përpjetë të llumit nuk shkon deri në fund kur mbetet midis çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri, pavarësisht kush është njëri e kush është tjetri. Duhet që ju apo cilido që është i interesuar ndër ju, t’i verifikojë këto që po them unë. Ti verifikojë!  Dhe nëse ka diçka që nuk shkon nga këto që them unë, ta ekspozojë, ta bëjë me dije, por unë e them me shumë krenari, edhe pse kjo duhet të ishte në fakt norma, nuk duhet të ishte ndonjë përjashtim, që çdo përpjekje për të bërë simetri apo konkurrencë në pisllëk me familjen time është thjeshtë një përpjekje e dëshpëruar dhe shumë e neveritshme që nuk ka asnjë shans të fitojë, këtë di të them unë.

 

– Unë do të të doja t’i kthehesha edhe njëherë çështjes së kaosit dhe tensionit në Parlament. A ju duket normale ju si kryeministër që teksa në opozitë protestohet, madje i vihet flaka Parlamentit ju votoni ligje të rëndësishme siç është projekt buxheti për vitin 2024 në pak minuta dhe më pas largoheni edhe vete nga salla e kuvendit?

Kryeministri Edi Rama:  Mua sigurisht që nuk më duket normale dhe s’ka si të më duket normale, por unë nuk di dhe nëse ju më ndihmoni të gjej një rrugë tjetër, ma thoni. Po buxheti apo çdo ligj duhet votuar në fund. Dëshira dhe gatishmëria për ta diskutuar janë gjithmonë të padiskutueshme nga ana jonë. Po kur ti shkon në Kuvend për të folur dhe gjendesh përballë individësh apo një grupi individësh që vijnë në Kuvend për të treguar forcën e muskulaturës, atëherë ka dy rrugë; ose të tregosh forcën e muskulaturës edhe ti ose në pamundësi për të folur të votosh dhe të vazhdosh punën.

Rrugën e parë nuk e konsiderojmë një opsion, rruga e dytë është e vetmja rrugë që na mbetet dhe është e vetmja rrugë që do vazhdojmë të ndjekim sepse në fund të ditës, nëse ata që i thonë vetes opozitë, se ia thonë vetes ata, por unë sinqerisht nuk e di cila është opozita aty. Unë aty e kam shumë vështirë të identifikoj opozitë, jo vetëm për arsye që nuk dihet kush është kush, në aspektin formal, por edhe për arsye që të bësh opozitë do të thotë të flasësh, do të thotë të sfidosh kundërshtarin në qeveri me forcën e fjalës, me forcën  e argumentit, me forcën e energjisë që duhet të prodhosh në mënyrë që njerëzit që të kanë çuar aty, të kenë gjithmonë e më shumë arsye që të mbështesin. Kjo është të bësh opozitë.

Opozitat nëpër parlamente demokratike nuk fitojnë asnjëherë debate matematike, nuk i fitojnë, kur “mazhoranca”-t shkojnë në parlament, në të gjitha parlamentet e planetit shkojnë me një projekt dhe kanë numra të votojnë projektin ama “opozita”-t që janë opozita janë aty për të fituar debatin në zemrat dhe mendjet e njerëzve se debatin aritmetik nuk e fiton dot. Nuk mbaj mend unë ndonjëherë që ne kur ishim në opozitë të kemi fituar debatin aritmetik se nuk e fiton dot. Nëse ti nisesh për në parlament me idenë që në fund qeveria dhe mazhoranca do ndërrojnë mendim dhe do votojnë siç thua ti, atëherë ti nuk ke kuptuar asgjë sepse kjo nuk ndodh dhe nuk ka sesi të ndodhë.

Nëse ti nisesh me idenë që “o si them unë, o unë do bie e do vdes” atëherë edhe kjo nuk ka asnjë lloj mundësie tjetër, përveçse ti të biesh dhe shyqyr Zotit nuk do vdesësh se do ngrihesh prapë dhe do biesh prapë, siç iu ka ndodhur këtyre gjatë gjithë kësaj kohe dhe siç do u ndodhë prapë kur të vijnë zgjedhjet e tjera dhe përgjithmonë për të vetmen arsye, sepse nuk kuptojnë se cili është roli i tyre dhe nuk kuptojnë se cila është rruga për ta luajtur këtë rol me sukses.

Më vjen keq, por e thashë dhe më përpara, ne nuk kemi ndonjë mekanizëm për të penguar njerëzit që të dalin nga mendtë. Nuk e kemi. Nëse dikush lë mendtë tek hyrja e Kuvendit dhe në Kuvend hyn si një masë mishi e programuar për të vepruar me forcën e muskujve, ne nuk kemi ndonjë mekanizëm për ta penguar. Nuk i parashikon rregullorja e Kuvendit apo ligji në përgjithësi instrumentet për një mazhorancë, për një shumicë qeverisëse, për një qeveri që është në parlament që ta pengojë këtë proces degradimi të një force politike që degradon, degradon përditë.

Thashë, për goditje fizike. Për pengim të punës së institucionit ka Kodi Penal disa dispozita, por Kodi Penal është libri mbi të cilin vepron Prokuroria, jo Kuvendi. Kuvendi apo pjesë të Kuvendit maksimumi në këtë rast bëjnë kallëzime, por pjesa tjetër i mbetet Prokurorisë.

Mua më vjen keq kur shoh njerëz të revoltuar, me shumë të drejtë, nga kjo lloj marrëzie që na drejtohen ne sepse ne nuk kemi instrument dhe ne nuk jemi, lavdi Zotit, edhe Zot edhe shkop. Ne jemi shumica parlamentare, kemi votën atje dhe atë përdorim dhe jemi shumica qeverisëse, pra, qeveria që kemi vetëm një pjesë të pushteteve, pushtetin ekzekutiv ku nuk hyn si kompetencë ushtrimi i asnjë instrumenti me karakter represiv ndaj forcave të tjera politike. Këto janë instrumente të Kodit Penal dhe të vëna në dispozicion për organet e drejtësisë.

 

-Zoti kryeministër, a është kjo sjellje e opozitës një derivat i mohimit të vazhdueshëm nga ana e mazhorancës për një të drejtë kushtetuese që ia ka njohur edhe Komisioni Europian në progres-Raportin e saj ku thuhet që “Ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese, garantohet me Kushtetutë dhe ligji aktual në fuqi për ngritjen e komisioneve hetimore është në fuqi”. Duke iu referuar asaj që thatë ju “Më tregoni një komision hetimor që ka pasur rezultat” ju kujtoj  komisionin e inceneratorëve, që pas këtij komisioni, eksponentë të Partisë Socialiste po përballen me drejtësinë. Për ta kuptuar qartë, ju, mazhoranca nuk do i japë OK opozitës deri në momentin që do kemi një ligj të ri për komisionet hetimore?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, realisht e kam pak problem kur edhe live, ballë për ballë më citoni gabim se dakord, mund të më citoni gabim kur largoheni dhe mbase nuk i mbani mend mirë gjërat që thashë unë. Unë nuk thashë “Asnjë komision”. Mund t’i referohesh memories të kamerës që unë nuk thashë “Asnjë komision”. Jo, nuk ishte pyetje. Ju vutë në gojën time diçka që unë nuk e thashë sepse nuk është kështu. Nuk thashë sepse nuk është e vërtetë që asnjë komision nuk ka prodhuar asgjë, por unë thashë “Shumë zhurmë për pak gjë”. Pra, ajo pak gjëja është për ato raste, shumë të rralla, kur komisionet hetimore dhe ai komision që ju përmendët është njëri prej tyre, kanë sjellë një rezultat.

E dyta, është e vërtetë, nuk diskutohet që, jo vetëm pse e thotë Komisioni Europian në Progres-Raport, por sepse është e vërtetë, është kështu, e them dhe unë, e themi të gjithë ne që është një e drejtë kushtetuese, patjetër, nuk diskutohet.

Është një e drejtë kushtetuese edhe që opozita të ushtrojë veprimtarinë e saj në parlament. Edhe imuniteti i deputetit është një e drejtë kushtetuese, patjetër, por a ta jep imuniteti i deputetit të drejtën që t’i vësh flakën parlamentit është pyetja?

Është një e drejtë kushtetuese që deputeti të thotë çfarë të dojë, por a është normale që deputeti të nxjerrë nga goja gjëra nga ato që e kanë kthyer parlamentin e Shqipërisë në një aktivitet porno?

Është e drejtë kushtetuese të ngresh komision hetimor, sigurisht.

Është e drejtë kushtetuese që me një numër firmash x që është numri i firmave që mund ta sigurojë një pakicë, pakica të ngrejë një komision hetimor, por ama, është po kaq e vërtetë që është shumë mirë e përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor, si funksionon e të tjerë, sepse nëse kjo e drejtë kushtetuese do të ishte pa limit, atëherë si e shpjegoni ju që Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë si antikushtetuese komisionet hetimore që janë ngritur? Si e shpjegoni? S’duhet t’i nxirrte se duhet të thoshte “s’ka punë fare me ne kjo”. Kjo është një e drejtë kushtetuese dhe po i referohem asaj që pyeti Muhamedi, “kemi dëgjuar që vajza e kryeministrit përfiton tenderë publikë, do ngremë një komision hetimor”. Ou! Si? Është e drejtë kushtetuese kjo? Që ti ke dëgjuar dhe do ngresh në komision hetimor?

“Kemi të dhëna që kryeministri përdor një avion që kushton 20 milion euro në vit”. “Kemi të dhëna, do ngremë komision hetimor”. Pse çfarë është komisioni hetimor?  Çfarë është parlamenti?

Një skenë teatri ku ti vë në skenë dhe jep shfaqje para gjithë popullit për çfarë të teket ty?

Pra, ka një rrugë për këtë që është e përcaktuar. Ka një ligj për këtë dhe ky ligj duhet riparë. Pse? Sepse Ggjykata Kushtetuese ka lënë porosi për komisionin hetimor dhe porositë e Gjykatës Kushtetuese janë porosi që duhen zbatuar dhe është antikushtetuese që ti të vazhdosh të bësh sikur ato porosi s’ekzistojnë dhe të mos i kesh të përfshira në ligj, e para.

E dyta, ligji i komisioneve hetimore i yni, është i bazuar në modelin gjerman, po për arsye që janë të panjohura për mua, modeli gjerman është marrë dhe është shqiptarizuar, duke i hequr elementë shumë të rëndësishëm që janë në ligjin gjerman. Ne do t’i adresojmë, jo të gjitha për shkak se janë dhe gjëra shumë specifike, por ato që janë pjesë e problemit për mënyrën se si funksionon një komision hetimor dhe pastaj do t’i kalojmë në parlament dhe pastaj do të kemi një kornizë më të qartë të funksionimit të komisioneve hetimore, por edhe me ligjin gjerman, edhe me ligjin finlandez, edhe me ligjin spanjoll dhe me cilin ligj të doni, nuk ka shans të ngresh komisione hetimore se të teket ty apo se ti do të marrësh nëpër gojë njerëz, do të përdorësh parlamentin për të sulmuar me mjete barbare verbale kundërshtarin, e kështu me radhë.

Këtë, – dhe kjo është një diçka që ju e dini shumë mirë, – e kam thënë më parë sesa të shpërthente flaka, ashtu sikundër e dinë të tërë, e dini të gjithë ju, e dinë të gjithë shqiptarët, e dini të gjithë anëtarët e faunës shqiptare se pse flaka shpërtheu tani, se pse unë e kam thënë me kohë që ne nuk do të ngremë më komisione hetimore që nuk janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjin dhe për këtë arsye na duhet të adresojmë në ligj çfarë kemi lënë pa adresuar si detyrim i pa përmbushur i parlamentit mbas vendimit të gjykatës Kushtetuese, shumë e thjeshtë.

 

–  Zoti kryeministër, pak javë më parë keni deklaruar se do t’i merrni opinion juristëve tuaj lidhur me rastin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. E keni tashmë në tavolinë një opinion të tyre dhe çfarë ju sugjerojnë ato lidhur me këtë rast dhe i druheni ju paralajmërimit që ka bërë homologu juaj grek përsa i përket bllokimit të negociatave dhe nëse e bën realitet çfarë ndodh më pas?

Kryeministri Edi Rama: Opinioni që unë kam marrë është ai që më ka vendosur në këtë pozicion ku jam që nuk e kemi vënë në lëvizje qeverinë për të shkarkuar kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, pavarësisht se ai nuk është paraqitur në detyrë në kushtet e pamundësisë. Për sa i përket kërcënimit siç e quani ju, apo presionit apo nuk e di si quhet, unë e kam thënë opinionin tim në mënyrë të përsëritur, s’dua të komentoj për këtë sa herë që pyetem sepse nuk dëshiroj të ushqej një debat ku nuk jam palë, ku qeveria nuk është palë. Ne s’jemi fare palë në këtë histori. Ne s’kemi asnjë lidhje me këtë histori. Këtu bëhet fjalë për një individ i cili është arrestuar në flagrancë për blerje votash. Është në një proces gjyqësor në gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Është në pamundësi të bërjes së betimit, sepse ligji ynë është shumë i qartë se në ç‘kushte bëhet betimi dhe qeveria nuk ka këtu asnjë rol për të luajtur. Mbase në të shkuarën qeveria mund të luante atë rolin që ishte mësuar ta luante gjithmonë, sidomos kur ia kërkonin të huajt që t’i thoshte sistemit të drejtësisë se çfarë duhet të bënte, pra ta vinte sistemin e drejtësisë në dispozicion të kërkesave të të huajve. Kjo nuk ndodh as për të huajt, as për të brendshmit as për të jashtmit, as për të afërtit. Kjo është e prerë. Ne nuk ndërhyjmë për asnjë arsye dhe me asnjë formë në punën e institucioneve të drejtësisë dhe lërë më pastaj të institucioneve të reja të drejtësisë, të SPAK-ut dhe të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Janë produkte të një përpjekje që e kemi nisur ne. E kemi udhëhequr ne. E kemi realizuar ne, reformën në drejtësi në letër, ndërsa reformën në drejtësi në realitet duhet ta zbatojnë ata dhe ne thjesht dhe vetëm duhet t’i mbështesim duke mos u përzier në punën e tyre. Kjo është. Tani a mundet Greqia të bllokojë? Po edhe mundet, po pastaj?

Nëse kjo do të ndodhë, kur të ndodhë, do të dëgjoni komentin tim, po unë s’kam pse bëj përpara një koment për diçka që ende nuk ka ndodhur. Unë e kam thënë do ishte shumë jo serioze që Shqipëria që njihet botërisht sot si një vend krejt ndryshe nga ai që ishte, qoftë nga opinioni ndërkombëtar i përgjithshëm që është kthyer në një vend që nuk mungon në asnjë nga top listat e destinacioneve më të preferuara turistike, qoftë nga opinioni i institucioneve ndërkombëtare, e patë progres raportin për Shqipërinë, të bllokohet për një çështje që s’është fare një çështje e Bashkimit Europian, s’është fare një çështje e integrimit europian, s’është fare një çështje e kornizës negociuese të Shqipërisë me Bashkimin Europian, por është një çështje që dhe në aspektin bilateral, sipas meje është minore në raport me çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët strategjik mes nesh dhe Greqisë. Por tani jetojmë në një botë ku secili ka të vetat

– Zoti kryeministër ne mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD u mor vendimi që do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese marrëveshja që ju me kryeministren e Italisë Zonjën Meloni nënshkruat për sjelljen në Shqipëri të emigrantëve që zbarkojnë në Itali, në brigjet italiane, marrëveshje, e cila pritet të paktën sipas kalendarit të miratohet në datën 21 dhjetor në seancë plenare. Cili është reagimi juaj? I druheni një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje pasi Gjykata Kushtetuese edhe më parë ka venë shenja, kujtoj marrëveshjen detare me Greqinë, kur ju ishit në opozitë dhe ankimuat atë që e rrëzoi.

Kryeministri Edi Rama: Në mbledhjen e kujt?

 -Të grupit parlamentar të PD

Kryeministri Edi Rama: Të grupit parlamentar të PD? Të cilës Parti Demokratike? Nuk më rezulton një parti e tillë mua në Kuvendin e Shqipërisë. Por megjithatë, s’ka rëndësi se kush është mbledhur dhe në cilën mbledhje ka qenë se ka shumë mbledhje që zhvillohen dhe ka shumë deklarata që bëhen nga drejtime të ndryshme në emër të së bekuarës Parti Demokratike që vuan sot si një flamur i madh i shpresës së shqiptarëve dikur, mallkimin e një historie të dhimbshme për hir të së vërtetës. Unë nuk dua t’i shmangem thelbit, kjo ka rëndësi se pyetja vjen nga ju sidoqoftë.

Është përgjegjësi, është e drejtë, është liri e çdokujt që e ka një status të caktuar në lidhje me një çështje të caktuar ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Nuk shoh asnjë problem në këtë pikë. Unë mendoj që marrëveshja është krejt në rregull me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Është një marrëveshje shumë pozitive për Shqipërinë për 1001 arsye. Por, nuk ka asnjë problem nëse dikush, cilido qoftë i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë marrëveshje. Skam problem.

-Zoti Rama, qeveria juaj ka dhënë me qira simbolike 1 euro, 57  mijë metra katrorë në portin e Vlorës për të ndërtuar një kompleks rezidencial. Çfarë përfiton shteti dhe publiku nga kjo vendimmarrje?

Kryeministri Edi Rama: Në Vlorë ne do të ndërtojmë një nga 4 portet turistike të Shqipërisë dhe ndërtimi i një prej 4 porteve turistike të Shqipërisë është një përfitim i jashtëzakonshëm për vendin, për ekonominë, për publikun dhe nuk ka asnjë arsye në botë për të vënë në pikëpyetje të tilla investime që kanë një rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit tonë.

Nga ana tjetër, meqë ma jepni mundësinë që të flas për këtë dua t’ju them një gjë: kur vendosen pikëpyetje lidhur me mënyrën sesi stimulohen investimet strategjikë në turizëm, është mirë që të kihet parasysh se çfarë bëjnë vendet e tjera. Për shembull, investitorë shumë të rëndësishëm që na afrohen, kërkojnë mbështetje financiare nga qeveria për të investuar në turizëm për shembull. Natyrisht që ne nuk japim mbështetje financiare direkte. Por, fakti që e kërkojnë duhet t’ju bëjë të kuptoni që kjo ndodh në shumë vende të tjera. Nuk është një sakrilegj sepse llogaria është shumë e thjeshtë. Çfarë jep dhe çfarë merr mbrapsht dhe ajo që merr mbrapsht në turizëm nuk është thjeshtë e drejtpërdrejta nga një investim aty, si para direkte në buxhet, por është ajo që merr mbrapsht nga çfarë ai investim aty sjell, që merr mbrapsht në të ardhura.

Nëse do të shikoni si është ngritur turizmi në Turqi do habiteni se çfarë incentivash dhe çfarë mbështetjeje direkte financiare, para nga buxheti, ka dhënë shteti për ata që ndërtonin hotele, në fazën e parë. Tani nuk e bëjnë më se s’kanë më nevojë ta bëjnë se tani është ndryshe, në faza. Nëse shikoni sesi është zhvilluar turizmi në Malin e Zi, do të shikoni që janë përdorur instrumente që nëse këtu ngrihet pyetja edhe për këtë rast, për ato instrumente do vihej një flakë këtu, siç u vu në parlament. Nuk ka asgjë këtu për t’u habitur dhe as për të ngritur shqetësime, nëse bëhet llogaria se çfarë i sjellin ekonomisë të një vendi turistik për shembull jahtet.

Në një nga studimet e bëra, 400 jahte sjellin një vlerë në ekonomi për vendin, të barabartë me 40 mijë turistikë që janë kategori e turizmit masiv. 400! Sepse sjellin shumë nevojë për konsum, në një zinxhir të tërë. Kështu që, ne kemi pasur prej shumë vitesh këtë boshllëk që duam ta mbushim. Jemi i vetmi vend i Mesdheut, sot që flasim që jemi jashtë hartës dhe po futemi në hartë pikërisht me këtë infrastrukturë sepse s’kemi pasur këtë infrastrukture dhe i vetmi vend ku ankorojnë jahtet në Shqipëri, ato jahtet serioze flas është kur ndalojnë në Sarandë për t’u furnizuar me naftë dhe ikin. Dhe ndonjë tek-tuk që ndalon në Durrës në portin e mallrave. Është një zinxhir i tërë ekonomik që neve na mungon dhe për ta stimuluar këtë zinxhir ekonomik sigurisht që përdoren këto instrumente. Kështu që, në rastin konkret kjo është shumë e thjeshtë. Dhe mos harroni dhe një gjë, që portet turistike në vetvete janë investime të mëdha dhe nuk janë investime që sjellin një fitim të arsyeshëm nëse nuk kanë kompleksin e mikpritjes aty ose rezidencial. Dhe këtu ka dy rrugë. Ose do t’i ndërtojë shteti ose do t’ia kërkosh kompanive, sipërmarrjes private. Dhe në dijeninë time, tonë këtë i tërë Mesdheu, e tërë bota, po flas për Mesdheun se bota është shumë e madhe, mbase ka dhe ndonjë rast që i ndërton shteti vet, e bën kështu siç e bëjmë ne. S’është se e kemi shpikur. Por po ju them që në shumë investime të mëdha në turizëm, në vende të tjera, shteti jep financim. Jo vetëm që nuk kërkon gjë, jo vetëm i jep terrenin e i heq taksat, i jep këtë e atë,  po i jep financim direkt. Siç ndodh me aeroportet e reja kur shteti futet aty me një garanci, siç ndodh me rrugët me pagesë kur shteti futet me garancinë e trafikut, pra nëse nuk garantohet një trafik i caktuar shteti paguan nga buxheti për investitorët. Edhe në ekonominë e turizmit, në ndërtimin e hoteleve, në ndërtimin e resorteve në vende të tjera, përdoret dhe mbështetje direkte me para nga buxheti, që të kuptojmë që instrumentet stimulues nuk janë një, se ndryshe për çfarë do vijën të investojnë? Dhe investimi tek Marina kërkon shumë kohë për t’u shlyer dhe patjetër duhet te kombinohet me pjesën tjetër me shërbimet.

– Tani që po ju dëgjoja pas pyetjes së koleges, më lindi një pyetje që nuk ishte planifikuar në ato që do t’ju pyesja por po ua bëj; ju jeni një qeveri e majtë , pse duhet ju të lehtësoni bizneset, biznesmenët e mëdhenj? Investitorët e mëdhenj? Kur ata mund ta marrin me një çmim të vlerës së tregut?

Kryeministri Edi Rama: Të lutem, bëji të gjitha pyetjet se nuk e kemi debat, e kemi pyetje-përgjigje.

– Ju në fakt deklaruat që thjeshtra juaj nuk ka marrë asnjëherë, përjashtuat mundësinë që ajo të ketë marrë, të ketë përfituar tendera apo para publike, dhe një nga akuzat që ju është bërë nga ana e PD, është EKO Parku në Porto Romano. Unë kam një pyetje këtu që lidhet në fakt me procedurën për shkak se; ata akuzojnë lidhur me një kontratë mes dy palëve, 6 muaj para shpalljes së tenderit. Pyetja ime është: në dhjetor në 2019, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj ka anuluar tenderin ndërkohë që 9 ditë më pas ju keni hapur sërish tenderin me procedurë të përshpejtuar. Kjo është pyetja e dytë dhe pyetja e tretë: sot ka pasur akuza ndaj jush se keni kaluar një sërë vendimesh për të favorizuar marrjen e një prone nga ana e një pronari të një televizioni privat i cili ka ndërtuar aty godinën e televizionit. Në lejen e ndërtimit që ju keni dhënë fillimisht që keni firmosur, parashikohej vetëm rikonstruksioni i godinave. Pse më pas keni firmosur për shembjen e këtyre godinave?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kuptova lidhjen tek pyetja e parë midis Eko Parkut dhe vajzës sime.

– Jo, nuk ka lidhje. Pyetja e parë ishte një qeveri e djathtë, pse po lehtësoni në këtë rast investitorët e mëdhenj?

Kryeministri Edi Rama: Jo, më fal, atëherë tek pyetja e  dytë ase ajo pyetja e parë ishte jashtë programit, tek kjo pyetja nuk kuptova pse, ku është lidhja mes Eko Parkut dhe vajzës sime?

– Atëherë PD akuzon se njëra nga kompanitë që ka përfituar në fund këtë projekt, është një kompani ku ka bashkëpunuar thjeshtra juaj. Kjo është akuzë. Unë në këtë rast ju pyes për çështjen  e procedurës.

Kryeministri Edi Rama: Po pse e fut dhe akuzën brenda apo nga partia?

– Jo, meqë ju sqaruat deklaratat  më herët dhe unë kam nevojë që të kuptoj faktet pse është bërë kjo. Po ju pyes specifikisht për këtë tender që ta kuptoj meqë lidhet me këtë çështje.

Kryeministri Edi Rama: E kuptoj shumë qartë. Po e nis nga ato dy të programit pastaj po i përgjigjem asaj jashtë programit.

– Kjo më lindi duke dëgjuar teksa flisni kështu për investitorët e mëdhenj si forcë e madhe që jeni;.

Kryeministri Edi Rama: Të lutem, mos më ndërprit. Po e nis nga dy pyetjet e programit dhe të tretën po ja jashtë programit meqë ishte dhe me një natyrë ideologjike.

E para, edhe një herë, kurrë në asnjë rast, nuk ka ndodhur që një anëtar i familjes sime nga pjesa madhore kuptohet në moshë, sepse për pjesën jo madhore nuk ka pasur akoma akuza direkte por i pres. Të ketë përfituar një qindarkë nga fondet publike. Një. Jo dy, një qindarkë, e para. Dhe të tre anëtarët në moshë madhore të familjes sime, nuk kanë asnjë lidhje me shtetin, lidhje pune me shtetin flas. Asnjë. Përsa i përket eko parkut ju kujtoj që në Durrës ka rënë një tërmet i cili ka shkatërruar dynjanë atje dhe nga ana tjetër në zonën ku është ndërtuar Eko parku, ka qenë gangrena më e madhe e Shqipërisë së Partisë Demokratike. Një turp i pashoq në fytyrën e këtij vendi me male plehrash që digjeshin në natyrë; me dosa, derra e buallica që janë në film, nuk janë metaforë. Janë në film, që zotëronin gjithë zonën dhe me kamerat e mediave më të mëdha evropiane që bënin reportazhe për turizmin në Shqipëri, duke u tallur me cinizmi më të madh, me vendin tënd dhe timin bashkë. Dhe baza e atij ndërtimi janë rrënojat e godinave të prishura nga tërmeti. Pra, nëse nuk është dhe ky një rast për procedurë të përshpejtuar kur duhet të pastrosh malet e tëra me rrënoja të tërmetit nga qyteti dhe ndërkohë i shfrytëzon për të mbyllur një plagë historike atje, atëherë s’ka asnjë arsye në botë për të bërë asgjë shpejt. Kjo është përgjigjja ime.

– Mbeti pa u sqaruar pse u anulua nga ministrja Denaj dhe pastaj për 9 ditë u hap sërish nga ju, se këtë nuk e kuptova?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është përgjigjja ime.

– Po nuk po na shpjegoni pse e anuloi ministrja e Financave dhe ju  pastaj sërish e hapni me procedurë të përshpejtuar? Kur ishte një çështje emergjence pse nuk shkoi deri në fund tenderi se për 3 ditë shpallej fituesi, ndërkohe që kështu është vonuar dhe disa ditë të tjera? Këtë nuk po kuptoj.

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë, unë kuptoj shqip, të jesh i sigurtë dhe unë jam këtu për të dhënë përgjigjet e mia dhe nuk kuptoj pse duhet ta bëj gjithmonë me të njëjtin person këtë leksion. Unë jap përgjigjet e mia. Kupton, s’kupton, është çështja jote. Unë jap përgjigjet e mia. Të lutem shumë mos më ndërprit. Edhe një herë tjetër, ki mirësinë të mos e ndërpresësh personin që po flet, nëse mundesh. Mund të vazhdoj? Faleminderit shumë. E vlerësoj shumë bujarinë tuaj.

Kjo ishte përgjigja ime, pastaj procedurat si, qysh, tek nuk janë fare pyetje për mua se as nuk mbaj mend gjëra të tilla dhe as nuk jam unë që merrem me gjëra të tilla. Unë thjesht të fola për Eko Parkun dhe për akuzën në fjalë. Nuk kam përgjigje tjetër për këtë.

Përsa i përket sulmit shumë të ulët që i bëhet botuesit në fjalë që nuk ia përmende ermin, që quhet Carlo Bollino, mund t’ju them vetëm kaq, që është një akuzë ose një zinxhir akuzash pa asnjë bazë. Fare. Nuk ka asnjë bazë. Është procedura më rutinë e ndjekur si në shumë e shumë raste të tjera kur është fjala për godina, për ngrehina të rrënuara, jo godina të rrënuara që i jepen për t’i përdorur për një sipërmarrje X, Y, Z. Asnjë gjë tjetër  nuk ka këtu, të gjitha të tjerat janë fantazira. Dhe ti përgjigjesh e të sqarosh fantazira është e kotë sepse ia thashë edhe më papara njërës nga koleget e tua që ok, ata thonë kështu, ti thua kështu, po si është e vërteta. E vërtet është që duhet të merreni vetë ta shihni të vërtetën se ndryshe unë timen kam, nuk ka një të vërtet tjerë. Merreni këtë që po them, shikojeni, merreni edhe një jurist që t’iu asistojë pastaj nxirrni konkluzionet, por është krejtësisht banale e gjitha kjo dhe s’ia vlen. Dhe dihet shumë mirë se pse bëhet edhe kjo, dihet shumë mirë pse bëhet. Dhe ma fal se ishte edhe një pyetje jashtë programit dhe ishte pyetja më interesante në fakt. Programi nuk është individual, kurse pyetjet individuale janë interesante. Një qeveri e majtë që mbështet biznesin e madh? Kjo ishte dilema?

Tani këtë konflikt, ky është konflikt ideologjik që e ka zotëruar shpirtin edhe mendjen e të majtës tradicionale deri kur ra muri i Belinit. Flas për të majtën evropiane, nuk flas për komunist. E majta europiane ka jetuar me këtë konflikt të brendshëm moral që si ka mundësi dhe pastaj erdhi një e majtë tjetër e re, moderne. E majta e Tony Blair, Bill Klinton e Gerhard Schröder, po le të marrim këta të dy që ishin në Europë që tha, problemi nuk janë të pasurit, problemi është varfëria dhe të luftosh varfërinë pa të pasur është mision i pamundur, ose është një mision që të çon atje ku çoi vendet që e çuan në ekstrem këtë konflikt dhe vendosën të ndërtojnë një jetë të lumtur për të gjithë, por pa njerëz të pasur. Pse? Sepse ne jemi mësuar që kur flasim për të pasur, kur flasim për biznese të mëdha shohim një person. Ju jeni mësuar në fakt, ose ju kanë mësuar. Në fakt nuk është një person. Është një forcë e tërë në ekonomi për mijëra të tjerë që punësohen, që paguhen dhe pa llogaritur pastaj të tjerët që marrin produkte nga çfarë këto sipërmarrje sjellin.

Këtu nuk është çështja se ju jeni një forcë e majtë thontë dikush si ka mundësi që shqetësoheni për TVSH-në e jahteve. Po patjetër, patjetër, pse? Sepse sa më shumë jahte të vijnë në Shqipëri, aq më shumë para hyjnë në Shqipëri, sepse janë konsumatorët më ekstrem në industrinë e turizmit që shpenzojnë shumë për të blerë nga vendi ku vijnë. Jua thashë atë studimin që thotë, 400 jahte të mëdha sjellin të ardhura sa 40 mijë turistë të konsumit të ulët. Dhe ekonomia ka nevojë për këto forca dhe ne kemi ndërtuar një ekuilibër me këto forca. Dikur këta paguanin taksa më pak sesa të vegjlit, kishin një sistem taksimi këtu në Shqipëri që një biznes i madh paguante 15 katëshi më pak sesa një furrë buke. Në raport me fitimin e tij. Dhe ne rritëm taksat për bizneset e mëdha, ama i zeruam për biznesin e vogël. Dhe përfitimi ynë nga rritja e biznesit të madh është shumë më i madh edhe në aspektin e taksave.  Kështu që duhen parë të dyja anët.

Partia Socialiste nuk është një parti e të majtës tradicionale. Partia Socialiste është një parti e të majtës të rrugës së tretë, si Partia Laburiste e Tony Blair, Partia Socialdemokrate e Gerhard Schröder e kështu me radhë, e me radhë. Kështu që, për ne nuk ka konflikte të kësaj natyre që na mundojnë në pikën që ti shtrijmë në një ndarje të kategorive të ndryshme të ekonomisë, aleatë dhe kundërshtarë. S’është kështu!

Biznesit të vogël i kemi sistemin më të lehtë nga pikëpamja fiskale që ekziston në Europë. S’ka në Ballkan, se në Europë nuk diskutohet, se në Europë taksat janë shumë të larta. Nuk ka në Ballkan një tjetër shtet ku biznesi i vogël paguan zero taksë, ku biznesi i vogël paguan zero TVSH, nuk ka. Është Shqipëria. Kjo është ajo pjesa e majtë e jona. Ndërkohë që djathi, se s’është e djathtë, se është djathë, për mua e djathta e quajtur shqiptare e kishte ndryshe, se si e djathte me demek. Biznesi i vogël paguan më shumë sesa biznesi i madh, një mënyrë e të parit të botës. Dhe prandaj ne jemi ndryshe dhe ndryshe nga ç’thonë shumë, jo ju keni shkuar djathtas fare. Ne nuk kemi shkuar as djathtas, as majtas, ne jemi në rrugën e tretë, jemi parti që rrimë në mes dhe zemrën e kemi majtas.

–  Zoti kryeministër në këto vite cili është vlerësimi juaj për SPAK-un dhe sipas jush e ushtron kjo strukturë funksionet e saj kushtetuese referuar frymës së reformës në drejtësi që ju keni miratuar dhe në dijeninë tuaj pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ka regjistruar SPAK-u procedim penal të ri për 21 janarin? Dhe një pyetje tjetër referuar intervistës së mbrëmshme të ministrit të Brendshëm zotit Balla, i cili ngriti aty shqetësimin e ministrit të Drejtësisë  për mbushje të kapaciteteve në burgje. Do të kalojë qeveria juaj amnistinë penale brenda këtij viti? 

Kryeministri Edi Rama: Së pari, SPAK-u ka ngjallur shumë polemika, siç shihet, sepse SPAK-u ka trazuar një ujë të ndenjur prej 100 e kusur vitesh. Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që ekziston mes nesh një Prokurori, një grup prokurorësh që bën atë që i thotë mendja. Nuk ka pasur ndonjëherë.

Derisa është krijuar SPAK-u, prokurorët dhe Prokuroria në Shqipëri ka bërë çfarë i kanë thënë ata që kanë pasur pushtetin ekzekutiv, që nga ata që kanë pushkatuar njerëz me urdhra nga lart deri tek ata që u bënë oligarkët e vërtetë të këtij vendi, duke e kthyer në pazar detyrën e tyre të prokurorit apo të gjykatësit me kushtin që t’i shërbenin pushtetit të radhës.

Kështu që, SPAK-u ka krijuar shumë polemika që nga ata që thonë që janë shpëtimtarët e shumëpritur të kombit e tek ata që thonë që janë një mjet represioni që e përdor Edi Rama. Këta të dytët janë në hall dhe unë i kuptoj, por nuk i ndihmoj dot, kështu që mund të thonë çfarë të duan por SPAK-u është e para strukturë e pavarur në historinë e shtetit shqiptar, shkurt drejtësia bashkë me gjykatën përkatëse.

Pastaj, ata që thonë që janë shpëtimtarët e kombit, e thonë sepse kanë pritur shumë gjatë që të shikojnë drejtësinë që të veprojë dhe e kuptoj edhe entuziazmin e jashtëzakonshëm të tyre.

Unë personalisht mendoj që detyra ime është që unë, qeveria, shumica që unë udhëheq ta mbështes SPAK-un pa kushte. Ka kushte do të thotë qe edhe kur mund të kemi gjëra për të thënë, të mbyllim gojën sepse përndryshe bëhemi pjesë e një polemike që nuk e ndihmon SPAK-un të bëjë punën e vet. Deri këtu jemi dhe kështu mendoj unë. Nesër, pasnesër dhe më tutje, koha do të na tregojë edhe ne edhe të tjerëve, edhe vetë atyre që sa dhe si gjërat ecin dhe a mund të bëhen më mirë akoma dhe si mund të bëhen më mirë akoma, por për momentin unë mendoj se ne kemi vetëm këtë detyrë.

Nuk jam në dijeni që të ketë hapur ndonjë çështje SPAK-u ose të ketë marrë përsipër çështjen e 21 janarit, por nuk e fsheh që e pres këtë gjë me shumë padurim. E pres me padurim në sensin e një gjëje që ka më shumë se 10 vjet që është një nga pengjet më të mëdha që ka ky vend; jo unë, ky vend, se unë po e po, që ai krim i madh, krimi më i madh i mundshëm shtetëror në një vend demokratik të zbardhet dhe përgjegjësit të ndëshkohen dhe rastet e ngjashme janë disa, në Europë dhe në botë.

Përsa i përket amnistisë, ky është një proces që është bërë vazhdimisht për disa arsye, jo thjeshtë për mbipopullimin që është një problem, por edhe për arsye të tjera, kështu që, patjetër që do të bëhet përsëri sepse të gjithë ato arsye kanë qëndruar dhe qëndrojnë dhe besoj se së shpejti ne do ta kalojmë amnistinë për lirimin e një grupi të kategorive që janë sipas ligjit. Ligji është bërë gati, në dijeni time, kështu që duhet ta kalojmë.

Në vazhdën e pyetjes së koleges, por edhe asaj çka ju deklaruat në nisje të kësaj konference, përmendët për çështjen e 21 janarit, qoftë vendimin  e Strasburg-ut po edhe disa prova të reja. Në kuadër të këtyre deklaratave, do të prisni që SPAK ose çfarë do bëni që SPAK të marrë në dorë çështjen e 21 janarit kur nuk e ka marrë edhe pse kanë dalë disa prova të reja. Do të prisni apo do të bëni ndonjë veprim tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Në kujtesën time, kur ka ndodhur tragjedia e 21 janarit, unë i kam pasur flokët përgjithësisht të zeza. Tani i kam plotësisht të bardha, siç edhe i shihni dhe kur them i kam përgjithësisht të zeza, kam pasur më shumë seç kam sot dhe një nga të mirat e kësaj të keqeje të pashmangshme është që kam mësuar diçka që, as e ndjera nëna ime nuk e imagjinonte se unë mund  ta mësoja ndonjëherë, që është durimi dhe ashtu siç ne nuk shoh të kemi ndonjë instrument që të ndalojmë njerëzit të çmenden kur kapërcejnë pragun e Kuvendit dhe të ndezin flakadanë apo të ngrenë e të vendosë njëra mbi tjetrën karrige, si fëmijët kur luajnë kalash, ashtu nuk kemi asnjë instrument që të ndikojmë SPAK-un për të hapur apo për të marrë  këtë çështje. Nuk kemi kështu që i vetmi instrument në këto raste është durimi dhe kjo eksperiencë më ka mësuar që ajo shprehja “I duruari, i fituari” është shumë e  vërtetë.

– Zoti kryeministër, do të vijoj të qëndroj tek drejtësia. E keni thënë shpesh që ju nuk gjykoni vendimet e drejtësisë së re megjithatë do doja një koment nga ju lidhur me vendimin e dhënë nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila dhe vetë SPAK-u ka konstatuar se është në konflikt interesi me subjektin që ajo ka gjykuar, zotin Malltezi.

 Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të bëj një koment specifik, por dua të them diçka tjetër. SPAK-u dhe gjykata janë institucione të reja dhe kanë lindur nga një  vullnet shumë i madh, shumë i fortë politik që çoi në miratimin e reformës në drejtësi, që krijoi një mbështetje shumë të fortë ndërkombëtare për këtë, se e kam  shpjeguar dhe në një rast tjetër apo dy herë më parë, por më duhet ta përsëris se shumëkush thotë “SPAK-u erdhi nga Amerika” por Amerika ishte këtu që në ’91. Edhe sikur SPAK-u të ishte një produkt që sillet me avion, do e kishin më përpara se avionët i kanë pasur edhe në ’91 amerikanët, por SPAK-u, Gjykata Speciale dhe gjithë reforma në drejtësi erdhën vetëm nga një gjë, vullneti i kësaj force që sot qeveris Shqipërinë prej një dekade, vetëm nga kjo. Po të mos ishte kjo, të gjitha të tjerat nuk do të mjaftonin për ta sjellë në jetë SPAK-un dhe Gjykatën Speciale dhe gjërat e tjera që do të pasojnë sepse reforma në drejtësi është shumë më tepër se kaq. Jo vetëm vullneti për miratimin e reformës, por edhe pjesa tjetër.

Vullneti për të mos u përzier në këtë proces që është sot e gjithë ditën i pranishëm si garanci për ecurinë e reformës dhe kjo nuk do të thotë aspak që ne nuk shohim, nuk dëgjojmë, nuk diskutojmë brenda nesh, nuk analizojmë. Jo! Ashtu sikundër, kjo nuk do të thotë që ne miratojmë çdo gjë që ndodh. Miratojmë në kuptimin e opinionit, por vendimi që gjithçka që është veprim apo që hyn në sferën e kompetencave të SPAK-ut dhe të Gjykatës Speciale të mos komentohet, është i domosdoshëm për ti dhënë atyre institucioneve mundësinë e një frymëmarrje sa më të lirë.

Një frymëmarrje që tentohet të pengohet nga të tjerë aktorë e nga të tjerë faktorë, po në rast se do të ishte dhe pushteti ekzekutiv një faktor në pengimin e kësaj frymëmarrje me ose pa dashje, kjo do të ishte shumë negative. Dhe në rastin konkret, të them të drejtën është diçka që mund të duket si çudi shumë kujt, por unë e shoh në aspektin e nevojës dhe të dëshirës dhe të domosdoshmërisë që këto institucione të mos cënohen nga askush dhe kur ndodh që institucioni mund të cënohet dhe sidomos në aspektin e integritetit nuk më vjen mirë të them të drejtën, s’ më vjen mirë fare, po më shumë se kaq nuk kam çfarë të komentoj. Sigurisht që ne kemi nevojë për kohë. Kemi nevojë për kohë dhe kemi nevojë për të kuptuar deri në fund se çfarë nuk shkon, pse nuk shkon, si nuk shkon dhe ndërkohë që ajo që po bën SPAK-u dhe me mbështetjen e Gjykatës Speciale nuk diskutohet, është historike. Është historike! Po ka gjëra historike që kthehen pastaj në diçka që s’është më historike sepse është e konsoliduar, ka gjëra historike që ndodhin si një ngjarje historike dhe pastaj gjërat kthehen nga e para. Unë jam këtu me gjithë këtë dëshirën dhe vullnetin tim që gjithë kjo histori që ka filluar, të mos kthehet më kurrë mbrapa. Kjo është kryesorja, pastaj kostot, gabimet, ekzagjerimet, e të tjera, janë pjesë e procesit. Nuk kemi asnjë mundësi të pretendojmë perfeksion aq më tepër kur kemi të bëjmë me një krijesë kaq të re.

– Zoti kryeministër, ditën e djeshme u zhvillua Samiti për Diasporën dhe për diasporën një nga premtimet më të mëdha dhe ende të pambajtura është mundësia për të dhënë të drejtën dhe për të garantuar të drejtën e votës. Duke qenë se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që vendos me përgjegjësi Kuvendin për të hartuar kuadrin ligjor, çfarë garancie dhe çfarë konkretisht po bën mazhoranca që t’u mundësojë të drejtën e votës diasporës për zgjedhjet e ardhshme, duke qenë se nuk janë larg?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është fare problemi tek çfarë shkruajmë në ligj, problemi është të regjistrimi në mënyrë që të kemi një bazë të dhënash me integritet në të gjithë territoret jashtë vendit dhe ky nuk rezulton një proces i lehtë, është një proces jashtëzakonisht kompleks ku duhen përfshirë shumë aktorë të tjerë, jo thjesht institucional brenda vendit dhe ku duhet dhe angazhimi i vetë njerëzve jashtë. Kështu që, edhe tentativat e bëra për ta kuptuar procesin duke pilotuar, nuk rezultojnë shumë inkurajuese sepse nuk ka shumë si të thuash, angazhim, s’mund të them dëshirë se të gjithë kanë dëshirë, po nga dëshira te realizimi i diçkaje duhet dhe angazhimi dhe është si puna e atyre që kur i pyet për kë do votosh, mund të thonë për njërin apo për tjetrin, po pastaj nuk shkojnë të votojnë fare sepse atë ditë preferojnë të bëjnë diçka tjetër, kështu që këtu e kemi ngërçin, tek regjistrimi.

– Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk e njihni Sali Berishën, nuk e njihni Gazmend Bardhin edhe pse deputetët që i mbështesin

Kryeministri Edi Rama: Nuk e kuptova, edhe një herë, çfarë them unë?

– Ju nuk e njihni Sali Berishën…

Kryeministri Edi Rama: Unë s’e përmend fare këtë emër, ti pse e përmend kur më citon mua, vetë përmende.

– Po e përmend unë, ju nënkuptoni Sali Berishën, unë arrij ta kuptoj që po flet për Sali Berishën.

Kryeministri Edi Rama: E kuptoj dhe ndryshe unë. Po më citove mua, ju thoni: Që ju non gratën nuk e konsideroni pjesë të jetës dhe të komunikimit politik të partisë tuaj, këtu jemi në rregull. Kur thua, është thjesht çështje e dashurisë time të marrë për gjuhën shqipe. E kam shumë merak gjuhën shqipe.

– Jam dakord, por në të dyja rastet askush nuk është gabim.

Kryeministri Edi Rama: Jo s’ka problem. S’po them gabim, thjesht kur më citon mua, mos më vër në gojë tinguj që unë nuk i nxjerr.

– Ju deklaruat që nuk e njihni non gratën dhe zëdhënësin e tij, duke ju referuar Gazmend Bardhit, për qartësimin e publikut për të kuptuar kush është zëdhënësi.

Kryeministri Edi Rama: Thashë zëdhënësit se janë të ndryshëm. Ka që i japin zë me zë, ka që i japin zë me krahë, ka që i japin zë më kokë, pa përdorur gojën, ka disa që japin zë më ije, kështu që janë një sërë zëdhënësish.

– Duke qenë se jemi para një nga reformave më të rëndësishme politike, që është reforma zgjedhore,  reformën zgjedhore do ta bëni me Lulzim Bashën?

Kryeministri Edi Rama: Tani, do më falni shumë se këtu jemi që ju të bëni pyetje dhe unë të jap përgjigje, nuk jam që unë t’iu bëj pyetje, por unë kam nevojë t’ju bëj një pyetje. Ku është ky? Se ka kohë që nuk e di. Ku është ky?

– Në zyrën e tij duhet të jetë, por nuk e di vendndodhjen e tij konkrete.

Kryeministri Edi Rama: Po më the në zyrën e tij, do të të pyes ku ka zyrën dhe pastaj do të ngatërrohemi edhe më keq.

– Po të sqaroj zoti Kryeministër. Regjistri i partive politike njeh si kryetar të Partisë Demokratike Lulëzim Bashën.

Kryeministri Edi Rama: Këtë e di.

– Po aq dhe KQZ-ja e njeh si kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Kryeministri Edi Rama: Këto i di, këto i di.

– Po aq kryetari i grupit tuaj parlamentar të PS, Bledi Çuçi ka deklaruar që për reformën zgjedhore si kryetar të Partisë Demokratike njohim Lulzim Bashën dhe vetëm me të do ta bëjmë reformën zgjedhore. Tani po ju pyes ju, reformën zgjedhore do ta bëni me deputetët mbështetës të Lulëzim Bashës që janë pakicë në opozitë?

Kryeministri Edi Rama: Tani, pyetja ime ku është ky mbase ishte pak si një impuls i brendshëm nga një kujtesë që më sjell gjithmonë një buzëqeshje kur dëgjoj këtë emër, po lidhet dhe pikërisht me këtë. Tani a do ta bësh këtë gjë me Lulzim Bashën dhe të kërkosh që tjetri, në rastin tim unë, se Çuçi mbase, jo mbase, por nuk e njeh aq mirë sa e njoh unë, të thotë po, i bie të marrë një angazhim që mund të mos e mbajë, se tjetri mund të mos shfaqet fare kur ti do ta bësh atë gjënë me Lulëzim Bashën. Kështu që, kjo është një shaka që është më shumë se gjysma e së vërtetës. Thelbi është ky. Partia Demokratike e bekuar si një gjë e jashtëzakonshme për Shqipërinë kur lindi, është katandisur në diçka që nuk e di domethënë, është një histori unikale.

Ka emra që po, e dimë që ka një lidhje me emrin e PD, por pastaj s’dimë se çfarë lidhje ka PD me këtë emër apo me atë emër dhe pastaj kur jemi përpara këtyre pyetjeve mund të japim dhe përgjigje që mund të jenë të ndryshme njëri nga tjetri se varet sesi e percepton secili prej nesh nga ana jonë këtë lloj çudie që ndodh. Futen dhe flaket në mes dhe tymi dhe është vështirë të kuptosh kush është kush. Futet dhe tymi dhe flakët dhe pastaj bëhet komplet një mjegull që ne nuk dimë sesi veprohet. Por thelbi është që reforma zgjedhore ka patjetër rëndësinë e vet. Janë disa aspekte të saj që duhen prekur se nuk kemi nevojë të bëjmë sa herë kemi zgjedhje një reformë nga e para, por është një element qe buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mund të ketë dhe elementë të tjerë. Në këtë rast, kemi një komision të reformës zgjedhore  dhe ai komision i reformës zgjedhore do bëjë reformën zgjedhore. S’kemi pse zgjedhim ne kush është ky e kush është ai. Ka një komision të reformës zgjedhore, ai komision do bëjë reformën zgjedhore. Pastaj se kush është kush aty, mbase ndonjë ditë do e gjejnë vet ata. Komisioni ka gjithë mundësinë që të na japë një propozim për draftin dhe pastaj do shikojmë sa vullnet do ketë një sallë, ju e dini që reforma zgjedhore kalon me 84 vota. Neqoftëse do ketë 84 vota do kalojë, nëqoftëse s’do ketë 84 vota s’do kalojë. Nuk ka këtu asgjë të jashtëzakonshme për t’u ngatërruar me këmbët tona. Pastaj kryetari në letër, kryetari në zjarr, kryetari në tym, kryetari në flakë, këta janë shumë, nuk kemi sesi i ndajmë nga njeri tjetri, i ndan vetëm natyra e materies që janë, por përndryshe janë shumë.

-Edhe dy pyetje te fundit se mu dha mundësia. Përgjigje shkurt, nuk kërkoj përgjigje te gjata.

Kryeministri Edi Rama: Unë do ta kisha ndërprerë, por realisht, unë mendoj që ti e meriton një mbajtje të lehtë me hatër sot sepse është dhe një formë ndjese për rast tjetër kur unë nuk kam qenë mjaftueshmërisht i durueshëm kështu që dy pyetje.

Faleminderit! Nga akuzat e reja të ngritura nga drejtësia për ish ministrin e shëndetësisë Ilir Beqa kuptohet që kontrata e sterilizimit ka pasur kosto të fryra që i kanë rënduar buxhetit të shtetit, të pa justifikueshme. A është ky moment që qeveria të marrë një hap për ta rishikuar këtë kantatë apo për të anuluar?

Dhe pyetja e dyte: Përveç vullnetit politik çfarë e ndalon mazhorancën që të zbatojë një vendim të GJykatës Kushtetuese që lidhet me mocionin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, i cili nuk është zbatuar që nga janari i këtij viti?

Kryeministri Edi Rama: Për të parën, do më lejoni t’ju them që është një opinion i akuzës, por nuk janë opinionet e akuzës të mjaftueshme që të investohet qeveria si përballë një të vërtete absolute apo jo? Kështu që, përsa i përket atij procesi, është proces ndër ato procese që unë nuk i komentoj. Sa i përket pyetjes konkrete, meqë lidhet drejtpërdrejtë me qeverinë në këtë rast, unë besoj fort se sterilizimi është një nga veprat më të rëndësishme në kantierin e reformës në shëndetësi dhe ka sjellë një transformim cilësor absolutisht të pamohueshëm nga askush në rrethin e profesionistëve të mjekësisë. Ndërkohë që, pastaj llogaritë e faturave nuk më takojnë mua t’i bëj. Kontrata është një kontratë edhe në vijim, sipas të dhënave më të konsoliduara duhet të bëjmë diskutime dhe analizat tona, por në ndërkohë ka dhe një analizë tjetër, nuk e kam bërë unë, e ka bërë dikush që është mjaftueshmërisht e zonja për të bërë llogari, pavarësisht se nuk është një kritike dashamirëse e kësaj qeverie dhe në atë llogari del diçka që unë jam bërë shumë kurioz dhe kam kërkuar një opinion të dytë dhe opinioni i dytë më ka ardhur po i njëjtë, që përfitimi i shtetit nga ky partneritet, pra nga sterilizimi është më i madh sesa të gjitha fryrjet që mund ne, edhe sikur t’i marrim për të mirëqena. Është më i madh dhe është vërtetë një përfitim i madh financiar sepse janë kursyer, në mos gabohem, një mesatare prej dy ditësh shtrim spitalor për individë që kanë kaluar në operacionet kirurgjikale. Po të llogarisni kostot, atëherë ato kosto janë të spitalit, janë kosto të buxhetit, ato nuk janë të lexueshme në sy të parë, por po t’i llogarisni atëherë dhe llogaria del pak më ndryshe dhe është falë sterilizimit. Këto di unë. Pastaj, për pjesën drejtpërdrejtë të faturave, nuk është fare puna ime. Unë, maksimumi që mund të jap ndonjë ide më shumë si profesionist është po të më nxjerrin përpara ndonjë pikturë.

Po për rastin e Xhaçkës?

Kryeministri Edi Rama: Nuk më rezulton që ka një vendim të qartë dhe të prerë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë. Vendimi është i një natyre më ndryshe sesa një vendim i prerë i Gjykatës Kushtetuese. Nuk e kam ndjekur më, por është edhe ajo një gjë që duhet pyesni ose duhet ta trajtoni, por edhe unë do interesohem me njerëzit tanë që janë në Komisionin e Ligjeve.

Faleminderit.

Previous Fjala e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në ceremoninë e prezantimit të flotës së re të automjeteve të sistemit penitenciar