Ministri i Brendshëm Taulant Balla ftoi të rinjtë të zgjedhin të jetojnë me punë të ndershme, e mos bien pre e krimit duke shkuar të punojnë në shtëpi bari të ë në Angli. Gjatë fjalës së tij për Strategjinë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Balla tha se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, kryesisht me qeverinë britanike po krijojnë sipërmarrje të suksesshme në zonat ku emigracioni është i lartë.
“Këto projekte ne do t’i mbështesim dhe do ti fuqizojmë për të çuar përpara këtë strategji të rëndësishme. Na duhet që t’i tregojmë shoqërisë tonë rastet konkrete sesi viktimat jo vetëm janë marrë në mbrojtje, por janë fuqizuar. Ne po ndërtojmë në Shqipëri, kemi raste konkrete me qeverinë britanike pas marrëveshjes së vitit të kaluar mes Ramës dhe kryeministrit Sunak. Ne po ndërtojmë një regjistër të personave që kanë qenë të trafikut dhe emigracionit të paligjshëm dhe që me mbështetjen e qeverisë britanike po krijojmë sipërmarrje të suksesshme në Kukës, Dibër. I bie më mirë të rritesh dele në Kukës dhe Dibër sesa të punosh me shtëpi bari në Britaninë e Madhe. Këto projekte ne do ti mbështesim dhe do ti fuqizojmë për të çuar përpara këtë strategji të rëndësishme”, tha ndër të tjera ministri Balla.
Të nderuar kolegë Ministra,
Të nderuar Pjesëmarrës,
Përgëzime Ministrit të Drejtësisë dhe gjithë stafit të kësaj ministrie për punën e lavdërueshme dhe adresimin në kohën e duhur të një dimensioni ndoshta të lënë në harresë prej institucioneve, prej vitesh.
Sepse mendoj që nuk është vetëm perceptimi im, por është një perceptim publik fakti që në vitet e shkuara më shumë jemi marrë me autorët e krimeve sesa të adresojmë në kohë viktimat e këtyre krimeve. Dhe sa herë që biem në kontakt dhe kemi mundësi të flasim me viktimat e këtyre akteve kriminale, kuptojmë që kemi ende shumë për të bërë. Unë uroj që kjo strategji e iniciuar nga Ministri i Drejtësisë, është një strategji ndërsektoriale që na jep përgjegjësi të gjithëve, të japë efektet e duhura dhe të shërojë sadopak dhimbjet dhe pasojat e akteve kriminale.
Duhet të trajtojmë më shumë vëmendje një formë të trashëguar ndër vite por të paadresuar siç duhet. Përmbyllim sot 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, por kjo nuk duhet të jetë një gjë periodike. Kjo duhet të jetë një gjë sistematike, duhet të jetë çdo ditë.
Kam pasur mundësinë të flas me një vajzë, në spital, e cila ra pre e dhunës seksuale para disa kohësh. Aty kuptojmë qartë që ne ende nuk i kemi të gjitha mekanizmat e duhur se si mund të vijmë menjëherë në ndihmë dhe mbështetje dhe madje ta incentivojmë gatishmërinë e viktimave që jo vetëm të bashkëpunojnë me policinë, me drejtësinë, por edhe t’u tregojmë që shoqërua nuk i stigmatizon. Por përkundrazi, shoqëria i vlerëson dhe u lë të kuptojnë që jeta, pas këtij momenti, do të jetë shumë më e bukur sesa ajo që ke kaluar deri më tani. Duhet t’u garantojmë integrim dhe na duhet të bëjmë ç‘është e mundur, ne ministrat, të gjitha njësitë përbërëse të ministrive tona, por edhe shoqëria civile për ta jetësuar. Sepse në fjalë, këto duken bukur, problemi është te zbatimi.
E preka këtë pjesë, sepse mendoj se kemi shumë për të bërë.
Strategjia ka ardhur në momentin e duhur, për të vendosur viktimën në qendër të vëmendjes, duke i ofruar pikë së pari, të drejtën për informim, të drejtën për akses të ndihmës juridike. Dhe në fakt, të gjitha hapat që ka ndërmarrë vitet e fundit, Ministria e Drejtësisë, kanë krijuar tashmë një instrument. Se deri para pak vitesh ishte pothuajse e vështirë. Gjëja e parë që i vinte në mendjen një viktime ishte ku të gjente një avokat! Sa kushton ai? Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ka krijuar tashmë instrumentin e ndihmës juridike falas. Kjo pastaj lidhet me elementin e tretë që është thelbësor në këtë proces, – e drejta për të garantuar një proces të rregullt ligjor dhe të drejtë etj.. Se si mund të mbrohet një viktimë e dhunës seksuale pa asnjë mbështetje nëse shteti nuk bëhet avokat i saj! Se si mund të mbrohet një viktimë e dhunës periodike në familje nëse shteti nuk merr përsipër të kryejë mbrojtjen e saj!
Në këtë kuadër Strategjia për mbrojtjen e viktimave të krimit, do të ketë gjithë angazhimin e plotë të strukturave të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, për mbrojtjen e viktimave të veprave penale por edhe të viktimave me nevoja specifike mbrojtjeje.
Shifrat flasin më shumë se strategjitë. Nga Policia e Shtetit, janë trajtuar, vetëm gjatë këtij viti 4700 raste të dhunës, të krimeve të ndodhura në familje dhe në marrëdhëniet familjare, me një ulje të vogël, të krahasuar me vitin e kaluar, por përsëri, një numër i madh, nëse raportojmë këtë për rezidentët apo numrin e popullsisë rezidente në Shqipëri.
Këtu dua të shtoj një element tjetër që lidhet me kërkesë–paditë “Për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes/Urdhrit të Mbrojtjes”. Kemi pasur rreth 2500 raste të dhunës në familje, që është lëshuar urdhër mbrojtje, dhe edhe këtu, një ulje, për mua e vogël, se këta të Policisë së Shtetit që më kanë sjellë të dhënat, e kanë dhënë ktë pjesën që është ulur me 208; kujtojnë se do më surprizojnë mua, që kemi bërë punë të madhe, që e kemi ulur me 4-5%.
Janë referuar në Prokurori 2168 raste për dhunë dhe krime të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare.
Pra të dashur miq, jemi në kushtet, do ta quaja unë, të një situate emergjente, e cila kërkon një adresim të menjëhershëm, dhe kjo nuk arrihet vetëm me forcën e ligjit.
Kjo arrihet duke u bërë të gjithë bashkë, duke krijuar do ta quaja unë një koalicion kombëtar të të gjithë aktorëve, qofshin këto aktorë të institucioneve shtetërore, por dhe të shoqërisë civile, edhe të medias. Sepse duhet ta pranojmë, nuk flas për mediat tradicionale, por ka tani elementë të rinj të mediave dhe unë të paktën në këtë aspekt jam shumë i qartë për rolin shkatërrues të Tik Tokut, si shpërndarës i pa kontrolluar i dhunës dhe i dëmit që i krijon shoqërisë.
Por, na duhet që numrin e lartë të viktimave të fillojmë ta trajtojmë, dhe këtu pastaj për mua ka një moment thelbësor, sa prej këtyre viktimave janë trajtuar dhe kanë marrë asistencë, mbështetje, mbrojtje dhe kanë marrë trajtim.
Dhe këtu na duhet domosdoshmërisht edhe ne qeveria qendrore, në bashkëpunim dhe me njësitë e qeverisjes vendore, të rrisim mbështetjen tonë për të gjitha strehëzat, vatrat ku duhet të trajtohen të gjitha viktimat e dhunës. Iu referova këtu dhunës në familje, seksuale dhe dhunës me bazë gjinore.
Dhe duhet të flasim më shumë sepse në Shqipëri ka shumë pak informacion, dhe shumë pak dije se çfarë është dhe dhuna. E diskutonim me kolegun tim Ulsiun, rasti më i rëndë për një shoqëri është kur ke forma të caktuara të dhunës edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk flas për fishekzjarret, e as për tymueset, flas edhe për gjuhën që shpesh herë përdoret ndaj vajzave dhe ndaj grave, dhe pastaj kjo përçohet në forma të tjera në gjithë shoqërinë.
Flas për bullizmin në shkolla, edhe ajo është një formë e dhunës.
Ne, Ministria e Brendshme, unë personalisht, e kam përcaktuar paketën e sigurisë në shkolla si një ndër objektivat kryesorë të detyrës time si ministër. Sepse mendoj që krimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike, dhe i tërheqjes së fëmijëve në grackën e përdorimit të lëndëve narkotike është një burim i shkatërrimit të së ardhmes së këtij vendi.
Me operacionin e sotëm të Policisë së Shtetit, janë pothuajse 500 të arrestuar nga operacioni “Tempulli” kundër shpërndarësve dhe trafikantëve të lëndëve narkotike në vend.
Po me ata mijëra viktima atë këtij aktiviteti kriminal, çfarë kemi bërë deri tani për t’i ndërgjegjësuar, për t’u thënë që një cigare hashash sot, pas 18 ose 24 muajsh, trupi yt do të kërkojë një drogë më të fortë. Dhe ky ndërgjegjësim duhet të fillojë sot, prandaj jo për subjektivizmin e faktit që përveçse e kam koleg Ulsiun, e kam edhe mik, dhe të dy pjesëtarë të të njëjtës qeveri, por kjo strategji ka ardhur në momentin e duhur për të filluar të bëjmë një punë të përbashkët, sistematike, jo-periodike, së pari për identifikimin e çdo viktime krimi dhe më pas për të vijuar me dhënien e ndihmës. U kam kërkuar të gjitha DVP në vend që të ndryshojnë qasjen ndaj atij momenti të parë, kur bie telefonata, te 129, te 112 dhe kur raportohet një rast dhune.
Nuk kam asnjë dyshim që mund të ketë ekzistuar më parë, mund të ekzistojë edhe pas këtij urdhri të ministrit të Brendshëm, të asaj qasjes që “hë se me burrin tënd në shtëpi je!” Edhe nuk reagohet në kohë. Ose, se kjo gjëja do të krijojë probleme të mëdha, se ndarja nga bashkëshorti është një gjë e vështirë për familjen, sepse kjo është ajo stigma e shoqërisë sonë! Ndërkohë që ai moment duhet të jetë një moment kur ndizen të gjithë receptorët e shtetit.
Momenti kur merret dijeni për dhunë në familje, me bazë gjinore ose dhunë seksuale, duhet të ketë një protokoll, siç është një protokoll kur bie një zjarr, – pra duhet të kemi një protokoll edhe për momentin që sinjalizohet një rast dhune.
Aktorët që përfshihen janë policia, prokuroria, strehëzat sociale ku do të trajtohet, psikologu që duhet të jetë menjëherë aty për të ofruar gjithë mbështetjen.
Dhe e dyta, ajo që ka të bëjë me parashikimin e masave për kompensimin e viktimave. Dhe na duhet që ne të tregojmë shoqërisë sonë, publikut rastet konkrete se si viktimat, jo vetëm janë marrë në mbrojtje por ato janë fuqizuar në aspektin social dhe ekonomik, ku kanë krijuar biznese të suksesshme. Unë kam takuar disa prej tyre. Dhe falë donatorëve të vendeve partnere, që po i shoh edhe këtu, ka raste konkrete, me qeverinë britanike, pas marrëveshjes së vitit të kaluar mes kryeministrave Rama dhe Sunak, ne po ndërtojmë një “track-record”, një regjistër të personave të cilët kanë qenë viktima të trafikut dhe migracionit të paligjshëm dhe që me mbështetjen e qeverisë britanike dhe autoriteteve vendore, po krijojmë sipërmarrje të suksesshme, në Kukës, në Dibër. I bie më mirë të rrisësh delet në Kukës e Dibër, sesa të shkosh të shkosh të punosh në shtëpitë e barit në Britaninë e Madhe.
Dhe këto lloj projektesh ne do t’i mbështesim dhe fuqizojmë për të çuar përpara këtë strategji të rëndësishme.
E fundit, ne kemi në Ministrinë e Brendshme, edhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), ku kemi vendosur një prioritet që një pjesë e madhe e pasurive të konfiskuara të krimit të kalojnë në interes të viktimave të krimit. Këto prona do t’i përdorim duke i vënë ne dispozicion të institucioneve shtetërore dhe nuk do shiten në ankand. Mirëpres nga organizatat jofitimprurëse, të angazhuara edhe në këtë strategji të sjellin në Ministrinë e Brendshme propozimet e tyre për AAPSK. Ne mund t’iu vëmë në dispozicion një listë të këtyre pronave dhe t’i vëmë në dispozicionin tuaj për të trajtuar viktimat e dhunës.
Policia e Shtetit është angazhuar e angazhuar 100% në zbatimin e Konventave për të Drejtat e Njeriut, edhe për shpërndarjen e materialeve audio/video. Përfitoj nga rasti që këtu është dhe Prokurori i Përgjithshëm, dua të them që kjo nuk buron vetëm nga ju, por së pari nga Policia e Shtetit, por kjo historia që të gjitha materialet audio/video të rasteve të dhunës, më përpara përfundojnë te mediat e rrjetet sociale, sesa te prokurori dhe gjyqtari, duhet të ndërtojmë së bashku, nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, një strategji që kësaj historie t’i jepet fund, sepse viktimat i vret më shumë ai momenti i daljes në publik të atij intimitetit apo aktit të dhunës, sesa vetë dhuna, ndonjëherë.
Kështu që në këtë aspekt na duhet edhe një strategji për këtë dhe unë e kam lexuar me kujdes në strategjinë që ju keni në plan ta adresoni edhe këtë. Ky është një lajm i mirë, i shumëpritur nga i gjithë publiku.
Kam edhe një merak që lidhet me prokurorinë dhe gjykatën, – kemi një numër shumë të vogël të vendimeve përfundimtare të gjykatave lidhur me personat e përfshirë në trafikim personash. Na duhet ta rrisim numrin e personave që përfshihen në trafik qeniesh njerëzore, emigracion të paligjshëm etj., në mënyrë që të dekurajojmë gjithkënd që tenton të përfshihet në këto lloj veprash penale. Faleminderit.