Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë sot në prezantimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu vuri në dukje se institucioni që ajo drejton e ka si mision dhe fushë të përgjegjësisë mbrojtjen e viktimave ndaj dhunës dhe krimit, grupet e margjinalizuara, ndërsa shtoi se ky dokument strategjik është një mburojë shtesë për të gjithë këto grupe.
Koçiu u shpreh se Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030 shkon në linjë dhe janë të ndërlidhura edhe me Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore, por edhe me strategjinë që MSHMS është duke hartuar për mbrojtjen sociale.
“Nuk mjaftojnë 16 ditë, nuk mjafton as një muaj, as një vit për të folur për fenomene të tilla të cilat shqetësojnë gjithë shoqërinë. Kështu që angazhimi i përbashkët i të gjithë institucioneve është i domosdoshëm dhe i mirëpritur, për të qenë bashkërisht dhe për të luftuar këto lloj fenomenesh”, – theksoi ajo.
Koçiu vuri në dukje mbështetjen që MSHMS ka dhënë nëpërmjet Fondit Social për ofrimin e shërbimeve sociale dhe shërbime mbështetëse ndaj viktimave të dhunës dhe të krimit.
“Sot gjithnjë e më shumë strukturat e mbështetjes, strukturat e shërbimeve sociale pranë pushtetit vendor dhe strukturat e shërbimeve që ofrohen dhe nga shoqëria civile, edhe nga organizatat të mbështetur edhe nga partnerët dhe donatorët pa diskutim edhe nga shteti shqiptar, janë gjithnjë e më shumë të përhapura në territor”, – deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Më tej ajo theksoi mbështetjen ndaj strukturave të Policisë së Shtetit për t’i vënë përpara përgjegjësisë autorët e dhunës ndaj grave. Ajo nënvizoi rëndësinë e ofrimit të sa më shumë shërbimeve të shtrira në të gjithë territorin dhe sa më pranë këtyre target grupeve.
“Të kemi mundësi që të ofrojmë kujdes psiko-social, t’i ofrojmë mbështetje, t’i ofrojmë këshillim ligjor dhe patjetër, t’i riintegrojmë në jetë. Të jemi pranë tyre me riintegrim qoftë në formim profesional, qoftë në punësim, dhe që në fund të tunelit të ketë dritë dhe të ketë shpresë. Ky është qëllimi ynë i përbashkët, ky është qëllimi i qeverisë shqiptare sepse punojmë për Shqipërinë Evropiane 2030”, – përfundoi Koçiu.
Në prezantimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030, merrnin pjesë Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela si dhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe nga shoqëria civile.