Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2024: 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE DHE PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E STATUSIT TË KLIENTIT NË NEVOJË NË FURNIZIMIN ME GAZ NATYROR DHE MËNYRËN E TRAJTIMIT TË TYRE
Në zbatim të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 97, të ligjit nr.102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I 
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Ky vendim përcakton kriteret dhe procedurat për kualifikimin e klientëve në nevojë të gazit natyror dhe përcakton specifikat e furnizimit me gaz natyror për këta klientë, si dhe mbështetjen financiare (ndihmën shoqërore) dhe masa të tjera mbrojtëse përkatëse.
Neni 2
Mbrojtja e klientëve në nevojë të gazit natyror, si një instrument me qëllim të veçantë i mbështetjes financiare (ndihmës shoqërore) dhe përfitimeve të tjera të përfituara nga një individ në kuadrin e skemës së mbrojtjes sociale të Republikës së Shqipërisë, nuk e parashikon të drejtën për përfitim si një klient në nevojë i gazit natyror, nëse nuk përcaktohet shprehimisht në këtë vendim.
Neni 3
Ky vendim është detyrues për të gjithë pjesëmarrësit në tregun e gazit natyror dhe zbatohet me përpikmëri nga të gjitha organet publike gjatë vendimmarrjes së tyre legjislative, administrative apo rregullatore në kuadrin e kompetencave të tyre, përfshirë masat për mbrojtjen e klientit dhe ofrimin e shërbimeve me standarde të larta në sektorin e gazit natyror.
KREU II
KRITERET PËR KUALIFIKIM SI KLIENT NË NEVOJË
Neni 4
1. Çdo klient familjar me adresë të përhershme në Republikën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë për statusin e klientit në nevojë të gazit natyror nëse bën pjesë në kategoritë përfituese, si më poshtë vijon:
a) Familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe të fondit 6% (gjashtë për qind)), sipas ligjit nr.57/2019, datë 18.7.2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
b) Familjet që kanë anëtarë “persona me aftësi të kufizuar” (PAK), sipas ligjit nr.57/2019, datë 18.7.2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
c) Pensionistët dhe invalidët e punës, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
ç) Të verbrit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar;
d) Paraplegjikët dhe tetraplegjikët, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar.
2. Në rastet kur klienti është përfitues në më shumë se një prej kategorive, përfiton sipas rregullave të parashikuara në këtë vendim vetëm si një prej këtyre kategorive.
3. Klientët familjarë e përfitojnë statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim dhe nëse përmbushen kriteret e mëposhtme:
a) Gazi natyror përdoret si burim kryesor për furnizimin e përhershëm të banesës për ngrohjen apo përgatitjen e ushqimit në banesën ku jeton familja në fjalë;
b) Pajisjet e gazit natyror të klientit familjar lidhen me sistemin e shpërndarjes së gazit natyror përmes pajisjeve matëse të instaluara, në përputhje me dispozitat e akteve ligjore në fuqi;
c) Klienti familjar është pronar, ka vendbanim ose vendqëndrim në mënyra të tjera ligjore në ambientet e banimit ku jeton familja përkatëse;
ç)  Një familje e caktuar konsiderohet si familje me të ardhura të ulëta, nëse:
i. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 70% (shtatëdhjetë për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes, ku një familje e veçantë përbëhet nga më pak se 3 (tre) pjesëtarë;
ii. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 80% (tetëdhjetë për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes, ku një familje e veçantë përbëhet nga 3 (tre) deri në 5 (pesë) pjesëtarë;
iii. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 90% (nëntëdhjetë për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes, ku një familje e veçantë përbëhet nga 6 (gjashtë) ose më shumë pjesëtarë;
iv. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 100% (njëqind për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes, me të paktën 1 (një) individ të moshuar 65 (gjashtëdhjetë e pesë) vjeç e lart ose të paktën 2 (dy) të mitur deri në moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
v. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 110% (njëqind e dhjetë për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes me 3 (tre) ose më shumë të mitur deri në moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
vi. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 120% (njëqind e njëzet për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes me një individ të diagnostikuar me një aftësi të kufizuar fizike apo mendore, që shkakton humbje të aftësisë në punë, në masën më pak se 60% (gjashtëdhjetë për qind), ose kur një familje e caktuar përbëhet nga një individ i vetëm i moshuar 65 (gjashtëdhjetë pesë) vjeç e lart;
vii. të ardhurat mujore faktike të përgjithshme (neto) nuk kalojnë 150% (njëqind e pesëdhjetë për qind) të nivelit të pagës minimale për secilin pjesëtar të familjes, ku një familje e caktuar përfshin të paktën 2 (dy) nga kushtet e përcaktuara më lart.
d) Një familje e caktuar nuk konsiderohet si familje me të ardhura të ulëta sipas shkronjës “ç”, të kësaj pike, kur niveli i të ardhurave për secilin pjesëtar të familjes nuk është më i lartë se 50% (pesëdhjetë për qind) e vlerës së të ardhurave mujore të përgjithshme faktike (neto), sipas përcaktimeve të sipërpërmendura.
4. Kriteret e kualifikimit të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, konsiderohen si shteruese dhe nuk mund të përcaktohen kritere shtesë që do të ndalonin kualifikimin e klientit familjar, si klient në nevojë i gazit natyror.
KREU III
PROCEDURA PËR KUALIFIKIMIN E KLIENTËVE NË NEVOJË
Neni 5 
1. Të gjithë klientët familjarë, që përmbushin kriteret e kualifikimit të përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi, kanë të drejtën të aplikojnë nëpërmjet portalit “e-Albania” në njësinë administrative vendore që mbulon territorin ku klienti ka vendbanimin ose vendqëndrimin për marrjen e statusit të klientit në nevojë të gazit natyror.
2. Kërkesa për statusin e klientit në nevojë të gazit natyror realizohet nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton përmbushjen nga ana e klientit familjar të kritereve të kualifikimit, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi.
3. Lista shteruese e dokumentacionit për kategoritë e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike dhe të fondit 6 % (gjashtë për qind), si dhe për familjet që kanë anëtarë “persona me aftësi të kufizuar” (PAK), sipas ligjit nr.57/2019, datë 18.7.2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, do të jenë:
a) vërtetimi i Komisionit të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar për personat me aftësi të kufizuar;
b) vërtetimi i lëshuar nga bashkia për kategoritë e ndihmës ekonomike.
4. Dokumentacioni shterues për kategoritë e familjeve përfituese pensionistë dhe invalidë të punës, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të jetë vërtetimi nga drejtoritë rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku ndodhet familja përfituese.
5. Dokumentacioni shterues për kategoritë për kategoritë e të verbërve, që përfitojnë ndihmë sipas dispozitave të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit.”, të ndryshuar, do të jetë vërtetimi i Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Verbërisë (KMPV) ose libreza për statusin e të verbrit, e lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
6. Njësia administrative vendore, ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar nga një klient familjar, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pune pas marrjes së kërkesës dhe:
a) konfirmon statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, nëse klienti familjar përmbush kriteret e kualifikimit, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi;
b) refuzon kërkesën, nëse klienti familjar nuk përmbush kriteret e kualifikimit të përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi; ose
c) kërkon plotësimin e dokumentacionit nga klienti familjar, nëse kërkesa nuk është plotësuar sipas kërkesave ose nëse nuk dorëzohet i gjithë dokumentacioni i kërkuar, sikurse përcaktohet në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3, të këtij neni,  klienti në nevojë që brenda 10 (dhjetë) ditëve duhet të plotësojë dokumentacionin e munguar.
7. Pa paragjykim, në lidhje me pikën 6, të këtij neni, statusi i klientit në nevojë të gazit natyror konfirmohet ose kërkesa refuzohet jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pune pas plotësimit të kërkesës pranë institucioneve përkatëse vendore, sipas kërkesave dhe të gjithë dokumentacionit të nevojshëm të përcaktuar në këtë vendim.
8. Statusi i klientëve në nevojë të gazit natyror konfirmohet kur të gjitha konfirmimet përmbajnë, ndër të tjera, informacion në lidhje me trajtimin e veçantë që gëzon klienti familjar, si rrjedhojë e statusit të tij/saj si klient në nevojë i gazit natyror, sipas kushteve dhe termave të këtij vendimi.
9. Kur kërkesa për statusin e klientit në nevojë refuzohet, refuzimit duhet të justifikohet dhe klientit familjar t’i jepet shpjegim me shkrim, si dhe nëpërmjet portalit “e-Albania”.
10. Një klient familjar, të cilit i është dhënë statusi i klientit në nevojë të gazit natyror me konfirmim, kryen kërkesën pranë operatorit të sistemit të shpërndarjes që i shërben zonës përkatëse të shërbimit të shpërndarjes për përfshirjen e tij/saj në regjistrin e klientëve në nevojë nga pikëpamja shoqërore (në vijim regjistri).
11. Regjistri hapet dhe mirëmbahet nga operatori i sistemit të shpërndarjes, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe përmban të paktën të dhënat e mëposhtme për secilin klient në nevojë të gazit natyror:
a) emrin dhe mbiemrin;
b) numrin personal të identifikimit;
c) adresën e banesës së një familjeje të veçantë të furnizuar me gaz natyror;
ç)  numrin rendor, në të cilin është regjistruar në regjistër klienti në nevojë i gazit natyror;
d) trajtimin e veçantë për shkak të statusit të klientit në nevojë të gazit natyror.
12. Regjistri ruhet në format elektronik dhe aksesi në të është i kufizuar, i autorizuar nga operatori i sistemit të shpërndarjes dhe bazohet në llogari individuale hyrjeje të lëshuara për:
a) furnitorin me detyrime të shërbimit publik – për akses në të dhënat e klientëve në nevojë që banojnë në zonën e shërbyer prej tij; dhe
b) klientin në nevojë të gazit natyror – për akses në të dhënat e veta.
13. Operatori i sistemit të shpërndarjes regjistron një klient familjar në regjistër, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune pas marrjes së kërkesës të tij/saj. Operatori i sistemit të shpërndarjes nuk ka të drejtë të refuzojë regjistrimin e klientit familjar në regjistër, nëse ky klient gëzon statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, të konfirmuar nga zyra e njësisë administrative vendore, ku kërkuesi ka vendbanim ose vendqëndrim.
14. Operatori i sistemit të shpërndarjes, jo më vonë se dita vijuese nga regjistrimi i klientit familjar në regjistër, njofton me shkrim:
a) furnitorin që ka detyrimin e shërbimit publik, që i shërben një zone të caktuar të shërbimit të shpërndarjes dhe ofron të dhënat e klientit në nevojë të gazit natyror të regjistruara në regjistër; dhe
b) klientin në nevojë të gazit natyror dhe i ofron atij/asaj informacionin e kontaktit të furnitorit që ka detyrimin e shërbimit publik, që shërben një zonë të caktuar të shërbimit të shpërndarjes së gazit natyror.
KREU IV
FURNIZIMI ME GAZ NATYROR PËR KLIENTIN NË NEVOJË
Neni 6
1. Furnitori që ka detyrimin e shërbimit publik, pas marrjes së njoftimit nga operatori i sistemit të shpërndarjes, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas regjistrimit të klientit në nevojë të gazit natyror në regjistër:
a) nënshkruan një kontratë të re furnizimi me klientin në nevojë të gazit natyror, nëse furnitori dhe klienti në nevojë i gazit natyror nuk kanë një kontratë të vlefshme furnizimi; ose
b) njofton klientin në nevojë të gazit natyror në lidhje me kërkesën për t’u pajisur me statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, bazuar në kontratën ekzistuese të furnizimit dhe, kur është e nevojshme, vë në zbatim ndryshimet përkatëse në këtë kontratë.
2. Një kontratë e re furnizimi, siç përcaktohet në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, hyn në fuqi jo më vonë se 3 (tri) ditë pune pas nënshkrimit, nëse palët në kontratë nuk bien dakord për një afat tjetër.
3. Statusi i një klienti në nevojë, sipas shkronjës “a” të pikës 1, të këtij neni, fillon të aplikohet jo më vonë se ditën vijuese pas njoftimit përkatës nga furnitori ose, kur është e nevojshme, jo më vonë se 3 (tre) ditë pune pas hartimit të ndryshimeve në kontratën e furnizimit, përveçse të dyja palët në kontratë bien dakord për një afat tjetër.
4. Kontrata e furnizimit hartohet bazuar në një kontratë tip të miratuar nga Enti Rregullatori i Energjisë (në vijim ERE).
5. Tarifat për furnizimin me gaz natyror të klientit në nevojë të gazit natyror aplikohen sipas përcaktimeve të ERE-s, bazuar në termat dhe kushtet e përcaktuara në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
6. Për sa nuk rregullohet nga ligji nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe nga ky vendim klienti në nevojë i gazit natyror furnizohet me gaz sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në kushtet e përgjithshme për furnizimin me gaz natyror dhe rregullat e operimit për furnitorët që kanë detyrimin e shërbimit publik, sipas miratimit të ERE-s dhe kontratës së furnizimit.
KREU V
MBËSHTETJA FINANCIARE
Neni 7
1. Të gjithë klientët në nevojë të gazit natyror kanë të drejtën e mbështetjes financiare (ndihmës shoqërore), bazuar në trajtimin e veçantë si rrjedhojë e statusit të tij/saj si klientë në nevojë i gazit natyror, siç përcaktohet në këtë kre.
2. Klientët në nevojë të gazit natyror kompensohen për konsumin e gazit natyror të ofruar dhe furnizuar në banesat e tyre, në masën:
a) 100% (njëqind për qind) të kostove të konsumit të gazit natyror kur klienti në nevojë i gazit natyror kualifikohet sipas shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi;
b) 90% (nëntëdhjetë për qind) të kostove të konsumit të gazit natyror kur klienti në nevojë i gazit natyror kualifikohet sipas shkronjës “d”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi, dhe niveli i të ardhurave për secilin pjesëtar të familjes nuk është më i lartë se 10% (dhjetë për qind) të vlerës së të ardhurave të përgjithshme faktike (neto) për muaj, sipas përcaktimeve të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi;
c) 80% (tetëdhjetë për qind) të kostove të konsumit të gazit natyror kur klienti në nevojë i gazit natyror kualifikohet sipas shkronjës “ç”, të pikës 3, nenit 4, të këtij vendimi, dhe niveli i të ardhurave për secilin pjesëtar të familjes nuk është më i lartë se 20% (njëzet për qind) të vlerës së të ardhurave të përgjithshme faktike (neto) për muaj, sipas përcaktimeve të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi;
ç) 70% (shtatëdhjetë për qind) të kostove të konsumit të gazit natyror kur klienti në nevojë i gazit natyror kualifikohet sipas shkronjës “d”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi, dhe niveli i të ardhurave për secilin pjesëtar të familjes nuk është më i lartë se 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së të ardhurave të përgjithshme faktike (neto) për muaj, sipas përcaktimeve të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi;
d) 60% (gjashtëdhjetë për qind) të kostove të konsumit të gazit natyror kur klienti në nevojë i gazit natyror kualifikohet sipas shkronjës “d”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi, dhe niveli i të ardhurave për secilin pjesëtar të familjes nuk është më i lartë se 40% (dyzet për qind) të vlerës së të ardhurave të përgjithshme faktike (neto) për muaj, sipas përcaktimeve të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi; ose
dh) 50% (pesëdhjetë për qind) të kostove të konsumit të gazit natyror kur klienti në nevojë i gazit natyror kualifikohet sipas shkronjës “d”, të               pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi, dhe niveli i të ardhurave për secilin pjesëtar të familjes nuk është më i lartë se 50% (pesëdhjetë për qind) të vlerës së të ardhurave të përgjithshme faktike (neto) për muaj, sipas përcaktimeve të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 4, të këtij vendimi.
3. Kostot e konsumit të gazit natyror, referuar në pikën 2, të nenit 7, të këtij vendimi, kanë kuptimin e çmimit të përgjithshëm të paguar për gazin natyror nga klienti në nevojë i gazit natyror, përfshirë çmimin e shpërndarjes dhe furnizimit.
4. Kompensimi për konsumin e gazit natyror, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 7, të këtij vendimi, aplikohen vetëm në përmbushje të kushteve, si më poshtë vijon:
a) Gazi natyror konsumohet në banesën e një familjeje të caktuar, sipas përcaktimeve në këtë vendim;
b) Gazi natyror konsumohet gjatë periudhës së ftohtë për ngrohje, pra nga  1 nëntori në 31 mars, përveç rasteve kur periudha e ftohtë fillon më shpejt dhe zgjat më shumë si pasojë e kushteve ekstreme të motit, sipas përcaktimeve të akteve ligjore në fuqi;
c) Konsumi maksimal i gazit për familje përllogaritet mbi bazën e periudhave sezonale dhe konsumit mesatar deri në 30 m3/muaj për një familje deri në 4 (katër) anëtarë.
5. Konsumi i gazit natyror nga një klient në nevojë i gazit natyror, që nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, dhe tejkalon volumet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 4, të këtij neni, do të tarifohet plotësisht, bazuar në tarifat e shpërndarjes të gazit natyror të vendosur nga ERE, sipas kushteve dhe termave të përcaktuar në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe tarifat e furnizimit sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij vendimi.
6. Kompensimet ekzekutohen nëpërmjet njësive administrative nga buxheti i shtetit, sipas përcaktimit të këtij vendimi. Çmimi i aplikuar ndaj kostove të konsumit të gazit natyror të një klienti në nevojë të gazit natyror për çdo muaj përcaktohet qartë në faturat mujore të lëshuara nga operatori i sistemit të shpërndarjes ose furnitori që ka detyrimin e shërbimit publik përkatësisht. Për qëllimet e këtij vendimi, klientët në nevojë të gazit natyror kanë të drejtë për përfitim të drejtpërdrejtë fondesh nga buxheti i shtetit për kryerjen e pagesave ndaj operatorëve të gazit natyror për gazin e konsumuar në banesat e tyre.
7. Fondet përpunohen sipas kushteve dhe termave të përcaktuar nga një udhëzim i përbashkët i ministrit përgjegjës për energjinë, si dhe të ministrit përgjegjës për financat dhe i nënshtrohen procedurës së rimbursimit nga buxheti i shtetit për klientët në nevojë.
KREU VI
MASA TË TJERA MBROJTËSE ZBATUAR PËR KLIENTIN NË NEVOJË
Neni 8
1. Shpërndarja dhe furnizimi me gaz natyror për klientët në nevojë të gazit natyror mund të pezullohet apo të ndërpritet sipas termave dhe kushteve të miratuara nga ERE, në përputhje me ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
2.  Pavarësisht pikës 1, të këtij neni, shpërndarja dhe furnizimi me gaz natyror për klientët në nevojë të gazit natyror nuk mund të pezullohet apo të ndërpritet në rastet e mëposhtme:
a) Kur një klient në nevojë i gazit natyror nuk paguan plotësisht ose pjesërisht për shpërndarjen ose furnizimin me gaz natyror sipas kërkesave të kontratës përkatëse dhe për sa kohë që borxhi i tij/saj ndaj operatorit të sistemit të shpërndarjes ose furnitorit që ka detyrimin e shërbimit publik nuk kalon 1 (një) nivel minimal të ardhurash; ose
b) Gjatë fundjavës dhe gjatë ditëve të festave zyrtare, si dhe në raste të kushteve kritike të motit, kur temperatura mesatare ditore është më e ulët se -10 (minus dhjetë) gradë celsius.
3. Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, nuk zbatohen në rastet kur shpërndarja dhe furnizimi me gaz natyror i një klienti në nevojë të gazit natyror pezullohet ose ndërpritet për shkak të masave të sigurisë për sigurimin e furnizimit të detyrueshëm, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
4. Klienti në nevojë i gazit natyror informohet në lidhje me pezullimet apo ndërprerjen e shpërndarjes ose furnizimit me gaz natyror, sipas përcaktimeve të akteve ligjore në fuqi.
KREU VII
MONITORIMI I STATUSIT TË KLIENTIT NË NEVOJË
Neni 9
1. Një klient në nevojë i gazit natyror gëzon këtë status deri në momentin që statusi shfuqizohet me vendim të njësisë administrative vendore, ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin.
2. Çdo njësi administrative vendore, ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin, monitoron statusin e klientëve të saj në nevojë të gazit natyror, të konfirmuar të paktën 2 (dy) herë në muaj dhe shqyrton përputhshmërinë e tyre me kriteret e kualifikimit, të përcaktuara në pikën 1, nenit 4, të këtij vendimi. Për këtë qëllim, njësia administrative vendore, ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin, ka të drejtë të kërkojë informacionin e nevojshëm që sigurohet nga organe të tjera publike kompetente, subjekte private ose klientët në nevojë të gazit natyror. Monitorimi kryhet sipas termave dhe kushteve të përcaktuara nga ministria përgjegjëse që mbulon fushën e njësive administrative vendore për çështjet sociale.
3. Në rast se njësia administrative vendore, ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin, evidenton se një klient në nevojë i gazit natyror nuk është më në përputhje me kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi, ajo shfuqizon statusin e klientit në nevojë të gazit natyror dhe informon sa më shpejt, por asnjëherë më vonë se ditën vijuese të punës pas marrjes së vendimit të shfuqizimit, klientin dhe operatorin e sistemit të shpërndarjes. Çdo vendim shfuqizimi duhet të arsyetohet dhe të jepet së bashku me shpjegimin me shkrim, sipas rregullave dhe parimeve të Kodit të Procedurës Administrative.
4. Operatori i sistemit të shpërndarjes, jo më vonë se 8 (tetë) ditë pas marrjes së vendimit të shfuqizimit, referuar në pikën 3, të këtij neni, çregjistron klientin familjar përkatës nga regjistri dhe njofton me shkrim në lidhje me këtë subjekt që çregjistrohet ose furnitorin që ka detyrimin e shërbimit publik.
5. Dita e çregjistrimit të një klienti familjar nga regjistri konsiderohet si dita e fundit e gëzimit të statusit të klientit në nevojë të gazit natyror për këtë konsumator.
6. Referuar pikës 5, të këtij neni, kontrata e furnizimit me një klient në nevojë të gazit natyror përfundon menjëherë pas ditës së çregjistrimit të tij/saj nga regjistri. Me përfundimin e kontratës së furnizimit subjekti i çregjistruar nuk mund të vijojë të gëzojë mbështetjen financiare (ndihmën shoqërore), sipas këtij vendimi.
7. Pas përfundimit të kontratës së furnizimit, siç përcaktohet në pikën 6, të këtij neni, ky klient furnizohet me gaz natyror sipas termave dhe kushteve të furnizimit për klientin familjar, të përcaktuara në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, kushteve të përgjithshme për furnizimin me gaz natyror, miratuar nga ERE dhe akteve të tjera ligjore në fuqi.
8. Çdo klient familjar, statusi i klientit në nevojë të gazit natyror i të cilit është shfuqizuar më parë, ka të drejtën e pakufizuar për të aplikuar përsëri për këtë status, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim, bazuar në përputhshmërinë e tij/saj me kriteret e kualifikimit të përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij vendimi.
KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 10
1. Të gjithë klientët familjarë kanë mundësinë të informohen nga njësitë administrative vendore ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin, operatorët e sistemit të shpërndarjes ose furnitorët që kanë detyrimin e shërbimit publik, brenda fushës së kompetencave të tyre, të gjithë informacionin e lidhur me mbrojtjen e klientëve në nevojë të gazit natyror, përfshirë të gjitha kriteret, procedurat dhe masat e zbatueshme në këtë kuadër.
2. Zbatimi i këtij vendimi monitorohet dhe mbikëqyret nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në një udhëzim të përbashkët të këtyre ministrave.
3. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton sekretariatin e komunitetit të energjisë për praktikën e zbatimit të këtij vendimi, përfshirë kërkesën e mbështetjes financiare (ndihmës shoqërore) dhe masat e tjera mbrojtëse ose ndryshimet përkatëse. Ky njoftim bëhet të paktën 1 (një) herë në vit.
4. Ankesat dhe mosmarrëveshjet, që lindin si pasojë e këtij vendimi, për sa ka të bëjë me cilësinë dhe sasinë e furnizimit me gaz natyror të klientit në nevojë apo me formën dhe sasinë e kompensimit që duhet të përfitojë klienti në nevojë, trajtohen dhe zgjidhen nga:
a) organizmi/Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit – në marrëdhëniet midis klientëve familjarë dhe organeve publike, përfshirë ministrinë përgjegjëse për sektorin e energjisë, si dhe njësitë administrative vendore ku kërkuesi ka vendbanimin ose vendqëndrimin;
b) marrëdhëniet midis klientëve familjarë dhe shoqërive të energjisë ose midis vetë sipërmarrjeve të energjisë, përfshirë operatorët e sistemit të shpërndarjes dhe furnitorët që kanë detyrimin e shërbimit publik.
5. Individët që kryejnë shkelje të këtyre kushteve të përgjithshme janë përgjegjës sipas ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, ose akteve të tjera ligjore në fuqi.
6. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë administrative vendore, si dhe institucionet e autoritetet e tjera shtetërore përkatëse ngarkohen me hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore, programeve, procedurave, formularëve standardë apo masave të tjera të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi, jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj pas miratimit të tij.
7. Ky vendim do t’i shtrijë efektet në momentin e operimit të infrastrukturës së gazit natyror, i cili përmbush kriteret sipas akteve ligjore në fuqi.
8. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 11
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për emërimin e znj. Keti Luarasi anëtar të Këshillit të Statistikave, si përfaqësues i organeve të vetëqeverisjes vendore.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Kamzë-Vorë, Vlorë, Durrës, Fier, Gjirokastër, Tiranë Rurale 2, Kuçovë, Kavajë, Krujë, Sarandë.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 556 268 826,45  (pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e njëzet  e gjashtë presje dyzet e pesë) lekë, për sipërfaqen 46 690,8  (dyzet e gjashtë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë presje tetë) m² sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.3, nr.4, nr.5, nr.12, nr.20, nr.30, nr.33, nr.40, nr.46, nr.49, nr.52, nr.65, nr.73, nr.82, nr. 88, nr.90, nr. 91, nr. 96, nr. 97,  nr. 99, nr. 102, nr. 105,  nr. 202, nr. 235, sipas seksionit të veçantë (kolona 19) të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Kamzë-Vorë, Vlorë, Durrës, Fier, Gjirokastër, Tiranë Rurale 2, Kuçovë, Kavajë, Krujë, Sarandë të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË  PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË  SHTETËRORE PËR SHPRONËSIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të kreut III, të vendimit nr.395, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Znj. Egra Ibrahimi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Kastriot Gurra emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES,                             NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E DREJTËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.536, DATË 1.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË DURRËS TË QARKUT TË DURRËSIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 37 e 39, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.536, datë 1.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Durrës të Qarkut të Durrësit”, të ndryshuar, të dhënat e pronës me numrin rendor 208 përditësohen sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Bashkia Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S, “AEGEAN SEA”, NË DETIN EGJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin me mision të 1 (një) anijeje të klasit “Iliria”, e përbërë nga                   22 (njëzet e dy) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e NATO-s “Aegean Sea”, në detin Egje.
2. Misioni i anijes është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detin Egje, në kuadër të aktivitetit të NATO-s, në detin Egje.
3. Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në mision kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2, në detin Egje. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e misionit.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është 1 (një) vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Afati i llogaritjes së ditëve të qëndrimit në mision për çdo anije është çdo 6 (gjashtë) muaj, me rotacion. Afati i qëndrimit të personelit në mision është 90 (nëntëdhjetë) ditë, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik etj. Ditët e qëndrimit të personelit në mision llogariten nga dita e nisjes për në mision deri në ditën e kthimit në atdhe.
5. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqimin;
ç)  sigurimin e anijes;
d)  sigurimin e pajisjeve të komunikimit të sigurt me NATO-n;
dh)  siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
e) siguracionin shëndetësor për ditët e udhëtimit;
ë)  transportin;
f)  mbështetjen shëndetësore;
g)  shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
gj)  karburant, lubrifikant;
h) transportimin e individëve të shkëputura nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
i) aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kohës së kryerjes së misionit;
j) taksa portuale dhe shërbime portuale;
k) riparimin e nivelit III, pas kthimit të anijes nga misioni;
l) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transportimi i personelit të anijes që merr pjesë në mision, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transportimi i individëve të shkëputur të misionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, përballohen nga pala shqiptare, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër të marrë përsipër këto shpenzime.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2024 – 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026, sipas tekstit dhe shtojcës që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministri i Shtetit dhe Kryenegociator ngarkohet të bashkërendojë zbatimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026 me ministrat dhe/ose drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian (GNPIE), si dhe negociatorin përgjegjës të secilit kriter dhe/ose kapitull të acquis të Bashkimit Evropian.
3. Negociatori përgjegjës për kriterin dhe/ose kapitullin e acquis të Bashkimit Evropian, i caktuar sipas parashikimeve të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, raporton në mënyrë periodike pranë ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator për ecurinë e zbatimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026.
4. Vendimi nr.122, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2023 – 2025”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen të gjitha institucionet, në përbërje të grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian, për të cilat në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026 janë përcaktuar detyra të veçanta për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KONSTATIMIT,                           TË SHQYRTIMIT, TË PROPOZIMIT DHE TË VENDOSJES                  SË MASAVE ADMINISTRATIVE NGA AGJENCIA                                              E INTELIGJENCËS FINANCIARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 27, të             ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky vendim ka për objekt përcaktimin e procedurave të konstatimit, të shqyrtimit, të propozimit dhe të vendosjes së masave administrative nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (në vijim AIF) ndaj subjekteve të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, të ndryshuar.
KREU I
LLOJET E INSPEKTIMIT DHE PLANI VJETOR
Neni 2
Llojet e inspektimeve
Konstatimi i shkeljeve të kryera nga subjektet e ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar, bëhet nga AIF-ja nëpërmjet:
a) inspektimit në vend;
b) inspektimit në distancë.
Neni 3
Plani vjetor i inspektimit
1. Inspektimet në vend dhe në distancë realizohen në bazë të planit vjetor të inspektimit, që miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i AIF-së.
2. Hartimi i planit vjetor të inspektimit bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) Vlerësimin kombëtar të riskut;
b) Vlerësimet sektoriale dhe analizat strategjike;
c) Vlerësimet individuale të riskut të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit për subjektet e ligjit;
ç)  Të dhëna të tjera në dispozicion të AIF-së.
Neni 4
Inspektime jashtë planit vjetor të inspektimit
AIF-ja mund të kryejë inspektime jashtë planit vjetor të inspektimit, nëse:
a) nga monitorimi e mbikëqyrja e kryer lind dyshimi i arsyeshëm për shkeljen e kërkesave ligjore dhe arrihet në përfundimin se është i nevojshëm fillimi i një inspektimi;
b) në bazë të të dhënave të vëna në dispozicion nga të tretët krijohet dyshimi i arsyeshëm për shkelje të kërkesave ligjore.
KREU II
PROCEDIMI ADMINISTRATIV I INSPEKTIMIT
Neni 5
Njoftimi i programit të inspektimit
1. Procedimi administrativ i inspektimit fillon, si rregull, me njoftimin e programit të inspektimit.
2. Në rastet e inspektimit në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së subjektit, programi i inspektimit i njoftohet subjektit në inspektim të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara fillimit të inspektimit.
3. Me kërkesën e arsyetuar me shkrim të subjektit në inspektim, drejtori i Përgjithshëm i AIF-së mund të zgjasë afatin e fillimit të inspektimit.
4. Për inspektimet jashtë planit vjetor të inspektimit, programi i inspektimit mund të mos njoftohet paraprakisht kur gjykohet dhe vlerësohet që njoftimi mund të pengojë kryerjen me efektivitet të inspektimit.
5. Pavarësisht nga njoftimi paraprak, në çdo rast, grupi i inspektimit, përpara fillimit të veprimeve të inspektimit, informon verbalisht subjektin e inspektimit apo të autorizuarit prej tij për objektin e inspektimit, detyrimet e subjektit të inspektimit sipas këtij vendimi dhe për pasojat ligjore të mosrespektimit të këtyre detyrimeve.
Neni 6
Përmbajta e programit të inspektimit
1. Programi i inspektimit përmban:
a) emrin apo emërtimin dhe adresën e subjektit të inspektimit;
b) objektin e inspektimit me të dhëna për përcaktimin sa më të saktë të veprimtarisë konkrete, që i nënshtrohet inspektimit;
c) bazën ligjore;
ç)  përbërjen e grupit të inspektimit;
d) kohëzgjatjen në ditë të kryerjes të inspektimit;
dh) vendin apo vendet ku do të kryhet inspektimi;
e) informacionin, të dhënat e dokumentet shtesë, që duhet të përgatisë subjekti në funksion të inspektimit.
2. Gjatë kryerjes së inspektimit, grupi i inspektimit mund të kërkojë informacion, të dhëna e dokumente shtesë më shumë sesa janë përshkruar në programin e inspektimit, por, në çdo rast, duke respektuar procedurën e parashikuar për administrimin e dokumentacionit, sipas parashikimeve të nenit 10, të këtij vendimi.
3. Përmbajtja e programit të inspektimit dhe bashkëpunimi me autoritetet mbikëqyrëse miratohen nga drejtori i Përgjithshëm i AIF-së.
Neni 7
Vendi i kryerjes së inspektimit
1. Inspektimi në vend kryhet:
a) kudo ku ushtron veprimtarinë e tij subjekti i inspektimit dhe ndodhen faktet objekt inspektimi;
b) në ambientet e punës së AIF-së, nëse nga natyra e inspektimit është i mundur të kryhet inspektimi. Në këtë rast, subjekti i inspektimit ftohet, nëpërmjet njoftimit paraprak, të paraqitet në zyrat e AIF-së. Nëse është e nevojshme, mund të kërkohet paraqitja e dokumenteve apo e të dhënave të tjera të nevojshme për kryerjen e inspektimit në zyrat e AIF-së.
2. Inspektimi në distancë kryhet në ambientet e punës së AIF-së nëpërmjet:
a) shqyrtimit të raportimeve nga subjektet e ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar, të të dhënave, të dokumenteve apo të raporteve të kontrollit në distancë;
b) shqyrtimit të raportimeve të autoriteteve mbikëqyrëse, të dërguara në zbatim të pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, të ndryshuar;
c) shqyrtimit të informacioneve të tjera të marra nga institucione të ndryshme, palë të treta apo që disponon vetë AIF-ja.
Neni 8
Të drejtat e subjektit në inspektim
1. Subjekti në inspektim ka këto të drejta gjatë inspektimit:
a) Të kërkojë të njihet me programin e inspektimit para fillimit të inspektimit;
b) Të kërkojë identifikimin e grupit të inspektimit;
c) Të jetë prezent dhe të ndjekë vetë ose nëpërmjet të autorizuarit prej tij të gjitha veprimet e inspektimit;
ç) Të kërkojë dhe të marrë informacion nga grupi i inspektimit për procedurën e inspektimit dhe për çdo veprim apo vendim të ndërmarrë gjatë saj;
d) Të paraqesë, me shkrim apo verbalisht, mendimet, shpjegimet për faktet, rrethanat apo edhe për çështjet ligjore, dokumente apo çdo provë, që kanë të bëjnë me inspektimin, apo të paraqesë propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes dhe dokumentet përkatëse ku i mbështet ato;
dh) Të kërkojë të njihet dhe t’i njoftohet projektraporti dhe raporti përfundimtar i inspektimit;
e) Të paraqesë shpjegime apo kundërshtime për projektraportin e inspektimit brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Kur pjesëmarrja gjatë kryerjes së inspektimit, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, pengon kryerjen e veprimeve të inspektimit, grupi i inspektimit mund të vendosë përjashtimin nga pjesëmarrja, pasi ka marrë konfirmimin e drejtuesit të drejtorisë përkatëse. Ky veprim procedural pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit.
Neni 9
Detyrimet e subjektit që inspektohet
Subjekti që inspektohet në vend apo në distancë duhet:
a) të jetë i gatshëm apo të autorizojë një apo disa përfaqësues për të komunikuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së procedimit administrativ të inspektimit;
b) të paraqesë dhe të vendosë në dispozicion çdo informacion, dokument, të dhëna, regjistër, material, të japë çdo shpjegim për faktet dhe rrethanat e konstatuara, brenda afateve të përcaktuara nga grupi i inspektimit;
c) të bashkëpunojë dhe të mos pengojë kryerjen e veprimeve të inspektimit. Mungesa e bashkëpunimit vlerësohet bashkë me provat e tjera;
ç) në rastin e inspektimit në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së subjektit, të sigurojë një vend të përshtatshëm për punën e grupit të inspektimit;
d) në rastin e inspektimit në distancë, të dërgojë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar brenda afateve ligjore dhe në formën e kërkuar sipas këtij vendimi.
Neni 10
Administrimi i dokumentacionit
1. Gjatë inspektimit në vend, grupi i inspektimit ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë kopje të dokumenteve në përputhje me programin e inspektimit. Kërkesa bëhet me shkrim dhe administrimi i dokumentacionit pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit.
2. Çdo kopje dokumenti që merret gjatë inspektimit në vend nënshkruhet nga subjekti në inspektim dhe nga grupi i inspektimit, si dhe vuloset në çdo fletë me vulën e subjektit.
3. Në procesverbalin e inspektimit, që do të nënshkruhet nga palët, evidentohet emërtimi i dokumentacionit të administruar së bashku me numrin e fletëve. Në procesverbalin e inspektimit evidentohen edhe dokumentet apo të dhënat që administrohen në formatin elektronik.
4. Në rastet e inspektimit në distancë, subjekti në inspektim dërgon dokumentet e kërkuara nga grupi i inspektimit, duke i numërtuar në çdo fletë, të firmosura nga subjekti apo personi i autorizuar prej tij dhe të vulosura me vulën e subjektit.
Neni 11
Projektraporti i inspektimit
1. Në përfundim të inspektimit në vend apo në distancë, grupi i inspektimit përgatit projektraportin e inspektimit brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i inspektimit.
2. Projektraporti i inspektimit i njoftohet subjektit të inspektuar për të paraqitur shpjegimet apo kundërshtimet përkatëse, nëse kanë të tilla.
3. Afati i paraqitjes së shpjegimeve apo i kundërshtimeve përcaktohet në shkresën përcjellëse të projektraportit të inspektimit, në varësi të llojit dhe të objektit të inspektimit, por jo më shumë se 7 (shtatë) ditë nga dita e njoftimit të projektraportit të inspektimit.
4. Nëse subjekti i inspektuar nuk paraqet në AIF shpjegimet apo kundërshtimet në afatin e përcaktuar, projektraporti i inspektimit do të konsiderohet i pranuar pa kundërshtime.
Neni 12
Raporti përfundimtar i inspektimit
1. Grupi i inspektimit, pas shqyrtimit të shpjegimeve apo të kundërshtimeve të projektraportit të inspektimit të njoftuara nga subjekti i inspektuar, harton raportin përfundimtar të inspektimit. Afati për hartimin e këtij raporti është deri në 7 (shtatë) ditë, në varësi të llojit dhe të objektit të inspektimit.
2. Raporti përfundimtar i inspektimit përmban:
a) të dhënat për subjektin e inspektuar;
b) veprimet e inspektimit dhe gjetjet e tij;
c) vendimet procedurale të marra gjatë inspektimit;
ç) shpjegimet e përmbledhura të fakteve dhe të provave, vlerësimit të tyre dhe rezultatet e hetimit administrativ për të cilat mbështeten konkluzionet;
d) shpjegimet apo kundërshtimet e subjektit të inspektimit lidhur me projektraportin e inspektimit, si dhe argumentimet e grupit të inspektimit lidhur me to;
dh) kundërvajtjen apo kundërvajtjet e konstatuara;
e) masën administrative të propozuar, në përcaktimin e së cilës merren parasysh kriteret e vendosura në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe në ligjin për kundërvajtjet administrative;
ë) rekomandimet që i lihen subjektit të inspektuar dhe afatet për përmbushjen e tyre;
f) përbërjen e grupit të inspektimit.
3. AIF-ja i njofton zyrtarisht subjektit të inspektuar raportin përfundimtar të inspektimit.
Neni 13
Kohëzgjatja e procedurës së inspektimit
1. Kohëzgjatja e procedurës së inspektimit në vend apo në distancë nuk mund të jetë më e gjatë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë, duke filluar nga dita e njoftimit të programit të inspektimit deri në hartimin e raportit përfundimtar të inspektimit.
2. Drejtori i Përgjithshëm i AIF-së mund të miratojë zgjatjen e afatit të mësipërm në proporcion me kompleksitetin dhe volumin e procedurës së inspektimit, por jo më shumë se kohëzgjatja e afatit fillestar.
KREU III
SHQYRTIMI I KUNDËRVAJTJEVE ADMINISTRATIVE
Neni 14
Afatet e shqyrtimit
1. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative nga AIF-ja bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data që subjekti njoftohet me raportin përfundimtar të inspektimit dhe kundërvajtjet administrative të konstatuara.
2. Në çdo rast, shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative nuk mund të ushtrohet kur kanë kaluar 5 (pesë) vjet nga çasti i kryerjes.
3. Referuar kompleksitetit të çështjes, evidentuar gjatë studimit të thelluar administrativ, afati për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative zgjatet deri në 30 (tridhjetë) ditë. Zgjatja e afatit dhe data e përfundimit të afatit të zgjatur i njoftohen subjektit brenda afatit fillestar. Njoftimi duhet të përmbajë edhe arsyetimin për zgjatjen e afatit.
Neni 15
Seanca e shqyrtimit
1. Shqyrtimi i raportit përfundimtar të inspektimit, ku janë evidentuar kundërvajtjet administrative, bëhet në prani të subjektit në inspektim, i cili njoftohet nga AIF-ja për datën dhe orën e shqyrtimit të kundërvajtjes administrative.
2. Subjekti në seancën e shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim dhe dokumentacion shtesë, përveç atyre të paraqitura gjatë procedurës së inspektimit në lidhje me shkeljet e konstatuara.
3. Shqyrtimi mund të bëhet edhe në mungesë, kur vërtetohet se kundërvajtësi ka marrë dijeni dhe nuk ka shkaqe të arsyeshme për mosparaqitje.
Neni 16
Propozimi i komisionit
1. Raporti përfundimtar i inspektimit, ku janë evidentuar kundërvajtjet administrative, shqyrtohet nga komisioni i shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative, i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AIF-së.
2. Komisioni, pasi njihet me shkeljet e konstatuara në raportin përfundimtar të inspektimit, dëgjon argumentet dhe administron dokumentacionin e paraqitur nga subjekti, i propozon drejtorit të Përgjithshëm:
a) vendosjen e një ose të disa masave administrative të parashikuara në ligj;
b) pushimin e procedimit të kundërvajtjes administrative, kur, nga analizimi dhe shqyrtimi i fakteve, nuk konstatohet kryerja e kundërvajtjes administrative.
Neni 17
Vendimi për kundërvajtjen administrative
1. Drejtori i Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e propozimit të komisionit të shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative, pasi vlerëson praktikën e inspektimit dhe propozimin e komisionit të shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative, merr vendim për vendosjen e masës administrative ndaj subjektit apo pushimin e procedimit të kundërvajtjes administrative dhe njofton zyrtarisht subjektin.
2. Vendimi për kundërvajtjen administrative, përveç të dhënave të institucionit që ka nxjerrë aktin, duhet të ketë të dhënat e kundërvajtësit, shpjegimin e përmbledhur të fakteve dhe të provave, ku mbështetet vendimi, shkeljen e tyre, duke referuar dispozitën ligjore ku mbështetet vendimi, masat administrative të dënimit me gjobë, cilësimin si titull ekzekutiv për masën e gjobës, si dhe të drejtat për ankimimin dhe afatet procedurale.
3. Për caktimin e llojit dhe të masës administrative merren parasysh kriteret e vendosura në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit dhe në ligjin për kundërvajtjet administrative.
4. Vendimi për kundërvajtjen administrative, i vendosur nga AIF-ja përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutimi i këtij vendimi bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
5. Për njoftimin dhe afatet e njoftimit të vendimeve për kundërvajtjet administrative të nxjerra nga AIF-ja zbatohen dispozitat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
6. Kundër vendimit për kundërvajtjen administrative të marrë nga AIF-ja mund të bëhet ankim në gjykatën administrative brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
KREU IV
DISPOZITA TË TJERA
Neni 18
Shfuqizimet
Vendimi nr.871, datë 14.12.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të konstatimit, të shqyrtimit, të propozimit dhe të vendosjes të masave administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, shfuqizohet.
Neni 19
Organet zbatuese
Ngarkohet Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), si autoritet përgjegjës, për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2024 – 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2024 – 2026, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PROJEKTET QË DUHET T’I NËNSHTROHEN OPONENCËS TEKNIKE SIPAS SECILËS FUSHË PROJEKTIMI, SI DHE PROCEDURAT QË NDIQEN NË KËTO RASTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të dytë, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Oponenca teknike kryhet për projektin për miratimin e lejes së ndërtimit dhe për projektin e zbatimit, në varësi të llojit të objektit dhe punimeve ndërtimore, sipas përcaktimeve në nenin 6, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.
Neni 2
Qëllimi
Oponenca teknike ka për qëllim kontrollin e projektit në përputhje me detyrën e projektimit, me dokumentet e planifikimit e të kontrollit të zhvillimit, me rregullat teknike të ndërtimit, kushtet teknike, standardet shqiptare në fuqi ose standardet evropiane kur mungojnë standardet shqiptare të përdorura në projekt, si dhe me legjislacionin në fuqi që rregullon veprimtarinë e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Fushat për kryerjen e projektimit
Oponenca teknike kryhet për studim-projektim në fushat:
a) sociale, kulturore, shëndetësore, arsimore, shkencore, sportive dhe varreza;
b) infrastrukturore;
c) hidrike;
ç)  e transmetimit të energjisë;
d) e rrjeteve inxhinierike;
dh)  e grumbullimit e të trajtimit të mbetjeve;
e)  e banimit dhe shërbimit;
ë)  industriale;
f)  bujqësore;
g) financiare;
 gj) administrative;
h) akomoduese dhe çlodhjeje.
Neni 4
Kërkesat themelore
Projekti i ndërtimit, rikonstruksionit, mirëmbajtjes ose prishjes kontrollohet për plotësimin e kërkesave themelore sipas normave dhe rregullave ndërtimore në fuqi, që kanë të bëjnë me:
a) qëndrueshmërinë mekanike dhe rezistencën;
b) sigurinë nga zjarri;
c) kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ngrohtësisë;
ç) mbrojtjen nga zhurmat dhe vibracionet;
d) sigurinë dhe përshtatshmërinë në përdorim;
dh) sigurimin e jetës dhe shëndetit të njerëzve e të kafshëve, si dhe mjedisit;
e) qëndrueshmërinë e objekteve fqinje dhe infrastrukturës publike;
ë) sigurinë e higjienës sanitare;
f) përshtatshmërinë.
KREU II
KONTROLLI I PROJEKTEVE
Neni 5
Dokumentacioni i nevojshëm për kontroll
1. Kontrolli i projektit përfshin kontrollin mbi dokumentacionin ligjor dhe teknik.
2. Dokumentacioni ligjor përfshin:
a) licencat përkatëse të personit juridik apo fizik projektues/projektuesit;
b) dëshmitë e kualifikimet përkatëse;
c) policën e sigurimit;
ç) deklaratën e përgjegjësisë profesionale të projektuesit;
d) kontratën e shërbimit midis zhvilluesit dhe investitorit.
3. Dokumentacioni teknik përfshin:
a)  përshkrimin teknik të punimeve të ndërtimit;
b)  përmasimin dhe preventivin e plotë të projektit dhe volumeve;
c)  planimetritë e të gjitha e kateve, prerjet tërthore dhe gjatësore, fasadat në të katër anët e objektit, të cilat duhet të jenë në shkallën 1:50, ku të kenë të shënuar kuotat vertikale relative dhe absolute të katit përdhes dhe kateve/niveleve të tjera;
ç) detajet e nevojshme, në shkallën 1:5, 1:10 apo 1:20 dhe specifikimin e elementeve me përshkrimin e materialit, në shkallën 1:50;
d)  projektin konstruktiv;
dh)  relacionin gjeomekanik të truallit;
e)  projektin e instalimeve hidroteknike;
ë)  projektin e instalimeve elektrike;
f)  projektin e instalimeve të telekomunikacionit dhe sinjalizimit;
g) projektin e instalimeve të pajisjeve/makinerive;
gj) projektin e linjës teknologjike;
h) projektin e qarkullimit dhe parkimit të automjeteve dhe sinjalizimet;
i)  projektin e sistemimit të jashtëm, të instalimeve jashtë objektit dhe lidhjen me rrjetin e kryesor të instalimeve, arkitekturën e peizazhit dhe hortikulturën;
j) projektin e punimeve përgatitore/paraprake, si gërmimi, punimet për përforcimin e tokës, sigurimi i gropës nën kuotën e sistemuar;
k) planin e organizimit të kantierit;
l)  planin e sigurisë në kantier;
ll) planin e ndërtimit për masat e marra për akustikën, termikën, masat për efiçencë të energjisë;
m) planin e mbrojtjes nga zjarri;
n)  kërkesat përkatëse për veprat ujore dhe veprat që kanë lidhje me rrjedhat ujore;
nj) kërkesat përkatëse për aftësitë shkarkuese të veprave ujore;
o)  planin e masave në rastet e prishjeve të mundshme.
Neni 6
Kontrolli i projektit arkitektonik
Kontrolli i projekteve në aspektin arkitektonik kontrollohet për përputhshmërinë e projektit me detyrën e projektimit të miratuar nga autoriteti përkatës për:
a) kontrollin e funksionalitetit të objektit në raport me standardet, normat dhe kushtet e projektimit në fuqi;
b) kontrollin e detajeve teknike arkitektonike të gatshme për zbatimin e objektit;
c) kontrollin e strukturave dhe materialeve specifike për efiçencën e energjisë;
ç) kontrollin e projektit për përshtatshmërinë, sipas vendimit nr.1503, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar’”.
Neni 7
Kontrolli i projekteve për qëndrueshmërinë mekanike dhe rezistencën
1. Çdo projektvepër ndërtimore kontrollohet për të plotësuar kriteret e qëndrueshmërisë mekanike dhe rezistencës në mënyrë të pavarur, ashtu si në tërësi, por njëkohësisht edhe për pjesët përbërëse të tij gjatë gjithë periudhës së specifikuar për jetëgjatësinë shërbyese, duke përballuar të gjitha veprimet projektuese të parashikuara në kushte teknike projektimi dhe veprime të tjera që burojnë nga rrethanat e posaçme ku mund të gjendet vepra gjatë shërbimit të saj, përfshirë marrjen parasysh të ndërveprimit të strukturës me mjedisin rrethues apo moscenimin e qëndrueshmërisë së veprave dhe mjediseve fqinje.
2. Oponenca e projektit kryhet e plotë dhe tregon verifikimet strukturore në mënyrë të pavarur nga llogaritjet e kryera për qëllimin e projektit.
3.  Oponenca e projektit kryhet në dy faza. Gjatë fazës së parë oponenca kryhet ndaj projektit për miratimin e lejes së ndërtimit të veprës dhe gjatë fazës së dytë për projektzbatimin strukturor. Gjetjet dhe udhëzimet e oponencës në fazan e parë reflektohen në projekt ose, nëse kundërshtohen me vërtetime dhe argumentime përkatëse nga projektuesi të cilat pranohen dhe nga oponenti, shprehen në oponencën përfundimtare.
4. Leja e ndërtimit zbardhet nëse oponenca është shprehur pa vërejtje dhe/ose udhëzime dhe ka të cilësuar që projekti është hartuar në përputhje me kërkesat e legjislacionit, rregullave dhe normave në fuqi.
5.  Oponenca kryhet edhe për ndryshimet e propozuara gjatë zbatimit  të projektit strukturor.
6. Projekti strukturor kontrollohet për:
a) specifikimet teknike, udhëzimet teknike dhe vizatimet në përputhshmëri me normat dhe rregullat e projektimit në fuqi;
b) rrethanat projektuese për sigurinë strukturore, konceptin dhe veçantitë e skemës strukturore, përfshirë rregullsinë e saj;
c) vizatimet e përgjithshme dhe hollësitë inxhinierike, duke përfshirë dhe duke mos u kufizuar në themelet, planet e strukturave me elementet e tyre përbërëse, nënçatitë etj.; Për secilën të ketë të paraqitur së paku dy prerje karakteristike në lartësi me pozicionim të elementeve në shkallë 1:100 ose 1:50, si dhe pjesë të veçanta (detaje) në shkallë 1:25. Në rastet e ndërtimeve, të cilat zhvillohen pjesërisht ose plotësisht nën tokë, në vizatimet e projektit duhet të jepen edhe vizatimet dhe hollësitë përkatëse inxhinierike si për veprat apo masat mbrojtëse të veprës që ndërtohet ashtu edhe për veprat fqinje të cilat ndikohen nga ndërhyrja e parashikuar;
ç) analizat strukturore statike dhe dinamike (në veçanti veprimi sizmik dhe i erës dhe çfarëdo veprimi tjetër që nevojitet në vendin ku ndërtohet vepra) pavarësisht material-it/eve parësor/e strukturor/e me të cilin/cilat është konceptuar struktura dhe mënyra e ndërtimit (e derdhur në vend apo parafabrikuar). Këto analiza kryhen si për gjendjet e fundit kufitare ashtu edhe për gjendjet kufitare të shërbyeshmërisë (përdorimit). Në rastet kur vepra zhvillohet pjesërisht apo tërësisht nën tokë apo kur janë të nevojshme gërmime për vendosjen e saj, analiza gjeoteknike dhe strukturore është e domosdoshme si për veprat mbrojtëse të shpateve ashtu edhe për ndërveprimin e strukturës me mjedisin ndërveprues;
d) vendndodhjen, natyrën dhe intensitetin e ngarkesave dhe veprimeve, përshkrimet dhe kombinimet tyre në harmoni me kushtet teknike të projektimit në fuqi, faktorët pjesorë të sigurisë e të kombinimit në përputhje me rrethanat projektuese, gjendjet kufitare të projektimit dhe llojin e veprës;
dh) llogaritjet e ekuilibrit të përgjithshëm, kontrollet në përmbysje, rrëshqitje, mosshembje, duke përfshirë llogaritjet në qëndrueshmëri, zhvendosjet tërësore dhe relative, dukurinë P-Δ përfshirë epjen e pjesshme apo verifikime të tjera me natyrë jolineare që mund të çojnë strukturën e veprës në gjendje plastike në marrëdhëniet sforcim-deformim;
e) përmasat e fugave sizmike apo fugave termike (bymim-tkurrje) si dhe tolerancave të nevojshme për rastet kur vepra mbështetet në mjedise që shkaktohen çedime të ndryshme etj;
ë)  kërkesat për duktilitet tërësor, duktilitet të pjesshëm dhe për duktilitet të elementeve parësore sizmike rezistuese;
f) të gjitha elementet parësore strukturore, pavarësisht materialit të tyre përbërës, si dhe ndikimi në sjelljen e sigurinë tërësore strukturore në rastet kur me norma teknike kërkohet marrja e masave për sigurinë ndaj zjarrit;
g) hollësitë inxhinierike (prerjet, nyjat, bashkimet, fugat, bashkimet me bulona apo saldim etj.) – të punuara dhe të paraqitura në atë mënyrë që të plotësojnë kriteret e rregullave teknike për projektim, të lexueshme dhe të kuptueshme për zbatim në shkallën 1:5; 1:10; 1:20; 1:25: 1:50, në varësi të shkallës së vështirësisë dhe shkallës së ngatërrimit së strukturës, që duhet të jepen në mënyrë numerike, në përputhje me normat në fuqi;
gj) të gjitha strukturat të cilat zhvillohen me 2 (dy) apo më shumë kate nën tokë si dhe nëse gropa ndërtimore është e riskuar nga shembja edhe kur ka më pak se (2) dy kate duhet që të kontrollohet projekti për sigurinë e gropës ndërtimore, shpateve të saj dhe objekteve në afërsi. Kontrolli duhet të bëhet sipas kërkesave që japin standardet SSHEN përkatëse;
h) të gjitha llogaritjet e kryera dhe dokumentet e hartuara për qëllimin e projektimit të veprës që duhet të jenë në përputhje me kushtet teknike të projektimit në fuqi, kushtet teknike të ndërtimit si dhe standardet SSHEN.
Neni 8
Kontrolli i projekteve të instalimeve të makinerive
Projekti i instalimeve të makinerive kontrollohet për:
a)  informacionin që përmbajnë specifikimet teknike të materialeve, pajisjeve, paramasës sipas udhëzimeve teknike për ekzekutimin e punëve ndërtimore për makineritë;
b) përshkrimin teknik, kushtet teknike të instalimeve të ngrohjes/ventilimit dhe ashensorit/eskalatorit, testimet dhe specifikimet e standardeve të aplikuara në projekt;
c) raportin e izolimit termik, përfshirë specifikimet e materialeve për katet nën tokë, muret e jashtme, dyert, dritaret dhe mbulesën, koeficientin e kalimit të nxehtësisë;
ç) llogaritjet e efikasitetit të energjisë për ventilim, ngrohje dhe ftohje, llogaritjet termike;
d) pajisjet dhe tubat për qarkullimin e ajrit, kanalet për ventilim, dimensionimin e sistemeve të ventilimit;
dh) paraqitjet e oxhakut për shkarkimin e gazrave të djegies, dimensionimin e oxhakut;
e) paraqitjet e sistemit të rrjetit për ngrohje/ftohje, kalkulimet e rrjetit;
ë) llogaritjet dhe dimensionimin e sistemit të ventilimit dhe prezantimin grafik. Ventilimi i objektit, ventilimi i garazhave, nyjeve sanitare, kuzhinave dhe i të gjitha ambienteve që nevojiten për ventilim;
f) pajisjet e paraqitura në dhomën teknike, si kaldajat, nënstacioni termik, si dhe dimensionimin e pajisjeve;
g) pajisjet e ftohjes të paraqitura, dimensionimin e pajimeve ftohëse, si makinat ftohëse, pompat termike, dhe të gjitha makineritë e tjera ftohëse;
gj) paraqitjet e magazinimit të materialeve të djegshme, depozitimin e lëndës djegëse ;
h)  paraqitjet e pajisjeve të sistemit diellor, dimensionimin e pajisjeve;
i)  paraqitjet për ashensorët/shkallët lëvizëse dhe çdo gjë tjetër të ngjashme me to, si:
i. projekti për ashensorë/shkallë lëvizëse;
ii. llogaritjet dhe pjesa grafike;
iii. paramasimi, udhëzimet teknike për zbatimin dhe mirëmbajtjen e punëve të ndërtimit.
j) paraqitjet e vizatimeve të elementeve të ndërtimit, si:
i. pjesët grafike të projektit të makinerive, linjat teknologjike;
ii. planimetritë dhe detajet e nevojshme të projektit të makinerive;
iii. skema funksionale e instalimeve termoteknike, ventilimit dhe klimatizimit të pjesës grafike të projektit të makinerive;
iv. detajet për zbatim të cilat jepen në shkallën 1:5, 1:10 dhe 1:20, në varësi nga kompleksiteti i tyre;
k) planimetrinë e instalimeve, bazat e objektit, në shkallën 1:50 e dimensionuar, kuotat e lartësisë, ku tregohet qartë pozicioni, drejtimi dhe hapësira e instalimeve të makinerive.
Neni 9
Kontrolli i projekteve të instalimeve elektrike
Projekti i instalimeve elektrike kontrollohet për:
a)  përshkrimin teknik, kushtet teknike për instalimet elektrike të rrymave të forta dhe rrymave të dobëta, instalimi i rrufepritësit, kushtet për testime;
b)  llogaritjet e seksionit të përçuesit sipas rrymës së ngarkesës së lejuar;
c)  llogaritjet e rënies së tensionit;
ç) llogaritjet e rezistencës së shpërndarjes të tokëzuesit në themel dhe tokëzuesit mbrojtës;
d) paramasimin dhe parallogaritjen, duke përfshirë udhëzimet teknike për zbatimin e punimeve të ndërtimit;
dh) bazat e kateve karakteristike dhe mbulesës, bazat e reflektuara të tavanit, pamjet dhe prerjet në shkallën 1:100 ose 1:50, të dimensionuara dhe të kuotuara ku tregohet qartë pozicioni, madhësia, drejtimi dhe hapësira e instalimeve elektrike, nëse janë paraqitur:
i. pika e lidhjes në rrjetin ekzistues publik të furnizimit;
ii. rregullimi i tokëzimit dhe lidhjes;
iii. matësit elektrikë dhe tabelat e shpërndarjes;
iv. plani i brendshëm dhe i jashtëm për shpërndarjen dhe pikat lidhëse për pajisje, transformatorë, ndërprerës, priza, trupa ndriçues, panele kontrolli, televizion, telefon, kabllor, internet, komunikim, sistemet e ndriçimit emergjent, instalimet mekanike dhe punime të tjera elektrike.
e)  skemat e instalimit të rrufepritësit;
ë)  skemat njëpolare të rrymës së fortë dhe rrymës së dobët;
f)  prodhimin alternativ të qëndrueshëm të energjisë;
g)  skemat e veprimit të instalimeve elektrike të rrymës së fortë dhe rrymës së dobët;
gj) skemat njëpolare të instalimit të barazimit të potencialit kryesor dhe barazimit të potencialit plotësues në nyje sanitare.
 Neni 10
Kontrolli i projekteve të instalimeve hidroteknike
Projekti i instalimeve hidroteknike kontrollohet për:
a) specifikimet teknike të materialeve e të pajisjeve, paramasave sipas udhëzimeve teknike për zbatimin e punëve të ndërtimit, vizatimeve, vizatimeve të detajeve dhe llogaritjet e duhura;
b) përshkrimin teknik, kushtet teknike të instalimeve të ujit dhe kanalizimit, testimet dhe specifikimin e standardeve të aplikuara në projekt;
c) llogaritjet hidraulike të tubave të ujit të pijshëm, kanalizimit të ujërave të zeza, drenazhimit dhe mbledhjen e ujërave nga fenomenet atmosferike;
ç) planimetrinë e instalimeve ku përfshihen bazat e themelit, kateve dhe mbulesës, paraqitur në shkallën 1:100 ose 1:50, të dimensionuar dhe të kuotuar në lartësi ku tregohet qartë pozicioni, madhësia, drejtimi dhe hapësira e instalimeve hidroteknike;
d) Paramasat dhe parallogaritjen, përfshirë udhëzimet teknike për zbatim të punëve të ndërtimit;
dh)projektin e instalimeve hidroteknike të jashtme, përfshirë pikat e lidhjes së ujit, valvulat ndarëse për rrjetin publik të furnizimit, matësit e ujit, impiantet kundër zjarrit, projektin për shkarkimin e ujërave të zeza, pusetat, vendet e pastrimit, diametrin, gjatësinë dhe pjerrësinë e tubave, dhe të gjitha elementet e tjera të domosdoshme;
e) projektin e instalimeve hidrosanitare të brendshme, përfshirë projektin e furnizimit dhe shpërndarjes së ujit të ngrohtë e të ftohtë, tubacionet e kanalizimeve sanitare, tubacionet e ajrosjes, valvulat dhe çdo element tjetër të domosdoshëm, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
ë) saktësinë e llogaritjeve dhe efikasitetin e energjisë për instalimet hidrosanitare, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
f) pikat e lidhjes së ujit dhe valvulat ndarëse për rrjetin publik të furnizimit, matësit e ujit, projektin për shkarkimin e ujërave të zeza, pusetat, vendet e pastrimit, madhësinë e tubacioneve dhe çdo element tjetër të domosdoshëm, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
g) ngrohësit e ujit, projektin e furnizimit dhe shpërndarjes së ujit të ngrohtë e të ftohtë dhe drenazhet sanitare, ndërprerësit dhe ndarësit dhe çdo element tjetër të domosdoshëm, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
gj) izolimet e instalimeve hidrosanitare, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
h) ventilatorët e ajrit, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
i) nyjet e tërthorta të veçanta të mbeturinave dhe lidhjet, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
j)  kullimet e ujërave atmosferike, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
k) sistemin e jashtëm të ujitjes për bujqësi dhe peisazhe;
l) vizatimet e detajuara të elementeve të ndërtimit për instalimet hidroteknike;
ll) projektet e rrjetave inxhinierike, si ujësjellësit e jashtëm, kanalizimet, ujërat e ndotura në qytetet dhe zonat rurale, në përputhje me normat dhe kushtet teknike në fuqi.
Neni 11
Kontrolli i projekteve për mbrojtjen nga zjarri
1. Kontrolli i projektit për mbrojtjen nga zjarri është i detyruar për:
a) objektet ndërtimore publike dhe biznesin;
b) objektet ndërtimore me funksion banimi;
c) objektet ndërtimore industriale;
ç) objektet energjetike;
d) objektet hidroteknike.
2. Projektet e objekteve të ndërtimit kontrollohen për:
a) plotësimin e kushteve të projektimit e të standardeve në fuqi, të cilat sigurojnë parandalimin e ndezjes e të përhapjes së zjarrit e të tymit, ndërsa për rastet e zjarrit në:
i. sigurimin e qëndrueshmërisë së objektit të ndërtimit ose pjesëve përbërëse të tij për një periudhë kohe të përcaktuar në kushtet dhe standardet në fuqi;
ii. parandalimin e tij brenda objektit të ndërtimit nëpërmjet përdorimit të sistemeve efektive të fikjes dhe të bllokimit të përhapjes së zjarrit e të tymit;
iii. ndalimin e përhapjes së zjarrit në objektet fqinje të ndërtimit;
iv. hyrjet dhe përdorimet e mjeteve dhe automjeteve për fikjen dhe mbrojtjen nga zjarri;
v. evakuimet e njerëzve, kafshëve nëpërmjet daljeve të emergjencës dhe fikjen efikase të zjarrit.
b) përdorimin e produkteve të ndërtimit e të instalimeve në punimet e ndërtimit të cilat duhet të garantojnë rezistencën ndaj zjarrit dhe formimit të tymit;
c) pajisjen me sisteme të përhershme mbrojtëse ndaj rrufeve për objektet e ndërtimit të cilat, për shkak të vendndodhjes, llojit të ndërtimit ose përdorimit janë të ndjeshme.
2. Kontrolli i projektit për mbrojtjen nga zjarri ka të bëjë me:
a) informacionin që përmbajnë specifikimet teknike të materialeve dhe pajisjeve, paramasat dhe udhëzimet teknike për zbatimin e punimeve të ndërtimit, vizatimeve, të detajeve;
b) dhomat e brendshme rezistente ndaj zjarrit, mjetet horizontale dhe vertikale të evakuimit, përfshirë elementet e brendshme të ndërtimit rezistente ndaj zjarrit, siç janë konstruksioni, muret, dyert, dritaret, lobit, shkallët, ashensorët, boshtet e shërbimit në ndërtesë dhe dyert për qasje në to, instalimet mekanike për ngrohje dhe/ose ftohje, barrierat e fshehta të hapësirave dhe çdo detaj tjetër i domosdoshëm, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
c) kokat e detektorëve të zjarrit dhe/ose tymit, kutitë për thirrje alarmi, panelet e kontrollit të detektorëve dhe alarmit, transmetuesit e zërit të alarmit, shenjat për siguri nga zjarri, ndriçimi emergjent, aparatet për fikjen e zjarrit dhe pajisjet e tjera për fikjen e zjarrit, kanalet e ventilimit dhe boshet për katet nëntokësore dhe çdo element tjetër të domosdoshëm, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
ç) sistemet e spërkatjes, valvulat e kontrollit të tyre dhe pajisjet dhe çdo element tjetër i domosdoshëm, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
d)  oxhaqet dhe ventilatorët, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
dh) sistemin e kontrollit të tymit, modelin e operimit dhe pajisjet e kontrollit, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
e) qasjet dhe rrugët horizontale dhe vertikale, vendndodhjen e vijës kryesore të furnizimit me ujë, kanalet vertikale për instalimet hidrosanitare dhe kanalet vertikale për instalimet e tjera, hidrantët për zjarrëfikësit, objektet e jashtme ose të brendshme për shërbimet e zjarrëfikjes dhe shpëtimit, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
ë) hapësirat e hapura dhe të mbyllura me rrezik të lartë, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
f) masat mbrojtëse për magazinimin e materialeve të djegshme, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi;
g) vizatimet e detajuara të elementeve të ndërtimit për mbrojtjen nga zjarri, në përputhje me standardet dhe normat në fuqi për mbrojtjen nga zjarri.
Neni 12
Kontrolli i projekteve për mbrojtjen nga zhurmat
1. Kontrolli i projektzbatimit për mbrojtjen nga zhurma është i detyruar për:
a) ndërtesat;
b) infrastrukturën rrugore;
c) hekurudhat;
ç) aeroportet.
2. Çdo projekt i objektit ndërtimor duhet të kontrollohet për të plotësuar kriterin që zhurmat dhe vibracionet e perceptuara nga përdoruesit të mbahen të ulëta deri në nivelin e lejuar sipas rregullave në fuqi, për të mos dëmtuar shëndetin dhe cilësinë e jetës, si dhe për të lejuar të kryhet aktiviteti jetësor dhe/ose të punohet në kushte optimale, si dhe vibrimet e krijuara brenda dhe jashtë objektit të ndërtimit të amortizohen në mënyrë efektive për të parandaluar ndonjë rrezik ose shqetësim të paarsyeshëm te njerëzit dhe kafshët.
3. Kontrolli i projektit kryhet për të parë nëse janë respektuar normat dhe standardet në fuqi për:
a) informacionin që jepet në specifikimet teknike për materialet dhe pajisjet, dimensionet, vizatimet dhe detajet sipas kushteve dhe standardeve teknike në fuqi, të cilat të jenë dhënë të qarta për zbatimin e punimeve të ndërtimit;
b) mbulesën, muret, dyert, dritaret e jashtme;
c) pllakat, muret, dyert, dritaret e brendshme;
ç) instalimet mekanike;
d) instalimet hidrosanitare;
dh) shkallët, ashensorët, lobit, kanalet e mbeturinave dhe elementet e tjera, pjesë e objektit që do t’i nënshtrohet kontrollit të projektit;
e) vizatimet e detajuara të elementeve të ndërtimit.
Neni 13
Kontrolli i projekteve për përshtatshmërinë
Kontrolli i projektit ka të bëjë me respektimin e rregullave të përshtatshmërisë në fuqi për:
a) informacionin që përmbajnë specifikimet teknike të materialeve të ndërtimit dhe pajisjeve sipas udhëzimeve teknike për zbatimin e punëve të ndërtimit, vizatimeve, vizatimeve e detajeve;
b) sipërfaqet me ndryshime në lartësi, siç janë rampat, shkallët dhe parmakët e tyre, ashensorët dhe platformat e ngritjes;
c) hyrjet, lobit, hapësirat e qarkullimit, banjot, kuzhinat, dhomat, klasat e mësimit, hapësirat e punës, banesat, baret dhe restorantet, dhomat e zhveshjes, dushet, pishinat, vendi për qëndrim i spektatorëve, telefonat publikë dhe tekstofonët, fakset, makinat ATM, telefonat publikë, pajisjet elektrike të kontrollit, dorëzat e dyerve dhe dritareve, sportelet e shërbimit dhe tavolinat, tabelat e njoftimit, tabelat e udhëzimeve dhe shenjat, si dhe elemente të tjera, pjesë e objektit që do t’i nënshtrohet kontrollit të projektit;
ç) vizatimet e detajuara të elementeve ndërtimore, nëse janë në harmoni me rregullat teknike në fuqi për aksesueshmërinë.
Neni 14
 Kontrolli i projekteve për performancën e energjisë
1. Kontrolli i projektit të zbatimit të ndërtesave ka të bëjë me përmbushjen e rregullave dhe standardeve për kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ngrohtësisë dhe nëse janë marrë parasysh kushtet lokale dhe klimaterike të vendit, kushtet e komfortit të brendshëm të ndërtesave, si dhe kostot efektive, sipas përcaktimeve në ligjin nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”.
2. Projekti i zbatimit të ndërtesave duhet t’i ketë të përshkruar plotësimin e kushteve të pikës 1, të këtij neni, në relacionin shoqërues të certifikatës së përkohshme të performancës së energjisë, dokument i cili shoqëron projektin në fazën e kryerjes së oponencës.
Neni 15
Kontrolli i projekteve për mbrojtjen e higjienës, shëndetit dhe mjedisit
1.  Kontrolli i projektit të zbatimit ka të bëjë me përmbushjen e rregullave teknike, standardeve dhe legjislacionit në fuqi që ndikojnë në mbrojtjen e higjienës, shëndetit dhe mjedisit. Projekti i objektit duhet të kontrollohet nëse është projektuar në mënyrë të tillë që të mos përbëjë problem për higjienën ose shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, të cilët kryejnë aktivitet në të ose përreth saj.
2. Kontrolli i projektit konsiston nëse është dhënë ventilimi efektiv nga lagështia, çlirimi i gazeve të rrezikshme, lëshimi i grimcave në ajër, krijimi i tymrave dhe aromave të padëshirueshme, mbrojtja nga emetimi i valëve elektromagnetike në nivele të dëmshme nga rrezatimet, përfshirë atë radioaktiv, ndotja ose helmimi i ujit apo tokës dhe nga mbeturinat e lëngshme apo të ngurta, përfshirë edhe ujërat e zeza.
Neni 16
Paraqitja e projektit
Projekti, i cili hyn në procesin e kontrollit, duhet të jetë i firmosur nga projektuesit sipas kategorive të licencimit, si dhe të jetë konfirmuar nga autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen për leje ndërtimi.
KREU III
PROCEDURA QË NDIQET PËR KRYERJEN E OPONENCËS TEKNIKE
Neni 17
Institucionet përgjegjëse
Oponenca teknike kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimit.
Neni 18
Ekspertët për kryerjen e oponencës
1. Oponenca teknike kryhet nga specialistë të fushës, të licencuar në projektim me një eksperiencë prej 15 (pesëmbëdhjetë) vitesh.
2. Në rast se institucionet e përcaktuara në nenin 17, të këtij vendimi, për pjesë të caktuara të projektit që i nënshtrohet kryerjes së oponencës, nuk kanë në strukturën e tyre punonjës që të plotësojnë kriterin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, lidhin një marrëveshje bashkëpunimi me specialistë të fushës që plotësojnë këtë kriter. Në çdo rast, kontrolluesit e projektit vetëdeklarohen që nuk kanë konflikt i interesi.
3. Kontrolli i projektit kryhet nga një grup profesionistësh, ku secili sipas licencimit dhe kategorive që disponon, kryen dhe është përgjegjës për konkluzionin përfundimtar në plotësim të kërkesave themelore, sipas standardeve dhe rregullave ndërtimore në fuqi.
Neni 19
Kërkesa për kryerjen e oponencës
1. Zhvilluesi i drejton kërkesën për kryerjen e oponencës teknike institucionit të përcaktuar në nenin 17, të këtij vendimi, së bashku me dokumentacionin përkatës.
2. Institucioni, që merr kërkesën, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e saj, kontrollon dokumentacionin e paraqitur për saktësinë sipas llojit të projektit të përcaktuar në këtë vendim.
3. Në rast se dokumentacioni vlerësohet i plotë, brenda 5 (pesë) ditëve ngrihet grupi i kontrollit të projektit që harton oponencën, i cili drejtohet nga punonjës të caktuar nga eprori i institucionit, si dhe njoftohet zhvilluesi për fillimin e kryerjes së oponencës.
4. Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, njoftohet zhvilluesi për plotësimin e tij brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike. Nëse dokumentacioni nuk plotësohet në afatin e kërkuar, dokumentacioni i kthehet zhvilluesit.
5.  Institucioni, i cili kryen oponencën, cakton një kohë për realizimin e saj, por jo më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga marrja e kërkesës.
Neni 20
Regjistrimi i oponencës
Oponencat e projekteve të kontrolluara regjistrohen në një regjistër, i cili mbahet nga institucioni që kryen oponencën dhe publikohet në faqen e tij zyrtare.
Neni 21
Përmbajtja e oponencës
Oponenca bazohet në kontrollin e projektit, i cili përmban:
a)  emrin, mbiemrin dhe titullin profesional të kontrolluesit të projektzbatimit;
b) titullin e projektzbatimit dhe emërtimin e objektit në tërësi dhe projektet përbërëse për të cilat është kryer kontrolli;
c)  emrin, mbiemrin dhe adresën e zhvilluesit;
ç)  shënimet për personin fizik ose juridik, i cili ka hartuar projektin, si edhe emrin e  projektuesit;
d)  licencën e projektuesit/ve;
    dh) pjesët e kontrolluara të projektzbatimit;
e) legjislacionin, rregullat dhe standardet ndërtimore në fuqi, në bazë të të cilave është kontrolluar përputhshmëria në hartimin e projektit;
ë) shënimin për gjetjet gjatë kontrollit të projektit;
f)  arsyetimin e kontrolluesit për harmonizimin e projektit me legjislacionin e ndërtimit, rregullat dhe standardet ndërtimore në fuqi, në raport me kërkesat themelore për ndërtimin, të cilat janë kontrolluar në të gjitha pikat e përcaktuara në kreun II të këtij vendimi;
g) arsyetimin e kontrolluesit për harmonizimin e projektzbatimit me projektin për marrjen e lejes së ndërtimit;
gj) datën dhe numrin e oponencës, nënshkrimin e kontrolluesit/ve si specialistë të autorizuar për kontrollin e projektzbatimit.
Neni 22
Kryerja e kontrollit të projektit
1. Nëse në kryerjen e kontrollit të projektit kontrolluesi vërteton se pjesë të caktuara të projektit nuk mund të kontrollohen nga asnjëri prej anëtarëve të grupit të kontrollit, është i detyruar të njoftojë drejtuesin e institucionit për të caktuar specialistë të fushës për të ushtruar kontrollin për atë pjesë të projektit.
2. Kontrolli i projektit duhet ushtruar sipas programeve të certifikuara me të cilat është llogaritur projekti konstruktiv për të pasur rezultate të krahasueshme.
3. Grupi i kontrollit në fund të procesit të kontrollit të projektit, për plotësimin e të gjitha kërkesave themelore, harton oponencën, ku përshkruan të gjitha gjetjet dhe rekomandimet aty ku është e nevojshme.
4. Në rast të mosplotësimit të njërës prej kërkesave themelore në hartimin e projektit, projekti i kthehet kërkuesit me argumentimin dhe rekomandimin përkatës.
Neni 23
Rishikimi i oponencës
1.  Në rastet kur kontrolli i projektit nuk është bërë në përputhje me nenet 18 dhe 22, të këtij vendimi, si dhe kur bie në kundërshtim me legjislacionin e ndërtimit, rregullat dhe standardet ndërtimore, zhvilluesi apo autoriteti i planifikimit, që jep lejen e ndërtimit, i drejton kërkesën për rishikimin e oponencës institucionit që e ka hartuar.
2. Me marrjen e kërkesës për rishikim të oponencës, institucioni që kryen oponencën ringre grupin për kryerjen e oponencës dhe vlerëson nëse është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe, sipas rastit, vendos lënien në fuqi të saj ose kryerjen e një oponence të re.
Neni 24
Raportimi vjetor
Institucioni që kryen oponencën është i detyruar të dorëzojë pranë ministrisë përgjegjëse për ndërtimin një raport vjetor për oponencat e kryera të një viti më parë, në tremujorin e parë të vitit aktual.
Neni 25
Vlera e oponencës
1. Vlera e oponencës përllogaritet sipas përcaktimit në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në rastet e nevojës së inspektimit në terren jashtë vendit të banimit të kontrolluesit të projektit, zhvilluesi është i detyruar që t’i kompensojë shpenzimet e udhëtimit dhe dietën.
KREU IV
DOKUMENTACIONI TEKNIK
Neni 26
Dokumentacioni teknik për projektet e objekteve shtetërore që rikonstruktohen
1. Për kryerjen e oponencës për projektet e objekteve shtetërore që rikonstruktohen, paraqitet pranë institucionit që është përgjegjës për kryerjen e oponencës dokumentacioni teknik, si më poshtë vijon:
a)  Kërkesa e zhvilluesit për kryerjen e oponencës;
b) Detyra e projektimit e miratuar nga zhvilluesi (origjinale ose kopje e njësuar me origjinalin);
c)  Marrëveshja midis zhvilluesit dhe sipërmarrësit të hartimit të projektit;
ç)  Relacioni teknik mbi gjendjen ekzistuese të objektit, shoqëruar me fotot përkatëse;
d)  Projekti arkitektonik ekzistues;
dh) Projektideja e miratuar nga zhvilluesi;
e) Projekti konstruktiv ekzistues, llogaritjet konstruktive analitike për objektin ekzistues;
ë)  Deklarata noteriale e konstruktorit mbi hartimin e projektit konstruktiv, llogaritjet analitike në formë elektronike;
f) Studimi gjeologo-inxhinierik i sheshit të ndërtimit i rifreskuar (kopje e njësuar me origjinalin);
g) Studimi inxhiniero-sizmiologjik (kopje e njësuar me origjinalin) për objekte mbi tetë kate ose vërtetimi nga Instituti i Sizmilogjisë për objekte nën tetë kate;
gj) Projekti hidrosanitar i firmosur nga inxhinieri hidroteknik (kanalizime, ventilim, ngrohje, mbrojtje nga zjarri) dhe relacioni përkatës;
h)  Projekti elektrik i firmosur nga inxhinieri elektrik dhe relacioni përkatës;
i)   Preventivi i objektit i firmosur nga grupi preventivues dhe zhvilluesi;
j)   Certifikata e përkohshme e performancës së energjisë;
k)  Specifikime teknike.
2.  Në rastin kur mungon projekti konstruktiv ekzistues, kërkesa shoqërohet me aktekspertizën teknike të gjendjes ekzistuese të objektit, hartuar nga një grup specialistësh të licencuar sipas fushave përkatëse, të miratuar nga zhvilluesi, shoqëruar dhe me fotot e gjendjes ekzistuese në pjesën e jashtme të objektit (fasadat) dhe pjesët e brendshme.
Neni 27
Dokumentacioni teknik për kryerjen e oponencës së projekteve të ndërtesave
Për kryerjen e oponencës për projektet e ndërtesave është e nevojshme të dorëzohet pranë institucionit, që është përgjegjës për kryejen e oponencës, dokumentacioni teknik, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e zhvilluesit për kryerjen e oponencës;
b) Detyra e projektimit e miratuar nga zhvilluesi për objektet që financohen nga buxheti i shtetit (origjinale ose fotokopje e kopjes së njësuar me origjinalin);
c) Studimi gjeologo-inxhinierik i sheshit të ndërtimit (fotokopje e kopjes së njësuar me origjinalin) dhe dokumentacioni topografik i objektit;
ç) Studimi inxhiniero – sizmiologjik (kopje e njësuar me origjinalin) për objekte mbi tetë kate dhe objektet arsimore dhe shëndetësore ose vërtetim nga Instituti i Gjeoshkencave për objekte nën tetë kate;
d) Projekti arkitektonik i firmosur nga arkitekti, shoqëruar me relacionin arkitektonik;
dh) Projekti konstruktiv, i firmosur nga konstruktori, shoqëruar me relacionin teknik të hartuar dhe të firmosur nga konstruktori, deklarata noteriale e konstruktorit mbi hartimin e projektit konstruktiv, si dhe llogaritjet analitike në CD;
e) Projekti hidrosanitar, i firmosur nga inxhinieri hidroteknik (kanalizime, ventilim, ngrohje, mbrojtje nga zjarri), si dhe relacioni përkatës;
ë) Projekti elektrik, i firmosur nga inxhinieri elektrik, si dhe relacioni përkatës;
f) Projekti i ngrohje-ftohje-ventilim, i firmosur nga inxhinieri, së bashku me relacionin teknik shpjegues;
g) Projekti i mbrojtjes nga zjarri, i firmosur nga inxhinieri, së bashku me relacionin teknik shpjegues;
gj) Projekti i plotë i sistemimeve të jashtme, i firmosur nga inxhinieri, së bashku me relacionin teknik shpjegues;
h) Projekti i plotë i lidhjes së objektit me rrjetin inxhinierik kryesor, i firmosur nga inxhinieri, së bashku me relacionin teknik shpjegues;
i)  Preventivi i plotë i projektit, duke përfshirë të gjitha volumet e punimeve të projekteve të lartpërmendura, hartuar nga projektuesit dhe i firmosur nga grupi preventivues i pajisur me licencën përkatëse;
j)  Specifikimet teknike të firmosura nga inxhinierët përkatës;
k) Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis;
l) Certifikata e përkohshme e performancës së energjisë.
Neni 28
Dokumentacioni teknik për kryerjen e oponencës së projekteve infrastrukturore
1. Për kryerjen e oponencës për projektet e infrastrukturës rrugore dorëzohet pranë institucionit përgjegjës për kryejen e oponencës dokumentacioni teknik i mëposhtëm:
a)  Kërkesa e zhvilluesit për kryerjen e oponencës;
b) Detyra e projektimit e plotë, e miratuar nga zhvilluesi (origjinale ose fotokopje e kopjes së njësuar me origjinalin);
c)  Planimetria e zonës ku kalon gjurma e rrugës;
ç)  Studimi gjeologo-inxhinierik i zonës ku shtrihet trupi i rrugës;
d)  Studimi topografik i zonës;
dh) Studimi inxhiniero – sizmiologjik për rrugët që kanë vepra arti të mëdha;
e)  Raporti hidrologjik e klimaterik i zonës si dhe llogaritjet hidraulike;
ë)  Llogaritjet analitike të veprave të artit të firmosura nga inxhinieri;
f)  Raporti teknik ku të përfshihet dhe llogaritja e shtresave rrugore;
g) Projektzbatimi i rrugës (vizatimet) ku përfshihen planimetria, profili gjatësor, profilet tërthore, profilet tërthore tip, detajet;
gj) Projekti i veprave të artit;
h)  Projekti elektrik (ndriçimi rrugor) i sigluar nga inxhinieri elektrik, licenca e inxhinierit elektrik, si dhe relacioni përkatës;
i)  Projekti i sinjalistikës rrugore, detaje sinjalistike, si dhe relacioni përkatës;
j) Preventivi i plotë, duke përfshirë të gjitha volumet e punimeve të projekteve të lartpërmendura, hartuar nga projektuesit, i firmosur nga grupi preventivues;
k) Specifikimet teknike;
l)  Licencat e grupit të projektimit dhe shoqërisë projektuese;
ll) Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis.
2. Dokumentacioni i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni paraqitet në formë hard copy ose elektronike.
Neni 29
Dokumentacioni teknik për kryerjen oponencë së projekteve për objektet që rikonstruktohen
1. Projekti për objektet që rikonstruktohen shoqërohet nga dokumentacioni teknik, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e zhvilluesit drejtuar institucioneve të përcaktuara në nenin 17, të këtij vendimi;
b) Detyra e projektimit e miratuar nga zhvilluesi (origjinale ose e kopje e njësuar me origjinalin);
c) Marrëveshja midis zhvilluesit dhe sipërmarrësit të hartimit të projektit;
ç) Relacioni teknik mbi gjendjen ekzistuese të objektit, shoqëruar me fotot përkatëse;
d) Projekti arkitektonik ekzistues;
dh) Projektideja e miratuar nga zhvilluesi;
e) Projekti konstruktiv ekzistues, llogaritjet konstruktive analitike për objektin ekzistues;
ë) Licenca e inxhinierit konstruktor (kopje e njësuar me origjinalin);
f) Deklarata noteriale e konstruktorit mbi hartimin e projektit konstruktiv, llogaritjet analitike në formë elektronike;
g) Studimi gjeologo-inxhinierik i sheshit të ndërtimit i rifreskuar (kopje e njësuar me origjinalin);
gj) Studimi inxhiniero-sizmiologjik (kopje e njësuar me origjinalin) për objekte mbi tetë kate ose vërtetim nga Instituti i Gjeoshkencës për objekte nën tetë kate;
h) Projekti hidrosanitar, i firmosur nga inxhinieri hidroteknik (kanalizime, ventilim, ngrohje, mbrojtje nga zjarri), licenca e inxhinierit hidroteknik (kopje e njësuar me origjinalin), si dhe relacioni përkatës;
i) Projekti elektrik, i firmosur nga inxhinieri elektrik, licenca e inxhinierit elektrik (kopje e njësuar me origjinalin), si dhe relacioni përkatës;
j) Preventivi i objektit, i firmosur nga grupi preventivues dhe zhvilluesi, të pajisur me licencën përkatëse;
k) Certifikata e përkohshme e performancës së energjisë;
l) Licenca e zhvilluesit dhe projektuesit apo grupit të projektimit;
ll) Specifikime teknike.
2. Në rastet kur mungon projekti konstruktiv ekzistues, kërkesa shoqërohet me aktekspertizën e gjendjes ekzistuese të objektit, hartuar nga një grup specialistësh të licencuar sipas fushave përkatëse, të miratuar nga zhvilluesi, shoqëruar dhe me fotot e gjendjes ekzistuese në pjesën e jashtme të objektit (fasadë) dhe pjesën e brendshme.
Neni 30
Dokumentacioni shtesë që dorëzohet kur personi fizik apo juridik i hartimit të projektit është  i huaj
Kur personi fizik apo juridik që ka  hartuar projektin është i huaj, dorëzon dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Projektin dhe çdo dokument tjetër të paraqitur për oponencë në gjuhën shqipe;
b) Marrëveshjen midis zhvilluesit të projektit dhe shoqërisë vendase, e cila ka kryer përkthimin e projektit (fotokopje e kopjes së njësuar me origjinalin);
c) Licencat e grupit të projektimit, kur janë projektues të huaj dhe e drejta e ushtrimit të profesionit i njihet në vendin e origjinës, të konvertuara sipas legjislacionit në fuqi për licencimin.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 31
Shfuqizime
Vendimi nr.1055, datë 22.12.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e oponencës teknike për projektet e veprave të ndërtimit”, shfuqizohet.
Neni 32
Institucionet që ngarkohen
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen institucionet shtetërore ose ente të tjera të cilat kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit.
Neni 33
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRFITIMET NGA SHFRYTËZIMI I SHËRBIMEVE TË EKOSISTEMIT PYJOR, KOMPENSIMI DHE PAGESAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat për përfitimet nga shfrytëzimi i shërbimeve të ekosistemit pyjor, kompensimi dhe pagesat, të cilat zbatohen nga ofruesit dhe përfituesit e këtyre shërbimeve.
2. Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Ofrues i shërbimeve të ekosistemit pyjor”, këtu e në vijim “ofruesi i shërbimit”, në cilësinë e pronarit ose administratorit të ekosistemit pyjor është Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, bashkia ose pronari privat i pyllit, të cilët ofrojnë shërbimet në ekosistemin pyjor, sipas parashikimeve të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”;
b) “Pagesa për shërbime në ekosistem” ka kuptimin e shpërblimit që merr ofruesi i shërbimit për kryerjen e veprimtarive lidhur me shërbimet në ekosistem, në fondin pyjor në pronësi të tij;
c) “Përfitues i shërbimeve të ekosistemit pyjor”, këtu e në vijim “përfitues i shërbimit” ka kuptimin e personit fizik apo juridik, i cili i kërkon ofruesit të shërbimit të reduktojë punimet teknike apo të mbajë në gjendjen natyrale ekosistemin, në funksion të garantimit të aktivitetit që kryen përfituesi i shërbimit;
ç) “Shërbimet e ekosistemit pyjor”, këtu e në vijim “shërbime të ekosistemit” kanë kuptimin e dhënë sipas përkufizimit në pikën 60, të nenit 3, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”.
II. RREGULLAT PËR PËRFITIMET NGA SHFRYTËZIMI I SHËRBIMEVE TË EKOSISTEMIT PYJOR
1. Shërbimet që ofrohen për përfitim në ekosistemin pyjor duhet të përmbushin kërkesat e mëposhtme:
a) Të jenë në përputhje me objektivat e planit të mbarështimit të zonës së kërkuar;
b) Të jenë në përputhje me planin e përgjithshëm vendor dhe/ose planin e detajuar vendor për zonën, në rast se ka;
c) Të jenë në harmoni me parimin e zhvillimit të qëndrueshëm për pyjet;
ç) Të mos cenojnë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike.
2. Përfituesi i shërbimit, që kërkon të përfitojë nga shërbimet në ekosistem, paraqet në çdo rast një kërkesë me shkrim pranë ofruesit të shërbimeve, të paktën 3 (tre) muaj përpara fillimit të ofrimit të shërbimeve në ekosistem.
     Në rastin kur ofruesi është Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, kërkesa  i drejtohet strukturës përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe vlerësohet sipas legjislacionit të posaçëm për zonat e mbrojtura.
3. Në rastin e fondit pyjor privat, kërkesa i drejtohet pronarit privat të pyllit, i cili, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim, ia përcjell kërkesën me shkrim bashkisë përkatëse, brenda kufijve territorialë administrativë të së cilës ndodhet fondi pyjor në pronësi private.
4. Kërkesa shoqërohet me informacionin e nevojshëm, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Kërkesa paraqitet në formën e propozimit dhe shoqërohet me një studim, i cili përmban:
a) sipërfaqen (territorin) e fondit pyjor kombëtar të shprehur në metër katror (m2), me kufij të përcaktuar qartë, si dhe koordinatat gjeografike në përputhje me standardin kombëtar;
b) përdorimin e tokës në sipërfaqen e fondit pyjor kombëtar të njehsuar (m2), ekonominë pyjore, numrin e parcelës, kufizimet natyrore dhe koordinatat etj;
c) treguesit identifikues (kadastralë) të ngastrave e nënngastrave;
ç) treguesit tekniko-ekonomikë;
d) treguesit tekniko-ekonomikë për kullotat e livadhet;
dh) sipas rastit, studime të detajuara për erozionin, ndërtimin e modelit hidrologjik, në rast se ka;
e) aktin e miratimit të planit të mbarështimit për sipërfaqen që preket nga ofrimi i shërbimit.
  6. Për vlerësimin dhe miratimin e kërkesës për ofrimin e shërbimeve në ekosistem nga bashkia nëpërmjet strukturës përgjegjëse për pyjet në bashki (në vijim SPPB) zbatohen rregullat, si më poshtë vijon:
a) SPPB-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e administrimit të kërkesës, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur dhe vlerëson nëse janë në përputhje me parashikimet e planit të mbarështimit dhe të legjislacionit në fuqi për pyjet;
b) Në rast se konstaton se kërkesa e paraqitur nga përfituesi nuk përmban informacionin sipas përcaktimeve të pikës 5, të këtij kreu, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e administrimit të kërkesës, njofton subjektin përfitues për plotësimin e dokumentacionit apo të pasaktësive, brenda një afati prej 10 (dhjetë) ditësh. Mosplotësimi i dokumentacionit të kërkuar brenda këtij afati përbën shkak për mospranimin e kërkesës, e cila në këtë rast quhet se nuk është regjistruar. Kërkuesi njoftohet për arsyet e mospranimit dhe kërkesa i kthehet bashkë me aktet e tjera;
c) Në rast se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti përfitues është në përputhje me parashikimet e këtij kreu, SPPB-ja vlerëson dokumentacionin dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës apo nga data e plotësimit të dokumentacionit, sipas shkronjës “b”, i propozon kryetarit të bashkisë përkatëse miratimin në parim të kërkesës;
ç) Kur kryetari i bashkisë shpreh paraprakisht dakordësinë, studimi i përcillet AKP-së, e cila brenda 10 (dhjetë) ditëve i përgjigjet bashkisë me aktin e miratimit ose e kthen projektin me propozime konkrete për saktësime dhe plotësime;
d) Në rastin e kthimit të studimit, SPPB-ja ia përcjell menjëherë studimin për plotësimet e nevojshme kërkuesit, i cili brenda 10 (dhjetë) ditëve e rregullon dhe plotëson atë dhe e përcjell në bashki;
dh) SPPB-ja me marrjen e studimit të saktësuar e përcjell  për miratim tek AKP-ja, e cila brenda 10 (dhjetë) ditëve i përgjigjet bashkisë me aktin e miratimit;
e) Pas miratimit të AKP-së, kryetari i bashkisë ose personi i autorizuar prej tij nënshkruan me subjektin përfitues kontratën me shkrim për ofrimin e shërbimeve në ekosistem.
7. Për fondin pyjor privat, kërkesa dhe studimi shqyrtohen e miratohen nga SPPB-ja dhe, pas këtij miratimi, pronari privat lidh marrëveshjen me përfituesin e shërbimit. Njëkohësisht, SPPB-ja njofton AKP-në për miratimin e kërkesës dhe studimin përkatës.
III. RREGULLAT PËR KOMPENSIMIN DHE PAGESAT NGA SHFRYTËZIMI I SHËRBIMEVE TË EKOSISTEMIT PYJOR
1. Përfituesi i shërbimit, për të cilin është miratuar kryerja e shërbimeve në ekosistem, kompenson ose kryen pagesat përkatëse ndaj ofruesit të shërbimit, sipas përcaktimeve në marrëveshjen midis tyre.
2. Ofruesi i shërbimit kompensohet për shërbimet në ekosistem nga përfituesi përmes kryerjes së veprimtarive të nevojshme për shfrytëzimin e shërbimeve të ekosistemit në pronësi të tij, që përfshin rehabilitimin e ekosistemit pyjor, mbrojtjen, përmirësimin dhe rigjenerimin e sipërfaqes pyjore ose kompensohet në terma financiarë nga përfituesi, për fitimin e munguar për ofruesin e shërbimit, si rezultat i mosshfrytëzimit dhe mospërdorimit të sipërfaqes pyjore, ku do të ofrohen shërbimet në ekosistem.
3. Në rast se përfituesi nuk kryen kompensimin sipas pikës 2, të këtij kreu, kryen pagesën tek ofruesi i shërbimit, ku përfshihet pagesa për shpenzimet e mëposhtme:
a) Shpenzimet për investimet e kryera për pyllëzimin (ripyllëzimin);
b) Shpenzimet për kryerjen e projekteve tekniko-ekonomike të ndërhyrjeve;
c)  Shpenzimet e kryera për mbrojtjen e tokës;
ç)  Shpenzimet për ndërtimin e infrastrukturës përkatëse;
d) Vlerën e burimeve natyrore pyjore e jopyjore bashkëshoqëruese (flora spontane (BMET), fauna e egër, kullota, lënda drusore etj;
dh) Kostot e vazhdueshme për menaxhimin dhe monitorimin, kryerjen e shërbimeve kulturale në ekosistem, në përputhje me parashikimet e kontratës së nënshkruar mes palëve, sipas përcaktimeve të pikës 7, të kreut II, të këtij vendimi;
e) Shpenzimet për kryerjen në mënyrë periodike të veprimtarive të nevojshme, për ofrimin e shërbimeve në ekosistem, sipas parashikimeve të këtij vendimi;
4. Kompensimi, pagesat, vlera, sasia dhe periodiciteti i kryerjes së tyre përcaktohen në modalitetet e përshkruara në marrëveshjen dypalëshe, të lidhura midis ofruesit të shërbimit dhe përfituesit të shërbimit. Llogaritja e kostove për kompensimin apo pagesat kryhet mbi bazën e parimit të fitimit të munguar për produkte apo asortimente drusore dhe jodrusore, që ofruesi i shërbimit konservon për shkak të kërkesës nga përfituesi i shërbimit, referuar tarifave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
5. Kompensimi apo pagesa totale, që përfituesi i shërbimit i paguan ofruesit të shërbimit, kur ofrues është bashkia apo pronari privat, duhet të jetë në përputhje me studimin tekniko-ekonomik.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Prezantohen rezultatet e maturës shtetërore, Manastirliu: Plan ambicioz për përmirësimin e cilësisë në arsim