Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë të gjithëve e mbi të gjithë të gjithëve atyre mes jush që keni ardhur sot këtu në Tiranë nga rajoni ynë.

 

Është një moment shumë i veçantë për ne këtu në Shqipëri sepse nuk jemi vetëm të privilegjuar të mirëpresim kreun e shtetit, por edhe jemi të nderuar të mikpresim një udhëheqës të rezistencës, i cili në fakt,  nuk ka vetëm të bëjë me qëndresën kundër një agresioni brutal kundër atdheut të vet, por qëndron në të njëjtën kohë për demokracinë kundër ëndrrës neoimperialiste që kërkojnë të ndërtojnë.

Shkëlqesia juaj, zoti president, i nderuar mik jam shumë i kënaqur që sot patëm mundësinë të theksojmë qëndrimin tonë jo vetëm si një vend si Shqipëria por si një bashkësi vendesh e kombesh që ndajnë të njëjtën qëndrim në Europën Juglindore, që qëndrojnë me Ukrainën, qëndrojnë krah së drejtës së saj për integritetin e vet territorial, për lirinë  e vet të zgjedhjes, për demokracinë e saj.

Sa i takon Shqipërisë e kemi bërë shumë të qartë dhe jam mjaft krenar të them se nuk është vetëm qeveria, nuk është vetëm Parlamenti, nuk janë vetëm institucionet,  por para së gjithash është i gjithë kombi, i gjithë populli i vendit tonë që qëndron krah Ukrainës dhe e mbështet Ukrainën në mënyrë të palëkundur. Ne do vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës dhe ta mbështesim atë për aq kohë sa kjo do të jetë e nevojshme dhe për aq kohë sa të ndodhë një paqe që zgjat. Sigurisht Shqipëria është një anëtare krenare dhe pse e vogël e NATO-s dhe së bashku me të gjithë aleatët tanë të NATO-s, por po kështu së bashku me të gjithë partnerët tanë nga Uashingtoni në Bruksel kemi dënuar agresionin dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar Ukrainën me të gjithë mjetet.

Në të njëjtën kohë sidoqoftë jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona dhe jemi mjaft të ndërgjegjshëm që ajo për të cilën ka nevojë Ukraina është sigurisht mbështetja dhe ndihma e të gjithëve, por para së gjithash ndihma dhe mbështetja e të mëdhenjve e më të pasurve në bashkësinë tonë demokratike.

E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ndonjëherë ngecet sepse Ukraina shndërrohet  në një çështje të politikes së brendshme të njërit vend a tjetrit apo sepse ndodhin vonesa shumë të gjata burokratike. Por, nëse demokracitë kanë procedurat e tyre dhe demokracitë janë më të vështira dhe më komplekse për të punuar dhe për të sjellë rezultate, nga ana tjetër, kemi një aggressor, i cili nuk ndalet për as edhe një sekondë së godituri në përpjekjen e vet për të aneksuar dhe më shumë territory, duke marrë në mënyrë të pamëshirshme jetën e të pafajshme dhe duke vazhduar të shkatërrojë Ukrainën dhe ta bëjë shumë të vështirë për familjet, për gratë, për fëmijët që të jetojnë një jetë normale.

Sigurisht dëgjojmë edhe më duhet të them një ndjenjë fort të trazuar, shumë njerëz në mbarë Europën që deklarojnë se të ndihmosh, të mbështesësh Ukrainën, t’i japësh Ukrainës mjetet për të mbrojtur kombin e vendin e vet është ajo çka po nxit vazhdimësinë e luftës.

Ata pretendojnë se ndalja e dhënies së armëve Ukrainës do të sjellë paqen. Kjo, jo vetëm është cinike, por edhe absurde. Sepse nuk e ndal luftën, duke çarmatosur viktimën, e ndal luftën duke ndalur agresorin.

Ja pse dua të përfitoj nga ky rast që t’u them të gjithë atyre që duan të dëgjojnë, se Ukraina meriton të mbështetet dhe të ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për t’i rezistuar dhe për t’u siguruar që çdo paqe që do të vijë pas kësaj lufte të jetë një paqe e drejtë. Një paqe e drejtë që mbështetet kryesisht në parimet e planit 10 pikësh të President Zelenskit të cilin e mbështesim, e duam ta shohim të diskutohet  thellësisht në mënyrë serioze nga të gjitha kombet e bashkësia e tyre.

Në këtë samit jam i kënaqur që patëm mundësi të ngremë të gjitha argumentet tona dhe po kështu jam shumë, shumë i kënaqur që patëm mundësi të zhvillonim takimin tonë dypalësh e të flisnim për Shqipërinë e për Ukrainën, për të sotmen e për të nesërmen.

Një prej gjërave mjaft të rëndësishme, që duhet të jetë rezultat që del nga ky makth, është që miqësia jonë farkëtohet përmes zjarrit dhe për brezni të tëra. Ukrainasit dhe shqiptarët do të ndihen shumë më të afërt se ç’do të ndiheshin në rrethana normale. Dhe ka diçka më tepër që na lidh tanimë; është një prej atyre gjërave që në sytë e mi dëshmon se sa shumë ka dështuar me planin e tij Vladimir Putin sepse në vend që të merret peng e të qeveriset nga renegatë pas një pushtimi të shpejtë, Ukraina po negocion me BE dhe është bërë pjesë e këtij grupi vendesh nga Ballkani Perëndimor deri në Moldavi e deri në Ukrainë, të cilat janë të gjitha së bashku në një rrugëtim për t’u anëtarësuar në BE. Edhe këtu kemi shumë më tepër të përbashkëta se ç’kishim para kësaj lufte, e po kështu kemi shumë për të shkëmbyer.

Nuk kam përveçse admirim për Presidentin Zelenskyy dhe për popullin e Ukrainës që në mënyrë shumë mbresëlënëse po i bëjnë këto të dy gjërat bashkë. Nga njëra anë po luftojnë kundër një agresori të pamëshirshëm e nga ana tjetër po punojnë që të reformohen, po punojnë që të ecin përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Vetëm pak përpara se të hynim këtu, mora një mesazh nga dikush që po punon me institucionet ukrainase për të ngritur një fond të teknologjisë së lartë. Ajo më shkroi: “ Të lutem, thuaji Presidentit se i gjithë ekipi ynë që është ekip perëndimor, është absolutisht i mbresuar nga ukrainasit me të cilët është takuar, nga aftësitë e tyre, nga vullneti i tyre dhe nga talenti i tyre i jashtëzakonshëm për të ndërtuar së bashku këtë fond të teknologjisë së lartë’’.

Kështu përtej rrënojave të raketave ruse, përtej plagëve të ushtarëve ukrainas, përtej vdekjes e shkatërrimit, është një vend që po mendon e po punon çdo ditë për të ardhmen. Kështu që nuk mund të jemi më të privilegjuar e krenarë se kaq që të jemi miq me këtë komb e të ndihemi më pranë me këta njerëz dhe të përfytyrojmë të ardhmen tonë si një të ardhme ku jemi mes miqsh të vërtetë e sa më shumë të jetë e mundur meqë ra fjala, me të cilën e kemi këtë miqësi më Ukrainën.

Zoti President, unë e di që në të gjithë këtë periudhë kohe mes shumë gjërave që duhet të bësh, të duhet të dëgjosh edhe shumë fjalime, të është dashur të dëgjosh shumë fjalë të bukura, por dua që të më besoni plotësisht se gjithçka që keni dëgjuar nga unë e nga ne, vjen nga zemra dhe ajo çfarë na bën ne edhe më të gatshëm t’i themi këto fjalë, është se sa shumë populli shqiptar, qytetarët e zakonshëm të këtij vendi ju mbështesin e sa shumë duan ata që Ukraina të mos e humbasë këtë luftë, por të triumfojë.

Unë jam i lumtur që mbajtët premtimin. Ishte një premtim që ma dhatë kur kishte paqe, përpara luftës, që do të vinit në Shqipëri. Dua t’ju garantoj se tani e përherë, Shqipëria është një prej shtëpive tuaja, është një prej vendeve ku çdo bashkëqytetar i juaji mund të ndihet si në shtëpi. Ne presim me padurim të forcojmë bashkëpunimin tonë, presim me padurim të identifikojmë e të punojmë së bashku për mundësitë e bashkëpunimit. Ne presim me padurim që të kemi mundësi të jemi me ju dhe me popullin e Ukrainës ditën kur falë gjithë këtyre përpjekjeve të përbashkëta, por para së gjithash falë përpjekjes suaj Ukraina do të marrë frymë lirisht e do të shijojë paqen e pse jo, të shijojë gjumin pa sirenat e alarmit që njoftojnë raketën tjetër që fluturon mbi kokat tuaja.

Faleminderit shumë e fjala është për ju.

 

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy: Të nderuar! I nderuar zoti kryeministër ! Së pari e mbi të gjitha dëshiroj t’ju falënderoj juve Edi, Kryeministrin  Shqipërisë, popullin tuaj, të gjithë qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e sinqertë dhe të plotë që ju na keni dhënë ne, vendit tonë, Ukrainës, popullit tonë dhe të gjithë mbështetjen që ju i jepni edhe drejtësisë në Europë. Në fakt, mbështetjen të cilën ne e kemi marrë në një kohë kaq të trazuar, me luftë të skajshme dhe ju falënderojmë dhe për të gjitha paketat që ju keni mbështetur dhe madje edhe sot ne kemi parë mbështetjen e Shqipërisë nga ju dhe nga partnerët e tjerë dhe dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin politik edhe natyrisht edhe faktin që ju keni kuptuar sicc duhet që çdo komb ka nevojë të respektohet, ka nevojë për sigurinë e vet.

Dhe gjithashtu që këto janë ato elemente, parime, të cilat në fakt përkufizojnë siç duhet çdo gjë të mirë që mund të ofrojë një komb.

 

Të dashur, miq!

Sot u zhvillua Samiti i dytë mes Ukrainës dhe Evropës Juglindore  dhe jam mirënjohës Shqipërisë për organizimin e Samitit dhe për punën e saj domethënëse. U bënë deklarata, ndërkohë që u zhvilluan edhe takime të rëndësishme dypalëshe dhe do të vazhdojnë të zhvillohen.  Falenderoj secilin lider për pjesëmarrjen e tyre.

Ne kemi shpallur një deklaratë të përbashkët të Samitit, që identifikon qartë kërcënimet ekzistuese jo vetëm për Ukrainën, por për të gjitha kombet. Agresioni rus kundër shtetit tonë është një përpjekje për të shkatërruar, jo vetëm pavarësinë tonë, por edhe të gjithë rendin ndërkombëtar, ku çdo komb gëzon të drejtën të jetojë i lirë dhe meriton respekt. Putini nuk respekton askënd dhe nuk dëshiron të lejojë askënd të jetojë i lirë. Ky është thelbi i luftës së tij dhe kjo është arsyeja pse, nëse ai nuk ndalet tani, ai do të zgjerojë agresionin e tij. Ukraina thekson se të gjithë ne në Evropë duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë sovranitetin tonë, dinjitetin kombëtar dhe mënyrën e jetesës së popujve tanë. Të gjithë tani janë nën kërcënim – Rusia e tillë ka një arsenal të rëndësishëm mjetesh destabilizimi. Nga agresioni i drejtpërdrejtë te sulmet hibride përmes operacioneve speciale politike për të provokuar përçarje në shoqëri të tjera, përmes dezinformimit, përmes presionit ekonomik, përmes përhapjes së korrupsionit dhe përdorimit të burimeve energjetike si armë politike. Së bashku duhet t’i heqim Rusisë mundësinë për të shkatërruar jetët tona.

Ne na duhet më shumë besim se çfarë mund të bëjmë ne. Duhet që ju të keni besim te ne, tek stabiliteti që ne do të mund t’i ofrojmë në fakt Europës, komunitetit, por edhe vlerave të përbashkëta të  komunitetit euroatlantik dhe integrimit të plotë tonit në BE. Ne natyrisht mbështesim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por duhet që edhe ju të na mbështetni ne.

Faleminderit për bashkëpunimin që ne kemi parë me ju sot. Vullnetin tuaj të qartë që ju keni shprehur. Faleminderit natyrisht ai u shpreh edhe nga zoti kryeministër dhe është e një rëndësie shumë të madhe për ne dhe që do të merrni pjesë në Samitin Global të Paqes.

Ukraina, si edhe i gjithë rajoni i Europën Juglindore, duhet të vijojmë që së bashku të bashkëpunojmë të ecim përpara, të merrni pjesë në samitin global të paqes. Natyrisht të na mbështesni edhe në formulën tonë të paqes, planin me 10 pika. Lufta është zhvilluar nga një person i vetëm, por  puna për paqen është një punë që do ta bëjmë të gjithë së bashku. Kështu që të gjithë ata që vlerësojnë rregullat, rendin botëror, të bazuar te rregullat duhet të na mbështesni, sepse lufta dhe ne jemi shumë më shumë se një person i vetëm, agresori. Duhet të na ndihmoni. Faleminderit për vëmendjen, faleminderit për mbështetjen tuaj dhe gjithashtu më lejoni të falënderoj për këtë samit zotin kryeministër. Lavdi Ukrainës!

* * *

– President Zelenskyy mirëserdhët në Tiranë! Çfarë këshille do të jepni ju për liderët e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu edhe për liderët europiane që ajo çka po ndodh sot në Ukrainë të mos përhapet në vende të tjera të globit? Ndërsa për ju zoti Rama, a është në rrezik stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nga Rusia?

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy: Faleminderit për pyetjen tuaj! Nuk e di nëqoftëse ishte i saktë përkthimi nga gjuha juaj megjithatë për sa i përket këshillës, fakti që gjendemi këtu sot në një tryezë, të gjithë së bashku kemi natyrisht shembuj historik të marrëdhënieve të ndryshme dhe mendoj që është një shans shumë i rëndësishëm që kemi ardhur dhe jemi bërë së bashku, është një mënyrë për tu mbrojtur, është një rrugë drejt paqes, është rrugë që absolutisht s’të çon te lufta dhe për rrjedhojë nuk është këshillë sepse unë mendoj se ajo çfarë po ndodh tani është shembulli i duhur.

Ndoshta nuk është aq e thjeshtë për të gjithë ata që janë ulur rreth një tryeze dhe ne e kuptojmë se çfarë është një gjë e tillë, por mund të jetë e vështirë dhe për shoqëritë e këtyre udhëheqësve. Ne nuk u kushtojmë vëmendje provokimeve aty këtu, provokimet vetëm përçajnë.

Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin dhe mendoj se shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku sot. Mendoj se Rusia do bëjë gjithçka që të destabilizojë situatën. Në fakt nuk e ka gëlltitur situatën me Ukrainën dhe nuk ia ka dalë aty dhe në fakt u jam shumë mirënjohës shteteve tuaja, partnerëve në botë, të gjithë ata që e kanë ndihmuar Ukrainën që të bëhet e fortë.

Sot nuk duhet të bëjmë pauza, por të forcojmë Ukrainën sepse Rusia nuk do të ndalet dhe për më tepër e kemi diskutuar këtë dhe me zotin kryeministër. Rusia del në përfundime për gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës dhe për rrjedhojë do destabilizojë më tej nëqoftëse do ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe mundësinë që të mbijetojë në këtë agresion kundër nesh, e kam fjalën për të mbijetuar politikisht. Do përdorë taktika të tjera, do përpiqet të ushtrojë ndikim në ato vende ku mundet të përftojë suksese të menjëhershme që janë vende të vogla. Kësisoj besoj që vendet baltike janë nën kërcënime, si Moldavia, vendet e Ballkanit kudo ku bashkimi sovjetik ka qenë i pranishëm.

Kryeministri Edi Rama: Kam qenë mjaft i privilegjuar që kam folur dhe diskutuar me presidentin saktësisht rreth kësaj gjëje. I thashë diçka që do tua tregoj dhe juve që për mua është përgjigja me e qartë, më e shkurtër dhe më e saktë për faktin se ku mund të shkojë bota nëqoftëse ne ndjekim logjikën e Vladimir Putinit për justifikimin e një lufte duke i bërë thirrje së shkuarës, kjo është perandoria mongoleze dhe Rusia është brenda saj. Ai që e publikoi këtë erdhi pas intervistës së Putinit, por ju garantoj që mongolezët janë njerëz paqësor. Tani merreni me mend sikur në këtë rajon të gjithë t’ia nisin të mendojnë që t’i shohin marrëdhëniet ndërkombëtare mbështetur në harta, do ishte një luftë që s’do merrte kurrë fund. Ajo çka më shqetëson më fort është që jo të gjithë po e kuptojnë sot se për Vladimir Putinin të sulmonte Ukrainën nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, është një sulm kundër rendit botëror mbështetur në rregulla, është një sulm kundër bashkësisë së vendeve demokratike. Është një sfidë, sfida më e hapur, më e pamëshirshme ndaj vetë ekzistencës së BE-së, jo sepse Rusia do të pushtojë Gjermaninë, por sepse nëqoftëse kjo logjika e ndezjes së një lufte bazuar në lavditë e kohëve të shkuara e historitë e vjetra e hartat e një kohe tjetër do të mbizotërojnë, ne nuk do të jetojmë më në botën që njohim, por do të jetojmë në një botë ku më i fuqishmi do të vendosë e ku të drejtat do të minohen.

Ka shumë mësime që mund të nxjerrim nga historia jonë në Ballkan, por ajo çfarë po ndodh sot në Ukrainë është një tjetër mësim që na thotë që nuk duhet kurrsesi të biem pre e relativizmit të këtij konflikti, të mos biem pre e relativizimit të dy palëve sepse është shumë e qartë për ne, ka një agresor dhe ka një viktimë. Gjithçka tjetër është çorientuese në mënyrë të rrezikshme. Kur vjen fjala tek ne në Ballkanin Perëndimor dhe ne së bashku ndamë disa mendime, sigurisht që nuk jemi një rajon pa probleme, sigurisht që nuk jemi një rajon ku nëse ti do të ndezësh një luftë e kë të vështirë të gjesh harta apo e ke të vështirë të gjesh histori apo një mesazh që mbështetet në lavditë e së shkuarës. Në të kundërt jetojmë në një terren pjellor ku është derdhur shumë gjak pikërisht për shkak të luftës kundër njëri tjetrit, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku në një mënyrë të tillë që të bashkëpunojmë për atë çka është e interesit të përbashkët, për atë çka është e jona dhe pastaj të diskutojmë, të debatojmë e të shkëmbejmë, por në mënyrë paqësore për atë çka është diçka mbi të cilën nuk biem dakord. Pastaj na duhet të forcojmë institucionet tona, na duhet të forcojmë demokracinë tonë, ekonominë tonë dhe sa më fuqi do të përfitojmë në këtë drejtim aq më pak do të jemi të rrezikuar për shkak të asaj që ende është e pazgjidhur. Kjo është shumë e qartë!

Edhe një herë; po, ka një rrezik të qartë e real për Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus, por askush nuk duhet ta shohë si një situatë ku ushtria ruse vjen këtu, por të gjithë duhet ta shohin si një fakt që ajo çfarë po ndodh atje mund të përsëritet në mënyra të ndryshme duke vënë në pikëpyetje vetë themelet e rendit tonë botëror mbështetur në rregulla që në fakt nuk është një botë ku kush është më i madh, kush është më i fortë, kush ka më shumë ushtarë mund të shkojë e të pushtojë atë që është më i vogël, që është më i dobët e që ka më pak ushtri. Kjo është mesjetë!

Shpresojmë fort që të vazhdojmë të ecim përpara së bashku, të vazhdojmë të punojmë së bashku. Në fund do doja të thoja që e shoh Ukrainën, lidhjen me këtë komunitet vendesh që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Europian si një vlerë e shtuar sepse Ukraina vjen në këtë lidhje me shumë plagë të cilat vazhdojnë të jenë të hapura dhe me një përvojë dhembjeje që do të jetë me shumë vlerë për ne sepse do të na kujtojë përherë se lufta nuk është diçka që e shohim në televizor dhe pastaj fillojmë të humbasim midis Netflix dhe raportimeve nga Ukraina. Lufta është po kaq pranë sa jemi ne këtu, është po kaq pranë sa jemi ne këtu dhe sado e pamundur të duket sot se mund të ndodhë, mund të ndodhë. Kështu që s’mund të luajmë me zjarrin dhe duhet të ruajmë një qëndrim dhe një mendim të qartë në raport me Ukrainën se nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, ka të bëjë me ne. Nëqoftëse humbasim këtë qartësi rrezikojmë të hyjmë në një fazë të errësirës.

 

-Zoti President, një sugjerim ka ardhur nga Presidenti Macron që mund të jetë opsion që të ketë trupa nga vendet perëndimore në Ukrainë, pavarësisht se dolën katër vende evropiane kundër kësaj deklarate. A ka diskutime që po ndodhin brenda për brenda aleateve në lidhje me këtë çështje dhe cila është përgjigjja e vendeve aleate në Perëndim. Dhe cila është dhe situata sa i përket armatimeve në këtë moment. Zoti President thjeshtë për ta bërë jetën tonë më të lehtë, ndoshta më e mira do të ishte të flisnit anglisht nëse është e mundur dhe më falni, por edhe një pyetje për kryeministrin e Shqipërisë. 

Kryeministri Edi Rama: Ja kështu e duan gazetarët jetën më të lehtë.

Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës: Mirë atëherë unë do të përgjigjen në anglisht. Herën tjetër do të duhet që të përgatiteni më mirë edhe që unë të flas në gjuhën time amtare.

 

-I nderuar kryeministër Shqipëria është një vend i vogël në rajon, në kontinent në NATO, atëherë cili është kontributi që po jep Tirana për këtë luftë, e cila nuk e dëshirojmë fare dhe çfarë merr Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik?

Kryeministri Edi Rama: Kur thoni që çfarë merr çfarë do të thotë? Ah e kuptova, e kuptova, çfarë fiton në këtë pazar e keni fjalën.

Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës: Faleminderit për pyetjen tuaj. Së pari kam patur një takim shumë të mirë me presidentin Makron, dhe ishte një takim me shumë nisma. Vërtet jo një nismë, apo dy nisma, por shumë prej tyre dhe do të flas për të gjitha ato. Për shembull koalicioni për artilerinë, ky me SHBA-në por edhe me partnerë të tjerë, pra gjëra shumë konkrete.

Ne duhet të mbijetojmë dhe që të mbijetojmë për Ukrainën do të thotë që të kemi edhe ndihma konkrete dhe kjo është shumë e rëndësishme, prandaj nuk mund të ndaj me ju për shembull shifrën për artileri ose për armatime të tjera që ne mund të kemi. Pra, ne na duhet që të mbijetojmë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që gjithçka qe ne kemi vendosur, gjithçka, çdo lloj ndihme duhet të na arrijë ne në kohë.

Kjo është nisma më e mirë e të gjithëve që t’i sillni armatimet në kohë. Nëse mundeni. Pra nëse është marrë vendimi që të na mbështesni, atëherë kjo është çështja që lind dhe nëse do të fitojmë apo jo do varet nga kjo pikë dhe prandaj, ai pati shumë vendime, si të ndryshohet aspekti kohë, si të forcohet Ukraina në fushat e betejës. Pra, ne folëm shumë për çështje të inteligjencës, për drone, bashkëprodhim, gjëra teknike.

Ndërsa pyetja tjetër që ju më bëtë. Unë nuk kam qenë në Samit dhe ai më tha që u fol për disa ide të tjera, të reja, se si mund të fuqizohet Ukraina dhe tha që do t’i ndajë këto ide me mua kur të kthehet në Ukrainë.

Më duket se më tha zyrtarisht se do të vijë në Ukrainë në mes të të këtij muaji apo muajin tjetër. Në mars atëherë. Në mes të marsit do të kthehet. Nga data 24 shkurt të gjitha ditët janë njësoj dhe janë një ditë e vetme për ne, prandaj më falni se nuk e mbaj mend datën e sotme dhe mendoj që ai do t’i ndajë këto ide me mua kur të takohemi dhe atëherë do të mund t’i përgjigjem pyetjes tuaj sepse do të njoh me hollësi planin e tij.

Por gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar është që kur ne e ndajmë me njëri-tjetrin nisma, iniciativa nga më të ndashmet, të gjitha këto janë si të themi hapi hapi i dytë, i katërt. Por hapi i parë është mbrojtja, pra që ne të jemi të fort në front. Është e rëndësishme kjo sepse tashme ne kemi disa pyetje për këto paketat me partnerët tanë, partnerë europianë dhe SHBA dhe natyrisht e falënderojmë SHBA-në për udhëheqjen që ata kanë treguar, por edhe për partnerët europain, edhe për partnerët të tjerë europian, si Mbretëria e Bashkuar, por sot ama është e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të qëndrojmë të fortë sepse nuk kemi as kohë  e as alternativa. Sepse të gjithë ne na duhet që të përballemi me një vrasës. Thjeshtë vrasës. Kaq. Hitleri. Hitleri, pjesa 2. Nëse po flasim për Netflix bëhet fjalë.

Pra është vërtetë një rrezik i madh që i kanoset jetës sonë dhe unë nuk do doja kurrë që të ndodhë e kundërta, por unë besoj që të gjithë ne duhet të përgatitemi që të jemi të fortë. Të përgatitemi për luftë apo për paqe nuk është aq e rëndësishme, por është e rëndësishme që të përgatitemi për hapat e tjerë që do të ndërmarë Putini. Në rast se nuk e bëjmë këtë, ose në rast se ne duam që ai të mos t’ia dalë mbanë, atëherë ne duhet të përgatitemi që ai të zmbrapset. Ne duhet të përgatitemi për luftë natën, ditën me armatime dhe natyrisht, Kryeministri e tha që lufta nuk ka distancë. A është në agim apo në mes të natës, në mesnatë  sepse mendoni sikur t’ju luftojnë në mes të natës. Pra ju duhet të jeni të përgatitur në rast se ju hedhin raketa. Ne duam të jemi të fortë dhe ne Putinin do ta mundim.

Kjo është iniciativa jonë, kjo është nisma që ne kemi dhe nëse ka iniciativa, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën që e fuqizojnë Ukrainën, atëherë janë të mira për të gjithë botën. Faleminderit!

 

Kryeministri Edi Rama: Për t’iu përgjigjur pyetjes ndaj doja që të kisha një ide të qartë se për çfarë ishte, çfarë merr, çfarë fiton Shipëria në rrugëtimin e saj të integrimit në BE. Dëgjo, së pari ne e kemi mbështetur Ukrainën edhe me paketa mbështetjeje, të cilat nuk janë hua dhe nuk janë as pjesë e ndonjë biznesi. Kurrë  nuk i kemi kërkuar Ukrainës të paguajë mbrapsht nga ato që keni marrë prej nesh. Modeste? Sigurisht, këto janë mundësitë tona, por pa asnjë dyshim kemi bërë e do të bëjmë gjithçka që mundemi. Po, ne jemi absolutisht të vetëdijshëm se për atë front lufte, kjo është diçka shumë e vogël. Pse e them këtë?

Sepse po e bëjmë për veten tonë, drejtpërdrejtë kështu. Për veten tonë. Ky nuk është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, ky është kërcënim ndaj gjithçkaje që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja jonë dhe kjo nuk është retorikë.

Nëse duam një të ardhme në BE, duam BE. Nuk duam ta shohim BE të shpërbëhet pasi hyn apo pasi ka hyrë në një luftë të brendshme gërryese të pafundme se ç’lloj rregullash a ç’lloj vlerash apo ç’lloj veprimesh janë të justifikuara apo që nuk justifikohen.

Ka pasur shumë sanksione kundër Rusisë, por sigurisht ne e dimë që varësia nga gazi rus, varësia nga nafta ruse nuk është kaq e thjeshtë. Rritja e çmimeve, rritja e kostos së jetesës në vendet më të pasura janë pjesë e planit për ta bërë opinionin publik që të thotë: “Hë tani, nuk mund të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën. Hë tani na duhet kjo tjetra”.

Problemi në fakt është se nëqoftëse i merr një të varfëri diçka, nuk është se kjo do ta bëjë të ndryshojë mendje, por po t’i marrësh diçka një të pasuri, i pasuri mund të çmendet, mund të humbasë mendjen, kështu që llogaria është shumë e qartë dhe për ne ky është kyçi.

Ne po kërkojmë të bashkohemi me BE, por në të njëjtën kohë po kërkojmë që të bëjmë paqe, të kemi bashkëpunim të plotë me këtë rajon që është në zemër të BE.

Ballkani Perëndimor është i vetmi realitet, ndryshe nga Ukraina që rrethohet në kufijtë të BE, dhe Bashkimi Evropian është i vetmi realitet në histori që ka dy kufinj, një të jashtëm e një të brendshëm. Ne jemi brenda BE fizikisht dhe jemi jashtë BE politikisht, ndaj duam të integrohemi plotësisht në këtë trup se nuk duhet ta shohim këtë organizëm të shpërthejë  sepse po të jetë kështu, do të mbetemi pa një të ardhme. Është shumë e qartë. Bashkimi Europian nuk është parajsë. Përkundrazi. Por nuk ka asnjë dyshim që është një ferr i gëzueshëm. Nuk është një ferr i përgjakshëm. Dhe këtu duam të jemi. Kështu që, çfarë më shumë të kërkojmë? Kjo është gjëja më thelbësore që na duhet të kuptojmë e t’i qëndrojmë Ukrainës në krah, jo për të menduar se çfarë mund të fitojmë, por çfarë mund mund të japim më shumë. Nuk është retorikë. Ju e keni parë në rajon hera-herës se si ndikimi rus ka mbjellë destabilitet në një vend a në një tjetër dhe nëse vazhdojmë të mbetemi bashkë e në këmbë, kjo vjen falë aspiratës së përbashkët për të qenë pjesë e BE, por nëse kjo aspiratë venitet sepse BE humbet drejtimin, humbet integritetin e vet, atëherë duhet të jetë më e lehtë që të kërkohet haviar, shampanjë dhe gjak, në  vend që të kërkohen reforma, demokraci e të drejta të njeriut.

Kjo është e gjitha, kaq e thjeshtë.

Faleminderit shumë!

 

Previous Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtojnë Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”