Kumbaro−Mogherini nënshkruajnë memorandumin/ Studentët e Kolegjit të Evropës ambasadorë të turizmit shqiptar - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kumbaro−Mogherini nënshkruajnë memorandumin/ Studentët e Kolegjit të Evropës ambasadorë të turizmit shqiptar

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini firmosën një memorandum mirëkuptimi për promovimin e kulturës, trashëgimisë, pasurive natyrore të Shqipërisë përmes angazhimit të studentëve të Kolegjit të Evropës me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit.

Sipas këtij memorandumi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, do të hartojë itineraret turistike dhe do të sigurojë udhërrëfimin turistik përmes udhërrëfyesve të certifikuar nga kjo ministri.

“Jam shumë e kënaqur që sot mirëpres në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, një mikeshë të Shqipërisë, një diplomate të klasit më të lartë që është edhe rektorja e Kolegjit të Evropës këtu në Tiranë. Jam e lumtur që ky kolegj nuk do të mirëpresë vetëm studentë shqiptarë, por studentë nga gjithë Europa dhe bashkë me Federikën kemi vendosur që këtyre studentëve t’u japim jo vetëm dijen për të cilën kolegji i Evropës është gjithë mjeshtëria që mund të imagjinohet në fushën e diplomacisë dhe të shkencave politike, por t’u japim edhe një shije të mirë të Shqipërisë sepse njëra nuk shkon pa tjetrën. Ne do të bëjmë më të mirën që t’u japim atyre mundësinë ta vizitojnë Shqipërinë, ta shijojnë Shqipërinë edhe pse jo, të bëhen ambasadorë të ardhshëm të Shqipërisë turistike, të Shqipërisë së kulturës, të Shqipërisë europiane. Kështu sot firmosëm një marrëveshje pikërisht që të formojmë së bashku jo vetëm liderë të së ardhmes, por edhe ambasadorë të cilët do ta prezantojnë Shqipërinë me shijen e tyre personale”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë nënshkrimit të memorandumit.

Kolegji i Europës është duke hapur kampusin e tij në Tiranë për të nisur vitin akademik në shtator, me 31 studentët e parë nga gjithë Europa. Integrimi është një pjesë integrale e këtij programi, i cili do të jetë një realitet gjithëpërfshirës në Shqipëri dhe përfshin gjithashtu pasuritë historike, kulturore dhe natyrore të vendit.

“Është nder dhe kënaqësi për mua të jem këtu në Tiranë, por veçanërisht që po firmos këtë memorandum mirëkuptimi, i cili është një mundësi shumë e mirë, shumë e rëndësishme dhe interesante për studentët tanë dhe komunitetin e Kolegjit. Unë jam shumë krenare që falë këtij bashkëpunimi që nënshkruam sot, do t’u ofrojmë studentëve tanë mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, historinë dhe gjithçka që Shqipëria ofron. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm procesin e të mësuarit të studentëve sepse një pjesë integrale e dijeve ka të bëjë me të kuptuarit e historisë dhe kulturës lokale dhe rajonale. Duke qenë se do të kemi studentë nga gjithë Evropa, kjo do të jetë një mundësi e mirë që ata të kthehen në ambasadorë të Shqipërisë për vendet nga vijnë por edhe kudo në botë dhe jam e sigurt që ata jo vetëm do të mësojnë shumë, por do t’i shijojnë shumë pasuritë e mrekullueshme të këtij vendi që përmenda. Jam shumë mirënjohëse dhe dëshiroj që përveçse t’u ofrohet studentëve dhe profesorëve tanë, të eksploroj edhe vetë më shumë bukuritë e këtij vendi”, u shpreh Mogherini.

“Ju do të jeni pjesë e kësaj përvoje të re. “Albania, All u need is here” ishte slogani vitin që shkoi, kurse slogani i këtij viti do të jetë “Albania All Senses”, kështu që duhet ta shijoni dhe jetoni”, u shpreh ministrja Kumbaro në mbyllje të fjalës së saj.

Previous Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi