Baku, Azerbajxhan, Kryeministri Rama i adresohet Samitit të 10-të të Korridorit Jugor të Gazit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Baku, Azerbajxhan, Kryeministri Rama i adresohet Samitit të 10-të të Korridorit Jugor të Gazit

Kryeministri Rama ndodhet sot në Baku, Azerbajxhan si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, si edhe për të diskutuar bashkërisht për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë.

Kryeministri tha në fjalën e tij se Shqipëria është pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik që është një lidhje jetike në Korridorin Jugor të gazit, duke orientuar investimet drejt projekteve të energjisë së ripertëritshme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme.

Tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri, ashtu si edhe është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës, ndërkohë që ka nisur investimi për vënien në punë e zgjerimin e kapaciteteve të këtij të fundit.

* * *

I nderuar, President Aliyev! I dashur mik e të dashur miq! Nuk mund të jem më i përulur se sa kaq nga mikpritja që më është ofruar sot dhe nuk mund të ndihem më i nderuar nga fjalët që Presidenti përdori për të përshkruar natyrën e marrëdhënies midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë si dhe të marrëdhënies sonë personale.

Tetë vjet më parë në Ministerialin e tretë, presidenti Aliyev tha dhe citoj: “Korridori Jugor përcakton një format unik të bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo përvoje e re bashkëpunimi midis vendeve, kompanive dhe institucioneve financiare ndërkombëtare do të shtrihet masivisht në shumë fusha të tjera përgjatë viteve”, – parashikoi ai.

Dhe vërtetë, kjo rrugë e re e “mëndafshtë” e energjisë, Korridori Jugor është shndërruar në një urë  bashkëpunimi intensiv, duke sjellë më pranë vendet, kompanitë, institucionet ndërkombëtare financiare në një format, i cili vetëm sa shton dëshirën dhe mundësitë që ofron.

Sot, ky format është shndërruar në një urë. Një urë ku pjesë e re përbërëse është bërë edhe dimensioni i energjisë së gjelbër.

Pra sot jemi të gjithë dëshmitarë se Korridori i jugor i gazit ka ndryshuar tashmë shumë jetë dhe e ka bërë Europën më të sigurt. Ndërsa Europa po mbledh furnizimet me gaz të lëngshëm natyror, korridori jugor i gazit pa asnjë dyshim do të mbetet një prej burimeve të pakta, të qëndrueshme konkurruese të transportimit të gazit që vjen për në BE.

Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40 % aktualisht në 8 % dhe së shpejti në 0 % dhe në agjendën e gjelbër dhe në përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni Kaspik janë thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët. Për aq sa i takon vendit  tim Shqipërisë, ne jemi të pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik, që është një lidhje jetike në Korridor Jugor të gazit. Sigurisht, ne synojmë të kapitalizojmë  më tej mbi këtë korridor transformues, duke orientuar investimet drejt projekteve të energjisë së ripërtërishme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme. Ndërkohe që flasim sot Shqipëria është 100 % e mbështetur si vend në energjinë e ripërtëritshme, por ajo çfarë kemi nevoja të bëjmë dhe çfarë po bëjmë është të diversifikojmë burimet tona të energjisë që mbështetet kryesisht në burimet hidrike. Për ne, investimet në energjinë e qëndrueshme dhe të ripërtërishme janë pa asnjë dyshim thelbësore. Vitet e fundit ato e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të natyrshëm të tranzicionit të gjelbër e të inovacionit në sektorin energjetik. Në këtë drejtim nisja e dialogjeve për hidrogjenin e gjelbër, në kontestin e Korridorit Jugor të gazit është shumë e rëndësishme dhe përmirëson edhe njëherë vlerën e kësaj nisme vizionare.

Së pari, ofron një mjet për trajtimin e shqetësimeve mjedisore dhe në përputhje me objektivat globale të qëndrueshmërisë. Së dyti përqafimi i hidrogjenit të gjelbër çel mundësi të reja ekonomike, nxit novacionin, kërkimin dhe zhvillimin në sektorin e energjisë së pastër dhe së fundmi e pozicionon Korridorin si një nismë largpamëse, e cila u përgjigjet kërkesave në zhvillim të një bote që gjithmonë e më tepër përqendrohet të shkarbonizimi.

Më lini po ashtu të ndaj me ju se miqtë tanë azerbajxhanas kanë qenë të paçmuar vërtet me ekspertizën e tyre teknike për të hartuar skenarët më të mirë të mundshëm për shfrytëzimin e infrastrukturës sonë ekzistuese e për t’ia përshtatur atë përballimit të sfidave aktuale energjetike dhe nuk mund të  jemi më shumë sesa kaq mirënjohës  për këtë.

Aktualisht në Shqipëri po kërkojmë  të ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe falë mbështetjes së presidentit Aliev këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në traditën tonë historike që na ishte privuar.

Për ata që nuk e njohin historinë tonë, ne kemi qenë krejt të izoluar nga perëndimi dhe lindja, duke pretenduar që ishin i vetmi vend në botë që luftonin  për komunizmin e vërtetë dhe refuzuan të kishin marrëdhënie qoftë me imperializmin amerikan apo social imperializmin sovjetik.

Kështu, jetonim në një Kore Veriu në mes të Europës dhe praktikisht të gjitha sistemet tona, nga sistemet e gazit, në sistemet hekurudhore ishin thuajse jo ekzistuese dhe tërësisht të shkëputura nga pjesa tjetër e botes. Ja pse e vlerësojmë shumë këtë kapitull të ri në procesin tonë të zhvillimit.

Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP në bashkëveprim me partnerët tanë synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë.

Marco Polo përshkruante sesi Baku ishte e bekuar me puse nafte dhe sesi nafta nxirrej, përdorej për ndriçim e për shërim por ishte vetëm viti 1877 kur Charles Marvin dha prova të pakundërshtueshme me se kohë përpara se të lindte Krishti gazi eksportohej nga gadishulli Absheronit ku gjendet Bakuja në territoret e Irakut, Iranit, Indisë moderne dhe vendeve të tjera.

Dje pasuria e pa matë e Bakusë mbështeti epokën e artë të civilizimeve aziatike dhe europiane. Tashmë të njëjtat burime, të njëjtat fusha gazi kanë potencialin të çelin një epokë të re për vendet tona, një epokë të një bashkëpunimi shumëpalësh, të një paqe që zgjat e përparimi që mbështetet në shkarbonizim dhe furnizime me energji të qëndrueshme.

Me lini ta mbyll duke u bashkuar me atë çka theksoi presidenti Aliyev kur përmendi nismën e Azerbajxhanit për të marrë stafetën e KOP-it dhe për ta organizuar atë këtu.

Është kaq treguese kur një vend kaq i pasur në karburante, fosile bën një hap përpara dhe thotë le të shohim të gjithë së bashku mënyrën sesi tranzicioni i energjisë së gjelbër mund të jetë real, mund të jetë i qëndrueshëm dhe me përfitime për të gjithë pjesën tjetër të botë.

Këtu duhet t’i vijë përgëzimi më i madh Azerbajxhanit dhe mikpritësit tonë jashtëzakonisht të çmuar.

Faleminderit shumë zoti President! Faleminderit shumë të gjithëve ju!

Previous Balluku në Azerbajxhan: Gazifikimi rrit sigurinë energjetike për Shqipërinë dhe rajonin