Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2024:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (në vijim, Agjencia), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin (në vijim, ministri), me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për mjedisin.
3. Agjencia ka si mision të sigurojë:
a) koordinimin, monitorimin dhe bashkëpunimin me njësitë e qeverisjes vendore (NJQV), institucionet e administratës publike dhe partnerët ndërkombëtarë në menaxhimin e integruar të mbetjeve, me qëllim kalimin e këtij sektori në ekonomi qarkulluese;
b) promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve për zhvillimin gradual të grumbullimit përmes ndarjes në burim e riciklimit në shkallë të gjerë dhe monitorimin e implementimit të standardeve dhe edukimin mjedisor, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim dhe dispozitat në ligjin përkatës për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE
Agjencia ka këto përgjegjësi funksionale:
a) Të koordinojë punën me institucionet e administratës publike, në nivel qendror e vendor, partnerët ndërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e standardeve në menaxhimin efikas të integruar të mbetjeve, planifikimin territorial në infrastrukturën e mbetjeve dhe implementimin e tyre;
b) Të organizojë punën për edukimin mjedisor, promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve për zhvillimin gradual të grumbullimit përmes ndarjes në burim e riciklimit në shkallë të gjerë.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE
1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj, përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para ministrit.
3. Drejtori i Përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga ministri. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
ç) Të ketë përvojë pune të paktën 7 (shtatë) vjet në profesion;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
4. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit;
ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës.
5. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:
a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
c) ristrukturohet institucioni;
ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
d) jep dorëheqjen nga detyra.
6. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të nëpunësve, si dhe të punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
7. Agjencia, në zbatim të misionit, fushave të përgjegjësisë dhe përgjegjësive funksionale të saj, kryen këto detyra:
a) Ndjek zbatimin e masterplanit kombëtar të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe strategjisë sektoriale për mbetjet;
b) Mbështet ministrinë përgjegjëse për mjedisin për të përgatitur propozimet për ndryshime dhe përmirësime të kuadrit ligjor e nënligjor, që lidhet me menaxhimin e integruar të mbetjeve;
c) Krijon e monitoron zbatimin e sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, në nivel rajonal dhe vendor;
ç) Koordinon, monitoron dhe ndjek zbatimin e planeve, programeve dhe projekteve, që lidhen me infrastrukturën për menaxhimin e integruar të mbetjeve;
d) Koordinon së bashku me njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e administratës publike dhe partnerët ndërkombëtarë planifikimin e nevojave për investime, bazuar në politikat e qeverisë dhe në masterplanin kombëtar sektorial të menaxhimit të integruar të mbetjeve;
dh) Koordinon nga pikëpamja teknike projektet për menaxhimin e integruar të mbetjeve të financuara nga buxheti i shtetit apo burime të tjera financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim garantimin e rregullave/procedurave teknike;
e) Koordinon, nxit dhe bashkëpunon me institucionet shtetërore, institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e politikave strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve;
ë) Planifikon nevojat për trajnime dhe koordinon punën për realizimin e tyre;
f) Koordinon e asiston ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për nismat për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Agjencia asiston, përveçse sa më lart, por pa u kufizuar në qendrat e transferimit, stacionet e riciklimit dhe të kompostimit;
g) Koordinon punën për zbatimin e programit të edukimit mjedisor dhe ndërgjegjësimit për menaxhimin e integruar të mbetjeve;
gj) Monitoron zbatimin e udhërrëfyesit (“roadmap”) për kalimin nga ekonomia lineare drejt ekonomisë qarkulluese;
h) Ushtron çdo detyrë tjetër të përcaktuar në akte ligjore e nënligjore.
8. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
9. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të saj.
10. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria (emri i ministrisë përgjegjëse), Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
11. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6 e 18, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës (në vijim, Agjencia), si person juridik publik buxhetor në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e diasporës (në vijim, ministria), me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, nga donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë.
3. Misioni i Agjencisë është të kontribuojë, të nxisë e të promovojë rritjen e vlerave dhe të traditave më të mira kombëtare të diasporës.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË
Agjencia, në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj, ka përgjegjësi të organizojë punën për:
a) përmirësimin e pozitës së diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të saj, aty ku gjendet;
b) ofrimin e ndihmës për ruajtjen e gjuhës e të trashëgimisë kulturore kombëtare;
c) nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;
ç) bashkëpunimin për prosperitet, paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror të të gjithë kombit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia organizohet në nivel qendror dhe ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Me qëllim përmbushjen e misionit e të përgjegjësive funksionale të saj, Agjencia:
a) merr masa për krijimin e bazës unike të të dhënave të diasporës, në bazë të vullnetit të lirë të personit. Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
b) zbaton politika dhe projekte që lidhen me diasporën;
c) ndjek zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës;
ç) mban lidhjet ndërmjet diasporës, përfaqësuesve të saj dhe vendit të origjinës;
d) bashkëpunon e koordinon aktivitetet me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe organizatat brenda dhe jashtë vendit, për përmirësimin e pozitës së diasporës në botë;
dh) ndihmon për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, të vlerave kombëtare dhe kulturore të diasporës;
e) informon diasporën për zhvillimet në vendin e origjinës, me qëllim përfshirjen e tyre në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë;
ë) bashkëpunon me organizma vendas e ndërkombëtarë me fusha të ngjashme veprimtarie, me qëllim përthithjen e praktikave më të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit.
3. Agjencia drejtohet nga titullari i Agjencisë, i cili organizon e drejton veprimtarinë e saj, përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para ministrit.
4. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
5. Shërbimet e brendshme mbështetëse dhe funksionet e menaxhimit financiar realizohen nga strukturat përgjegjëse për këto funksione në ministri.
6. Marrëdhëniet e punës së titullarit të Agjencisë dhe nëpunësve të saj rregullohen sipas dispozitave të ligjit për nëpunësin civil, ndërsa marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
7. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri, me propozim të titullarit të saj.
8. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e saj përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agjencia Kombëtare e Diasporës”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
9. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë sipas këtij vendimi, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë funksionale të Agjencisë Kombëtare të Diasporës si agjenci autonome do të vijojnë të ushtrohen sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
2. Buxheti i planifikuar për Agjencinë Kombëtare të Diasporës si agjenci autonome dhe të gjitha asetet e saj transferohen pranë Agjencisë së krijuar sipas këtij vendimi.
3. Nëpunësit civilë aktualë dhe punonjësit aktualë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, trajtohen përkatësisht sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil dhe Kodit të Punës, në rastin e mbylljes e të ristrukturimit të institucionit.
4. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave, Departamenti i Administratës Publike dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Z. Sokol Duma emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Rurale 2,  Tiranë Rurale 1, Tiranë Jug, Vlorë,  Durrës, Shkodër,  Kamzë-Vorë, Zonat e Stimuluara, Sarandë, Fier, Gjirokastër, Kavajë dhe Pogradec.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 509 743 164, 81   (pesëqind e nëntë milionë e shtatëqind e dyzet e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër presje tetëdhjetë e një) lekë, për sipërfaqen  39 935,7  (tridhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë presje shtatë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.6, nr.9, nr.19, nr.20, nr.25, nr.40, nr.47, nr.48, nr.60, nr.70, nr.71, nr.72, nr.73, nr.75, nr.76, nr.79, nr.80, nr.81, nr.82, nr.83, nr.84, nr.85, nr.88, nr.93, nr.95, nr.104, nr.106, nr.107, nr.108, nr.112, nr.128, nr.130, nr.131, nr.136, nr.139, nr.145, nr.153, nr.157, nr.165, nr.172, nr.173, nr.199, nr.201 sipas seksionit të veçantë (kolona 19) të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan, Tiranë Veri, Tiranë Rurale 2, Tiranë Rurale 1, Tiranë Jug, Vlorë, Durrës, Shkodër,    Kamzë-Vorë, Zonat e Stimuluara, Sarandë, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Pogradec të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Olta Manjani, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Vasilika Vjero, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E KONEKTIVITETIT  TË RRUGËVE RAJONALE DHE LOKALE NË SHQIPËRI,  RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.44/2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, ratifikuar me ligjin nr.44/2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E REHABILITIMIT DHE NDËRTIMIT TË OBJEKTEVE NË AFËRSI TË RRUGËS BREGDETARE (VLORË-ORIKUM), RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.83/2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum), ratifikuar me ligjin nr.83/2021, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHTESË TË MARRËVESHJES SË GRANTIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË (MARRËSI) DHE FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (FSHZH) (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E RINDËRTIMIT TË NDËRTESAVE PUBLIKE (FAZA I), MIRATUAR ME VENDIMIN NR.1150, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes shtesë të marrëveshjes së grantit dhe projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (marrësi) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rindërtimit të ndërtesave publike (faza I), miratuar me vendimin nr.1150, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, me një grant në shumën 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.II,                 NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE, NË LIDHJE ME PROGRAMIN “SHËRBIMET E FURNIZIMIT ME UJË DHE KANALIZIMEVE TË ORIENTUARA DREJT  KONSUMATORIT DHE PERFORMANCËS” (CPWS)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së zbatimit nr.II, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GMBH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane, në lidhje me programin “Shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të orientuara drejt konsumatorit dhe performancës” (CPWS), nëpërmjet një granti prej 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) eurosh, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROGRAMIN PËR MUNDËSIMIN E TURIZMIT DHE INFRASTRUKTURËS, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.883, DATË 12.11.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për mundësimin e turizmit dhe infrastrukturës, miratuar me vendimin nr.883 datë 12.11.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.15/2017, “PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për disa shtesa në ligjin nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional ne Republikën e Shqipërisë””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.169, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, togfjalëshi “… 2 (dy) vjet …” zëvendësohet me “… 3 (tre) vjet …”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.99, DATË 27.2.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 25, 70 e 71, të                                    ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.99, datë 27.2.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimi “Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar” dhe akronimi “DPAP” zëvendësohet me “AKAP”.
2. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë” zëvendësohet me “Ministria e Arsimit dhe Sportit”.
3.  Në kreun III bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) nivel qendror, nëpërmjet agjencisë kombëtare;”.
b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. AKAP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e agjencisë kombëtare dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe lirohet nga ministri. Drejtori i Përgjithshëm mbështetet nga 1 (një) zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, i cili emërohet me të njëjtat procedura si drejtori i Përgjithshëm.”.
c) Në pikën 6, fjalët “… drejtorisë së përgjithshme në nivel qendror …” zëvendësohen me “… agjencisë kombëtare …”.
ç) Në pikën 8, fjalët “Drejtoria qendrore …” zëvendësohen me “Agjencia kombëtare …”.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.620, DATË 1.11.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË INOVACIONIT DHE EKSELENCËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000,                             datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6 e 18, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.620, datë 1.11.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës”, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, të kreut I, fjalët “… në varësi të Kryeministrit …” zëvendësohen me “ … në varësi të ministrit përgjegjës për inovacionin …”.
2. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 2, fjalët “… i cili përgjigjet para Kryeministrit …” zëvendësohen me “… i cili përgjigjet para ministrit përgjegjës për inovacionin …”;
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për inovacionin.”;
c) Në shkronjën “dh”, të pikës 11, fjalët “… të caktuar nga                       Kryeministri, … ” zëvendësohen me “… të caktuar nga ministri përgjegjës për inovacionin, …”;
ç) Në pikën 15, fjalët “… miratohet nga Kryeministri …” zëvendësohen me “… miratohet nga ministri përgjegjës për inovacionin …”.
II. Ngarkohen Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE, TË PASURISË ME NR.7/120 DHE TË NJË PJESE TË PASURISË ME NR.7/466, ZONA KADASTRALE 8270, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të                            ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, të pasurisë me nr.7/120 dhe të një pjese të pasurisë me nr.7/466, zona kadastrale 8270, Tiranë, sipas formularit dhe planrilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, për ushtrimin e funksioneve administrative.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË E ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2024 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria      ekonomike 606), të përdoret për:
a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura, të bimëve mjekësore dhe aromatike dhe të prodhimeve blegtorale, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara;
b) mbështetjen e fermerëve nëpërmjet pagesave, për uljen e kostos për naftën që përdoret, për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore;
c) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike;
ç) mbështetjen e formave të kooperimit në bujqësi.
2. Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë, si më poshtë vijon:
2.1. Bujqësia dhe blegtoria
a) Pagesa në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë lopë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë.
Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “shoqëri të bashkëpunimit bujqësor (SHBB)”;
b) Pagesa në vlerën deri në 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi.
Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”;
c) Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për fermer/aplikant me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje.
Për pjesën mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
ç) Pagesa në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermer/aplikant me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha.
Për sipërfaqen mbi 5 (pesë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
d) Pagesë për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë/ha, për fermer/aplikant me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha.
Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet                     me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
dh) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në                                      vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar;
e) Implementimi dhe certifikimi global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën                50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:
i. por jo më shumë se 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë                    mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual;
ii. por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se              10 (dhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë;
iii. por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.
2.2. Mbështetje për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi
2.2.1. Mbështetje për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, në vlerën deri në 1 251 600 000 (një miliard e dyqind e pesëdhjetë e një milionë e gjashtëqind mijë) lekë.
2.2.2. Subjektet përfitojnë pagesa për uljen e kostos për naftën, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në këtë vendim.
2.2.3. Kulturat bujqësore/grup-kulturat, normativat e konsumit të naftës dhe sasia respektive e naftës, për të cilën përllogaritet vlera e përfitimit, janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Çmimi referencë për naftën llogaritet nga çmimi i publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i Agjencisë së Prokurimit Publik (rubrika “Të dhëna për karburantet”), me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
2.2.4. Subjektet përfituese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
i. Të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës;
ii. Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
2.2.5. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.
2.2.6. Përfitimi për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon:
i. Deri në 100% të vlerës, për fermerët/aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
2.2.7. Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren. Procesi i kontrollit në terren kryhet pas kalimit të pagesës te subjektet përfituese:
i. për të vlerësuar përputhshmërinë e vetëdeklarimeve me situatën reale dhe shmangien e lejuar të faktit të verifikuar të kulturave dhe të sipërfaqes së kultivuar, në raport me vlerën e përfituar, e cila të jetë jo më e madhe se 20%;
ii. në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e të gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha.
2.2.8. Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes për naftën për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20%, sipas përcaktimeve të nënpikës 2.2.7, nënndarja “i”, më sipër, ose me deklarime/dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.
3. Për masat mbështetëse sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të nënpikës 2.1 dhe të nënpikës 2.2, kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo ha), si dhe në total për subjekt, reduktohet në përputhje me këtë fond. Në rastet e shtesave/alokimeve eventuale të fondit, vlera e financimit që përfitohet nuk mund të jetë më e madhe se kufiri për masën përkatëse, i përcaktuar në këtë vendim.
Nga rregulli i mësipërm bëjnë përjashtim aplikantët me status “grup fermerësh” dhe “SHBB”, të cilët përfitojnë vlerën maksimale të financimit të parashikuar në këtë vendim, edhe kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse.
4. Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë fermerët individualë, grupet e fermerëve, personat fizikë, personat juridikë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
5. Kriteret, procedurat dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Financave.
6. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NORMAVE TË PROJEKTIMIT TË SPITALEVE DHE KLINIKAVE MJEKËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402,                      datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e normave të projektimit të spitaleve dhe klinikave mjekësore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Këto norma janë të detyrueshme për projektimin e spitaleve dhe klinikave mjekësore publike apo private, që do të ndërtohen apo do të rikonstruktohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen institucionet shtetërore dhe subjektet private të përfshira në procesin e projektimit, të miratimit të lejeve të ndërtimit, të oponencës e të inspektimit të spitaleve dhe klinikave mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION DHE NDËRTIM I RRUGËVE “KSANTHIPI ZYKO” DHE “ABDYL YPI”, BASHKIA DURRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrugëve “Ksanthipi Zyko” dhe “Abdyl Ypi”, Bashkia Durrës”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Durrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 9 241 113.3 (nëntë milionë e dyqind e dyzet e një mijë e njëqind e trembëdhjetë pikë tre) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 9 241 113.3 (nëntë milionë e dyqind e dyzet e një mijë e njëqind e trembëdhjetë pikë tre) lekësh përballohet nga Bashkia Durrës.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Durrës.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Durrës.
8. Bashkia Durrës kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Durrës.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Durrës, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Durrës, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.112,           DATË 23.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR FITIMIN E GRADËS SHKENCORE “DOKTOR” DHE TË STANDARDEVE SHTETËRORE PËR FITIMIN E TITUJVE AKADEMIKË “PROFESOR I ASOCIUAR” DHE “PROFESOR””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 60, pika 3, e 79, pika 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.112, datë 23.2.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 3, fjalët “… përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar …” zëvendësohen me “… përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë brenda vendit dhe udhëheqjet/bashkudhëheqjet që ndjek në institucionet e arsimit të lartë brenda vendit ose vendet anëtare të OECD-së, BE-së ose G-20-ës ku ai është i angazhuar …”.
b) Shkronja “b”, e pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë në revista shkencore brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara. Së paku, 1 (një) prej artikujve të jetë botuar në revista ndërkombëtare të indeksuara në Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI), ku është së paku, autor i dytë.”.
c) Pas pikës 6 shtohen pikat 6/1 dhe 6/2, me këtë përmbajtje:
“6/1. Bëjnë përjashtim nga shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 6, të këtij kreu, personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë me status të veçantë, me veprimtari në fushën e arteve.
Kriteret bazë që duhet të plotësojë kandidati përpara mbrojtjes së disertacionit janë:
a) Të ketë realizuar si autor i parë ose i dytë, së paku, 3 (tri) referime, 2 (dy) nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres).
b) Të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë në revista shkencore në fushën  e krijimtarisë artistike, nga të cilët 1 (një) të jetë botuar në revistë shkencore jashtë vendit, ku, së paku, të jetë autor i dytë.
 6/2. Bëjnë përjashtim nga shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 6, të këtij kreu, personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë me status të veçantë, me veprimtari në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Kriteret bazë që duhet të plotësojë kandidati përpara mbrojtjes së disertacionit janë:
a) Të ketë realizuar si autor i parë ose i dytë, së paku, 3 (tri) referime, 2 (dy) nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres).
b) Të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë në revista shkencore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, nga të cilët 1 (një) të jetë botuar në revistë shkencore jashtë vendit, ku, së paku, të jetë autor i dytë.”.
2. Në kreun II bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) të ketë përvojë pune si personel akademik me kohë të plotë për një periudhë, së paku, 5 (pesë)-vjeçare, me apo pa ndërprerje ose me kohë të pjesshme si lektor, për një periudhë 8 (tetë)-vjeçare akademike, me apo pa ndërprerje.
Personeli akademik që ka përvojë akademike me kohë të plotë më të ulët se pesë vite, por ka përvojë pune si personel akademik me kohë të pjesshme më të ulët se 8 (tetë) vite, koha e pjesshme i konvertohet si vite me kohë të plotë, e cila përllogaritet me një koeficient prej 1.6 vite kohë e pjesshme, e konvertuar në 1 (një) vit përvojë pune me kohë të plotë, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”.”.
b) Shkronja “a”, e pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Ka botuar, së paku, 5 (pesë) artikuj shkencorë në revista shkencore brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara. Së paku, 2 (dy) prej artikujve të jenë botuar në revista ndërkombëtare të indeksuara në Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimi te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
c) Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1 dhe 5/2, me këtë përmbajtje:
     “5/1. Bëjnë përjashtim nga shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij kreu, personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë me status të veçantë, me veprimtari në fushën e arteve.
Personeli akademik në fushën e arteve, që aplikon për fitimin e titullit akademik “Profesor i asociuar”, zhvillon veprimtari kërkimore shkencore në fushën e krijimtarisë artistike, e cila reflektohet në realizimin e detyrimeve të mëposhtme:
a) Për kompozitorët, krijime të veprave të luajtura në skena që përfshijnë formën e sonatës ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë) ose vokalo-sinfonike.
b) Për instrumentistët, interpretime vepër/a solistike në formën e sonatës ose ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë).
c) Për këngëtarët lirikë, interpretime në rol kryesor në opera.
 ç) Për dirigjentët, drejtim në skenë vepra sinfonike, ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë), vokalo-sinfonike ose opera.
d) Për aktorët, interpretime në role kryesore në teatër ose në film.
   dh) Për regjisorët, vendosje në skenë të veprave teatrore, filmike, ose televizive.
e) Për skenografët/kostumografët, vendosja në skenë e shfaqjeve teatrore, televizive, operistike/balet ose në film artistik.
ë) Për krijuesit e arteve pamore dhe të aplikuara, hapja e ekspozitës personale, krijimi i veprave publike monumentale ose perfomancë artistike pamore në arenën kombëtare.
f) Për koreografët, vendosje në skenë vepre baleti ose performancë në televizion.
g) Për balerinët, interpretime në role kryesore në skenë në balet ose të performancës në televizion.
Secila nga kategoritë e përcaktuara në këtë pikë duhet të ketë marrë pjesë, së paku, në 5 (pesë) realizime artistike si solist, vepra, ekspozita, vënie në skenë apo role të spikatura në veprimtari (festivale, sezone, etj.) të njohura kombëtare ose ndërkombëtare, ku, së paku, 2 (dy) nga veprat të jenë luajtur me trupa ndërkombëtare (instrumentistë të shquar, ansamble të rëndësishme, orkestra dhe trupa operistike, regji apo role, në shfaqje/filma etj., ose veprimtari ekuivalente në artet pamore dhe të aplikuara) në një veprimtari ndërkombëtare (festival, sezone).
Vepra/performanca të jetë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak dhe të jetë botuar në katalogët/agjendat përkatëse dhe të jetë shoqëruar me kritikën përkatëse profesionale.
5/2. Bëjnë përjashtim nga shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij kreu, personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë me status të veçantë, me veprimtari në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Personeli akademik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, që aplikon për fitimin e titullit akademik “Profesor i asociuar”, duhet të shfaqë zotërim të plotë të fushës dhe udhëheqjes ushtarake, pjesëmarrje në veprimtari trajnuese dhe aktivitete akademike, kërkimore-shkencore, e cila reflektohet në realizimin e 2 (dy) prej detyrimeve të mëposhtme:
a) Të ketë botuar, së paku, 5 (pesë) artikuj shkencorë në revista shkencore brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, nga të cilët, të paktën, 3 (tre) duhet të jenë në revista shkencore brenda vendit, si autor i parë, dhe 2 (dy) në revista shkencore ndërkombëtare, si autor i dytë ose bashkautor.
b) Të ketë realizuar si autor i parë, së paku, 2 (dy) referime, nga të cilat, së paku 1 (një) është mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të OECD-së, BE-së ose G20-ës, të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN.
c) Të ketë marrë pjesë, së paku, në 3 (tri) misione/operacione afatshkurtra, stërvitje, kurse të nivelit të lartë ushtarak, nga ku së paku në 1 (një) prej tyre të ketë qenë në rolin e drejtuesit.
ç) Të ketë përfaqësuar vendin në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, të paktën 1 (një) herë me kohëzgjatje jo pak se 1 (një) vit në struktura, shtabe apo përfaqësi jashtë vendit të nivelit të lartë.”.
ç) Në pikën 6 bëhen këto ndryshime:
i. Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “Kur kandidati paraqet monografi, e cila përmbush kriteret e mëposhtme, ai përjashtohet nga detyrimet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij kreu, sipas ekuivalentimit që vijon:”.
ii. Nënndarja “ii”, e shkronjës “b”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ii. 1 (një) artikull shkencor që është botuar në revistë ndërkombëtare, e indeksuar në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
iii. Nënndarja “ii”, e shkronjës “c”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ii.   2 (dy) artikuj shkencorë që janë botuar në revistë ndërkombëtare, e indeksuar në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
d) Shkronja “a”, e pikës 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:
     “a) 1 (një) artikull shkencor që është botuar në revistë ndërkombëtare, e indeksuar në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
3. Në kreun III bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 3, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“b) të jetë ose të ketë qenë i punësuar si personel akademik me kohë të plotë për një periudhë 8 (tetë)-vjeçare akademike, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”, ose me kohë të pjesshme, për një periudhë 12 (dymbëdhjetë)-vjeçare akademike pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”.
Personeli akademik që ka përvojë akademike me kohë të plotë më të ulët se 8 (tetë) vite, por ka përvojë pune si personel akademik me kohë të pjesshme më të ulët se 12 (dymbëdhjetë) vite, koha e pjesshme i konvertohet si vite me kohë të plotë, e cila përllogaritet me një koeficient prej 1.5 vitesh kohë e pjesshme, e konvertuar në 1 (një) vit përvojë pune me kohë të plotë, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”.
c) Si rregull, të ketë udhëhequr ose bashkudhëhequr, të paktën 2 (dy) doktorata. Bashkudhëheqja duhet të jetë me personel akademik të kategorisë “Profesor”, me IAL brenda ose jashtë vendit, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe. Në rast se kandidati ushtron veprimtarinë e tij akademike shkencore pranë një njësie kryesore me më pak se 40 (dyzet) veta personel akademik me kohë të plotë, duhet të ketë udhëhequr/bashkudhëhequr, të paktën, 1 (një) doktoratë të përfunduar, ndërsa kriteri për udhëheqjen e doktoratës tjetër konsiderohet i plotësuar nëse kandidati është angazhuar në mësimdhënie në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, OECD-së ose G20-ës, të paktën për një periudhë prej 6 (gjashtë) muajsh pa ndërprerje ose 1 (një) vit me ndërprerje, në tri vitet e fundit.”.
b) Shkronja “a”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Ka botuar, së paku, 7 (shtatë) artikuj shkencorë në revista shkencore brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara. Së paku, 3 (tre) prej artikujve të jenë botuar në revista ndërkombëtare të indeksuara në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
c) Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 dhe 4/2, me këtë përmbajtje:
“4/1. Bëjnë përjashtim nga parashikimet e pikës 4, të këtij kreu, personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë me status të veçantë, me veprimtari në fushën e arteve.
Personeli akademik në fushën e arteve, që aplikon për fitimin e titullit akademik “Profesor” duhet të shfaqë zotërim të plotë të fushës së tij artistike-kërkimore-shkencore, e cila reflektohet në realizimin e detyrimeve të mëposhtme:
a) Për kompozitorët, krijime të veprave të luajtura në skena që përfshijnë formën e sonatës ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë) ose vokalo-sinfonike.
b) Për instrumentistët, interpretime vepre/ash solistike në formën e sonatës ose ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë).
c) Për këngëtarët lirikë, interpretime në rol kryesor në opera.
ç) Për dirigjentët, drejtim në skenë për vepra sinfonike, ciklike (vepra me më shumë se 2 kohë), vokalo- sinfonike ose opera.
d) Për aktorët, interpretime në role kryesore në teatër ose në film.
dh) Për regjisorët, vendosje në skenë të veprave teatrore, filmike ose televizive.
e) Për skenografët/kostumografët, vendosja në skenë e shfaqjeve teatrore, televizive, operistike/balet ose në film artistik.
ë) Për krijuesit e arteve pamore dhe të aplikuara, hapja e ekspozitës personale, krijimi i veprave publike monumentale ose performancë artistike pamore, në arenën kombëtare.
f) Për koreografët, vendosje në skenë vepre baleti ose performancë në televizion.
g) Për balerinët, interpretime në role kryesore në skenë në balet ose të performancës në televizion.
Secila nga kategoritë e përcaktuara në këtë pikë duhet të kenë marrë pjesë, së paku, në 7 (shtatë) realizime artistike si solist, vepra, ekspozita, vënie në skenë apo role të spikatura në veprimtari (festivale, sezone etj.) të njohura kombëtare ose ndërkombëtare, ku, së paku, 3 (tri) nga veprat të jenë luajtur me trupa ndërkombëtare (instrumentistë të shquar, ansamble të rëndësishme, orkestra dhe trupa operistike, regji apo role, në shfaqje/filma etj., ose veprimtari ekuivalente në artet pamore dhe të aplikuara) në veprimtari ndërkombëtare, (festival, sezone).
Vepra/performanca të jetë pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak dhe të jetë botuar në katalogët/agjendat përkatëse dhe të jetë shoqëruar me kritikën përkatëse profesionale.
4/2. Personeli akademik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, që aplikon për fitimin e titullit akademik “Profesor”, duhet të shfaqë zotërim të plotë të fushës dhe udhëheqjes ushtarake, pjesëmarrje në veprimtari trajnuese dhe aktivitete akademike, kërkimore-shkencore, e cila reflektohet në realizimin e, të paktën, 2 (dy) nga detyrimet e mëposhtme:
a) Të ketë botuar 5 (pesë) artikuj shkencorë brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, nga të cilët, të paktën, 3 (tre) duhet të jenë në revista shkencore brenda vendit, si autor i parë, dhe 2 (dy) në revista shkencore ndërkombëtare.
Kur këta artikuj janë në bashkautorësi, kandidati duhet të jetë autor i parë ose i dytë. Kandidati duhet të jetë autor i parë në, të paktën, 3 (tre) artikuj shkencorë të paraqitur për fitimin e titullit.
b) Të ketë realizuar si autor i parë, së paku, 3 (tri) referime, nga të cilat, së paku 2 (dy) janë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor.
c) Të ketë botuar si autor i parë ose bashkautor jo më pak se 3 (tri) vepra të karakterit kërkimor, shkencor ose mësimor të llojit tekste mësimore, manuale, doktrina ose dokumente të tjera të nivelit strategjik.
ç) Të ketë marrë pjesë, së paku, në 4 (katër) misione/operacione afatshkurtra, stërvitje, kurse të nivelit të lartë ushtarak etj., ku, së paku, në 2 (dy) prej tyre të ketë qenë në rolin e drejtuesit.”.
ç) Në pikën 5 bëhen këto ndryshime:
i. Nënndarja “ii”, e shkronjës “b”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “ii. 1 (një) artikull shkencor që është botuar në revistë ndërkombëtare, e indeksuar në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
ii. Nënndarja “ii”, e shkronjës “c”, të pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ii. 2 (dy) artikuj shkencorë që janë botuar në revistë ndërkombëtare, e indeksuar në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI).”.
d) Paragrafi i parë dhe shkronja “a”, e pikës 7, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“7. Angazhimi dhe pjesëmarrja e kandidatit në një ose disa veprimtari të përcaktuara në pikën 6, të këtij kreu, mund të ekuivalentohet me:
a) 1 (një) artikull shkencor që është botuar në revistë ndërkombëtare, e indeksuar në një nga databazat e të dhënave të revistave shkencore të njohura ndërkombëtarisht, si Scopus, me indikatorë citimi, CiteScore  ose Scimago Journal Rank (SJR) dhe/ose Web of Science me indikatorë citimit te Journal Citation Report (JCR), faktor impakti IF ose Journal Citation Indicator (JCI);”.
4. Në kreun V bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Për personelin akademik me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme, që aplikon deri në fillimin e vitit akademik 2026-2027, për titullin akademik “Profesor”, kriteri i shkronjës “c”, të pikës 3, të kreut III, konsiderohet i plotësuar nëse ka udhëhequr/bashkudhëhequr, të paktën, 1 (një) doktoratë, të përfunduar.
Ndërsa, në rast se kandidati ushtron veprimtarinë e tij akademike shkencore pranë një njësie kryesore me më pak se 40  (dyzet) veta personel akademik me kohë të plotë, kriteri i shkronjës “c”, të pikës 3, të kreut III, konsiderohet i plotësuar nëse kandidati është duke udhëhequr/bashkudhëhequr, të paktën, 1 (një) doktoratë dhe duhet të përmbushë edhe një nga kushtet e mëposhtme:
i.   Të ketë pasur ose ka rolin e drejtuesit në një projekt ndërkombëtar;
ii. Të ketë dhënë ose jep mësim në një program në gjuhë të huaj në një nga pesë gjuhët e Bashkimit Evropian, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht apo italisht;
iii. Të ketë përfunduar me sukses së paku të gjitha detyrimet e vitit të dytë, sipas përcaktimeve në rregulloren përkatëse të programit të studimit, të doktoratës, të kandidatit doktorant që ka në udhëheqje/bashkudhëheqje të doktoratës.”.
b) Pika 9 shfuqizohet.
c) Pas pikës 9 shtohen pikat 9/1, 9/2 dhe 9/3, me këtë përmbajtje:
“9/1. Kandidatët, të cilët kanë filluar procedurën për marrjen e gradës shkencore ose titujve akademikë dhe kanë kaluar fazën e miratimit nga Komisioni i Dhënies së Gradës Shkencore “Doktor” ose Komisioni i Promovimit të Personelit Akademik e mbyllin procedurën për marrjen e gradës shkencore ose titullit akademik, sipas kritereve të legjislacionit në fuqi, në momentin e dorëzimit të dosjes pranë drejtuesit të njësisë kryesore.
9/2. Bën përjashtim nga parashikimet e shkronjës “b”, të pikës 3, të kreut III, personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë me status të veçantë, me veprimtari në fushën e arteve, që zotëron aktualisht titullin akademik “Profesor i Asociuar”, i cili është përjashtuar nga detyrimi i përmbushjes së kriterit të fitimit të gradës shkencore “Doktor”, por që ka qenë titullar lënde, për një periudhë 5 (pesë)-vjeçare me kohë të plotë, ndërsa koha e pjesshme si titullar lënde pas fitimit të titullit akademik “Profesor i asociuar”, konvertohet me kohë të plotë, me një koeficient 1.5.
9/3. Komandanti i Akademisë se Forcave të Armatosura, i cili mban së paku gradën “Gjeneral Brigade”, vetëm për efekt akreditimi institucional dhe të programeve të AFA, për një periudhë 4-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, është njëkohësisht edhe Rektor i Akademisë së Forcave të Armatosura.”.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.364, DATË 11.6.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË SHËRBIMIT GJEOLOGJIK SHQIPTAR, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË INDUSTRISË DHE TË ENERGJETIKËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.364, datë 11.6.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Industrisë dhe të Energjetikës”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.”.
c) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit, shtohen pronat sipas formularit 1 (një) fletë dhe planrilevimeve 5 (pesë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.822, DATË 7.10.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË NDËRTIMIT TË KAPACITETEVE TË REJA PRODHUESE TË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË NUK JANË OBJEKT KONCESIONI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni, të miratuara me vendimin nr.822, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në nenin 3, në termin “Vetëprodhues”, fjalët “… pjesën më të madhe të energjisë së prodhuar:” zëvendësohen me “… një pjesë të energjisë së prodhuar dhe i cili nuk përfiton nga skemat e mbështetjes sipas parashikimeve të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”;”.
2. Në pikën 1, të nenit 6, pas togfjalëshit “… në nenet 7 …” shtohet “… 7/1 …”.
3. Pas nenit 7 shtohet neni 7/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 7/1
Kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike eolike
1. Për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike eolike, subjekti i interesuar shpreh interesin për ndërtimin e një impianti eolik, duke paraqitur dokumentacionin, si vijon:
a)  Dokumentacionin ligjor, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, që provon marrëdhënien afatgjatë mbi pasurinë që do të përdoret për ndërtimin e burimit gjenerues. Kërkesa refuzohet në rastet kur pasuria ku propozohet ndërtimi ka kufizime shfrytëzimi, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe zonave të mbrojtura.
b)  Një studim parafisibiliteti, i hartuar nga persona juridikë ose fizikë për ushtrimin e veprimtarisë profesionale të studimit dhe/ose projektimit, të impianteve nga burimet e rinovueshme të energjisë, të projektit të propozuar, si dhe ndikimin e tij mjedisor e social, i cili duhet të shoqërohet me paraqitjen e përgjithshme skematike të burimit gjenerues të energjisë, një diagram elektrik të agregateve dhe bllokut të transformimit, ku të evidentohen qartë pika e lidhjes me sistemin dhe pika e matjes, shtrirja gjeografike e vendit ku do të ngrihet apo zhvillohet veprimtaria, duke dhënë referencat ekzakte (numër parcele, numër regjistri kadastre dhe koordinatat në sistemin koordinativ gjeohapsinor KRGJSH) dhe të paraqitura në hartë, me shkallë 1:25’000 dhe një hartë topografike, ku të paraqitet gjurma e linjës që lidh burimin gjenerues me sistemin e transmetimit ose shpërndarjes, në shkallë 1:25’000.
2. Nëse ministria konstaton se shprehja e interesit plotëson kriteret teknike, ligjore, marrëdhënien me pasurinë që do të përdoret për ndërtimin e burimit gjenerues, i jep kërkuesit të drejtën prioritare për aplikimin për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe kryerjen e matjeve reale për një periudhë jo më pak së 12-mujore në zonën e propozuar për zhvillimin e projektit. Kur kërkesa pranohet, ministria publikon tri ditë me radhë, në faqen e website-it të ministrisë, një njoftim me të dhëna përshkruese për projektin e propozuar.
3. Subjektet pas marrjes së këtij miratimi brenda një afati 6-mujor duhet të raportojnë lidhur me instalimin e pajisjeve dhe fillimin e matjeve.
4. Në përfundim të këtij afati dhe bazuar në matjet reale të potencialit të erës në zonën e propozuar, kërkuesi paraqet dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 6, për vijimin e procedurave të mëtejshme për t’u pajisur me miratim paraprak për vazhdimin e procedurave për ndërtimin e kapacitetit të ri prodhues të energjisë elektrike eolike, sipas përcaktimit në këtë rregullore.
5. Subjektet kërkuese, të cilat zotërojnë të dhëna të mbledhura të erës, për zonën e tyre të interesit, mund të vijojnë drejtpërdrejtë aplikimin për miratim, sipas parashikimeve të këtyre rregullave.”.
4. Në shkronjën “DH”, të nenit 9, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Nënndarjet “- llojin e lëndës djegëse;”, “- konsumin specifik të lëndës djegëse;”; dhe “- fuqinë kalorifike të lëndës djegëse;” shfuqizohen;
b) Shtohet nënndarja, me këtë përmbajtje:
“- Deklarimin e pranimit të një pike lidhjeje në rrjet me një drejtim, e ndryshme nga pika e furnizimit dhe pranimit të përjashtimit nga skemat e mbështetjes për vetëprodhuesit.”.
5. Pas paragrafit të parë, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 10, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Për aplikimet për burime gjeneruese eolike, të zotërojë të dhëna të matura të erës, të mbledhura nëpërmjet matjeve, për zonën e propozuar të zhvillimit të projektit.”.
6. Në nenin 20 shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) oponencën teknike për projektpropozimin nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN).”.
7. Shkronja “dh”, e nenit 22, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) të drejtën për të monitoruar, mbikëqyrur, testuar dhe certifikuar impiantin dhe veprimtarinë e Mbajtësit të Miratimit nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore nën mbikëqyrjen e ministrisë përgjegjëse për energjinë.”.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.823, DATË 19.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I LINJËS 400 KV SHQIPËRI- MAQEDONI E VERIUT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, si dhe të neneve 5 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.823, datë 19.12.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 3, 4, 10 e 12 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “vresht”, “ullishte”, “pemëtore” dhe “truall”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 5 808 101 (pesë milionë e tetëqind e tetë mijë e njëqind e një) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 808 101 (pesë milionë e tetëqind e tetë mijë e njëqind e një) lekësh, përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a..
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a..
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë së pasurive që shpronësohen sipas këtij vendimi në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.”.
b) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Kalimi i pronësisë së pasurisë në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., (OST), sipas vendimit nr.823, datë 19.12.2022, “Për shpronësim, për interes publik,  për pasuritë e paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i linjës 400 kv Shqipëri-Maqedoni e Veriut””, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.173, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE UKRAINAS, PERSONAVE PA SHTETËSI DHE PERSONAVE QË KANË FITUAR MBROJTJE NDËRKOMBËTARE NË UKRAINË, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË UKRAINË, SI DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE” TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 3/2, të vendimit nr.173, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve ukrainas, personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, si dhe për krijimin e task-forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare”, të ndryshuar, shtohet pika 3/3, me këtë përmbajtje:
“3/3. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 3/2 të këtij vendimi, personave që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë u shtyhet qëndrimi deri në datën 17.9.2024.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.339, DATË 1.6.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SISTEMIMIN ME MJEDISE PUNE TË DISA INSTITUCIONEVE SHTETËRORE DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.339, datë 1.6.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për sistemimin me mjedise pune të disa institucioneve shtetërore dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes””, të ndryshuar, pas pikës 3, shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:
“3.1. Mjediset në përgjegjësi administrimi të Komitetit Shtetëror për Kultet janë sipas formularit 1 (një) fletë dhe planimetrive 2 (dy) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
2. Ngarkohen Komiteti Shtetëror për Kultet dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.501, DATË 25.8.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI, ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT, DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2/2, të vendimit nr.501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, dhe për krijimin e task-forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare”, të ndryshuar, shtohet pika 2/3, me këtë përmbajtje:
“2/3. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2/2, të këtij vendimi, personave që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë u shtyhet qëndrimi deri në datën 24.8.2024.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL” APLIKUESIT “KLAIS”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “KLAIS”, sh.p.k.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Deklaratë për shtyp, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani