Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit midis Qendrës Kombëtare të Kërkim – Shpëtimit (QKKSH) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Tirana International Airport shpk (TIA): “Për bashkëpunimin në operacionet e kërkim – shpëtimit në zonën e përgjegjësisë së TIA”.
Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit (Search And Rescue – SAR) në zonën e përgjegjësisë së TIA.
Duke u nisur nga Marrëveshja e Koncesionit që i jep TIA të drejtën dhe autoritetin për menaxhimin dhe operimin e aeroportit, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje konfirmohet vullneti i dy palëve për të përmirësuar sigurinë teknike dhe reagimin e shpejtë në rastet e emergjencave të SAR në këtë zonë të aeroportit.
Me nënshkrimin e këtij Memorandumi TIA dhe QKKSH zotohen për zbatimin e kushteve të përcaktuara në të dhe për koordinim të vazhdueshëm për çdo ndryshim operacionale, që mund të ndikojë në operacionet e SAR në këtë zonë të rëndësishme të aeroportit.
Ky bashkëpunim reflekton përkushtimin e të dyja palëve për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe vizitorëve të aeroportit, duke u nisur nga përgjegjësia dhe detyrimi për t’u përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efektive në situata emergjente të SAR.