Fjala e ministrit të brendshëm në Konferencën Kombëtare të Sigurisë në Turizëm - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e ministrit të brendshëm në Konferencën Kombëtare të Sigurisë në Turizëm

Ministri i Brendshëm Taulant Balla theksoi masat që janë marrë nga Policia e Shtetit dhe institucionet e varësisë së MB, në lidhje me mbarëvajtjen e sezonit turistik gjithëvjetor 2024, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”. Ai nënvizoi bashkëpunimin me institucione të tjera qendrore dhe vendore, si dhe me operatorë turistikë e aktorë të tjerë të përfshirë. Për sezonin turistik gjithëvjetor, do të angazhohen mbi 1650 punonjës policie, nga disa shërbime dhe po punohet për të qenë plotësisht funksionale “Trupat e Ndërhyrjes Teknike”. Në këtë njësi do të jenë në sinkron shërbimet e Urgjencës Mjekësore, Zjarrfikëses dhe Policisë së Shtetit, në përputhje me standardet ndërkombëtare që parashikojnë një afat ndërhyrjeje deri maksimumi në 15 minuta.

Në këtë event folën rreth masave për sezonin turistik edhe Kryeministri Edi Rama, ministrat Mirela Kumbaro, Albana Koçiu, Blendi Gonxhja, Anila Denaj e zv.kryeministrja Belinda Balluku. Ishin të pranishëm gjithashtu zyrtarë të lartë të vendit dhe të huaj.


Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Balla në konferencë:

I nderuar Zoti Kryeministër

Kolegë ministra,

Kryetarë të bashkive dhe drejtues të institucioneve,

 

Aeroporti “Nënë Tereza”, porta më e madhe hyrëse e turistëve në Shqipëri gjatë 3 mujorit të parë të 2024 ka pritur rreth 900.000 pasagjerë më shumë se vitin e kaluar.

Ndërsa presim mbyllim nesër dhe prillin, kjo shifër shkon përtej çdo parashikimi apo pritshmërie. Bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit na duhet të shtojmë edhe 100 punonjës të tjerë policie në Komisariatin e Rinasit, me qëllim përballimin e këtij fluksi.

E nisa fjalën time me këto shifra domethënëse në Aeroportin kryesor të vendit, por i njëjti trend rritje, konfirmohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Kam shkuar në të gjitha pikat e kalimit dhe i kam kërkuar çdo punonjësi Policisë së Shtetit në pikat tona të kalimit kufitar ta shohë veten e tij kontakti i parë dhe i fundit i vizitorëve të huaj me Shqipërinë, sepse sjellja e tyre përbën përshtypjen e parë dhe kujtimin e fundit nga atdheu i shqiponjave.

Shifrat e katër muajve të parë të 2024 shërbejnë për të na dëshmuar se turizmi gjithëvjetor nuk është më një parashikim apo pritshmëri, por është fakt.

Pamja e sheshit Skenderbej përtej kësaj salle, i mbushur çdo ditë, plot e përplot, janë konfirmimini një realiteti të ri të Shqipërisë turistike.

Turistët e huaj tërhiqen nga bukuritë natyrore të vendit tonë:

dete, liqene, lumenj, male e gjithcka, nga mikpritja unike shqiptare gdhendur në kodin tonë zakonor se“shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, nga kulinaria e pasur dhe e shijshme. Por kësaj oferte “made in Albania” të turizmit shqiptar i duhet shtuar edhe çertifikata “safe stay in Albania”, si një destinacion turistik me një siguri mbresëlënëse.

E kemi mbyllur vitin 2023 me ZERO incidente fatale kriminale për turistët e huaj, na duhet të bëjmë gjithcka që këtë arritje të madhe ta rikonfirmojmë edhe gjatë 2024. Vizioni ynë Shqipëria2030 ka në themelin e vet pikërisht pakthyeshmërinë e progresit të arritur në çdo fushë: Shqipëria kampione Ballkanit në turizëm me një siguri në nivelin më të lartë. Policia e Shtetit ka gati një Plan të Madh masash, i cili shtrihet në gjithë territorin, e që ndërthuret me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët e qeverisjes vendore,

nga pika e kufirit, nëpër akset kombëtare dhe rrugët bashkiake;

nga zonat bregdetare, tek zonat malore;

nga citet tona historike, te aktivitetet kulturore, me një objektiv të qartë: Siguri 100% për turistët vendas e të huaj.

Për çdo departament, drejtori apo njësi të Policisë së Shtetit, Kufiri, Policia Rrugore, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat Delta, Njësia Policore Detare, RENEA, “Shqiponjat” dhe repartet e tjera, Nga ajri, toka dhe deti, në bashkëveprim me kapacitet e monitorimit dhe fluturimit që na ofrojnë Forcat e Armatosura, dronë dhe helikopterë, duhet të bëjme gjithcka t’i garantojmë çdo pushuesi pushime të qeta, të bukura dhe të sigurta në Shqipëri. Këtu dua të përmend forcat zjarrfikëse, ekipet e kërkim shpëtimit, dhe të emergjencave civile.

Na duhet domosdoshmërisht që eksperiencën e bashkëpunimit që po krijojmë mes Forcës Kombëtare të Sigurisë (Policia Alpine) dhe Federatës së Alpinizmit, ta shtrijmë kudo në të gjithë territorin me forca vullnetare të gatshme të kontribuojnë në raste kërkim-shpëtimit. Kemi patur rreth 500 operacione kerkim-shpetimi gjatë 2023.

Këtij Plani të Madh masash, i është përshtatur edhe kuadri i nevojshëm rregullator për lehtësimin e qarkullimit në kufi apo zona urbane & vende turistike, sigurimi i mjeteve të duhura dhe njëherësh ndarja e qartë e detyrave për secilën njësi apo punonjës me uniformë.

Pas pak ditësh do të jenë ngritur edhe 6 stacione shtesë të Policisë së Shtetit në zona me fluks të shtuar turistik:

në Theth, në Valbonë, në Tale, në Gjirin e Lalzit, në Palasë si dhe në Ksamil; në Kalatën e Komanit vendoset një shërbim policie 24 orë, për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë në lidhje me veprimtarinë me mjete lundruese në liqenin e Komanit.

Gjatë këtij sezoni turistik, do të angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe në total 1635 punonjës policie, nga të cilët 362 punonjës policie të sektorit të rendit publik, 73 punonjës policie sektori për krimet, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të Njësive të SOS, si dhe 912 punonjës policie të kufirit dhe migracionit. Në dispozicion të këtyre forcave do të jenë edhe 208 mjete (automjete, motomjete dhe mjete lundruese). Një sfidë e madhe që duhet fituar mbetet me monitorimi dhe parandalimi i ndotjes akustike dhe parandalimin e gjenerimit të zhurmave/muzikës tej normave të lejuara, nga subjekte të ndryshme në bashkëpunim me institucione të tjera përgjegjëse.

IKMT-ja dhe Policia e Shtetit në grupe të përbashkëta, në javët e para të këtij viti kanë nisur e po vijojnë aksionin kombëtar për largimin e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, rimorkjove si dhe pjesëve të tyre të këmbimit të dala jashtë përdorimit, nga akset e rrugëve kombëtare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë të cilat nuk projektonin imazhin e duhurtë vendit tonë tek vizitorët e huaj.

Gjatë këtij aksioni, janë identifikuar mbi 600 pika (hot spote), pjesa më e madhe janë liruar tashmë vullnetarisht nga pronarët e tyre, për një pjesë janë marrë masa administrative, janë sekuestruar disa pika dhe vijon puna për mbylljen apo zhvendosjen e pjesës tjetër. Të mos harrojmë se këto janë rrugë europiane, jo vetëm kombëtare. Turisti i cili mbërrin në vendin tonë nga e gjithë bota nuk mund të shikojë këtë imazhtë vendit tonë në akset kryesore kombëtare. Dhe ndërsa po flasim për rrugët.

Në 10 vitet e fundit numri makinave në pronësi të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar, nga 445.956 mjete në në vitin 2013,  në 867.800 mjete në vitin 2023, ndërsa numri i aksidenteve është përgjysmuar nga 2075 në vitin 2013 në 1228 incidente rrugore në vitin 2023.

 

Por nuk është vetëm kjo.

Gjatë vitit 2023 kanë qarkulluar në rrugët e Shqipërisë edhe 2.74 milionë automjete me targa të huaja që kanë hyrë dhe kanë dalë gjatë gjithë vitit të kaluar.

Pra rreth 3.6 milionë mjete në 3600 km rrugë kombëtare, një intensitet i paimagjinueshëm. Më këtë trend rritje të vizitorëve të huaj, gjatë vitit 2024 numri i mjeteve mund të shkojë në 4.5 milionë mjete.

***

Për këtë sezon turistik ‘plazhet e lira’ janë fokusi ynë dhe institucioneve të varësisë. Për këtë qëllim do të vijojë bashkëpunimi me njësitë e pushtetit vendor dhe strukturat e Ministrisë së Turizmit në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe shfrytëzimit të paligjshëm të plazheve dhe kryerjes së veprimeve proceduriale përkatëse.

Aksioni “Plazhi ynë” i ndërmarrë nga IKMT ka për qëllim parandalimin e paligjshmërisë në kuadër tëmbrojtjes së territorit dhe mjedisit në zonat bregdetare. Deri në momentet që flasim nga monitorimet dhe inspektimet në terren janë identifikuar dhe çliruar hapsirat nga 334 objekte.

Aksioni vijon për t’ia kthyer plazhet qytetarëve dhe turistëve.

Na duhet të bëjmë gjithçka për të reduktuar sa më shumë kohën e mbërritjes së forcave të Policisë së Shtetit në rastet e incidenteve kërcënuese për jetën.

Standardet e vendeve kampione në siguri kanë si prag kohën e mbërritjes prej 6 minutash të Policisë dhe 15 minutash të urgjencës mjekësore dhe forcat zjarrfikëse.

Në të gjitha rastet e incidenteve kritike si ato rrugore, kërkohen të tre shërbimet e sigurisë publike sa më shpejt në vendngjarje.

Urgjenca Kombëtare, Shërbimi Zjarrfikës dhe Policia e Shtetit.

Po punojmë, falë dhe eskpertizës së huaj, të kemi funksionale në të gjitha zonat kritike “Trupat e Ndërhyrjes Teknike”, duke bërë bashkë shërbimet e Urgjencës Mjekësore, Zjarrfikëses dhe Policisë së Shtetit, në përputhje me standardet ndërkombëtare që parashikojnë një afat ndërhyrjeje në raste incidentesh kërcënuese për jetën prej 15 minutash, me të gjitha shërbimet e sigurisë publike njëkohësisht në vendngjarje.

Prej 3 Janarit 2024, në ushtrim të kompetencave si Ministër i Brendshëm për orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, kam udhëzuar një inspektim të plotë në shkallë vendi të masave dhe mjeteve për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe garantimin e standardeve të shpëtimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, njësitë e MZSH-së në çdo bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në çdo bashki kanë kontrolluar masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt, me kritere specifike sipas nivelit të rrezikut.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Ministria e Brendshme me të gjitha institucionet e varësisë do jetë në koordinim dhe mbështetje tëi nstitucioneve të ndryshme shtetërore, në funksion të përmbushjes së përgjegjësive të tyre institucionale, si dhe për ndjekjen dhe zgjidhjen e problematikave të identifikuara në zona turistike plazhe.

Po bashkëpunojmë intensivisht me njësitë e pushtetit vendor dhe strukturat e Ministrisë së Turizmit në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe shfrytëzimit të paligjshëm të plazheve kryerjes së veprimeve procedurale përkatëse. Për një mbarëvajtje të sezonit turistik përmes protokollit të nënshkruar këtë muaj ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës janë lehtësuar procedurat e hyrje/daljeve në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë/Kukës.

Gjatë periudhës 1 Maj – 30 Shtator dhe 1 Nëntor – 28 Shkurt, nuk do të ketë asnjë kontroll të pasaportave dhe kartave të identitetit për shtetasit e të dy vendeve tona. Po punohet gjithashtu për  rishikimin e protokolleve për pikat e tjera kufitare me Kosovën (Valbonë dhe Shishtavec), për të lehtësuar turizmin dhe shkëmbimet e ngushta mes dy vendeve tona.

Edhe pse nuk do të mund ta kemi dot gati për këtë sezon turistik gati, nuk mund të mos përmend që mezi presim të fillojmë zbatimin e projektit të madh SMART CITY (falë bujarisë së qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe) në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në të gjitha zonat turistike, me qëllim rritjen e sigurisë publike, mbrojtjen jetës dhe të pronës private, monitorimi trafiku, monitorim bregdeti, pajisja e punonjësve të policisë me kamera trupi etj përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjidhjesh teknologjike dhe inteligjence artificiale, do të na mundësojë kalimin në nivelin që duam të sigurisë.

Falë investimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar edhe Qendra e Monitorimit të Trafikut është në proces, duke na mundësuar kontrollin digjital të sigurisë rrugore në 200 km e para të rrugëve kryesore.

Na duhet të bashkojmë të gjitha forcat tona për t’i garantuar cdo vizitori të huaj dhe cdo qytetari shqiptar një sezon veror turistik vetëm me kujtime të bukura.

Vetëm Përpara! Na vaftë mbarë!

Previous Balluku inspekton punimet për nënstacionin e ri elektrik të Velipojës