Elbasan, Investim i ri në mbrojtje të mjedisit dhe stadardeve europiane të kushteve të punës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Elbasan, Investim i ri në mbrojtje të mjedisit dhe stadardeve europiane të kushteve të punës

Sot, në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, nisi funksionimin investimi i ri në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome, Elbasan, falë të cilit sigurohet, respektimi i të gjitha standardeve mjedisore dhe sociale, si detyrim i të gjitha sipërmarrjeve që të mbrojnë nga ndotja hapësirën e përbashkët.

Fabrika e pastrimit të pluhurit, investim i YILDIRIM Group, ka të përfshira mjediset e  mensës dhe dhomat e zhveshjes për punonjësit, si tregues i angazhimit të kompanisë për përmirësimin e kushteve të vendit të punës dhe respektimin e standardeve të sigurisë dhe shëndetit të BE-së, në përputhje me qëllimet e saj mjedisore, sociale dhe qeverisëse (ESG).

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan, në ceremoninë e inaugurimit të investimit të ri, nga ku iu uroi 1 majin të gjithë njerëzve të punës.

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje i nderuar zoti Yildirim, i dashur Robert,

Më vjen mirë që sot në këtë ditë tradicionalisht të shënuar të 1 majit, të jem këtu bashkë me të gjithë ju dhe të përfitoj nga rasti që edhe drejtpërdrejtë me zë t’ju uroj të gjithë njerëzve të punës, të gjithë njerëzve që besojnë tek puna, të gjithë njerëzve që bashkojnë forcat në punë, të gjithë njerëzve që përmes punës po provojnë se asgjë nuk është e pamundur në këtë vendin tonë të bekuar dhe po bëjnë sukses, që nga majat e maleve e deri poshtë në fushat e begata të Shqipërisë dhe urimi im është që çdo njeri i punës të ketë vetëm bekime, shëndet dhe vetëm sukses.

Sot na solli këtu një premtim i mbajtur i kompanisë, pas një udhëkryqi dhe një ngërçi të krijuar si rezultat i reagimit legjitim i komunitetit dhe po ashtu dhe një reagim legjitim të institucioneve shtetërore për të ndalur emetimin e CO2 duke vendosur të gjithë filtrat e domosdoshëm.

Kompania e kishte në plan ta bënte këtë investim, por nga ana tjetër, për ne ishte e domosdoshme që ky investim të vendosej në prioritetet e kompanisë si prioriteti numër 1 dhe faktikisht, ne kemi pasur dhe një diskutim të drejtpërdrejtë me zotin Yildirim i cili kërkoi, me të drejtë, një fazë tranzicioni duke garantuar që puna për të transformuar të gjithë sistemin e grumbullimit dhe pastrimit të pluhurit do të vendosej në prioritetet kryesore të kompanisë dhe duke garantuar fillimin e menjëhershëm të investimit, i cili është një investim i konsiderueshëm për hir të vërtetës, për një element që në pamje të parë nuk është një element ndër elementët e të gjithë linjës së rëndë të prodhimit, elementi i sistemit të filtrimit, është 2 milionë euro investim.

Unë i thashë zotit Yildirim që në momentin që kjo përfundon, në 1 maj ne do të vijmë për ta kremtuar këtë fakt i cili është një fakt i mirëpritur për komunitetin, është një fakt i mirëpritur nga ana e institucioneve të shtetit sepse kjo është një betejë e përditshme të cilën mund ta fitojmë dhe do ta fitojmë të gjithë së bashku, jo në mënyrë të njëanshme, jo thjesht duke vendosur masa drastike, por duke arritur të ndërtojmë urat e dialogut dhe të mirëkuptimit siç bëmë në këtë rast.

Ja ku jemi sot, në 1 maj këtu që të shohim jo vetëm rezultatin e këtij investimi por të shohim dhe të gjithë transformimin e bërë për të rritur cilësisht kushtet e punëtorëve, për të rritur cilësisht të gjithë parametrat e respektit dhe të gjithë parametrat e nevojshëm për të pasur një motivim të plotë në punë.

Dua ta falënderoj kompaninë edhe për një fakt tjetër, që ka bërë një rritje të ndjeshme qysh se ka nisur të operojë në Shqipëri të pagës mesatare dhe është mirë ta dinë të gjithë që sot paga mesatare e kompanisë AlbChrome në tërësi është 1000 euro dhe paga mesatare e kompanisë AlbChrome këtu në këtë impiant është rreth 900 euro.

Kjo është një pagë e konsiderueshme dhe e respektueshme krahasimisht me nga jemi nisur 10 vjet më par edhe natyrisht që kjo pagë shpreh edhe botëkuptimin e kompanisë, botëkuptim i cili bazohet, në radhë të parë tek nevoja që punonjësi të jetë i motivuar, punonjësi të ndjehet i respektuar dhe të gjithë punonjësit së bashku të krijojnë komunitet, familje. Në këtë aspekt, kompania e cila, siç e tha dhe zoti Yildirim, operon në 50 e ca vende të botës është e njohur për përgjegjshmërinë e vet sociale dhe krijimin e kësaj ndjenje të komunitetit.

Nuk dua të zgjatem më tej sepse është edhe e padrejtë që unë e kam diellin mbrapa e ju e keni përballë prandaj po shtoj vetëm se jemi në një fazë të re dhe këtë duhet ta kuptojnë shumë mirë të gjitha kompanitë shqiptare. Në një fazë të re ku Shqipëria, pasi ka kaluar me sukses procesin e skanimit të Bashkimit Europian me çeljen e negociatave, ka marrë angazhime të forta lidhur me mjedisin, lidhur me përgjegjësinë kombëtare, përgjegjësinë institucionale, përgjegjësinë individuale në respektimin, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit.

Ligjet për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve janë një shëmbëlltyrë e kësaj faze të re, ato janë në zhvillim e sipër nga ana e ministrisë dhe e qeverisë dhe së shpejti do t’i kalojnë Parlamentit ndërkohë që sipërfaqja e mbrojtur e Shqipërisë është rritur nga 17% që ishte kur ne e morëm këtë detyrën në afro 22%, ashtu sikundër nga ana tjetër dhe kontrolli, i shoqëruar me vetëdije të rritur të sipërmarrjeve po jep rezultate pozitive.

Mjafton të marrim shembullin e ndalimit drastik të derdhjes së ujërave të ndotur në ujërat larës të deteve e liqeneve tona, i cili ka sjellë si rezultat një angazhim të përgjithshëm të sipërmarrjeve hoteliere për të garantuar përpunimin dhe filtrimin e ujërave të ndotur dhe për të ndaluar atë terrorizëm ekologjik që ka kanalizuar për shumë e shumë vite zhvillimin e turizmit dhe të infrastrukturën hoteliere me hedhjen në det të ujërave të ndotur.

Ky do të jetë sezoni më i pastër për ujërat larës, sigurisht nuk pretendojmë se nuk do të ketë akoma defekte, po pa asnjë diskutim me vendosjen e një mase drastike për të gjithë sipërmarrësit, sipërmarrjet në fushën e hotelerisë dhe industrisë së mikpritjes, po shohim rezultate që na bindin se sezoni i ardhshëm do të jetë perfekt në këtë aspekt dhe në fund fare dua të uroj edhe njëherë kompaninë, dua të uroj shëndet mbarësi dhe vetëm të mira të gjithë punëtorëve të kompanisë dhe tani shpresoj që mbas kësaj hapjeje të gjatë, të mund të shikojmë fjalën e mbajtur të kompanisë edhe në mensën e punëtorëve që na është premtuar që do të jetë e standardeve krejt të tjera nga ato çka ishin dhe me këtë rast të përfitojmë nga bujaria e vëllait tonë turk për dreka që së shpejti na pret.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Previous Nis nga puna impianti i ri i Ferrokromit në Elbasan