Memorandum Mirëkuptimi për fushata kombëtare ndërgjegjësuese, kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Memorandum Mirëkuptimi për fushata kombëtare ndërgjegjësuese, kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje

Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi me Kreun e Prezencës së OSBE në Tiranë Clarisse Pasztory dhe përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile, një Memorandum Mirëkuptimi përmes së cilit palët angazhohen të bashkëpunojnë për realizimin e fushatave kombëtare ndërgjegjësuese, me synim parandalimin e rreziqeve që vijnë nga fenomeni i armëmbajtjes pa leje. Nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit vjen në kohën e duhur pasi OSBE në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme janë prag të prezantimit të dy fushatave ndërgjegjësuese. Këto fushata synojnë të ndërgjegjësojnë vajzat dhe djemtë e rinj, si dhe burrat dhe gratë, për tema që lidhen me rreziqet dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit, te cilat në shumicën e rasteve janë të lidhura ngushtë me dhunën me bazë gjinore. Si pjesë e këtyre fushatave, OSBE ne bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit synojnë të zhvillojnë aktivitete te përbashkëta me shoqërinë civile, të cilat do të shtrihen në shkolla dhe komunitete në ato zona të identifikuara tashmë nga strategjia. Memorandumi u firmos nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor, Dafina Peci, Drejtoreshë e Zyrës Kombëtare e “Terre des Hommes”, Enkelejda Kallçiu, Drejtoresha Kombëtare Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, si dhe Lumjana Cenaj në emër të Qendrës së Gruas për Zhvillim dhe Kulturë në Shqipëri. Ky Memorandum mbetet një platformë e hapur për ato organizata që duan t’i bashkohen nismës dhe të mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit Shqiptar për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta. Në fjalën e tij ministri Balla tha se armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë, “do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë”, u shpreh Balla.

Fjala e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:

Memorandumi që nënshkruajmë sot është një akt shumë i rëndësishëm në thellimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për uljen e rrezikut që vjen nga mbajtja e armëve të paligjshme duke u fokusuar kryesisht tek armët e vogla dhe të lehta. Ky memorandum vendos në një plan bashkëpunimi institucional angazhimin e secilit prej nesh nga sot e në vijim sa i përket realizimit të një fushate kombëtare ndërgjegjësuese, e cila synon parandalimin e një rreziku të mundshëm që i kanoset çdo qytetari nga fenomeni i armëmbajtjes pa leje.

Gjatë 300 ditëve të fundit Policia e Shtetit ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm operacionesh policore kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje, kryesisht këto nën ombrellën e operacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit”.

Më lejoni t’ju informoj se janë më shumë se 415 armë zjarri të sekuestruara në cilësinë e provës materiale dhe mbi 500 armë të tjera të ftohta, që tregon për një prezencë të madhe të armëve në duart e qytetarëve, por që na shton angazhimin tonë kundër fenomenit armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale.

Pra, është shumë e rëndësishme të kuptojmë që sa më shumë të rrisim ndërgjegjësimin e publikut kundër fenomenit armëmbajtje pa leje, aq më pak ngjarje kriminale do të kemi, të cilat shpesh herë shoqërohen dhe me humbje jete apo plagosje. E vërteta është që kemi një përmirësim të dukshëm gjatë bile dhe të fundit sa i përket jetëve të humbura, për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit, duke e çuar tashmë Shqipërinë në një nivel të mesatares evropiane. Por unë fokusin e kam tek ngjarjet kriminale, të cilat kanë në bazën e tyre, edhe dhunën me bazë gjinore. Nëse gjatë vitit të kaluar kemi pasur 35 jetë të humbura në ngjarje kriminale, 1/3 ka qenë krim në familje. Ndërkohë nëse do t’i referohemi 4 muajve të pare të vitit, shkon përtej 1/3.

Mjaftojnë këto pak shifra për të kuptuar dimensionin e asaj që shkakton fenomeni i armëmbajtjes pa leje dhe të nevojës që kjo është një betejë që nuk mund ta fitojë dot i vetëm as ministri i Brendshëm, as Policia e Shtetit, por kjo tregon nevojën e një bashkëpunimi shumë më të gjerë, me gjithë partnerët që punojnë çdo ditë. OSBE tashmë ka një traditë të konsoliduar bashkëpunimi në këtë përballje dhe me këtë sfidë të rëndësishme, por edhe të gjitha shoqatat dhe organizatat joqeveritare të shoqërisë civile dhe mbi të gjitha përmes jush, e gjithë shoqëria shqiptare.

Nuk e fsheh dot kënaqësinë e firmosjes e këtij memorandumi, i cili është në të njëjtën linjë me disa angazhime të tjera publike të ministrisë që drejtoj, që ka të bëjë edhe me paketën e sigurisë në shkolla. Kemi pasur raste gjatë javëve dhe muajve të fundit, ku falë angazhimit të shtuar të Policisë së Shtetit në kuadër të zbatimit të masave, pjesë e paketës së sigurisë në shkolla, kemi konstatuar të rinj me armë. Imagjinoni sikur të mos kishim reaguar në kohë dhe nëse një armë e tillë do të ishte përdorur, çfarë fatalitetesh mund të kishim pasur! Po ashtu të vazhdojmë ta intensifikojmë zbatimin e kësaj pakete, sepse nëse i hedhim një sy shifrave, përsëri kemi një numër të madh të personave të ndaluar nga policia me akuzën e armëmbajtjes pa leje, të cilët janë në mosha shumë të reja.

E ritheksoj edhe njëherë që kjo është një betejë që mund dhe duhet të fitohet me angazhimin e të gjithë shoqërisë. Shqipëria ka trashëguar një situatë të pakrahasueshme me asnjë prej vendeve të tjera për shkak të asaj që ka ndodhur në vitin 1997. Dhe, nëse do t’i hidhnim një sy llojit të armëve, që sekuestrohen, në pjesën më të madhe janë armë të cilat dikur kanë qenë pjesë e rezervave, të magazinave, depove të ushtrisë shqiptare. Mendoj që jemi në kohën e duhur për ta luftuar të gjithë së bashku këtë fenomen.

Previous Balluku dhe Manastirliu inspektojnë në Korçë aksionin e ISHTI-t