Tiranë/Ministeriali i vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe flukset migratore përmes BP” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Tiranë/Ministeriali i vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe flukset migratore përmes BP”

Të nderuar Ministra,

Të nderuar kryetarë të delegacioneve,

Të nderuar Ambasadorë përfaqësues të rajonit dhe nga vende të tjera të BE,

Të nderuar drejtues të organizatave ndërkombëtare prezente,

Është gjithmonë kënaqësi t’ju mirëpresim në Tiranë në këtë Ministerial të Ballkanit Perëndimor, e cila për ne është një ngjarje e rëndësishme, është një Forum që shënon jo vetëm një hap më tej drejt zgjidhjeve të sfidave tona të përbashkëta, por gjithashtu reflekton angazhimin dhe vullnetin e secilit prej nesh në këtë tryezë për një bashkëpunim edhe më të frytshëm.

Dua të falënderoj Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar që punojnë me ne çdo ditë në këto sfida të përbashkëta që nuk janë vetëm të rajonit tonë por dua t’i falënderoj gjithashtu edhe për mbështetjen e këtij Ministeriali, i cili është një moment i rëndësishëm për të parë çfarë kemi arritur deri më tani dhe çfarë duhet të bëjmë më tej, pasi jetojmë në kohëra jo të lehta dhe të cilat natyrshëm kërkojnë më shumë bashkëpunim rajonal.

Angazhimi i vazhdueshëm me partnerët na jep besimin se duke punuar së bashku si rajon, ne mund të ecim më shpejt dhe më fort në ambicien tonë drejt anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke forcuar parimet e shtetit të së drejtës së bashku si një rajon.

Dhe nëse ka një çështje të veçantë, ku ne të gjithë MUND dhe DUHET të bashkëpunojmë më ngushtë, është menaxhimi i flukseve migratore.

Asnjë vend në rajonin tonë nuk është imun dhe nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm dhe kjo Konferencë sot nënkupton pikërisht angazhimin tonë të përbashkët për zgjidhjet bashkëpunuese në këtë drejtim.

Duke parë atë që është arritur deri më tani në menaxhimin e flukseve migratore, sigurinë e kufijve, respektimin e të drejtave dhe lirive të migrantëve, mund të them me krenari se të gjitha vendet tona kanë fituar sot një nivel të mirë profesionalizmi dhe kanë filluar të përqasen me standardet europiane, dhe t’i vendosin ato tanimë në zbatim duke pasur mbështetjen e miqve po sigurisht edhe përmes bashkëpunimit rajonal.

Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme, siç janë marrëveshjet e lëvizjes së lirë mes vendeve tona, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt me fokus sigurinë e kufijve por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit.

Kjo Konferencë, e dyta në një hark kohor prej 6 muajsh, është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të bashkëpunuar në drejtim të adresimit të sfidave të migracionit.

Gjatë vitit të kaluar, agjencitë ligjzbatuese shqiptare kanë dokumentuar një sërë aktivitetesh të paligjshme që variojnë nga trafiku i qenieve njerëzore tek kontrabanda dhe krimet e tjera të rënda.

Këto veprimtari jo vetëm që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin, por gjithashtu kanë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve të secilit prej vendeve tona dhe natyrshëm edhe ndaj një prej dimensioneve më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik sikurse është turizmi.

E këtu, të dashur miq pjesëmarrës, dua të ndaj me ju një fakt të rëndësishëm: Shqipëria po kthehet tashmë në një destinacion turistik të rëndësishëm turistik nga qytetarë, jo vetëm të vendeve të rajonit, jo vetëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por më shumë se kaq.

Mbarëvajtja e një sezoni turistik të qetë, të sigurt për çdo vizitor që zgjedh Shqipërinë të pushojë, është për ne një prej detyrave kryesore. Në këtë kontekst roli i autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik është jetik.

Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, të ndajmë mes ministrive dhe policive tona, informacione dhe të koordinojmë përpjekjet në mënyrë që të jemi gjithmonë një hap përpara atyre që synojnë të cenojnë sigurinë tonë.

Në kontekstin e këtyre sfidave, më lejoni të veçoj bashkëpunimin me FRONTEX, i cili ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të strategjive tona për menaxhimin e kufijve dhe luftimin e migracionit të parregullt.

Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar.

Ky bashkëpunim ka lejuar jo vetëm një vëzhgim më të mirë të kufijve, por edhe një përgjigje më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj çdo lëvizjeje të dyshimtë.

Strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar dhe punojnë çdo ditë me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë.

Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët vetëm në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Por me gjithë masat e ndërmarra çështja e migrimit të parregullt përmes Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë e vazhdueshme nga të gjitha shtetet tona që duhet adresuar.

Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel operacional, duke organizuar më shumë aktivitete hetimore dhe goditjen e rrjeteve të kontrabandimit, në nivel rregullator, duke përmirësuar pikësëpari kuadrin tonë legjislativ dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me vendet e treta për ripranimin, por edhe duke përdorur platforma për të ndarë të dhëna në kohë reale për të dhënë zgjidhje të shpejta dhe efektive për sfidat e zakonshme.

Modeli i bashkëpunimit që kemi pasur me Mbretërinë e Bashkuar gjatë pothuaj dy viteve është një model i shkëlqyer i rezultateve konkrete të arritura duke ulur me 90% numrin e migrantëve shqiptarë, të mbërritur në Britaninë e Madhe gjatë vitit 2023.

Të dashur pjesëmarrës,

Dua të vlerësoj gjithashtu se migrantët janë të detyruar të ndërmarrin rreziqe të jashtëzakonshme për shkak të rrugëve të kufizuara ligjore dhe mungesës së alternativave të qëndrueshme. Për këtë arsye nevojat e atyre që mbërrijnë në kufijtë tanë duhet të adresohen me dinjitet dhe respekt.

Kjo përfshin ofrimin e aksesit në procedurat e azilit, asistencën ligjore dhe shërbimet mbështetëse, si dhe promovimin e integrimit të tyre në shoqëri. Gjatë shtatorit 2023 kur ne u mblodhëm në Tiranë në Ministerialin me ministrave e Brendshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, më lejoni të risjell dhe njëherë në vëmendjen tuaj se kemi dakordësuar të kemi një qasje më të fortë në menaxhimin e integruar të kufijve tanë, përfshi këtu zhvillimin e strategjive, bashkërendimin e mëtejshëm të nismave ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor dhe nevojën për një mbështetje më të fortë nga BE, për fuqizimin e kapaciteteve, procesin e dixhitalizimit dhe sigurisë së kufirit dhe migracionit.

Domosdoshmëri mbetet edhe mbështetja e mëtejshme nga miqtë e partnerët tanë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe për kontrollin më rigid të krimeve të kalimit kufitar.

Në përfundim, le ta rikonfirmojmë edhe sot angazhimin tonë për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Përpjekjet tona të përbashkëta në këtë konferencë duhet të shërbejnë si një nxitje për veprime të mëtejshme dhe për bashkëpunim të thelluar.

Së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët ku siguria dhe prosperiteti janë të garantuara për të gjithë qytetarët tanë.

Faleminderit.

Previous “Bashkë për shëndetin mendor”, Koçiu: Forcim i kapaciteteve të diagnostikimit në spitalet rajonale