“Bashkë për shëndetin mendor”, Koçiu: Forcim i kapaciteteve të diagnostikimit në spitalet rajonale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Bashkë për shëndetin mendor”, Koçiu: Forcim i kapaciteteve të diagnostikimit në spitalet rajonale

“Bashkë për shëndetin mendor” ishte tema e aktivitetit të zhvilluar në Tiranë, ku mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Në këtë aktivitet, të organizuar në kuadër të Javës Evropiane të Shëndetit Mendor nga Urdhri i Psikologut, merrnin pjesë edhe presidentë të shoqatave dhe Urdhrave nga të gjithë vendet e Evropës, ku këtë vit Shqipëria ishte vendi pritës i Semestrit të Federatës Evropiane të Psikologëve (EFPA).

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi se aktivitete si ky janë shumë të rëndësishëm për të gjeneruar energji dhe ide të reja, si dhe për të angazhuar të gjithë qytetarët në këtë betejë gjithmonë e më vendimtare që është beteja për shëndetin mendor.

Ajo u shpreh se kjo është një betejë e vështirë, por që mund të fitohet vetëm me solidaritet, empatinë dhe mbështetjen e të gjithë shoqërisë dhe institucioneve, duke shtuar se nuk ka shëndet, pa shëndet mendor.

Koçiu solli në vëmendje miratimin e Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023-2026 në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, për përmirësimin e programeve mbështetëse socio-shëndetësore të shëndetit mendor, si dhe burimeve e kapaciteteve për zbulimin e hershëm dhe ndërhyrjet për çrregullimet e shëndetit mendor.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për të forcuar kapacitetet tona në drejtim të parandalimit, diagnostikimit, trajtimit dhe ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor. Aktualisht, jemi duke zbatuar një plan të detajuar veprimi 2023-2026, i cili shtrin efektet e tij në të gjithë sistemin parësor dhe atë spitalor. Kemi ngritur shërbimet alternative për persona që preken nga probleme të shëndetit mendor si dhe kemi punuar për të integruar shërbimet sociale dhe ato shëndetësore”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja deklaroi se “i kemi dhënë përparësi mirëqenies së mendjes duke e vendosur në qendër të axhendës dhe vizionit tonë për shëndetësinë 2030”.

“Duke njohur rëndësinë kritike të shëndetit mendor, një tjetër pikë jashtëzakonisht e rëndësishme është rritja e aksesit dhe mbulimit pranë banesës. Për të arritur këtë qëllim, jemi aktualisht duke zbatuar një program kombëtar për trefishimin e numrit të psikologëve të punësuar në sistemin publik”, vijoi ajo.

Koçiu nënvizoi se, “po punojmë për të shtuar gamën e shërbimeve shëndetësore që do të ofrohen për qytetarët afër vendbanimit, fuqizimin e rolit dhe përfshirjen e psikologut apo punonjësit social, logopedit dhe fizioterapistit, si pjesë e strukturave së qendrave shëndetësore”.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se kanë miratuar protokollet e reja për menaxhimin e problemeve të shëndetit mendor në kujdes parësor dhe rishikimin dhe përditësimin sipas protokolleve ndërkombëtare të mirërritjes së fëmijëve.

Gjatë fjalës së saj, Koçiu u ndal edhe te investimet ku po vijohet me mbështetjen e buxhetit të shtetit dhe të MSHMS-së në institucionet ku ofrohen shërbime të specializuara të shëndetit mendor si rikonstruksioni i Spitalit Psikiatrik Vlorë dhe i Spitalit Psikiatrik Elbasan.

“Janë fuqizuar shërbimet e shëndetit mendor në nivel komunitar, në qendrat që kanë ekipe multidisiplinore në gjendje për të trajtuar me efikasitet fëmijët dhe adoleshentët”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Plani i ri i Veprimit për Shëndetin Mendor synon të rrisë angazhimet e MSHMS-së për mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit mendor të qytetarëve drejt mbulimit shëndetësor universal nëpërmjet ndërhyrjeve të integruara shëndetësore dhe sociale në përgjigje të sfidave shëndetësore së tashmes dhe së ardhmes, si dhe bazuar në mësimet e nxjerra në të kaluarën.

Previous Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe Rektori i Universitetit të Tiranës firmosin marrëveshje bashkëpunimi