Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Qershor 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Qershor 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Qershor 2024:

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.7961, DATË 12.7.1995, “KODI I PUNËS I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për një ndryshim në ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHTESË TË FINANCIMIT TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT TË DATËS 28 MARS 2018, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROJEKTIN “FONDI PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL (AFP) DHE PUNËSIMIN: QENDRA SHUMËFUNKSIONALE NË KAMZË”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.330, DATË 6.6.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes shtesë të financimit të marrëveshjes së financimit të datës 28 mars 2018, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për projektin “Fondi për arsimin dhe formimin profesional (AFP) dhe punësimin: Qendra shumëfunksionale në Kamzë”, miratuar me vendimin nr.330, datë 6.6.2018, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT TË PARË PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES PËR KUSHTET PËR AKSES TË LIRË NË TREGUN E PUNËS NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e protokollit të parë për zbatimin marrëveshjes për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2024, NDËRMJET PROGRAMEVE TË MINISTRISË SË DREJTËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Aparatit të Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2024, në programin buxhetor 01110 “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, i shtohet fondi prej 17 500 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.
2. Fondi prej 17 500 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekësh, që shtohet në zërin “Shpenzime korrente”, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, për vitin 2024, do të pakësohet, përkatësisht, në masën:
a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, nga programi buxhetor 03310 “Ndihma juridike” në zërin “Shpenzime korrente”;
b) 5 500 000 (pesë milionë e pesëqind mijë) lekë, nga programi buxhetor 01120 “Publikimet zyrtare” në zërin “Shpenzime korrente”;
c) 2 000 000 (dy milionë) lekë, nga programi buxhetor 03350 “Shërbimi i përmbarimit gjyqësor” në zërin “Shpenzime korrente”.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE MË TË DETAJUARA PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË OBJEKTEVE TË KONFISKUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 11, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara” me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti

Ky vendim përcakton rregullat e detajuara për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara (në vijim Komisioni).

KREU II
ORGANIZIMI I KOMISIONIT
Neni 2
Organizimi i Komisionit

1. Komisioni është organ kolegjial, i cili krijohet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe në ushtrimin e veprimtarisë së tij mbështetet nga struktura përgjegjëse për pronat e paluajtshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, si sekretariat teknik (në vijim sekretariati).
2. Komisioni përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë, sipas parashikimeve në pikën 2, të nenit 11, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.
3. Anëtarët e Komisionit, parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”, caktohen nga titullari i institucionit, bazuar në kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë drejtues i nivelit të lartë politik;
b) Të jetë nëpunës/punonjës i nivelit të lartë drejtues;
c) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
ç) Të ketë njohuri në fushën ekonomike, juridike, inxhinierike.
Përjashtohen nga kriteret e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “ç” anëtarët e komisionit, që i përkasin nivelit të lartë politik.
4. Mandati i anëtarit të Komisionit është 3 (tre) vjet, me të drejtë riemërimi. Anëtari qëndron në detyrë dhe përmbush funksionet deri në emërimin e anëtarit të ri, përveç rasteve të parashikuara në shkronjat “b” deri në “e”, të pikës 5, të nenit 2, të këtij vendimi.
5. Mandati i anëtarit të Komisionit mbaron kur:
a) përfundon afati 3-vjeçar nga emërimi;
b) lirohet nga funksioni zyrtar;
c) jep dorëheqjen;
ç) ndodhet në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
d) për shkaqe objektive që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara;
dh) nuk merr pjesë në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme, pa një shkak të ligjshëm;
e) dënohet me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Neni 3
Zgjedhja e kryetarit dhe detyrat

1. Ministri përgjegjës i pronës shtetërore cakton si kryetar të Komisionit një nga dy përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për pronën shtetërore.
2. Kryetari i Komisionit ushtron këto funksione:
a) Thërret dhe drejton mbledhjet e Komisionit;
b) Përfaqëson Komisionin në marrëdhëniet me të tretët, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
c) Nënshkruan vendimet e Komisionit;
ç) Ushtron çdo funksion tjetër, të përcaktuar sipas ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.
Në rast mungese, kryetari zëvendesohet nga zëvendëskryetari, i cili zgjidhet nga Komisioni në mbledhjen e tij të parë të çdo viti kalendarik, me rotacion midis anëtarëve.Neni 4
Sekretarati i Komisionit
1. Sekretariati i Komisionit është pjesë përbërëse e strukturës administrative të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në funksion të Komisionit, i cili përgatit dhe administron dokumetacionin për vendimmarrje të Komisionit.
2. Sekretarati i Komisionit ka këto detyra:
a) Njofton anëtarët e Komisionit për datën, orën, mënyrën, rendin e ditës dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes, të paktën 5 (pesë) ditë para datës që caktohet për zhvillimin e saj;
b) Organizon mbledhjet e Komisionit;
c) Përgatit dokumentacionin e mbledhjes së Komisionit dhe ua dërgon materialet e mbledhjes anëtarëve të Komisionit, sipas rendit të ditës së mbledhjes së miratuar nga kryetari, të paktën 3 (tri) ditë para datës së mbledhjes;
ç) Mban procesverbal për çdo mbledhje, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit;
d) Verifikon kuorumin e nevojshëm per mbajtjen e mbledhjes së Komisionit;
dh) Administron protokollin dhe vulën e Komisionit, në përputhje me ligjin për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare.
e) Zbardh vendimet e marra në mbledhjen e Komisionit, brenda 2 (dy) ditëve nga mbajtja e mbledhjes;
ë) Administron dokumentacionin dhe e përcjell atë për arkivim pranë strukturës përkatëse, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
f) Pas autorizimit të kryetarit të Komisionit, u vë në dispozicion informacion palëve të treta, në përputhje me ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”.

Neni 5
Bashkëpunimi me institucionet

1. Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Enti Kombëtar i Banesave, autoriteti/et publik/e në cilësinë e njësisë së zbatimit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe çdo institucion tjetër, që konsiderohet i nevojshëm, kanë detyrimin për të bashkëpunuar me Komsionin, si dhe për të vendosur në dispozicion çdo informacion apo dokumentacion të nevojshëm, me qëllim mirëfunksionimin dhe vendimmarrjen e drejtë të Komisionit.
2. Vendimet e marra nga Komisioni janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

KREU III
Neni 6

Detyrimi i pjesëmarrjes në mbledhje dhe procedura në rast të pengesës ligjore dhe konfliktit të interesit
1. Komisioni mblidhet sa herë është i nevojshëm shqyrtimi i një çështjeje ose rasti, por jo më pak se 6 (gjashtë) herë në vit.
2. Kryetari thërret mbledhjen dhe vendos për rendin e ditës, datën, orën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të saj. Mbledhjet mbahen pranë ambienteve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Për shkak të natyrës së veçantë të punës dhe vendimmarrjes së Komisionit, anëtarët duhet të jenë të pranishëm fizikisht në mbledhje, përjashtuar rastet e jashtëzakonshme, ku anëtarët mund të marrin pjesë në mbledhje nëpërmjet mjeteve të komunikimit audio dhe video në distancë, të cilat garantojnë identitetin e anëtarit.
3. Mbledhja mund të kërkohet me shkrim edhe nga 1/3 e anëtarëve të Komisionit. Kryetari është i detyruar të thërrasë mbledhjen e Komisionit në datën, orën, vendin, mënyrën, duke përfshirë në rendin e ditës çështjet e kërkuara nga 1/3 e anëtarëve të Komisionit.
4. Në pamundësi objektive, papajtueshmëri, konflikt interesi ose pengesë ligjore të kryetarit, veprimet përgatitore dhe thirrja e mbledhjes kryhen nga zëvendëskryetari.
5. Pjesëmarrja e anëtarëve të Komisionit në mbledhjet dhe veprimtaritë e tij është e detyrueshme përgjatë gjithë periudhës së ushtrimit të kësaj detyre.
6. Në rastin kur në lidhje me çështje të caktuara, që trajtohen në veprimtarinë dhe mbledhjet e Komisionit, anëtari i Komisionit vihet në dijeni të rrethanave të tilla, që sipas ligjit, e vendosin atë përpara njërit prej rasteve të konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore, njofton menjëherë kryetarin e Komisionit dhe deklaron arsyet konkrete që sjellin pengesë për pjesëmarrjen në përgatitjen, diskutimin dhe miratimin e çështjes përkatëse.
7. Në rastet kur një anëtar nuk merr pjesë në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme, pa një shkak të ligjshëm, zëvendësohet me një anëtar tjetër nga institucioni i cili ka propozuar anëtarin, sipas përbërjes së përcaktuar në pikën 2, të nenit 11, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

Neni 7
Kuorumi i mbledhjes së Komisionit

1. Mbledhja e Komisionit është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.
2. Vendimet e Komisionit merren me votim të hapur dhe komisioni vendos me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
3. Kur nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, kryetari vendos thirrjen e mbledhjes pasardhëse, të paktën 24 (njëzet e katër) orë pas së parës. Në këtë rast, mbledhja është e vlefshme në qoftë se janë të pranishëm së paku gjysma e anëtarëve me të drejtë vote.

Neni 8
Mënyra e procedura e votimit dhe procesverbali i mbledhjes

1. Anëtarët, që janë të pranishëm në mbledhje dhe që nuk kanë pengese ligjore për të votuar, nuk mund të abstenojnë. Kryetari voton i fundit.
2. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në mbledhje dhe kanë të drejtën e votës.
3. Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.
4. Anëtarët kanë të drejtë të shënojnë në procesverbal faktin dhe arsyet e votimit kundër një vendimi të marrë.
5. Në çdo mbledhje mbahet një procesverbal, në varësi edhe të natyrës së çështjeve të shqyrtuara në mbledhjen e Komisionit. Procesverbali i mbledhjes përmban detyrimisht dhe në mënyrë të përmbledhur:
a) datën dhe orën e fillimit e të mbarimit të mbledhjes;
b) çështjet e shqyrtuara në rendin e ditës;
c) anëtarët e Komisionit të pranishëm;
ç) veprimet procedurale të zhvilluara në mbledhjen e Komisionit;
d) përmbledhjen e diskutimeve të anëtarëve;
dh) dispozitivin e vendimeve të Komisionit për çështjet që ishin pjesë e rendit të ditës; si dhe
e) çdo qëndrim tjetër, mbajtur gjatë punimeve të mbledhjes së Komisionit.
6. Procesverbali mbahet nga sekretariati i Komisionit dhe u dërgohet për shqyrtim anëtarëve të Komisionit të pranishëm në mbledhje, të cilët, jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga dita e nesërme e marrjes në dijeni, duhet të njoftojnë kryetarin, nëse kanë vërejtje për përmbajtjen e tij.
7. Procesverbali përfundimtar u njoftohet të gjithë anëtarëve të Komisionit. Në rastet e kontestimeve nga anëtarët, procesverbali shqyrtohet dhe miratohet si çështje e parë e rendit të ditës në mbledhjen pasardhëse të Komisionit. Pas miratimit, procesverbali nënshkruhet nga kryetari dhe sekretariati i Komisionit.

KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 9

Zgjedhja e anëtarëve, zëvendëskryetarit dhe mbledhja e parë
1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, titullarët e institucioneve, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, dhe “dh”, të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr.66/2023, “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”, i njoftojnë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të dhënat për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues, të caktuar prej tyre. Titullarët, sipas shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, i njoftojnë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të dhënat për një nëpunës, si anëtar të këtij Komisioni, në rast se e kanë autorizuar një të tillë.
2. Kryetari i Komisionit, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e marrjes së njoftimit nga titullari i institucionit, që ka caktuar i fundit anëtarin e tij, thërret mbledhjen e parë të Komisionit.
3. Në mbledhjen e tij të parë të çdo viti kalendarik, Komisioni zgjedh zëvendëskryetarin me rotacion midis anëtarëve.

Neni 10
Raportimi i Komisionit

Komisioni ka detyrimin e raportimit periodik 3-mujor te ministri përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore dhe te ministria përgjegjëse për zhvillimin urban.

Neni 11
Organet që ngarkohen me zbatimin e aktit

Ngarkohen Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, Kryeministria, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, ministria përgjegjëse për zhvillimin urban, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, autoritet/et publik/e në cilësinë e njësisë së zbatimit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Neni 12
Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIVITALIZIMI URBAN I BULEVARDIT MALIQ – DRITHAS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rivitalizimi urban i bulevardit Maliq – Drithas”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Maliq.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 133 930 (njëqind e tridhjetë e tre mijë e nëntëqind e tridhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 133 930 (njëqind e tridhjetë e tre mijë e nëntëqind e tridhjetë) lekësh, përballohet nga Bashkia Maliq.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Maliq.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Maliq.
8. Bashkia Maliq kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Maliq.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Maliq për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Maliq për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Maliq, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Maliq, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA KLOS, TË PRONËS NR.718, ME EMËRTIMIN “ISH-GRUP-DEPO ARMATIM-MUNICION”, KLOS, ME VENDNDODHJE NË ZONAT KADASTRALE 1137 E 2164, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, E PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1099, DATË 30.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Klos, të pronës nr.718, me emërtimin “Ish-grup-depo armatim-municion”, Klos, me vendndodhje në zonat kadastrale 1137 e 2164, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për ta përdorur për realizimin e funksioneve në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
2. Në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronës nr.718, me emërtimin “Ish-grup-depo armatim-municion”, Klos, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin dhe planrilevimin, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Prona nr.718 hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.
4. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.1099, datë 30.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Klos, të Qarkut të Dibrës”.
5. Bashkisë Klos i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
6. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Klos dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

Previous Prezantimi i Kalendarit Turistik të Eventeve TEA 2.0, Kumbaro: Shqipëria po jeton momentet më të bukura në turizëm, jo për shifrat aq sa për thirrjen ndërkombëtare “Albania All Senses”