Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, të zhvilluar në Bruksel. Gjatë këtij ministeriali u diskutuan çështjet më të mprehta të Sigurisë dhe Mbrojtjes në zonën euroatlantike, të cilat do të përbëjnë edhe bazën e bisedimeve të Samitit të Uashingtonit, i cili pritet të mbahet në muajin korrik.
Ministri Peleshi, në fjalën e tij nënvizoi se Shqipëria vijon të ketë një angazhim serioz financiar ndaj Aleancës duke zyrtarizuar kontributin me 2,03% të GDP. Një pjesë e mirë e këtij kontributi do të investohet për modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje.
Ministri Peleshi njohu homologët me ambicien e Shqipërisë për të zhvilluar Industrinë e Mbrojtjes dhe planet që brenda vitit 2030 të hyjë në tregun ndërkombëtar me produktet “Made in Albania”.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u fokusua në situatën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të cilën e konsideroi të brishtë dhe jo të qëndrueshme. Sipas ministrit Peleshi, Kuvendi Gjithëserb i mbajtur në Beograd disa ditë më parë, është shqetësues për narrativën lidhur me pretendimet territoriale të ngritur prej tij, si dhe gjuhën e përdorur ndaj aleatëve perëndimorë.
Ministri i Mbrojtjes ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, si dhe kërkoi ekuilibër dhe trajtim realist të fakteve mbi dinamikat e Sigurisë dhe zhvillimet e Mbrojtjes në Kosovë.
Në këtë ministerial sekretari i Përgjithshëm i NATO Stoltenberg theksoi rëndësinë e miratimit të Axhendës së Mbrojtjes dhe Shkurajimit të Samitit të Uashingtonit si edhe ftoi ministrat e Mbrojtjes të pranojnë Paketën e Asistencës dhe Trajnimit për Ukrainën.