Kryeministria Rama me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministria Rama me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:

Duke u përgatitur për këtë adresim që është edhe publik, se nuk ka si të jetë ndryshe, në një moment shumë të errët që krijoi për të gjithë komunitetin e bluzave të bardha dalja në dritë e veprimtarisë kriminale e disa individëve mes jush në spitalin onkologjik, mu kujtuan fjalët e njërit prej heronjve të shëndetësisë shqiptare, profesor Besim Elezit ditën kur ishim së bashku në hapjen e spitalit ultramodern të Sëmundjeve të Brendshme. “As në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak sesa spitalet më të mirë të Europës”.

Besim Elezi dhe sivëllezërit e gjeneratës së tij i dhanë jetë një shëndetësie heroike, në kushtet më minimale, në një spital që nuk kishte më shumë sesa pastërtinë dhe mjetet e spitalit të Mesjetës në Francë apo gjetkë në ato pak qendra të zhvilluara të Europës asokohe. Në këtë territor ku jemi sot mungonte thuajse gjithçka nga çfarë kemi sot, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut.

Ndërsa sot nuk mungon thuajse asgjë nga çfarë nuk kishim dje, por fatkeqësisht jo gjithmonë figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me betimin e Hipokratit dhe të mos jesh në lartësinë e detyrës në shumë profesione të tjera është problem jo i vogël, por të mos jesh në lartësinë e detyrës në profesionin tuaj është më shumë se një problem i madh; është një hall shumë i madh për njeriun kur me mjekun lidhet fati i shëndetit të tij, por të kesh marrë diplomën dhe licencën e ushtrimit të këtij profesioni dhe ta përdorësh uniformën më simbolike dhe më delikate të shoqërisë dhe të shtetit, njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave, për të nxjerrë para me gjakun dhe ilaçet e të sëmurëve është krim, jo thjesht kundër tyre, por kundër të gjithë njerëzimit.

Koha e heronjve si Besim Elezi ja ka lënë vendin një kohe tjetër, e dimë këtë, e cila ashtu siç i jep këmbë shumë të shpejta fuqisë së zhvillimit i jep dhe krahë të reja edhe veseve të saj duke e bërë individin shumë më të vetëdijshëm për të drejtat por rëndomë të pandjeshëm për detyrimet dhe në ndërkohë që në këtë dekadë të fundit qeveria ka bërë për kushtet dhe për nevojat e profesionistëve të shëndetësisë, pa asnjë diskutim, më shumë sesa ç’është bërë në shumë dekada të mbledhura bashkë, fatkeqësisht nuk mund të thuhet dot se radhët e profesionistëve të shëndetësisë janë pastruar nga zullumqarët e shëndetit.

Nuk mund të thuhet dot se sistemi shëndetësor është çliruar nga kthetrat e korrupsionit dhe që të jemi të qartë, rrjeta e merimangave të Onkologjikut ishte edhe më zi sesa korrupsioni i marrjes së parave përkundër shërbimit. Ishte, e përsëris, krim kundër të gjithë njerëzimit, krim kundër njerëzores.

Të ri kërkosh sot heronj si Besim Elezi apo shokët e tij të armëve të asaj kohe kur mjekët shkonin në luftë me shpata ndërkohë që bota kishte shpikur raketat nuk është mision i pamundur sepse po të mos ishin heronjtë e kohës kur Shqipëria u përball me pandeminë, disa prej të cilëve ishin kolegët tuaj këtu në këtë qendër spitalore dhe vdiqën në krye të detyrës, numri i shqiptarëve që ndërruan jetë në kthetrat e atij armiku të padukshëm do të kishte qenë ku e ku më i madh, por nëse ju kujtohet, edhe në atë kohë paniku për mbarë botën, mjaftoi ekspozimi i një Tixheje, ajo infermierja që u kërkonte lekë të afërmve të pacientëve të ngujuar në Sanatorium, e cila i kishte kthyer ata njerëz që luftonin në shtrat me vdekjen në pengje të një babëzie kriminale, për të prekur nervin më delikat të mbarë shoqërisë dhe për të ndezur një ndjenjë revolte ndaj të gjithë komunitetit të mjekëve në atë kohë, një Tixhe rrëzoi përtokë gjithë sakrificat deri dhe sublime të dhënies së jetës në krye të detyrës të atyre që, në ndërkohë, nuk shkonin më as në shtëpi duke qenë nëna të veshura me bluzën e mjekes apo infermieres por rrinin të mbuluar me ato kostumet speciale për t’i bërë yzmet pacientëve që ishin në shtratin mes jetës dhe vdekjes.

Nuk ka sesi të jetë ndryshe në fakt dhe nuk ka pastaj as si të shpëtojnë dhe autoritetet shtetërore nga shigjetat e mllefit që është krejt legjitim të njerëzve të prekur aty ku nuk mban dot njeriu nga abuzimi kriminal i disa bluzave të bardha të Onkologjikut.

E mirëkuptueshme në dhimbjen e vet edhe klithma për pushkatim e cila shfaqej tek tuk dhe jam i bindur që e keni vënë re dhe ju në rrjetet sociale, pavarësisht se lavdi zotit nuk jetojmë  më në kohën e pushkatimeve, normale që në këtë dhimbje krejt njerëzore për viktimat e atij abuzimi monstruoz edhe kërkesa e përsëritur në rreshtat e komenteve për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë. Të zakonshme pastaj ato akuzat dhe sajesat e bashkangjitura me to nga ana e atyre që në shpirtin katran dhe në mendjen sahan i gëzohen këtyre rasteve për atë lojën e përditshme me nervat e njerëzve që me këtë rast mund ta ngrenë në kulme të reja duke arritur edhe në atë fabrikimin kriminal  të historisë së kobaltit. Ajo është kriminale, krim më vete, të mbështetur si përditë dhe nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike, por çka më takon mua dhe çka i takon të gjithë atyre që janë dhe këtu një pjesë e madhe, sipas shkallës së përgjegjësisë dhe që kanë një rol institucional për të luajtur në mbarëvajtjen e punës së shërbimit shëndetësor dhe në ecurinë e reformave e të masave për transformimin e sistemit të shëndetësisë është adresimi sistemik i problematikave të ditura që janë adresuar e vazhdojnë të adresohen, hap pas hapi, apo i atyre problematikave befasuese si kjo e ditëve të fundit dhe jo reagimi emocional me pushkatim imagjinar apo dorëheqje irracionale dhe mbi të gjitha është identifikimi brenda kuadrit të kësaj problematike i masave që do të ndikojnë në rritjen e përgjegjësisë individuale dhe të vetëdijes kolektive të bluzave të bardha në sektorin publik, ku të drejtat që ju asnjëherë nuk ngurroni t’i kërkoni, shkojnë bashkë me detyrimet dhe ku detyrimet duhet të garantohen jo vetëm nga ndërgjegjja e individëve, por edhe nga forcimi i vazhdueshëm i sistemit të funksionimit të sektorit.

Drejtësia e bëri edhe një herë punën e vet dhe kjo është e mira e vetme e asaj të keqeje tronditëse që doli në pah me atë shëmtinë e tmerrshme, gjë për të cilën unë i përgëzoj prokurorët dhe u bëj thirrje gjykatësve që të mos lejojnë që relativizimi dhe banalizimin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur jo një herë në të kaluarën kur gjykatës të caktuar, e kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë edhe vrasës që duhet të ishin brenda sot e gjithë ditën, ndërsa ne duhet dhe do të vazhdojmë punën tonë, jo vetëm me masat që i paralajmëroi pak më parë ministrja e Shëndetësisë.

Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në Ministrinë e Shëndetësisë, i ngritur menjëherë pasi morëm dijeni për veprimtarinë e grupit keqbërës tek Onkologjiku, janë hapat e duhur në drejtimin e duhur. Historia e shefave të departamenteve dhe e drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në shërbimin në sistemin privat, është një histori që e dimë shumë mirë nga vjen. Vjen nga vetë historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar i së shkuarës në një sistem shëndetësor ky hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo kapaciteti dhe e çdo baze për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore që i garanton të gjithë profesionistëve, të gjithë mjekëve profesionistë që të mund të shpërblehen përtej tavaneve të pagave në bazë të performancës së tyre.

Ne do të angazhojmë shumë shpejt edhe një grup menaxherësh të huaj të strukturave spitalore publike, për të asistuar nga afër drejtuesen e re të QSUT-së dhe drejtuesit të tjerë të spitaleve të kësaj qendre, në mënyrë që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen së shpejti të kapitullit të shumëpritur edhe të domosdoshëm të autonomisë spitalore që kjo qendër do të duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do t’i duhet të japë të gjithë fleksibilitetin për t’i shpërblyer profesionistët e vetë sipas meritës, jo më thjesht me ato tavanet e njëjta, por jam këtu sot edhe për të thënë që veprimtaria kriminale e atij grupi keqbërësish njësoj si historia e paharrueshme e Tixhes, nuk e hedh dot kurrsesi poshtë përpjekjen tonë të palëkundur, të pa ndalur për ta shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina e rrënuar ku e gjetëm dhe ku ju, e përjetonit pjesa më me eksperiencë e juaja, e përjetonit përditë kur vinit këtu, në një sistem shërbimesh funksionale, përkundrazi kjo që ndodh në këto momente na bën edhe më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma, por nëse ka një shembull kuptimplotë të të gjithë kësaj përpjekjeje është kantieri i transformimit rrënjësor të QSUT në dekadën e fundit, ku një vatër e rrezikshme infeksioni si ajo për të cilën jemi mbledhur sot apo me gjasë, largqoftë ndonjë tjetër e fshehur gjetkë në gjithë këtë territor të madh ku 3500 persona vijnë këtu çdo mëngjes dhe shërbejnë këtu 24 orë, nuk mund dot të shihen me filtrin e errët të këtyre individëve.

Aty ku 10 vjet më parë kishim një kompleks spitalor që dergjej si i sëmuri më i pashpresë i Tiranës, që ishte vetë mishërimi i gjithë problemit madhor të rrënimit të shërbimit publik shëndetësor spitalor, ne kemi sot një qendër spitalore universitare funksionale, e cila ka pa diskutim ende një sërë boshllëqesh për të mbushur dhe ka pa diskutim ende probleme të mëdha dhe të vogla për të zgjidhur, por nuk është qëllimi im sot që të fokusohem tek ndërhyrja masive e 10 viteve të fundit për transformimin e kësaj qendre, por ama kthimi i kokës pas në kohën kur aparaturat dhe pajisjet mjekësore mungonin thuajse krejt; kur barnat nuk e mbërrinin pragun e farmacisë që ishte katandisur në një magazinë bosh; kur ky spital ishte i pushtuar i gjithi nga një treg mallrash shumice në të gjitha hapësirat mes godinave dhe mjediset e brendshme dukeshin si ato stacionet e vjetra ku njerëzit prisnin trenin mes rrëmujës, mes pisllëkut, deri me biçikleta futeshin nëpër korridore, na duhet ky kthim koke për të kuptuar se e gjithë puna kolosale e kësaj dekade, falë investimit dhe taksave të shqiptarëve për shëndetin e tyre, kërkon mbrapsht nga ju dhe nga askush tjetër, përmes kësaj qendre, një shërbim të denjë në çdo komponent të saj.

Vetëm këtu janë investuar në totalin e vet 100 milionë euro në këto vite dhe sot pagat tuaja janë shumë më të larta se sa ishin ndërsa kushtet e punës suaj janë pakrahasimisht më të mira.

Sot ju keni një spital të ri të sëmundjeve të brendshme ndërtuar nga themelet me 345 shtretër, me një staf prej 612 mjekësh, infermierësh, teknikësh, koordinatorësh, me pajisje të reja për 14 shërbime klinike; si shërbim emergjence polivalente, imazheri dhe mjekësi nukleare së bashku me gjithë njësinë moderne të rehabilitimit fizik. Në spitalin e ri kirurgjikal Frederik Shiroka me 120 shtretër, shtatë salla operatore, reanimacion të dedikuar, janë shërbyer 30 mijë pacientë dhe është zvogëluar me dy herë qëndrimi. Instrumentet e reja, sterilizimi, veshjet një përdorimshme, sterilizimi i sallave të operacioneve në fund të çdo dite, janë të tëra risi që i kanë ulur ndjeshëm infeksionet spitalore, e kanë bërë jetën tuaj profesionale shumë më kuptimplotë, kanë shkurtuar kohën e operacioneve, kanë përmirësuar trajtimet  kirurgjikale pa diskutim dhe e kanë rritur numrin e ndërhyrjeve në 25 mijë në vit. Spitali i ri pediatrik  me një urgjencë të re pediatrike, me reanimacion pediatrik  me struktura sipas moshave, me bllok operator, me tre salla, mjedise cilësore para dhe pas operatore kanë ofruar 130 mijë shërbime për pacientët e vegjël.

Qendrën e konsultave ambulatore me kushtet optimale për pritjen dhe trajtimin sa më dinjitoz të pacientëve, me një sistem rezervimi online dhe telefonik për planifikimin që lehtëson ndjeshëm aksesin e shërbimin ambulator, sot tanimë e përdorin të gjithë dhe ia kanë parë edhe dobinë.

Spitalin e ri infektiv me 118 shtretër, dyfish të kapacitetit të Reanimacionit dhe shërbimit të urgjencës.

Spitalin e ri të pediatrisë së përgjithshme me 120 shtretër që është drejt përfundimit  për të garantuar shërbime cilësore  për të gjithë ata komponentë që mbulon.

Po përfundon ndërtimi i spitalit ditor me 60 shtretër, me një strukturë të re për hemodializën, toksikologjinë, hematologjinë dhe sëmundje të tjera që trajtohen ambulatorisht.

Do të përfundojë ndërtimi i spitalit Angiologjisë – kardiologjisë me kapacitet 80 shtretër, 3 salla operatore ku pritet të kryhen 2 mijë ndërhyrje në vit.

Tani të gjitha këto janë bërë me paratë e atyre njerëzve që vijnë të kërkojnë këtu përkujdesjen tuaj, nuk janë bërë me paratë tuaja, nuk janë bërë me paratë e mia, janë bërë me paratë e atyre që vijnë këtu tek ju për ndihmën tuaj dhe më paratë e atyre që i sjellin familjarët e tyre këtu në dorën tuaj. Ata që vijnë këtu për tu vizituar apo për tu shtruar e kanë bërë të tyren për ju, të gjitha këto janë të atyre. Pa ata do ishit akoma te ai pazari që përmenda më lart dhe që ju pjesa më e madhe këtu e keni jetuar me vite të tëra të poshtëruar në çdo lloj merite profesionale dhe e keni mbajtur këtë spital, e keni mbajtur këtë qendër vetëm me atë frymën e trashëguar nga Besim Elezi dhe profesorët tuaj.

Sot është ndryshe, ata pacientët, njerëzit e tyre, bashkë me të gjithë shqiptarët që paguajnë taksa kanë bërë që pagat tuaja të jenë shumë më mirë se dje dhe nesër të jenë më mirë se sot. Kush e harron këtë dhe ka bluzën e bardhë hyn në gjynah të madh edhe kur s’ka durimin të sillet si shërbëtor i atyre që zënë krevatin në spitalin e kësaj qendre nga halli, si shërbëtor. Në momentin kur ata hyjnë këtu janë familjarët tuaj, ju jeni shërbëtorët e tyre, ndërsa pastaj kush shfaqet si ata torturuesit e pashpirt të Onkologjikut nuk meriton vetëm ndëshkimin pa tolerancë të drejtësisë, po meriton ndëshkimin pa mëshirë të Zotit lartë në qiell.

Ndryshe nga deri 10 vite më parë kur pacientët me infarkt referoheshin direkt pa asnjë minutë pritje në spitalet private, falë investimit të duhur të parave të popullit shqiptar në sistemin e urgjencës kardiake nuk mungon praktikisht asgjë dhe 5 mijë jetë janë shpëtuar në atë spital. 5 mijë jetë janë shpëtuar nga mjekët e atij spitali, por ama mjaftojnë 5 maskarenj të fshehur në radhët tuaja, si ato merimangat e onkologjikut që gjithçka të mbulohet nga hija e dyshimit dhe që përkushtimi dhe profesionalizimi i trupës tuaj të goditet nga një dallgë revolte që është legjitime e një populli të tërë. Prandaj unë uroj, shpresoj që asnjëri nga ju të mos harroi përjetimin e tmerrshëm të këtyre ditëve, krejtësisht të pamerituar dhe cenimin e dinjitetit të secilit dhe bluzës së bardhë.

Janë një sërë njësish në këtë spital që kanë bërë volume shumë më  domethënëse sesa deri disa vite më parë, por 2000 pacientë të shërbyer në njësinë e trajtimit të urgjencave cerebrovaskulare në 24 orë e 7 ditë. 2600 pacientë të tjerë të mbuluar me të gjithë gamën e sëmundjeve onkologjike në njësinë e radioterapisë e pastaj mijëra, e mijëra të tjerë sipas gjithë detyrave të ndara nuk bëjnë lajm, nuk bëjnë lajm, janë e përditshmja juaj. Është e përditshmja juaj te dera e pavijonit kur ata që çohen në këmbe dhe shërohen iu falënderojnë dhe ikin në shtëpi, po ai nuk është lajm, ajo është detyre përditshme. Dhe të gjitha këto rrëzohen siç rrëzohet perceptimi për ilaçet në këtë spital ku kushtet për ruajtjen e cilësisë dhe menaxhimin e barnave falë investimit që është bërë atje në infrastrukturë, për zinxhirin ftohës, për preparatorin qendror të depos qendrore të farmacisë janë njësoj si në spitalet më të mira të Europës. Kur ekipi i Pfizer ka parë depon nuk i besohej që ishte në Shqipëri.

Buxheti total i barnave për të trajtuar sëmundjet tumorale që janë më të shtrenjtat në trajtim është trefishuar, ka shkuar në 30 milion euro në vit dhe ka bërë të mundur zgjerimin e protokollit të mjekimit për sëmundjet onkologjike. Përpara se të hyja këtu më kujtoi një nga profesorët herceptinën dhe sot ma tha se nuk kishim pasur rast, pastaj në momente të vështira thuhen gjëra më lehtë. Mbante mend edhe ku e kisha thënë historinë e herceptinës në Mirditë, ma kujtoi edhe mua, edhe më tha, “të gjithë kemi qeshur dhe kemi menduar se ia fute kot që do të futej herceprina, sepse herceptina është tejet e shtrenjtë”, dhe herceptina është pjesë, por e përsëris, a ka padrejtësi më të madhe për të gjithë ju që për babëzinë dhe rrugaçërinë e një grushti individësh si ata që i hodhën njollë gjithë bluzave tuaja e disa kanë bërë mirë që se kanë veshur se të paktën duken sikur s’janë mjek në këtë moment, ju sot shiheni jo si shërbëtor që duhen nderuar sipas meje, por si një kategori e tërë e dyshuar nga një popull i lënduar në shpirt prej sjelljes kriminale të atyre individëve. Patjetër që përgjegjësia e tyre është individuale, ata duhet ta mbajnë deri në fund para ligjit dhe para Zotit, dhëntë Zoti, por përgjegjësia juaj që drejtoni struktura dhe nënstruktura në këtë kompleks spitalor është të reagoni, të vigjiloni, të kujdeseni posaçërisht për funksionimin e përditshëm, të përminutshëm të strukturës apo nënstrukturës që keni në hyqëm dhe për të shtyrë çdo hap reformimin hap pas hapi të këtij institucioni  duke ushqyer pa pushim frymën e humanizmit në çdo skuadër të QSUT.

Takimi përpara se të vija këtu me skuadrën e Onkologjikut ishte mbresëlënës. Mbresëlënës në kuptimin negativ për rrënimin psikologjik dhe moral të të gjithëve që është e natyrshme sepse janë më afër nga të gjithë këtyre merimangave, por edhe për faktin që mungon akoma dhe shpresoj të jetë efekt i traumës vetëdija se çka është “në lojë” është shumë më e madhe se egot individuale dhe se çfarëdo qoftë që mund të jetë arsye për të pasur opinione të ndryshme për mënyrën sesi duhet të funksionojë spitali onkologjik. Është shumë më e madhe!

Nuk po vazhdoj më gjatë që të përmend gjërat që iu janë dhënë në dispozicion, por megjithatë nuk rri dot, se erdhi te skanerët, tek rezonanca, tek angiografitë e me radhë pa ju thënë një gjë; që një person me emër diku në një vend të zhvilluar të Europës nuk e besonte që rezonanca këtu në këtë spital të bëhej në atë afat që bëhet, nuk e besonte dhe priste të bënte rezonancën atje dhe ka ardhur e ka bërë këtu.

Ndërkohë që e mbani mend të gjithë shumë mirë që të bënit rezonancë dikur duhet të shkonit tek rruga e Rrogozhinës se s’po them ekzakt qytetin që kishte emrin rruga e të prisje sikur po takoje priftin për tu rrëfyer për herë të parë e të fundit në jetë. Janë shërbyer në këtë qendër 120 mijë pacientë, mesatarisht në vit, janë rritur me 50% ekzaminimet imazherike është ulur me 50% ditë qëndrimi në spital. Këto janë gjëra që të bëjnë të duan të ulërasësh kur sheh kafshë si ata që lemerisën dynjanë me çfarë kanë bërë dhe me si e kuptojnë misionin ose si nuk e kuptojnë misionin.

350 mijë shërbime ambulatore, 365 ditë ka viti. 350 mijë shërbime ambulatore janë bërë në QSUT nga 100 mijë që bëheshin ashtu si bëheshin, me ato kushte që bëheshin mes kaosit dhe mes gjithë mangësive ulëritëse që ju i dini më mirë se unë deri dekadën e mëparshme.

Këtu në këtë qendër spitalore janë kryer 1.8 milionë analiza laboratorike të certifikuara me standarde të cilësisë dhe me një gamë analizash të dyfishuar. Tani dhe me analizat vij prapë tek e njëjta bisedë. Kemi qenë bashkë këtu kur problemi i analizave ishte problem i madh sepse shumë nga analizat duhet t’i bënin nëpër… Sot QSUT ka një laborator analizash ultra modern dhe bën një gamë që se bën askush tjetër. Shumë në rregull të gjitha këto, por janë punë të qeverisë me paratë e shqiptarëve. Ndërkohë që qeveria nuk punon në pavijone në spital. Ministria nuk vjen këtu të veshë bluzën dhe t’ju tregoj juve sesi duhet të sillesh me njeriun, sesa duhet të bësh këtë, këtë nuk i bëjmë dot ne, nuk i bën dot askush tjetër përveçse jush dhe skuadrave tuaja të shërbimit dhe jeni ju dhe askush tjetër që e përcaktoni nivelin e cilësisë së shërbimeve jo thjesht nga pikëpamja profesionale në aspektin e ndërhyrjes efikase, por nga pikëpamja humane, nga pikëpamja e të bërit të njerëzve të ndihen ashtu siç duhet të ndjehen në çdo moment, nga të gjithë sepse unë personalisht kam qenë pacienti juaj për dy apo tre ditë dhe megjithëse lëvizja me vështirësi përpiqesha të kuptoja çfarë ndodhte përtej asaj zonës ku isha vetë dhe kam dalë jashtëzakonisht i mbresuar nga gjithë shërbimi i atyre vajzave të reja infermiere, se mjekët s’po i diskutoj se po t’i diskutoj do thonë:” epo të kanë shërbyer ty se ti”,  sepse një profesionist kuptohet shumë mirë se di apo s’di ta bëjë një gjë dhe sado servil të jetë nuk e bën dot sjelljen e duhur profesionale me tjetrit nëse nuk di ta bëjë dhe ato vajza janë thesar i këtij spitali dhe jam i bindur që shumica prej tyre janë ashtu, por pikërisht sepse në fund të ditës kjo është në radhë të parë një çështje empatie pastaj gjithë të tjerat, niveli i empatisë lë shumë për të dëshiruar, në tërësi, në sistemin tonë shëndetësor.

Duke qenë se e përmenda disa herë profesor Besim Elezin, dua t’i rikthehem atij dhe atyre të tjerëve që janë dhe idhujt tuaj që armën më të jashtëzakonshme kishin empatinë.

Në mbyllje gjatë kësaj dekade pagat janë dyfishuar dhe nëse sot mbi 3000 punonjës të QSUT kanë një pagë shumë më të mirë dhe mjekët specialistë marrin 140% më shumë, përsëri ju lutem, ju lutem mos e harroni për asnjë moment ato para janë paratë e atyre që vijnë këtu për të marrë shërbim, të familjarëve dhe të gjithë shqiptarëve që, mos paçin nevojë kurrë, por që do të kenë nevojë për shërbim, janë paratë e tyre që paguajnë pagat tuaja. Ashtu sikundër janë paratë e tyre që paguajnë të gjitha investimet, janë paratë e tyre që paguajnë dhe të gjitha ato që ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për rritjen e kapaciteteve të stafit.

Tani, përfitimi i kartës së autonomisë menaxheriale nga QSUT është hapi i parafundit përpara mbylljes së gjithë ciklit dhe marrjes së autonomisë dhe autonomia do të jetë faza e re ku shumë gjëra do të vihen në vend dhe ku ato masat që do të merren brenda korrikut që i paralajmëroi ministrja dhe që do të kenë gjoba shumë kuptimplota përveçse do të shkojë deri në pezullim për gjithë jetën të profesionit të mjekut, do të jenë në ligj akoma, por nuk do duhen më. Nuk do duhen më sepse ky do të jetë spitali juaj edhe për pagën edhe për mbi pagën. Kush do të jetë më i zoti, do të marrë më shumë. Kush do të bëjë më shumë shërbim do të marrë më shumë, siç ndodh në vendet ku e kemi parë këtë dhe ku ju e keni parë dhe ku në mënyrë të vazhdueshme keni këmbëngulur që duhet të shkojmë atje, me të drejtë.

Sot mund të duket komplet jashtë kontekstit, por unë kam shumë besim tek fuqia profesionale e kësaj trupe. Aty ku mua fillon besimi më lëkundet është fuqia morale e kësaj trupe dhe kapaciteti për të bërë një ekstra sforco si frymë e përgjithshme, jo thjesht si kapaciteti individual i një pjese,por si frymë e përgjithshme, për ta normuar empatinë, për ta normuar fjalën e mirë, për ta normuar atë gjënë që në dukje është krejt e parëndësishme, por që bën gjithë diferencën; respektin për njeriun që ka nevojë dhe që është në duart e tua.

Mendoj që kjo që ndodhi nuk duhet të kishte ndodhur, por e thashë, është një e keqe e madhe që duhet kuptuar se çfarë të mirash duhet të prodhojë dhe unë kam besim, sidomos tek ata që kanë shumë për t’i dhënë nga eksperienca e tyre më të rinjve në aspektin profesional, por kam shumë besim tek më të rinjtë për të ndërtuar një kulturë empatie. Nuk kushton asnjë gjë, fare. Ky spital quhet Nënë Tereza! Natyrisht, nuk po kërkoj që ju të bëheni si ajo, por po kërkoj që të mos e harroni që ky spital e ka emrin Nënë Terezë dhe e ka një arsye pse e ka dhe mos harroni që çfarëdo që do të jepni ju nga shpirti juaj këtu do të jetë investim i madh për këtë vend të fëmijëve tuaj. E bëni për fëmijët tuaj çdo investim në fjalën e mirë, në kujdesin dhe në buzëqeshjen për ata njerëz që ju shohin si Zotin sepse janë të shtrirë në krevatin e sëmundjes.

Shumë faleminderit dhe me shumë respekt për të gjithë ata ndër ju dhe për të gjithë mjekët që nuk i përkasin atij kanceri që quhet korrupsion dhe që ka tumoret e veta nëpër sistemin e shëndetësisë, siç pamë tumorin që u shkul nga spitali Onkologjik.

Kam dhe një gjë në fund! Mu krijua përshtypja që ishte si një rastësi që erdhi edhe si një mesazh. Mora një mesazh nga një vajzë e cila e ka pasur mamanë në Onkologjik dhe ka mbaruar biologji-molekulare, masterin shkencor dhe më shkruajti që, “Unë kam të gjithë dëshirën dhe vullnetin që, në rast se më krijohet mundësia, t’i bashkohem skuadrës së Onkologjikut”. Inesa, bëji një përshëndetje të gjithëve se kanë nevojë të shohin një pozitivitet. Nuk ka nevojë të flasësh, një përshëndetje se e di që ke emocione.

Inesa ka dhe vërejtje për mënyrën sesi duhet bërë më mirë puna, që t’i themi të gjitha, por realisht mu duk si një bulëz oksigjeni në një moment pa oksigjen për këtë situatë të Onkologjikut dhe jam i sigurt që do ta prisni në stafin tuaj, do ta integroni dhe kam shumë besim që prania e saj do t’ju bëjë të jeni më empatikë, jo me pacientët, por me njëri-tjetrin në radhë të parë.

Previous Hapet për qarkullim aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar, segmenti i parë i Korridorit Blu