Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bashke me kryetarin e Grupit të PS, Bledi Çuçi, Kryetari i Bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari inspektuan në shkollën “Llazar Kuli” në Perondi, Kuçovë, e cila ka përfunduar rikonstruksionin falë një investimi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me pushtetin vendor. Ky investim ka krijuar kushte moderne dhe komode për nxënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë 12 klasa dhe laboratorë për Kiminë, Biologjinë, Fizikën dhe TIK-un.
“Ky investim kaq i rëndësishëm për komunitetin e Perondisë dhe Kuçovës siguron kushte bashkëkohore për mësimdhënie. Në Kuçovë do të kemi edhe një investim të ri, një tjetër shkollë, e cila fillon së shpejti rehabilitimin që është shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi”. Me buxhetin 2024 po hapim 40 kantiere të reja në të gjithë vendin”, tha Miniatrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu tha se po punohet në bashkëpunim me pushtetin vendor, që për datën 9 shtator, kur fillon viti i ri shkollor, gjithçka do të jetë gati që nxënësit të zhvillojnë mësimin në kushte bashkëkohore.
“Data 9 shtator do të jetë data kur fillon viti i ri shkollor dhe ku ne bëhemi gati që të gjithë këto shkolla tashmë të rehabilituara por edhe shkollat të cilat mirëmbahen, së bashku me bashkitë, të garantojnë që viti i ri shkollor të fillojë mbarë”, tha Manastirliu.
Kushte më të mira për nxënësit dhe mbështetje për mësuesit në gjithë vendin janë prioritet e Ministrisë së Arsimit. Një nga mbështetjet më të rëndësishme për mësuesit është rritja historike e pagave të mësuesve, e cila ka filluar nga 1 korriku, duke arritur në një mesatare prej 950 euro.
“Infrastruktura është e rëndësishme por edhe mbështetja për mësuesit është e rëndësishme dhe premtimi i qeverisë shqiptare, e kryeministrit Rama për rritjen e pagave të mësuesve tashmë është një realitet. Nga 1 korriku ne kemi filluar me rritjen e pagave dhe mësuesit do të ndjejnë në llogaritë e tyre të pagave nga muaji gusht rritjen e pagave mesatare për mësuesit që shkon 950 euro dhe jemi të bindur që jo vetëm mësuesit do të jenë edhe më të motivuar, por nga ana tjetër edhe cilësia e mësimdhënies rritet dhe më shumë të rinj do të duan të studiojnë në degët e mësuesisë, edhe falë pagave që janë rritur”, përfundoi Manastirliu.
Janë rreth 100 shkolla dhe terrene të reja sportive që përfundojnë këtë vit, investime të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë.