Situata e zjarreve në vend, datë 16 korrik 2024, ora 17.00 …
4 vatra aktive zjarri janë aktualisht në të gjithë territorin e vendit. Problematike mbetet situata e zjarrit në Balgjaj në fshatin Kurdari. Forcat operacionale nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë të mbajnë nën kontroll situatën, për të shmangur rrezikun pranë një stani me bagëti e dhjetëra koshere bletësh.
Në fshatin Madhesh, njësia administrative Ulëz në Mat zjarri i rënë ka marrë përmasa të menjëhershme dhe po avancon në drejtim të fshatit Stojan. Veç forcave operacionale në terren ka shkuar në ndihmë edhe helikopteri Cougar.
Vijon ndërkaq edhe operacioni për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit të rënë në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë, ku flakët janë pranë liqeneve të Lurës.
Era e fortë ka vështirësuar aksionin për shuarjen e zjarrit edhe në vatrën e regjistruar një ditë më parë në midis malit të Xhyrës dhe njësisë admnistrative Qukës në bashkinë e Prrenjasit.
Të gjitha forcat operacionale janë shpërndarë me grupe në zona të ndryshme për të krijuar një perimetër për të ruajtur vijën e zjarrit ekzistues dhe për të fikur çdo aktivizim në kufijtë e zjarrit dhe në thellësi të tij.
Situata në vend, datë 15 korrik 2024, ora 21.00
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë ditës së sotme janë aktive 3 vatra zjarri në vend.
Në Qarkun e Dibrës ka vijuar puna nga terreni dhe ajri për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kurdari, bashkia Klos. Vatra e zjarrit në Balgjaj të fshatit Kurdari është zhvilluar në dy vatra, njëra prej të cilave është vënë nën kontroll. Një prej vatrave është zhvilluar në drejtim të liqeneve të Balgjajt, Kurdari në sipërfaqe me filizë pishe e ahu, por është mbajtur pjesërisht nën kontroll. Për fikjen e zjarrit u angazhuan 23 forca dhe helikopteri i FA. Nuk rrezikohen banesa.
Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë, bashkia Dibër. Aktualisht janë dy vatra zjarri aktive, njëra në kullotë, ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pyll me ah në vendin e quajtur Plehenaj, ku zjarri po zhvillohet shumë aktiv ndihmuar nga temperaturat e larta, era e fortë si dhe mbetjet e thata të grumbulluara ndër vite. Efektivë zjarrfikës, forca nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, forca bashkiake e vullnetare po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.
Po ashtu në qarkun e Elbasanit, midis malit të Xhyrës dhe njësisë admnistrative Qukës, bashkia Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ah, dëllinjë dhe panjë. Punonjësit në terren kanë arritur të izolojnë vatrën e zjarrit dhe po e mbajnë atë nën kontroll, por për shkak të sasisë së madhe të humusit zjarri në brendësi vazhdon dhe ka forcë. 25 efektivë të FA janë përfshirë në këtë aksion, duke vënë nën kontroll flakët, por vazhdon puna për ta mbajtur atë të izoluar.
Ndërkaq është fikur një vatër e raportuar në malin e Trushnicës, në Tepelenë, por po mbahet në monitorim nga forcat bashkiake për të mos u riaktivizuar.
Situata në vend, datë 13 korrik 2024, ora 11.00
Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë raportuar 9 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 7 vatra dhe janë aktive 2.
Aktualisht po punohet në fshatin Kakodhiq të bashkisë Delvinë për izolimin e plotë të vatrës, i cili është vazhdimi i zjarrit masiv që kish përfshirë fshatin Kardhikaq në bashkinë Finiq. Në vendngjarje po operojnë forcat zjarrfikëse të bashkisë Delvinë dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Po ashtu vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, vazhdim i zjarrit të rënë në një sipërfaqe me pisha. Në terren efektivët zjarrfikës të bashkisë Dibër, forca nga administrata e Zonave të Mbrojtura, Shërbimi Pyjor e forca bashkiake si dhe 50 efektivë nga Forcat e Armatosura.
Ju lutemi banorëve të bëjnë kujdes! Ligji parashikon dënim të rëndë për të gjithë ata që ndezin zjarre dhe do të zbatohet për çdokënd, pa dallim!
Situata e zjarreve në vend, datë 12 korrik 2024, ora 18.30:
Pas një pune të pandërprerë forcat e Emergjencave Civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit në bashkinë Dropull, ku situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
Në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës po vijon aksioni me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, por edhe dy avionë PZL nga Greqia, për shuarjen e flakëve.
Po ashtu operacioni vazhdon edhe pranë liqeneve të Lurës në Dibër.
Mirënjohje të gjithë efektivëve të angazhuar si dhe autoriteteve greke që po asistojnë me dy avionët tip PZL në shuarjen e flakëve në fshatin Kakodhiq!
Përsërisim thirrjen për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, në mënyrë që të shmangen ngjarje që dëmtojnë mjedisin dhe pasurinë tonë të përbashkët!
Situata e zjarreve në vend, datë 12 korrik 2024, ora 10.30:
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 vatra dhe janë aktive 3.
Sot puna po vijon në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq.
Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.
Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shkëmbor.
Të gjitha kapacitetet në nivel vendor dhe qendror, efektivët zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjës të administratës së Zonave të Mbrojtura, punonjës të Shërbimit Pyjor, forca vullnetare janë në gatishmëri të plotë për mbajtjen nën kontroll të situatës.