Përshpejtimi dhe monitorimi i procesit të legalizimit, prioritet i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Përshpejtimi dhe monitorimi i procesit të legalizimit, prioritet i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive të vendit dhe drejtues e punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës mbi përshpejtimin dhe monitorimin e procesit të legalizimit, si prioritet i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Mbështetur edhe në vendimin e qeverisë për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e procesit të punës mes ASHK dhe 61 bashkive të vendit me qëllim përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit, – të ndërmarrë si rezultat i diskutimeve mbi këtë çështje, – Kryeministri kërkoi angazhimin në këtë proces, në mënyrë të posaçme të  bashkive të vendit, angazhim, i cili,  jo vetëm do të shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit për qytetarët, por edhe do të shërbejë për të bërë monitorimin e punës në Kadastër.

* * *

Sot jemi këtu për të komunikuar me ju për nevojën e fillimit të punës bazuar në vendimin e qeverisë, i cili  u mor si rezultat i një diskutimi të nisur edhe së bashku në takimin që zhvilluam në Shkodër me të gjithë kryetarët e bashkive të nxitur nga disa deputetë të PS, i pari ndër ta dhe më i zëshmi Erion Braçe dhe të domosdoshme, si rezultat edhe i faktit që ndërkohë që me pjesën e regjistrimeve të pronave në Kadastër kemi një ecuri pozitive, me pjesën e legalizimeve nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe për këto arsye qe ju i dini, është vendosur që bashkitë të përfshihen në proces.

Përfshirja në proces e bashkive ka një rëndësi dhe një dobi, sipas nesh të posaçme, për faktin që, jo vetëm do të shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit për qytetarët, por edhe do të shërbejë për të bërë monitorimin e punës në Kadastër, që e përsëris, në sektorin e legalizimeve lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar dhe në këtë kontekst, së pari janë bashkitë që do të vendosin prioritetet dhe do të përcaktojnë ritmin e planit të punës së zyrës vendore  të legalizimit, pra procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator, kur ky proces do të fillojë edhe si rezultat i ndihmës që AKSHI po i jep ASHK për të pasur një platformë pune digjitale dhe nëpërmjet këtij sistemi edhe për të krijuar një mekanizëm transparence, por edhe llogaridhënie mes palëve, në mënyrë që nga njëra anë, kryetarët e bashkive dhe bashkitë në tërësi, të mos jenë në pamundësi për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, kur ata vijnë tek ju edhe me të drejtë ankohen për procesin e legalizimit, nga ana tjetër zyrat vendore të Kadastrës të mos kenë monopolin e zgjidhjes së problemeve, të cilin e abuzojnë për fat të keq në shumë raste, herë nga indiferenca, herë nga paaftësia dhe shpeshherë për fat të keq  nga krimbi i kërkesës për ryshfet. Kjo është e vërteta, dhe pavarësisht të gjithë progresit të bërë, sepse faktikisht procesi ka pasur progres, por një progres e përsëris, të pakënaqshëm po të shohim progresin e bërë me regjistrimin e pronës nga ana e Kadastrës, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që përtej faktit që ligji e parashikon përfundimin e këtij procesi në 2028, ne në radhë të parë për banesat, – e përsëris – të qytetarëve të këtij vendi duhet të bëjmë gjithçka që procesi të përshpejtohet dhe mbi të gjitha që të vendoset një rend shumë i qartë i kohës së kërkesave. Kjo është A-ja, sepse është e padrejtë edhe është e papërtypshme që disa presin prej vitesh, disa të tjerë e marrin legalizimin edhe pse janë aplikues të mëvonshëm.

Patjetër që të gjithëve iu takon, por ama ju keni detyrën kryesore që të vendosni radhë dhe sipas radhës të bëhet ajo që është e para, legalizimi i banesave. Besoj që jemi të qartë në këtë sepse është dhe një kërkesë e drejtë e juaja, por nga ana tjetër kjo kërkon një fokus të veçantë nga ju, personalisht si titullarët e zgjedhur të bashkive.

Ka një sërë bashkish që kanë numra të vegjël kërkesash dhe nuk ka asnjë arsye në botë që njerëzit në këto bashki, të presin akoma për banesat. Ndërkohë që, përsa i përket ndërtesave që janë bërë pa leje dhe që kërkojnë legalizim për biznes, ato mund të presin, por të parët janë banorët dhe shtëpitë e tyre.

Procesi që ne bëmë dhe po vazhdojmë në Himarë dhe në Theth dhe që po shtyhet përpara dhe në disa pika të tjera që kanë patur një problematikë pak ndryshe, tregon që nëse koordinohemi dhe nëse ka fokus, ky proces ecën me shpejtësi.

Duhet të përfitoj nga rasti, duke qenë se këtu janë të pranishëm, jo vetëm një pjesë bashkive kryesore, përsa i përket turizmit të vijës  bregdetare, por edhe të tjerët, ku siç tregon harta e sivjetme e turizmit, tendenca e flukseve turistike për të shkuar përtej detit dhe për te eksploruar deri edhe  zona edhe pika që deri dje as nuk imagjinoheshin që kishin turistë, – është shumë e rëndësishme që sot të jeni të gjithë të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar.

Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur edhe të skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri.

Natyrisht që faktet janë në terren dhe nuk është ky preokupimi kryesor që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi të organizuar që vjen nga disa anë. Fakti është që sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike.

Shumë profile fallco që përdoren për këtë sulm, por kjo është njëra anë e medaljes që vlen për diçka tjetër, vlen për të kuptuar, që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botes,  erdhi dhe me sfida të reja, sfida që janë gjithmonë e më komplekse, që kanë të bëjnë me të gjithë elementët. Sivjet, faktikisht para pak ditësh, Komisioni Evropian i Udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turistëve, pastaj vijnë me radhë, këtu në rajon, Serbia me 48%, Mali i Zi me 31%, Greqia me 22%, Turqia me 20%, ndërkohë që shumë nga vendet perëndimore janë me rënie për të gjithë arsyet që nuk ka nevojë t’i komentojmë.

Nga ana tjetër, pjesë e këtij sulmi është dhe një përpjekje shumë e ulët për të thënë që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë. Ndërkohë që fakti është, se nga janari deri në qershor, kanë 1,7 milionë hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25% më shumë se vjet. Ndërkohë që, po të shohim të tjerët, ne vjet u surprizuam pozitivisht nga prurja e italianëve. Italianët, deri në qershor kanë qenë 486 mijë ose 57%. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, 61% nga vjet pastaj turistët polakë 74% që kanë qenë nga të parët që kanë ardhur në Shqipëri, por kanë shkuar mbi 100 mijë deri në qershor. E ndërkohë aeroporti i Tiranës është në pamundësi për të dhënë leje të uljeve të avionëve charter për shkak se nuk ka vend për 24 orë dhe për të ulur një charter në aeroportin e Tiranës duhet të lajmërosh 3 ditë përpara dhe duhet të prenotosh 3 ditë përpara, gjë që, natyrisht, do të adresohet sepse në aeroportin e Tiranës ka filluar një punë intensive për zgjerimin e pistës, për zgjerimin e vendeve të parkimit, do të hapët aeroporti i Vlorës, por për të gjitha këto është e nevojshme të merren në konsideratë për diçka tjetër.

Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, kjo është shumë e qartë, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë dot apo nuk i imponojmë dot. Por ama, në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olti, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve, është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve.

Është shumë e rëndësishme të flitet dhe t’u thuhet që kjo është, jo vetëm e padrejtë, se mbase në kushtet e kapitalizmit fjalën e padrejtë ata që duan të fitojnë nuk e perceptojnë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë, është strategji vetëvrasëse.

Duhet të komunikohet dhe duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër sepse po të ishte kaq kollaj do ta kishte bërë tërë bota këtë sport.

E kanë bërë në pjesë të caktuara dhe pastaj kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura, por e kanë marrë vonë kështu që, përpara sesa të jetë vonë, është shumë e rëndësishme të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush nuk mund t’jua imponojë, por ama është dhe çështje dijeje dhe ideja që “Meqë na thanë vjet që Shqipëria është shumë e lirë, ne po ia hedhim në erë të gjithë tavanet e arsyes së çmimeve” është komplet një ide komplet e çmendur.

Ndërkohë, shikoni Durrësin, shikoni Shëngjinin, shikoni Velipojën; stabël. Natyrisht, vlonjatët janë molla e këtij sherri, dihet ajo punë, sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe është bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë ato çmime në atë farë feje. Do bien vetë në gropën e gjoksit të tyre.

Nuk më vjen keq për ta, por është e padrejtë komplet dhe është e turpshme për të krijuar një klimë absurde që në këtë moment kur ne sapo kemi hyrë në Champions League e turizmit të Mesdheut të fillojë të belbëzohet. E ka bërë Bullgaria këtë sport shumë vite më parë dhe e ka paguar, me vite të tëra nuk kthehej dot më aty ku ishte sepse e thotë populli shqiptar “Më mirë syri sesa nami”. Vlonjatëve u ka dalë edhe syri, edhe nami, u kanë dalë dhe trutë nga vendi, atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë.

Kështu që, është mirë që ta kuptojnë dhe mbase me këtë gjuhë, duke qenë se mua edhe mi tolerojnë më shumë sesa të tjerëve këto fjalë, do të zbresin pak me këmbë në tokë. Nuk zbresin dot vlonjatët se tua kërkosh të zbresin me këmbë në tokë është… por të paktën të zbresin në kat të dytë.

Pika tjetër e rëndësishme është plazhet publike.

Edhe këtu ka një konfuzion të madh sepse unë kam qenë në kontakt me të gjithë ju, plazhet publike janë aty, plazhi publik i Sarandës dihet botërisht që është mu në vijën e gjithë qytetit, menaxhohet nga bashkia e Sarandës, është komplet i lirë për të gjithë, por edhe njëherë, më mirë syri sesa nami. Kështu që, duhet bërë çmos, jo thjeshtë që plazhet publike janë aty, por dhe njerëzit ta dinë që plazhet publike janë aty.

Natyrisht që, pjesa tjetër ka dhe ajo të drejtat e veta.

Ndërkohë që ne kemi filluar të studiojmë ndërhyrjet që ka bërë Spanja, që ka bërë Portugalia, që ka bërë Franca, që ka bërë dhe Turqia që fundmi edhe në këtë aspekt dhe vitin e ardhshëm do duhet të bëjmë përsëri një ndërhyrje përsa i përket hapësirave publike në plazh të një natyre pak më agresive, por është shumë e rëndësishme që edhe në këtë pikë bashkitë të jenë në krye të punës përsa i përket komunikimit.

Tjetra është pastrimi. Është më mirë sesa vjet, vjet ishte më mirë sesa parvjet, por përsëri duhet qëndruar mbi kokë. Jam bërë bajat duke sjellë si shembull policinë e Lezhës në bashki, por është fakt, nuk ke çfarë i bën. Është pasqyrë pastërtie. Ndërkohë që, është bërë progres gjithandej, por duhet kuptuar që nuk është thjesht tek plazhet çështja, është dhe brenda vendit.

Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë me forca të shumta, do çojmë dhe ushtrinë për ta pastruar por kjo historia që banorët hidh dhe ushtria pastro nuk mund të vazhdojë në pafundësi.

Zona e veriut po njeh një boom të jashtëzakonshëm turistik, e dimë të gjithë. Tani do investojmë dhe rrugën e Komanit se i ka ardhur radha, por ama, liqeni i mbushur çdo dy javë me plehra që i hedhin rrugëve sikur kanë turp t’i hedhin aty ku duhen hedhur dhe prandaj i hedhin aty ku nuk duhen hedhur, nuk e di.

Këto ishin ato që kisha unë për të shtuar këtu dhe duke e mbyllur me legalizimet, ju lutem shumë, sidomos bashkitë që kanë intensitet të madh pune për të bërë, duhet të ndërtojnë stafin, duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ministrin, i cili do të jetë kryekoordinatori i kësaj pune për të koordinuar bashkitë, Kadastrën, AKSHI-n dhe duhet të gjithë të jenë gati në shtator kur ky proces do të fillojë të zbatohet.

Çka do të thotë të jenë gati? Do të thotë me të gjitha prioritetet; duhet të merrni informacionin e plotë nga Kadastra, në ndërkohë ju duhet të nxirrni grupet, kategoritë kohore sipas kalendarit të aplikimit për të vendosur prioritetet dhe të filloni punën për këtë. 2028 është shumë larg!

Ne duhet t’i vëmë objektiv vetes që këtë proces ta mbyllim në fund të vitit 2026, jo në fund të vitit 2028, por ama për banesat nuk na pengon askush që të bëjmë të gjitha regjistrimet e nevojshme dhe unë kam shumë besim që forca e shtuar e bashkive do të sjellë rezultate të rëndësishme dhe për ta thënë deri në fund Armando, sepse je nga ata më të zëshmit për këtë çështje dhe me të drejtë që bashkia nuk ka pasur mundësi të asistoje legalizimet për shkakun që dimë dhe që tani e ka me vendimin e qeverisë, është shumë e rëndësishme që ju të parët t’i vini në dukje ministrit drejtpërdrejtë të gjitha ato gjëra që nuk shkojnë në Kadastër, te legalizimet bashkë me personazhet që pastaj bëhen objekt me të drejtë nga qytetarët. Është shumë, shumë e rëndësishme që te legalizimet të gjithë të kuptojnë që janë të gjithë të monitoruar, jo thjeshtë nga drejtoria e përgjithshme, por janë të monitoruar nga ju, bashkitë dhe këtu nuk është puna për t’u marrë me thashetheme, është puna për të adresuar fakte se është e papranueshme që kur njerëzit ankohen, se u vjen shpirti në majë të hundës, tek unë dhe kur unë i përcjell ankesën institucionit 90% e çështjeve zgjidhen për dy ditë. Pse? Domethënë u zgjidhkan! Domethënë nuk ka rend punë ashtu si duhet dhe rendin e punës ashtu si duhet, duhet ta vendosi ju, çdo bashki, zyra e legalizimit dhe zyra e legalizimit në çdo bashki nuk është zyrë që do të legalizojë , se legalizimin në fund do ta bëjë Kadastra,. Zyra e legalizimeve në bashki është zyra që do të asistoje qytetarët, do merret me çështjen, do ti shkojë nga mbrapa, do ti thotë ja ku i ke, legalizojë se i ke gati. Jo rrinë njerëzit presin, jo erdhi ma mati, erdhi s’ma mati, jo me grupe janë këto familje me të cilat duhet të merret drejtoria e legalizimit këtë javë. 1, 2, 3, 4, 5. Me lista të afishuara me orare, do vijnë njerëzit do bëjnë matjet, etj, etj, ju vetëm merrni raportin dhe çdo gjë që nuk shkon do ia raportoni ministrit.

Kështu duhet të funksionojë sepse kjo është çështje pasurish të paluajtshme se atyre nuk ua prek njeri shtëpinë, por në momentin që shtëpia regjistrohet është një pasuri që ata mund ta përdorin, për ta shitur, për ta dhënë me qira etj etj, por edhe për ta trashëguar normalisht, pa hallin që ne e bëmë po s’dihet çdo ndodhi.

Previous Task Forca e përbashkët Shqipëri-Britani-Kosovë, Balla: Bashkëpunimi është intensifikuar, rezultate të rëndësishme kundër krimit të organizuar e migracionit të paligjshëm