Arsimi Profesional Dual, një hap i madh përpara në epokën e re të Arsimit Profesional në Shqipëri - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Arsimi Profesional Dual, një hap i madh përpara në epokën e re të Arsimit Profesional në Shqipëri

Për t’ju përgjigjur më së miri kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, – qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Me këtë rast, u zhvillua sot një takim i zgjeruar me sipërmarrjet, partnerët ndërkombëtarë, drejtuesit e shkollave profesionale dhe ekspertët e reformës së re të arsimit profesional, për  “Arsimin Profesional Dual” dhe “Fondin Kombëtar të Aftësimit”, një sistem arsimor me bazë punën në biznes në mbështetje të sektorëve prioritarë ekonomikë, bazuar në modelet më të mira të vendeve të zhvilluara si Zvicra dhe Gjermania, i cili do fillojë të implementohet nga ky vit.

Në takim, mori pjesë edhe Kryeministri Rama, i cili ndër të tjera tha se  “arsimi ynë profesional ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, por sot, është ne nevojën për të bërë një hap të madh përpara, duke konsideruar që në një farë mënyre, baza për ta hedhur këtë hap është vendosur dhe ky hap i madh përpara është pikërisht dualizimi i arsimit profesional, duke spostuar në fushën ku zhvillohet veprimtaria ekonomike, pra në  mjedisin sipërmarrës, pjesën kryesore të ditëve të shkollës.”

* * *

Sot diskutojmë një nga çështjet më të rëndësishme dhe besoj për një nga problemet më të mprehta që ka vendi ynë në këtë fazë të re të zhvillimit, që është kapitali njerëzor dhe domosdoshmëria për ta ruajtur kapitalin njerëzor ekzistues dhe për ta rritur fuqinë e këtij kapitali në ekonominë tonë.

Këtu ka njerëz që unë i njoh që janë në fushën e sipërmarrjes që kanë bërë investime të rëndësishme, por që jetojnë në një hendek midis kapitalit që kanë investuar për të ndërtuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për biznesin e tyre dhe kapitalin njerëzor që kanë në dispozicion.

E thënë ndryshe sot pa asnjë diskutim, në  industrinë e turizmit në Shqipëri, jo vetëm që ka vende pune, por ka vende pune me gatishmërinë për të paguar njësoj si në vendet rreth e rrotull.

Problemi është aftësia. Përtej, pastaj edhe paragjykimeve dhe keqinformimit që pengon njerëz që nga vendi ynë kanë shkuar, le të themi në Greqi, që punojnë në sektorin e turizmit në Greqi dhe që po të kthehen dhe të angazhohen në sektorin e turizmit në Shqipëri, pa diskutim që në fund të muajit do të kenë një bilanc të ardhurash më pozitiv, sepse do të jenë pranë shtëpisë së tyre, do të kenë shpenzime shumë më modeste transporti, do të kenë taksa shumë më të ulëta, kështu me radhë.

Dhe solla si shembull turizmin, por kjo vlen për të gjitha fushat.

Në ndërkohë, arsimi ynë profesional ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, por sot, është ne nevojën për të bërë një hap të madh përpara, duke konsideruar që në një farë mënyre, baza për ta hedhur këtë hap është vendosur dhe ky hap i madh përpara është pikërisht dualizimi i arsimit profesional duke spostuar në fushën ku zhvillohet veprimtaria ekonomike, pra në  mjedisin sipërmarrës, pjesën kryesore të ditëve të shkollës.

Mirëpo që të jemi të qartë dhe kjo është pika kyçe e këtij procesi dhe është dhe pika kyçe e shqetësimit të gjithë ekspertëve të kësaj fushe që na kanë ndihmuar, mbështetur, asistuar për të ndërtuar këtë skemë të re, këtu nuk bëhet fjalë për t’i sjellë sipërmarrjeve disa vajza dhe djem në moshë shumë të re që të përdoren si shërbëtorë në mjediset e punës.

Këtu, bëhet fjalë për të sjellë pranë sipërmarrjeve nxënës, të cilët gjatë kohës që qëndrojnë në mjediset e sipërmarrjes duhet të bëjnë shkollën dhe duhet të  trajtohen me maksimumin e kujdesit duke ndaluar rreptësisht abuzimin me ta dhe abuzim në këtë rast do të thotë t’i marrësh nga procesi mësimor dhe t’iu fusësh në punë, ndërkohë që ata po përgatiten që të hyjnë ne punë, por nuk janë aty për të bërë punë që vijnë nga nevoja e sipërmarrjes përkatëse dhe nga mungesa e burimeve njerëzore që mund të ketë sipërmarrja.

E thënë ndryshe, nëse dikush vjen në një hotel për të marrë arsimimin e nevojshëm profesional për recepsionin, kjo nuk do të thotë që ai vjen aty për t’u marrë e për t’u vënë atje në recepsion meqë ne recepsion mungon dikush apo meqë në recepsion duhet dikush. Pra, ky është një investim, i cili sigurisht kthehet si çdo investim, por nuk funksionon si një investim që kthehet në të njëjtën kohë që zhvillohet investimi. Kjo duhet të jetë shumë, shume e qartë dhe kulturalisht, ne kemi ende një problem të madh në botën e sipërmarrjes, po jo vetëm në botën e sipërmarrjes sonë. Unë besoj që ne ketë e kemi problem kulturor edhe në sektorin publik.

Nëse shohim sipërmarrjet  mëdha globale, ndërkombëtare dhe nëse futemi pak tek investimet që ata bëjnë në burimet njerëzore, do të shohim diçka që është mbresëlënëse; sa më shumë te investojnë tek burimet e tyre njerëzore, aq më shumë rritet suksesi, norma e suksesit të tyre në aspektin e pozicionit në treg. Dhe ka plot shembuj, dhe ka plot grafikë që e ilustrojnë dhe nëse marrim për shembull, kompanitë më të mëdha globale që janë sot në botën e teknologjisë, do të shikojmë që pozicioni i tyre në treg është në proporcion 100% të drejtë me investimin e brendshëm të tyre për burimet e tyre njerëzore.

Kush e ka ndërtuar këtë hotel, nuk e ka pasur absolutisht problem që të bëjë më të mirën për të marrë gjithë këto mallra nga importi, duke paguar për të krijuar këtë sallë, por pa diskutim nuk ka menduar që në të njëjtën kohë të investojë tek njerëzit që do të mirëmbajnë këtë sallë.

Në planet e investimit të kompanie tona, ky komponent është në rastin më të mirë, minimal dhe në rastin më të përgjithshëm, zero. Dhe pastaj ndërtohet hoteli, ndërtohet fabrika, ndërtohet infrastruktura përkatëse për një aktivitet të caktuar dhe fillon kërkohen punëtorë. Nuk funksionon. Dhe pastaj është një dhembje kokë e përditshme, e vazhdueshme.

Mjafton të takohesh 5 minuta me çdo sipërmarrës dhe përveç faktit që ankohen që nuk janë mirë ekonomikisht, se kjo është skema, kjo nuk diskutohet, menjëherë do të fillojnë të thonë “s’kemi njerëz, vijnë, ikin; s’kanë’’. Kjo kërkon një adresim kulturor në radhë të parë për të kuptuar  të gjithë që ashtu siç bëhet plani për të ndërtuar hotelin, bëhet plani për të ndërtuar burimet njerëzore që do mbajnë hotelin. Ashtu siç bëhet gjithë volumi i investimit për gjithçka ka hoteli, nga muret, tek dyshemetë, tek krevatet, tek dyshekët, jastëkët e të tjerë, duhet bërë dhe plani paralelisht që të fillojë në ndërkohë që po e ndërton hotelin, të investosh që në momentin kur hoteli ka mbaruar, bashkë me jastëkët dhe me çarçafët të jenë dhe njerëzit që ato materiale të shtrenjta që janë futur aty të dinë t’i menaxhojnë, t’i mirëmbajnë dhe sigurisht të dinë t‘i harmonizojnë me kulturën e shërbimit.

Thënë këto, ne jemi përgatitur të hyjmë në këtë fazë me një vit pilotimi siç i përmendi dhe zëvendës ministrja dhe unë nuk dua t’i përsëris, por dua të prek një element. Ne nuk mund të presim që ndryshimi kulturor të ndodhë kur të ndodhë. Prandaj që sot, punëdhënësit e mëdhenj, të gjitha bizneset e mëdha të Republikës së Shqipërisë duhet ta dinë që 1% e shpenzimeve të tyre totale do të shkojë për këtë punë dhe ose do të shkojë për këtë punë ose do t’u merret për këtë punë.

Do të krijojmë Fondin Kombëtar të Aftësimit i cili do të mbështesë gjithë këtë proces, duke mos e lënë thjesht në vullnetin e sipërmarrjeve, mbi një bazë sistemi kuotash dhe kontributesh që do të shkojnë për të financuar pikërisht zhvillimin e kapitalit njerëzor si dhe gjithë këtë skemë të arsimit profesional dual.

Tani, ende jemi duke diskutuar opsionet dhe natyrisht këtu është shumë e rëndësishme që të vazhdojë diskutimi që është hapur me kompanitë, por opsioni më i mundur është që ky 1% do të duhet të investohet për trajnimin në vazhdim të personelit dhe për pjesëmarrjen në këtë skemë të arsimimit dual.

Shpenzimet e bëra në kuadër të pagesës së nxënësve që do të marrin pjesë në arsimin dual do të konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat. Ndërkohë që, kush nuk do të futet në këtë proces do të duhet ta derdhë këtë si kontribut plus taksës, pra 15% taksë, po. Mbi këtë 15% do të jetë një kontribut ekstra që, sipas madhësisë së kompanive, sipas madhësisë së xhiros etj, që do të shkojë nga 0,5 deri 1% të shpenzimeve totale vjetore dhe që do të derdhet në Fondin Kombëtar të Aftësive.

Sigurisht që fondi do të jetë një fond publik, por do të menaxhohet bashkë me përfaqësuesit e sipërmarrjes dhe do të shpenzohet vetëm për këtë punë, nuk do të jenë të ardhura siç janë të ardhurat që vijnë nga taksat dhe që shpërndahen për nevojat e investimeve dhe shpenzimeve të shtetit, por do të jenë të ardhura që do të jenë në këtë fond dhe që do të shpenzohen vetëm për këtë punë. Patjetër që fondi do të shërbejë edhe për të nxitur kompanitë e mesme dhe të vogla që të përfshihen edhe ato në skemat e arsimit profesional dual, gjë që sot nuk ua kërkojmë.

Ka dhe një komponent tjetër që është dhe investimi që duhet bërë për këtë gjë. Nëse e dëgjuat këtë moment të prezantimit që bëri zëvendës ministrja, në mjedisin e sipërmarrjes duhet krijuar mjedisi i shkollës. Pra, nuk është që nxënësi që do të vijë këtu të studiojë për të bërë mirë recepsionin apo të tjerë komponentë do shkojë të rrijë tek recepsioni gjatë orëve të mësimit, por duhet krijuar një mjedis të dedikuar.

Natyrisht që kjo gjë nuk mund t’u kërkohet hoteleve ekzistuese sepse ato i kanë të gjitha mjediset e përcaktuara, por sigurisht që hotelet ekzistuese do duhet të përfshihen në këtë skemë dhe në ndërkohë, në të gjitha proceset e reja që do të lidhen dhe me lejet e ndërtimit për të gjitha llojet e sipërmarrjeve, ne do të fusim komponentin e hapësirës për arsimin dual dhe për zhvillimin profesional.

Në pamjen e parë, për shkak të kulturës, ky duket një shtrëngim, duket një ngarkesë, duket një shpenzim sepse është njësoj si më thoshte mua trajneri legjendar Rauf Dimraj, “Në këtë vend”, thoshte, “unë nuk e kuptoj sesi ka mundësi që njerëzit shqetësohen dhe bëjnë kaq shumë për të mirëmbajtur makinën e tyre dhe nuk shkojnë njëherë të bëjnë një analizë për të parë sesi është trupi i tyre dhe harxhojnë rregullisht për të larë makinën që të shkëlqejë dhe nuk bëjnë një program të thjeshtë ushtrimesh fizike që të jetë organizmi i tyre që të shkëlqejë siç shkëlqen makina”.

Natyrisht, të rroftë makina në qoftëse organizmin e ke të lodhur. Të rroftë Mecedesi në qoftëse trupin e ke si karrocën e Dylit, të rroftë hoteli me 5 yje nëqoftëse organizmin e gjallë të atyre që e mbajnë hotelin e ke me një yll që tre cepa janë të thyer. Nuk funksionon!

Sot, meqë turizmi është tanimë industria e re që është në shpërthim, ne jemi futur në një hall të madh sepse të hysh në Champions League është hall shumë i madh sepse puna është të mbetesh në Champions League jo të hysh e të dalësh. Në këtë lloj Champions League është shumë e vështirë të rikthehesh sepse ajo shprehja “Më mirë të dalë syri sesa nami” këtu është absolute. Nëse del nami që nuk ka shërbim, nuk ka marrëdhënie që garantojnë që çfarë të jep natyra, ta jep edhe njeriu, atëherë të gjithë këto investime do të kthehen në problem shumë të madh financiar.

Kështu që, thënë të gjitha këto besoj që jemi të qartë se për çfarë flasim, po është shumë e rëndësishme që sipërmarrja të jetë e qartë që këtu nuk bëhet fjalë për ta futur sipërmarrjen në një rresht ushtarak të detyruar. Këtu bëhet fjalë për t’i hapur sipërmarrjes një perspektivë në aspektin e kryesores, sepse sot sipërmarrja jonë në tërësi nuk e ka mungesën e perspektivës te asnjë element tjetër, sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte. Mungesa e perspektivës deri dje për të investuar lart dhe për të pretenduar për të pasur klientë të çfarëdo lloj fushe të interesuar që të justifikojnë investimin, sot nuk ekziston.

Sot ne mund të pretendojmë çdo treg dhe mund të pretendojmë të kemi në Shqipëri klientët që shpenzojnë 15 mijë, 20 mijë euro në ditë, por ata klientë duan që të ndihen të begenisur, të super, super, super… dhe për këtë arsye kjo që ne po bëjmë është një ndihmesë strategjike edhe për vetë sipërmarrjen edhe për çdo kapitalist të Shqipërisë që duhet të fillojë të kuptojë që të jesh një kapitalist i mirë nuk është që të trajtosh sikur i ke shërbëtorët e tu punonjësit. Të jesh kapitalist i mirë është që punonjësit tënd t’i japësh të gjitha arsyet që të ndjehet njeriu më i rëndësishëm për ty. Njësoj si një njëri i familjes në të gjitha aspektet.

Natyrisht kur njerëzit janë të papërgatitur për ta bërë një punë, të ikin, jo thjeshtë se të vjen keq që s’dinë ta bëjnë, po nuk gjen arsye për të ndenjur. Gjithë këta jurista që janë kafeneve. Nuk është e thënë që nuk duan të bëjnë dhe punë të tjera, po s’dinë t’i bëjnë. Atëherë kjo është mundësia për t’ia dhënë këtë rrugë.

Sot mund ta dëshmojnë të paktën sipërmarrësit e industrisë së turizmit që janë këtu sesa janë gati të paguajnë për një menaxher të mirë. Njësoj si në Itali, njësoj si në Greqi, pa problem fare po ku ta gjejnë është pyetja. Dhe duke pritur për ta gjet kalojnë vitet, ndërkohë që nëse ne e bëjmë këtë punë siç duhet, sepse dua ta theksoj këtu është e rëndësishme; nuk është një punë që po e bëjmë vetëm, kemi mbështetjen e qeverisë federale të Gjermanisë që ka vënë një fond dhe ka vënë një skuadër për këtë punë, kemi mbështetjen e qeverisë zvicerane që ka vënë një fond dhe ka vënë një grup dhe skuadër dhe këto të dyja janë vendet kampione të kësaj pune në Europë. E dinë shumë mirë si bëhet kjo punë. Po dinë shumë mirë si bëhet kjo punë duke njohur gjermanët dhe zviceranët. Këtu ne do ta bëjmë këtë punë si shqiptarët me shqiptarët dhe duhet të kapërcejmë atë hendekun që i bën shqiptarët që kur janë në Zvicër të jenë më të mirë se zviceranët, kur janë në Gjermani të jenë më të mirë se gjermanët, kur janë në Shqipëri të ndjehen jo të detyruar për të qenë siç janë atje. Se këtu ka 725 arsye për të mos… se po punoj te hoteli dajës, se është halla që ka atë ka atë restorantin, se kështu dhe dajës i them “po iki icik se më ka ardhur një shoqe nga Zvicra”.

Në mbyllje dua të them që AKPA,  Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, AKPA do të sigurojë edhe funksionimin e fondit, ndërkohë që AKPA do të bëjë një portal të fondit me gjithë komponentët me gjithë informacionin, me të gjithë aktorët e interesuar, me gjithë ato vakancat etj, etj. Pra një portal, ku gjithsecili që i përket këtij lloj konstelacioni të mund të informohet në kohë reale dhe të mësojë në kohë reale, si funksionon një gjë, si funksionon një gjë tjetër, si aplikohet. Kjo është pak a shumë panorama e kësaj që donim të bënim sot dhe ambicia jonë është që deri në 2030 ne të kemi një sistem që të ketë filluar ndërkohë t’i japi gjak të ri ekonomisë tonë duke furnizuar kompanitë tona me burime njerëzore të kualifikuara si duhet. Kjo është ambicia dhe pastaj procesi hyn në shtratin e vet dhe bëhet normal, por arsyeja përse ne kemi marrë shumë kohë dhe pse ndërkohë ministria, AKPA, partnerët tanë janë angazhuar shumë me biseda me kompanitë është sepse ky është një proces që ka një rrezik shumë të madh, që është mostrajtimi i duhur i nxënësve.

Kjo do të ishte e pafalshme, shkelja e parimeve dhe e standardeve se si duhet të funksionojë raporti i nxënëseve me ndërmarrjen dhe i ndërmarrjes me nxënësit. Për ta mbyllur meqë për fatin tuaj të mirë merrem me turizëm nga mëngjesi, mëngjesin tjetër, kurse unë kam dhe ca detyrime të tjera. Dua të sjell dy shembuj, e para lidhur me ata që kthehen.

Ka një realitet shumë interesant dhe shumë frymëzues në Theth. Nëse do të mundeshit, se s’mundi se në rastin tim për shkak të detyrës u mblodhën shumë njerëz kur shkova të shikonit që në atë zonë aq të largët, mosha mesatare e një tubimi jo karakteristike për atë lloj zonash ishte padisktim nën 30 vjeç. Shumë të rinj ishin prezent. Çfarë ishin këta të rinj? Pjesa dërrmuese e tyre ishin të rinj të kthyer nga jashtë. Pse? Për të marrë atë që mundeshin nga përfshirja në atë sektor mikpritje që është hapur atje që është i suksesshëm dhe cilido prej tyre ta tregon me thjeshtësinë e fakteve, cilido prej tyre.

Njëri prej tyre ishte këtu, ishte kthyer, motrën e vëllain e ka akoma jashtë edhe tha i ndihmoj unë nga këtu sepse nuk iu del. Edhe i them, “po kthehuni, se unë u ktheva dhe ju e shihni që kam më shumë për vete, por po iu ndihmoj edhe juve nga Thethi. Kthehuni edhe ju”. Besoje ose jo tha: Thonë na vjen zor, se iu duket sikur po pranojnë që nuk ia dolëm atje. Në fakt ata atje ia kanë dalë. “Na vjen zor”!, por ajo që ndodh atje, jo në atë masë të them të drejtën, të paktën jo në dijeninë time ndodh në shumë zona të Shqipërisë. Njerëz që kthehen, që e kanë kuptuar që nëse ke një mundësi të zhvillosh një pronë, le të jetë ku të dojë, sepse kudo Shqipëria është e mahnitshme dhe turizmi dhe agroturizmi kanë, prandaj quhen fuqi eksportuese, quhet eksport turizmi, hyn tek eksportet sepse faktikisht e sjell paranë nga jashtë deri në majë të malit. Ti mund të kesh një pronë edhe një tokë në një pikë X të Shqipërisë, që ti prodhon sa të duash. Nuk ia del dot, nuk ia del dot se është kosto shumë e lartë. Të duhet të dalësh poshtë, rruga mund të ketë gjatësi të madhe, mund të ketë problemet e veta, të gjesh tregun etj. Ti nuk ia del dot me një sasi të vogël, por ama me po atë pikë ti mund të fitosh duke i sjell ata tek ti dhe ata që vijnë për atë lloj turizmi edhe rrugën e duan ashtu siç e ke. Kjo është shumë e qartë!

Shembulli tjetër që dua të sjell kur them se çfarë do të thotë perspektiva se Gjermania ose vendet atje ta japin perspektivën, e sheh aty “ua si qenka, po shkoj dhe unë”. Po çfarë perspektive mund të perceptojë një nxënës me arsim profesional kur shkon në konviktin e Burrelit ose në një konvikt tjetër?

Çfarë perspektive mund të perceptojnë? Dhe për këtë arsye për ta fuqizuar sepse këtë nuk është se e zbuluam tani, por shumë gjëra iu vjen koha kur krijohen mundësitë. Ne do bëjmë një investim masiv tek konviktet dhe konviktet e arsimit profesional duhet të jenë njëkohësisht dhe vendet ku ata që studiojnë për hoteleri të bëjnë menaxhim sipas meje, por kushtet që ne duhet të krijojmë duhet të jenë optimale që kur vjen fëmija nga një fshat dhe duhet të rrijë në konvikt se nuk kthehet dot në shtëpi atë ditë, ta ketë dhomën e konviktit dhjetë herë më të mirë sesa dhoma që la nga ku erdhi, ndryshe për çfarë do frymëzohet dhe do thotë: “kjo është rruga ime”. Patjetër dhe ai do thotë: “po marr dhe ca dijeni dhe po iki në Gjermani”. Dhe nëse kjo rrugë nga konvikti tek vendi i punës, tek kontakti me punëdhënësin ka këtë nivel tjetër atëherë sigurisht pse të ikë në Gjermani? Për çfarë do iki në Gjermani?

Kështu që, të gjithë së bashku duhet t’i japim një shtysë të re gjithë këtij procesi, ne duke investuar dhe tani do bëjmë dhe këtë fondin, do kemi dhe para nga që s’do na kuptojnë kështu që do ia marrim ne paratë për t’i futur në këtë proces, ata që do na kuptojnë do t’i fusin vet dhe do përfitojnë direkt, nga këta të tjerët do ua marrim ne paratë edhe do t’i kthejmë në investim për kapitalin njerëzor që në këtë periudhë të këtyre viteve që përmbyllin këtë dekadë, por që janë dhe vitet më sfiduese për turizmin sepse rastet e vendeve që iu ka ndodhur efekti i kundërt mbasi janë bërë vende trendi nuk janë pak. Dhe ne nuk duhet të jemi një nga ato raste. Do ishte katastrofë.

Të mund të afrojmë sa më shumë investimet që ju bëni që janë gjithmonë e më të mira me cilësinë e burimeve njerëzore që ju keni në dispozicion. Pra që ta keni detin të bukur jashtë edhe ta keni mikpritjen shumë të bukur dhe nga brenda. Kjo është sfida absolute që ka sot kjo industri. Nuk mjaftojnë hotelet e bukura, restorantet e bukura, duhen njerëzit që shërbejnë aty, por njerëzit që shërbejnë aty ama duhet, se thonë “kamerier, kamerier”, por si shpjegohet atëherë që në shumë hotele prestigjioze nuk ka kamerier të rinj, ata janë aty, kanë 30 vjet dhe janë si zotërinjtë e shtëpisë sepse nga ajo punë marrin të gjithë atë që kanë nevojë, edhe respektin, edhe kënaqësinë, edhe pagën.

Para disa kohësh roja i derës me atë kostumin në Angli, ishte 70 e ca vjeç dhe e pyeta për kuriozitet. 70 e ca vjeç. Nuk më lënë tha të iki dhe kam këtu tha që kur kam qenë i ri. Kështu që, janë figura të kësaj industrie, nuk janë ‘hajde se po të marrim kamarier”. Janë figura të kësaj industrie, por nuk janë juristë. Janë kamarier, që bëjnë punën ashtu siç duhet, të trajnuar, të shkolluar etj se shumë nga ata kanë bërë shkolla të tjera, janë me diploma, por nuk është e hapur rruga. Mbarove ti universitetin direkt do të presin ty. Kate Winslet fitoi Oscar-in me Di Caprion me Titanic, por mbasi bëri një nga shkollat më të mira të aktrimit në Angli punonte në sallameri. Punonte në sallameri dhe shkonte bënte prova për tu marrë nëpër role. Kjo është normale.

Unë nga ana ime ju falënderoj shumë, zëvendësministrat e të gjithë i keni në dispozicion. Siç është bërë e qartë për mua tanimë kur unë iki bisedat bëhen interesante, por s’kam çfarë bëj. Faleminderit!

Previous Denaj në Kuvend: 540 investime të reja në bujqësi nga fondet e IPARD, kontribut që nuk e zhbën përdorimi negativ politik