Granti i BE për Vorë-Hani i Hotit, Ministri Mete nënshkruan marrëveshjen: Granti më i madh i akorduar ndonjëherë nga BE për një projekt investimi! - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Granti i BE për Vorë-Hani i Hotit, Ministri Mete nënshkruan marrëveshjen: Granti më i madh i akorduar ndonjëherë nga BE për një projekt investimi!

Një marrëveshje që siguron 136 milionë Euro grante të BE-së për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit u nënshkrua sot, në Shtëpinë e Evropës, në Tiranë, nga Ministri i Financave Ervin Mete, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe Shefja e BERZH-it në Shqipëri Ekatarina Solovova.

Fondet sigurohen nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe përfaqësojnë grantin më të madh të BE-së që i është dhënë Shqipërisë deri më sot. Projekti investues, me vlerë 373 milionë Euro në total, është bashkëfinancuar me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) (100 milionë Euro) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) (99 milionë Euro), që është institucioni kryesor financues në projekt.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve të huasë në fillim të vitit, nënshkrimi i grantit të BE-së përmbyll strukturën financiare të projektit dhe shënon fillimin e zbatimit të tij. Investimi do t’u mundësojë Hekurudhave Shqiptare të elektrizojnë më shumë se 120 km binarë dhe të rinovojnë 12 stacione treni, përfshirë sisteme të reja sinjalizimi, si dhe përmirësime të sigurisë. Kjo do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe më të shpejta me shpejtësi funksionimi deri në 100 km/h.

Ervin Mete, Ministër i Financave tha: “Ky është granti më i lartë nga BE për Shqipërinë për projekte investimi. Plani i ri i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 900 milionë Euro do të krijojë mundësi për financime të tjera në formën e granteve apo kredive të buta. Synimi është progresi i reformave dhe përshpejtimi i investimeve. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që këtë angazhim të ri të përbashkët, ta realizojmë me sukses brenda afateve ambicioze. Bashkëpunimi i shkëlqyer deri më sot na bën optimistë që kjo mundësi e re të bëhet realitet siç është dhe projekti që po firmosim sot.”

Ky investim është pjesë e strategjisë së BE-së për ta shtrirë Rrjetin Trans-Evropian të Transportit të BE-së – TEN-T – në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është lidhja hekurudhore ndërkombëtare e Shqipërisë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe të BE-së. Linja e re do të përmirësojë qasjen në treg dhe do të rrisë ndjeshëm trafikun ndërkombëtar të mallrave e pasagjerëve drejt porteve, terminaleve, kryeqyteteve dhe aeroporteve me hekurudhë.

Ambasadori Silvio Gonzato, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha: “Lidhja e njerëzve është në thelb të idesë evropiane. Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri deri më sot do të rilidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë. Ajo do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të linjës së re. Projekti mbështet tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë, duke e bërë hekurudhën një mënyrë transporti më efikase dhe më miqësore ndaj klimës.

BERZH, si institucioni financiar kryesor ndërkombëtar në projekt, mbështet projekte që nxisin lidhjen rajonale dhe e sjellin Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së.

Ekatarina Solovova, Shefe e BERZH-it në Shqipëri tha: “Ne jemi krenarë që jemi partnerë me Bashkimin Evropian për të përmirësuar rrjetin hekurudhor në Shqipëri. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe për ta sjellë atë më pranë BE-së. Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme”.

Previous Fillon disbursimi i Skemës Kombëtare në Bujqësi për 2024