Rikthehet pas 8 vjetësh Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë. Organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme “Diplo 2024” do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë.
Në fjalët e tyre përshëndetëse, Kryeministri edi Rama dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani theksuan evolucionin e politikës së jashtme shqiptare në vitet e fundit, teksa nënvizuan edhe prioritetet dhe sfidat që e rrethojnë atë në vijim.
Kryeministri Rama theksoi se falë imazhit të mirë që Shqipëria ka fituar përmes arritjeve të saj në politikën e jashtme, vendi ynë është përzgjedhur për të mirëpritur dy nga samitet më të rëndësishme të arenës globale në vitet e ardhshme.
“Ky besim i fituar, na bën sot të jemi vendi që do të mikpresë vendet e 44 shteteve evropiane, vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Dhe po ashtu, ky respekt, ky besim, na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATOS në vitin 2027. Këto as nuk mund të imagjinoheshin deri disa vite më parë, që Shqipëria të bëhej një pikë referimi dhe të besoheshin të tilla role”, tha KM Rama.
Ministri Hasani nënvizoi se Konferenca e Ambasadorëve synon të shërbejë si një instrument efektiv, se çfarë duhet bërë më shumë dhe më mirë në vijim.
“Politika e jashtme e Shqipërisë, në vitet e fundit, ka njohur arritje të të konsiderueshme. Këto arritje kanë forcuar imazhin e vendit dhe e kanë bërë diplomacinë më pro aktive. Nuk duhet ta ulim ritmin e punës. Ligji i ri i Shërbimit të Jashtëm, synon t’i japë një energji të re diplomacisë sonë”, tha MEPJ Igli Hasani.
Në panelin e parë të Konferencës “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, pjesë e së cilës ishte edhe Zëvendëskryeministrja sllovene Tanja Fajon, u theksua nevoja për përshpejtimin e procesit të integrimit të rajonit në BE.
Ministri Hasani theksoi se qeveria shqiptare vijon përpjekjet e saj të vazhdueshme në përmbushjen e reformave për një përshpejtim të procesit të integrimit.
“Shqipëria gjendet në një moment kyç të historisë së saj të re evropiane, me mundësi reale e të jashtëzakonshme për të ecur përpara e me hapa të shpejtë, për të arritur objektivin tonë strategjik: integrimin e plotë në BE brenda 2030”, tha ai.
Ministrja sllovene Fajon vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit në rajon, teksa ritheksoi mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
“Mendoj që kemi përgjegjësi të madhe në rajon. Për të mbajtur gjërat në drejtimin e duhur, për të ofruar paqe, siguri, perspektivë ekonomike e vizion të mbarë për të ardhmen, për të rinjtë. Sllovenia është një mike e shkëlqyer e Shqipërisë, jemi dhe do të mbetemi mjaft mbështetës në marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha ajo.
Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë. Përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, janë të ftuar edhe personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.