Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, si presidenti i parë izraelit që viziton Shqipërinë që pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Pas takimit të zhvilluar mes delegacioneve, në Sallën e Hartave, Kryeministri Rama dhe Presidenti izraelit Herzog dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp:
* * *
Kryeministri Edi Rama: I dashur presidenti Herzog, Të dashur miq nga Izraeli që keni ardhur në Shqipëri!
Shqipëria e konsideron Izraelin dhe marrëdhëniet me popullin hebre pjesë të historisë krenare të një vendi të vogël, që kanë shkruar një faqe shumë të bukur në historinë e botës, duke qenë vendi europian i vetëm që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara.
Jemi shumë krenarë që paraardhësit tanë, qofshin myslimanë, a të krishterë kapërcyen çdo lloj kufizimi dhe paragjykimi fetar apo të një lloji tjetër dhe mbrojtën hebrenjtë dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Shqipëria u bë një vend ku ndryshe nga vende të tjera hebrenjtë nuk largoheshin, por vinin të gjenin miqësi, strehë dhe mbrojtje. Është një lidhje historie që gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi të prirur ta forcojmë. Nga ana tjetër, kemi qenë, jemi, e do të vazhdojmë të jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme e mënyre antisemitizimi e po kështu kundër çdo lloj shprehjeje intolerance a paragjykimi kundër hebrenjve.
Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë është absolutisht shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Nga ana tjetër, jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, e se lufta e fitorja kundër terrorit është shumë më e vështirë sesa ç’mund të duket nga larg.Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë po kështu një mbështesë mjaft e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekjeje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet e për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithëve njerëzve.
Jam shumë i prirur të theksoj se ndërkohë që këto janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, për popullin e tij e për të gjithë popujt që jetojnë në atë kënd të botës, e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme e një Izraeli më të fortë e më të sigurt e pa asnjë dyshim në një rajon më të begatë e më të paqtë e vizionar.
Ndërkohë jemi këtu krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë, qofshin turistë a sipërmarrës, artistë, shkrimtare, qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë apo qoftë dhe ata në moshë më të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre këtu në zemër të Europës, në breg të dy deteve rrethuar nga shumë lumenj, në një natyrë ku gjen gjithçka brenda një hapësirë shumë të vogël të një vendi po kaq të vogël sa Shqipëria.
Bashkëpunimi ekomomik midis dy vendeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar me shpejtësi. Prirjet janë mjaft inkurajuese dhe të dukshme, por natyrisht është afër mendsh që mund të bëjmë shumë më tepër.
Në fund, jam shumë, shumë i lumtur që më së fundi kam Presidentin këtu si mik, jo vetëm si President i Izraelit, por edhe si një mik shumë i dashur dhe i vjetër që kam pasur privilegjin ta njoh shumë kohë më parë, kur ishte në llogoret e politikës së ditës në Izrael dhe është një kënaqësi e vërtetë të kesh mundësi të ulesh me të, ta dëgjosh dhe të mësosh prej tij.
Një njeri mjaft i mençur, i shquar, një njeri me përvojë, i cili ka në zemër miqësinë me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar dhe jam i sigurt që pas kësaj vizite do të jetë më i motivuar që të nxitë forcimin edhe më shumë të kësaj marrëdhënie të rëndësishme. Faleminderit zoti president sërish.
Faleminderit shumë miku im, fjala është për ju.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog: Faleminderit shumë miku im i dashur, kryeministër Edi Rama, miku im Edi prej kaq shumë vitesh. Është nder dhe kënaqësi për mua që gjendem këtu në Shqipëri si presidenti i parë izraelit që bën vizitë qysh prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona.
Dua t’ju falënderoj për këtë mikpritje kaq të ngrohtë.
Për mua është mjaft domethënëse që të jem mes miqsh në këtë kohë mjaft të dhimbshme për Izraelin. Po i afrohemi një viti qysh se Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin, një vit qysh se mijëra terroristë ndërhynë në vendin tonë, vranë egërsisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelitë dhe shtetas të huaj në Gaza dhe qysh prej asaj dite të errët në tetor, Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historisë.
I dashur kryeministër,
Vendi juaj ka treguar edhe një herë që qëndron krahë popullit izraelit dhe ndërkohë që ne luftojmë të mbrojmë popullin, kufirin tonë dhe civilizimin tonë dhe që luftojmë veçanërisht për ëndrrën për të sjellë paqe midis nesh dhe Palestinës, me shpresën që të gjithë kombet në rajon të jetojnë në paqe.
Puna jonë s’ka mbaruar ende, siç e përmendët, pengjet ende mbahen në mënyrë mizore në Gaza nën një shkelje mjaft të madhe të normave humanitare e ndërkombëtare. Kështu që duhet bërë gjithçka në mundësinë tonë për të sjellë në shtëpi të gjithë ata.
Për fat të keq po luftojmë në të njëjtën kohë më shumë sesa një armik terrorist dhe në fakt hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe fiksimi i tij mizor antisemit në shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe këtu në Shqipëri e njihni mjaft mirë këtë regjim radikal. Por marrëdhëniet tona nuk fillojnë e mbarojnë aty. Shqiptarët dhe hebrenjtë siç e përmendët në mënyrë korrekte ndajnë një histori të gjatë dhe domethënëse. Hebrenjtë e mbarë Europës gjetën strehë në Shqipëri gjatë Holokaustit që është një dëshmi e traditës etike të rrënjosur thellë të shqiptarëve të çdo besimi fetar dhe shpirtit të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar.
Kemi shumë për të mësuar tanimë për njëri-tjetrin, jam shumë i kënaqur që gjendem këtu e që eksploroj rrugë të reja për të thelluar lidhjet tona në të gjitha sferat e jetës, me një rritje të konsiderueshme të konektivitetit në shumë sfera të jetës, sidomos në fushën ekonomike. Me mua këtu ka anëtarë të rëndësishëm të biznesit izraelit ne delegacion në këtë udhëtim dhe kjo në fakt tregon shumë për afërsinë tonë.
Jam shumë i kënaqur që pata mundësinë që t’i diskutoja të gjitha këto gjëra personalisht në diskutimet tona, mjaft të frytshme sot edhe me presidentin tuaj e sidomos me ju, Edi që jeni miku ynë i dashur, miku ynë i shkëlqyer.
Kombi i Izraelit kurrë nuk do të harrojë se ju dhe kombi shqiptar qëndruat krah nesh në këto kohë të vështira. Kështu që me lejoni të mbyll fjalët e mia në shqip dhe natyrisht të kërkoj ndjesë nëqoftëse nuk janë të thëna plotësisht mirë.
Falenderoj popullin shqiptar për miqësinë e vazhdueshme ndër vite!