240 oficerë sigurie në shkolla, Manastirliu: 733 incidente më pak në shkolla, forcojmë rrjetin e sigurisë për parandalimin e fenomeneve negative - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

240 oficerë sigurie në shkolla, Manastirliu: 733 incidente më pak në shkolla, forcojmë rrjetin e sigurisë për parandalimin e fenomeneve negative

Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, zhvilluan sot një takim me oficerët e sigurisë dhe mësuesit në shkollën “Kosova”, në kuadër të masave për përmirësimin e sigurisë në shkolla.

Ky takim vjen në vijim të nismës “Shkolla të Sigurta”, një projekt i përbashkët mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që ka për qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për nxënësit në të gjithë vendin.

Kryeministri Rama u ndal te mbështetja e qeverisë për arsimin dhe gjithë stafin arsimor për të siguruar një arsim cilësor, por edhe të sigurt.

“Në këto 10 vite kemi ndërtuar më shumë sesa në 40 vitet e marra së bashku. Ky vit shkollor sapo ka nisur me një grup shkollash të reja që i shtohen një tërësie godinash arsimore, fryt i një investimi 10-vjeçar. Ne nuk jemi të fokusuar vetëm te godina dhe infrastruktura, por edhe te fuqizimi i autoritetit të mësuesit dhe motivimi i vazhdueshëm i trupës mësimore. Këtë e kemi bërë në të gjitha mënyrat, por mbi të gjitha duke vendosur si objektiv strategjik të qeverisë sonë rritjen e pagave për mësuesit. Synimi ynë është që Shqipëria 2030 të jetë kampione në të gjitha aspektet,” tha Kryeministri Rama.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve për të garantuar jo vetëm shkolla me infrastrukturë moderne, por mbi të gjitha shkolla të sigurta për nxënësit. Ajo vuri në dukje rolin e rëndësishëm të oficerëve të sigurisë në shkolla, duke theksuar se ky pozicion është thelbësor në parandalimin e fenomeneve negative, si bullizmi, dhuna fizike dhe ajo kibernetike.

“Oficerët e sigurisë janë një shtyllë kyçe në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe në krijimin e një ambienti të paqtë dhe të sigurt. Sot jemi shumë të ndërgjegjshëm për rreziqet me të cilat përballen fëmijët tanë, ngacmimet, agresionin dhe dhunën në çdo formë, që nga ajo verbale, ndonjëherë edhe fizike, dhe sigurisht ajo online. Bullizmi dhe fenomenet negative për shkak të përdorimit të teknologjisë, internetit dhe rrjeteve sociale janë arsyeja për të cilën ne kemi ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar një rrjet të sigurisë kombëtare në shkolla, për parandalimin dhe sinjalizimin e hershëm të këtyre fenomeneve. Për këtë arsye, ne kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla, duke e çuar atë në 240.

Dhe shifrat tregojnë se gjatë vitit 2023-2024 rastet e incidenteve në shkolla janë ulur me 733, krahasuar me një vit më parë,” tha Manastirliu, duke vënë theksin edhe te fakti se, ashtu si paga e mësuesve, psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla, është rritur edhe paga e oficerëve të policisë me 20%, për të qenë më të përkushtuar në punën e tyre.

Ministrja Manastirliu theksoi gjithashtu rëndësinë e trajnimeve të vazhdueshme për oficerët e sigurisë, duke njoftuar se gjatë muajve shtator-tetor 2024, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të realizojë trajnime për “Sigurinë Kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijëve nga bullizmi online”.

“Oficerët e sigurisë trajnohen dhe edukohen nga Akademia e Sigurisë për të përmbushur detyrën parësore që ata kanë në shkollë. Sigurisht që hapat që kemi ndërmarrë për trajnimin e tyre janë të vazhdueshëm, dhe aktualisht jemi duke punuar për një trajnim të radhës për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijëve,” tha Manastirliu.

Ministrja u ndal edhe te programet e reja dhe ato jashtëkurrikulare për nxënësit, të cilat do të zgjerohen, si programi “Art, Zeje dhe Sport”, programi “Shkolla Qendër Komunitare” apo “Ekipet Sportive në shkolla”, për të krijuar një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt për nxënësit tanë.

“Jemi duke vlerësuar një program të ri për fëmijët që janë Shkollat Verore. Besoj që të gjithë ne kemi prioritet që fëmijët t’i mbajmë të lidhur me shkollën, me ambientet e dijes dhe me programe të tjera. Gjithashtu, duam që mësuesit, të cilët arrijnë moshën e pensionit, të mund të angazhohen në këto shkolla verore. Nuk ka gjë më të mirë se të hapen shkollat edhe gjatë verës. Do të nisemi me një program pilot në vitin 2025, dhe besojmë se kjo do të jetë një risi që shkollat të jenë të hapura edhe gjatë periudhës së verës,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ndërsa Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se: “Paketa e sigurisë në shkolla është hartuar me një qëllim të qartë: të garantojë që çdo shkollë të jetë një vend ku mbizotëron jo vetëm arsimi cilësor, por edhe siguria për të gjithë. Aktualisht kemi shtuar praninë e forcave policore në zonat rreth shkollave dhe mbikëqyrjen e tyre me kamera, me qëllim kontrollin dhe parandalimin e çdo incidenti që dëmton sigurinë e nxënësve. 240 oficerë të sigurisë janë ura lidhëse mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Arsimit. Syri dhe veshi i policisë në shkolla janë një hallkë e pazëvendësueshme dhe vlera e shtuar e gjithë sigurisë së nxënësve në shkolla.”

Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Ministri Hoxha konfirmuan angazhimin e qeverisë për të vazhduar mbështetjen e kësaj nisme në të gjitha shkollat e Shqipërisë, duke i bërë ato jo vetëm vatra të edukimit, por edhe të sigurta për nxënësit dhe mësuesit.

Previous Ministrja Ibrahimaj: Miratimi i Ligjit të Ri për Inspektimet – Një Hap Thelbësor në Lehtësimin e Barrës për Bizneset Shqiptare