Fjala e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në Kuvend për ndryshimet në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në Kuvend për ndryshimet në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve”

E nderuar kryetare!

Të nderuar deputetë!

Të dashur qytetarë!

Jam sot para jush për të prezantuar  disa ndryshime shumë të rëndësishme dhe thelbësore në Ligjin për “Urdhërin e Mjekëve”, ndryshime që shkojnë unanimisht në përputhje të interesit me të lartë për qytetarët.

Propozimi i këtyre ndryshimeve është pa dyshim një nga nismat më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë sa i përket marrëdhënies së punësimit dhe angazhimit të mjekëve në sektorin shëndetësor publik.

Këto ndryshime kanë për qëllim forcimin e mekanizmave të kontrollit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve mjekësore në sektorin publik për qytetarët.

Konkretisht këto ndryshime konsistojnë në vendosjen e rregullave të qarta për të shmangur konfliktin e interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik.

Ndërkohë që u ndalohet drejtuesve të spitaleve publike të çdo niveli që të jenë drejtues të klinikave shëndetësore private në çfarëdo niveli qofshin

Këto ndryshime do të sigurojnë shërbim edhe më cilësor ndaj qytetarëve, por dhe një imazh më të pacënuar për mjekët tanë.

-Gjithashtu këto amendime synojnë vendosjen e rregullave për dypunësimin e mjekëve duke përcaktuar një balancë të domosdoshme dhe të drejtë, mes punës në sistemin publik dhe atë jo publik, sigurisht pa cënuar asnjë të drejtë që kanë mjekët për dypunësimin.

Kjo është bërë për të siguruar që prioriteti i tyre të mbetet tek shërbimet publike dhe për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve, pa i dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike.

Gjithashtu, do të miratohet edhe Kodi i ri I Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore me qëllim monitorimin e plotë të rasteve abuzive dhe shkeljeve të disiplinës dhe etikës profesionale.

Duke forcuar masat disiplinore deri edhe duke parashikuar masa si pezullimi dhe heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut.

Nga ana tjetër kemi garantuar respektimin e procedurave të ankimimit administrativ dhe gjyqësor, duke siguruar drejtësi dhe transparencë në shqyrtimin e ankesave.

Gjithashtu fokus i jepet autonomisë spitalore, nëpërmjet këtyre amendimeve, mjekët që punojnë në një spital me autonomi financiare, nuk do të punojnë në struktura private, pasi do të jetë vet spitali autonom që do u jap mundësinë të punojnë e shfrytëzojnë ambientet e spitalit publik, jashtë orarit zyrtar për të punuar privatisht.

Nëpërmjet këtyre amendimeve synojmë rritjen e Transparencës dhe llogaridhënies duke krijuar edhe një regjistër publik elektronik për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucione jopublike.

Amendimet e propozuara, janë në përshtatje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqine, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara. Në ligjet e vendeve fqinje të rajonit si Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, apo të Europës, si Franca e Italia, të Anglisë, Kanadasë dhe SHBA-së, ka kufizime e rregullime të qarta lidhur me dypunësimin e mjekëve.

Këto propozime i japin fund një situatë të trashëguar të konfliktit të interesit që gjërësisht mbizotëron në sektorin shëndetësor.

Shmangin ecejaket e qytetarëve, rrisin cilësinë dhe standardet, si dhe krijojnë një mekanizëm të qartë dhe transparent për të gjithë.

Të gjitha këto, kanë të bëjnë me një interes vital dhe të panegociueshëm për asnjë arsye,  ofrimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët.

I kam ndjekur me vëmendje debatet ekohëve të fundit dhe ato debate që u zhvilluan në Komisionin e Shëndetësisë.

Ndaj, dua që pikë së pari të theksoj se:

Në asnjë vend normal, nuk diskutohet a është e drejtë që të ketë rregullore për orarin e punës.

Në asnjë vend të botës, nuk ka debat mbi faktin që duhet të ketë transparencë dhe qytetari të njohë cili është mjeku që e trajton.

Si dhe në asnjë vend, nuk ka një debat politik mbi nevojën e pasjes së rregullave  dhe procedurave të qarta disiplinore që vendosin drejtësi në rastin e shkeljeve apo neglizhencës.

Siç nga ana tjetër, në asnjë vend të botës nuk diskutohet se përse janë kaq urgjente dhe të nevojshme këto ndryshime për t’u ndërmarrë kaq shpejt me Akt Normativ.

Në këtë sallë, për fat të keq, ngritja e retorikave të zjarrta, sa herë që ne propozojmë reforma të rëndësishme me ndryshime thelbësore për të përmirësuar dhe zhvilluar akoma më tek sistemin tonë shëndetësor, është bërë një refren i zakonshëm dhe nganjëherë monotone.

Sidoqoftë, dua te tregohemi sa më të qartë dhe transparentë përballë të gjithë qytetarëve, si dhe përballë të gjithë klasës së mjekëve,  për të qartësuar se çfarë ndryshon me këto amendime.

Prandaj, të nderuar deputetë!

Është në interesin e përbashkët të të gjithë qytetareve, qofshin ata të majtë apo djathtë, të gjithë pa përjashtim kanë nevojë për shërbime shëndetësore në sektorin publik,  kanë nevojë tëë shmanget konflikti i interesit, të garantohet një shërbim sa më cilësor, të vendosen rregulla të qarta për dypunësimin, si dhe një balancë e rregullt mes  angazhimit publik dhe atij privat për mjekët.

-Të krijohen procedura efikase dhe transparente, për rastet e shkeljeve flagrante apo neglizhencës.

Kemi ndjekur dhe i kemi përshtatur propozimet tona  me ligjet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara. Çdo masë e propozuar është e ngjashme ose në përputhje me kode të avancuara që këto vende aplikojnë.

Që ta kuptoni më mirë rëndësinë e vendosjes së qartë të rregullave po ju rendis disa fakte të dala nga të dhënat e marra direkt nga Urdhëri i Mjekëve, në lidhje me procedimet disiplinore të zhvilluara pranë tyre.

Sipas këtyre të dhënave, qartësisht rezulton se për periudhën 2005 – 2023, janë administruar 632 ankesa, të cilat kryesisht janë mbyllur me mirëkuptim ose ballafaqim dhe në shumicën e rasteve nuk kanë kaluar në një vlerësim të thelluar nën optikën e parashikimeve  të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ka të parashikuar.

Ndërkohë, gjatë së  njëjtës periudhë kohore 18 vjeçare, janë trajtuar 110 ankesa, të cilat kanë kaluar në një gjykim disiplinor që lidhen  me shkelje të Kodit të Etikës, duke filluar nga mungesa e etikës së mjekut  deri dhe në gabimin mjekësor nga ana e tij.

Në përfundim të shqyrtimit të këtyre 110 procedimeve disiplinore janë dhënë nga organi kompetent vetëm 60 masa disiplinore, edhe ato simbolike.

Pra kuptohet qartë se për një periudhë 18 vjeçare numri i procedimeve ka pasur një mesatarë shumë të ulët, dhe akoma më e ulët ka qenë dhënia e masave disiplinore.

Padyshim dua të sqaroj këtu se që nuk është qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale të rrisë numrin e ndëshkimeve.

Ne nuk kemi asnjë interes që të rrisim artificialisht numrin e rasteve të hetuara apo të kaluara në Komisione Disiplinore.

As të “trembim” mjekët, siç u tha përpara disa ditësh në Komisionin e Shëndetësisë.

Por, ne nuk mund të lejojmë që përpara rasteve flagrante, sidomos kur neglizhenca cënon jetën apo sjell dëme të pakthyeshme tek qytetari, të mbyllim sytë.

Është fakt: Askush më shumë se kjo qeveri nuk ka bërë për të ngritur në piedestalin që meriton figurën apo statusin e mjekut.

Ne besojmë që mjeku është një figurë që meriton një respekt të posaçëm, në përputhje me sakrificat që shumë pak profesione të tjera i bëjnë.

Por, kjo nuk do të thotë që një kategori e caktuar profesionistësh apo njerëzish kanë të drejtë të qëndrojnë mbi ligjin!

Ligjet dhe reformat e shtetit janë ato që i sigurojnë qytetarëve shërbimie më të barabarta, më të drejta më cilësore, trajtimin që ata meritojnë.

Pikërisht për këtë kemi filluar edhe aplikimin e autonomisë spitalore që u garanton qytetarëve më pak ecejake në derën e mjekut, më pak burokraci, më shumë akses ndaj marrjes së shërbimit të nevojshëm, ndërsa ju krijon dhe vetë mjekëve më shumë mundësi përfitimi profesional dhe financiar, brenda sistemit publik.

Autonomia, me rritjen e cilësisë së shërbimeve, me përmirësimin e marrëdhënies publik-qytetar, me rritjen e aksesit, me hapësirën e shtuar për t’u rritur financiarisht dhe profesionalisht për mjekët, me modernizimin dhe inovacionin që nxit, si dhe me shumë përfitime të tjera, mbush përfundimisht një boshllëk të munguar.

Prandaj, jemi më në fund në pikën ku mund të synojmë të hedhim një hap të ri, pa dyshim të guximshëm dhe kurajoz, por gjithashtu të sprovuar,

Faktet janë këtu, e vërteta është këtu!

Për të qartësuar edhe një herë lidhur me shqetësimet që Urdhëri i Mjekut bëri prezent në diskutimet që kishim, lidhur me pavarësinë e tij, dëshiroj t’ju kujtoj se në legjislacionin shqiptar, siç dhe ju shumë mirë e dini, ka raste ku Urdhërat funksionojnë më së miri dhe në mënyrë të pavarur me kompetenca shumë më të reduktuara se ato të Urdhërit të Mjekut, i cili edhe pas këtyre ndryshimeve, vazhdon të ketë një rol përcaktues dhe të pazëvendësueshëm në çdo aspekt të rregullimit të profesionit të mjekut.

Por, pa u zgjatur më tej në argumente ligjorë të cilat janë ezauruar plotësisht, dua ta mbyll duke theksuar edhe një herë se vota për të mbështetur këto mendime që ky Kuvend do të marrë, do të rrisë akoma më shumë  profesionalizmin, llogaridhënien dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Do të votoni në mbështetje të vijimit të transformimit radikal që ka ndodhur dhe po ndodh në sistemin tonë shëndetësor.

Do të votoni pro pasjes së rregullave të qarta, që balancojnë interesin e të gjithë palëve të përfshira dhe që kërkojnë shërbim shëndetësor nga strukturat publike.

Si dhe do të votojë pro thellimit të meritokracisë në sistemin tonë shëndetësor.

Do të votoni pro qytetarëve që duhet të jenë prioriteti i çdo kahu politik.

Faleminderit!

Previous Fjala e Ministres Balluku në Kuvend