Mbahet në Tiranë Konferenca e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut, ministri Vengu: Shqipëria e palëkundur në garantimin e paqes dhe sigurisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Mbahet në Tiranë Konferenca e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut, ministri Vengu: Shqipëria e palëkundur në garantimin e paqes dhe sigurisë

Nisën sot në Tiranë punimet e Konferencës së 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5), nismë që këtë vit kryesohet nga Shqipëria .
Ky takim i rëndësishëm i përfaqësuesve më të lartë ushtarakë të vendeve të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut u përshëndet edhe nga presidenti i Republikës, njëherësh komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë gjeneral Christopher G. Cavoli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji.

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu theksoi se ky takim simbolizon përkushtimin e vendeve tona për sigurinë kolektive, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe stabilitetin rajonal: “Secili nga vendet tona ka historinë dhe sfidat e veta unike, por ne jemi të bashkuar nga një qëllim i përbashkët: të garantojmë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Lidhjet që ne forcojmë përmes kësaj konference shtrihen përtej fuqisë ushtarake; ato përfshijnë parimet e lirisë, të drejtat e njeriut dhe prosperitetit për popujt tanë. Në këtë kuptim, është e domosdoshme të ndërtojmë dhe avancojmë këto parime, vlera dhe rezultate të arritura deri më tani dhe jo të vetëkënaqemi, apo aq më keq, t’i çojmë në regres”, – u shpreh ministri Vengu.

Shqipëria, sipas ministrit të Mbrojtjes, vijon të ketë në fokus të saj, promovimin e fqinjësisë së mirë, pranimit të njëri-tjetrit, integrimin e plotë euroatlantik dhe forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit rajonal: “Mos të biem pre e interesave dhe ndërhyrjeve dashakeqëse të Rusisë, Kinës dhe Iranit, të cilat përbëjnë një triadë mjaft shqetësuese dhe për ne si Shqipëri, ato nuk duhet të kenë vend në të tashmen dhe të nesërmen e rajonit tonë”, – nënvizoi në fjalën e tij ministri Vengu.

Teksa foli për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ministri i Mbrojtjes tha se: “Historia nuk ka qenë shumë ‘e dashur’ me rajonin tonë, por assesi nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës. Është thelbësore të tejkalohen problemet etnike, kulturore dhe politike që kanë qenë vetëm burim konfliktesh. Mësimet duhet t’i kemi nxjerrë, edhe pse shpeshherë, dëgjojmë zëra përçarës e zjarrnxitës ‘partnerë të vlerave perëndimore në deklarata, por ithtarë dhe shërbëtorë të dukshëm të luftës hibride të Lindjes’, të cilët gjithashtu nxisin grupet ultranacionaliste e kriminale të vendosin në pikëpyetje stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajon”.

Shqipëria, – theksoi më tej në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes, – do vijojë të jetë një avokate e palëkundur e bashkëpunimit rajonal dhe në një mori iniciativash rajonale; Karta e Adriatikut qëndron në ballë me tregues të prekshëm, si pjesëmarrja e vendeve tona në Afganistan para shumë viteve, apo trajnime e stërvitje të përbashkëta, siç është seria e stërvitjeve Defender Europe, rishtazi”.

Teksa informoi për projektet e radhës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe misioneve të Forcave të Armatosura në krah të Aleancës së NATO, ministri Vengu theksoi se: “duhet gjithashtu që Karta të qëndrojë besnike e parimeve themelore të saj, përfshirë ‘Politikën e Dyerve të Hapura’. Në këtë kuptim, më lejoni të them, që vendi i Kosovës duhet të jetë këtu, në këtë tavolinë”.

Në mbyllje të fjalës së tij, ministri Vengu nënvizoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët të aleatëve dhe partnerëve të NATO: “Në një botë që ndërlidhet gjithnjë e më shumë, është e domosdoshme të punojmë së bashku dhe të shfrytëzojmë fuqinë kolektive. NATO dhe BE qëndrojnë si forca të pakrahasueshme dhe shumëfishuese për të ardhmen e rajonit, ndërsa SHBA ‘ylli polar’, pa të cilin, ky rajon, nuk do ishte ky që është sot”, – u shpreh ministri Vengu.

Kjo konferencë bashkëkryesohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor Arben Kingji komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli.

Fokusi i kësaj konference janë zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, rritja e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të NATO-s për vendet partnere.

Në punimet e ditës së sotme marrin pjesë vendet nënshkruese të A-5: SHBA, Shqipëri, Bosnje – Hercegovinë, Kroaci, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndërsa në statusin e vëzhguesit janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Kosova dhe Sllovenia, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli, Itali, si dhe adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të SHBA (New Jersey, Maryland, Minnesota, Vermont, Maine), shtetet e Programit të Partneritetit Shtetëror Vëzhgues (Ohio, Colorado, Iowa).

Previous Përmbledhje e Performancës Paraprake të të Ardhurave dhe Shpenzimeve për periudhën 8-mujore 2024