Shkup, mblidhet takimi i 18-të vjetor të Ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në takimin e 18-të vjetor së Ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore (EJL), që nën kujdesin e SWG u mblodhën në Shkup për të diskutuar mbi zhvillimet e ardhshme në sektorët e bujqësisë, zhvillimit rural dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.
Ministrja Denaj në fjalën e saj të mbajtur në këtë takim theksoi se zhvillimet e shumta të kohëve të fundit sollën nevojën për të reduktuar varësitë dhe për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit, ndërsa theksojnë përafrimin me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP).
“Sektori bujqësor po përballet me sfida të rëndësishme, duke përfshirë çmimet e paqëndrueshme të tregut, ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike dhe aksesin e kufizuar në financa, gjë që pengon suksesin e fermerëve të vegjël, tha Denaj, duke adresuar se këto sfida, janë thelbësore që ne t’i përshtatim politikat tona në përputhje me strategjitë e provuara të Komunitetit Evropian, ku Kuadri i Politikës së Përbashkët Bujqësor është i rëndësishëm për mbështetjen e fermerëve, promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë ushqimore”.
Ministrja Denaj theksoi se Qeveria shqiptare është e përkushtuar të adoptojë praktikat më të mira dhe të përmirësojë bashkëpunimin, aksesin në treg dhe mundësitë e financimit për fermerët. Ajo i njohu të pranishmit me nismat e ndërmarra së fundmi nga ky institucion në mbështetje financiare për fermerët dhe agropërpunuesit, që synojnë modernizimin e sektorit bujqësor, në veçanti mbështetjen e inovacionit, investimin në teknologjitë e reja, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e jetesës në zonat rurale, të cilat përfshijnë grante dhe masa për të rritur dhe aksesin në financa.
Ministrat dhe krerët e delegacioneve pjesëmarrës në këtë takim diskutuan dhe ndanë angazhimet e tyre politike për integrimin në BE dhe aspektet e politikave që lidhen me bujqësinë dhe zhvillimin rural, veçanërisht në lidhje me Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen e CAP(Politika e përbashkët bujqësore) të BE-së dhe përafrimin me acquis të BE-së, rëndësinë e Dialogut të Politikave Bujqësore si edhe Proçesin e Berlinit.
Kjo temë u ngrit duke iu referuar “Axhendës së Jahorinës 2024”, e cila përfaqëson konkluzionet e nxjerra nga Forumi i Politikave Bujqësore të këtij viti të mbajtur në Jahorinë në Qershor 2024.
Një pikë tjetër e rëndësishme ishte nënshkrimi i Deklaratës për Ushqimin dhe Bujqësinë që është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Proçesit të Berlinit, me theks të veçantë në arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në bujqësi.