Ministri Malaj mbledh Këshillin Tatimor, prezantohet Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministri Malaj mbledh Këshillin Tatimor, prezantohet Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027

Nën drejtimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, u zhvillua mbledhja e Këshillit Tatimor, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e draft- Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027, në kuadër të procesit të konsultimit publik të saj.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj tha se drafti i Strategjisë është konsultuar dhe dakordësuar me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa përbën një parakusht që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian “Faciliteti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” (Growth Plan).

Ministri i Financave theksoi faktin se strategjia nuk parashikon ndryshim të normave tatimore dhe garanton stabilitet fiskal për tatimpaguesit, ndërsa ka si objektiv kryesor rritjen e nivelit të mbledhjes së të ardhurave, nëpërmjet miradministrimit fiskal. “Nëpërmjet kësaj strategjie ne parashikojmë rritjen e të ardhurave me rreth 65 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027 ose 2.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto krahasuar me vitin 2019, ku peshën kryesore e kanë masat që do të merren nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor”, u shpreh z. Malaj.

Në vijim, Ministri vuri në dukje se draft strategjia ka tre shtylla kryesore, një prej të cilave lidhet me rishikimin e politikës tatimore, me fokus në rishikimin e përjashtimeve apo normave të reduktuara të tatimeve të direkte dhe indirekte.

Nga kjo shtyllë, tha z. Malaj, parashikohet që rritja e të ardhurave tatimore të jetë me rreth 9 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027.

Shtylla e dytë e strategjisë lidhet me mirëadministrimin tatimor, e cila parashikon rritje të të ardhurave tatimore me 51 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027.
Ministri tha se disa prej komponentëve kryesorë të kësaj shtylle lidhen me reduktimin e punës së padeklaruar apo reduktimin e nëndeklarimit të pagës reale, si dhe reduktimin e uljes së pagesave në cash në ekonomi.

“Komponent kryesor i kësaj shtylle është edhe dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që të rrisim deklarimet si dhe të ulim informalitetin. Normalisht nëpërmjet këtyre instrumenteve ne do të rrisim edhe profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësohet investigimi i rasteve të shmangies tatimore”, tha z. Malaj.

Sa i përket shtyllës së tretë që lidhet me miradministrimin doganor, Ministri tha se fokusi kryesor do të jetë në zhvillimin e sistemeve të IT-së, në mënyrë që administrata doganore të ketë mundësi që të bëjë një profilizim më të thelluar të riskut për subjektet tatimpaguese, sikundër dhe të rrisë zhvillimin analitik të të dhënave të tyre në mënyrë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave doganore.
Mbledhja e Këshillit Tatimor vijoi me një prezantim të detajuar të draft Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit, 2024-2027, e më pas me diskutime nga anëtarët e KT.

Previous SHBA, Asambleja e Përgjithshme e OKB, New York – Fjala në emër të Shqipërisë