Pjesë nga fjala e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare:
I nderuar Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare,
Të nderuar anëtarë,
Dëshiroj t’ju falenderoj për këtë seancë dëgjimore për t’i shpjeguar Komisionit, dhe më gjerë edhe publikut, ecurinë e çështjeve që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, kriminalitetin dhe zbatimin e ligjit të sapomiratuar “Për Policinë e Shtetit”.
Në përgjigje të kërkesës tuaj, do doja të isha i pranishëm brenda afatit të kërkuar nga ana juaj, por për shkak të një vizite zyrtare të parashikuar në Gjermani, në kuadër të Procesit të Berlinit – ku ndër të tjera pata mundësinë të flas nga afër me homologen gjermane dhe me ministren për Migracionin të Britanisë së Madhe, – e kisha të pamundur paraqitjen time këtu. Për këtë arsye, kërkova shtyrjen në kohë të kësaj seance dëgjimore.
Siguria e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe e çdo individi që viziton Shqipërinë është boshti dhe fokusi i vetëm i të gjithë veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme dhe i institucioneve të saj të varësisë, sipas misionit dhe instrumenteve që disponojnë.
Vëmendja ndaj sigurisë së qytetarëve ka udhëhequr çdo përpjekje dhe arritje të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, si për hartimin e e legjislacionit të një rëndësie të veçantë, ashtu edhe për rritjen e bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese në vend dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Sikurse e dini, unë jam emëruar në detyrën e Ministrit të Brendshëm prej rreth 50 ditësh. Gjatë kësaj kohe, kam ndjekur dhe mbikëqyrur me shumë vëmendje përmbushjen e prioriteteve dhe objektivave të institucionit që drejtoj.
T’ju them te drejtën, nuk e kuptoj sensin e urgjencës me te cilin është kërkuar kjo seancë dëgjimore, megjithatë, në respekt të ligjit dhe të këtij Komisioni, unë jam këtu për t’iu përgjigjur të gjitha çështjeve me interes për ju dhe opinion publik.
Atëherë, bazuar në kërkesën e disa prej anëtarëve të këtij këtij Komisioni për 4 çështje, ju informoj se:
Ne ju kemi dërguar disa ditë më parë një material informues, i cili ka të dhëna statistikore, bazuar në pyetjet tuaja, dhe nuk e shoh të arsyeshme t’i marr kohë këtij Komisioni për ta rilexuar. Ndaj, dëshiroj të ndalem te disa tregues kuptimplotë që dëshmojnë se rendi dhe siguria në vend është në parametra optimalë dhe se tashmë krahasimin e bëjmë me vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Shqipëria, edhe këtë vit, po vijon me trendin rritës të numrit të turistëve. Shifra e 10 milionë turistëve është tejkaluar nën sloganin “Safe Stay in Albania”, lancuar para fillimit të sezonit turistik. Falë angazhimit dhe kontributit të madh të Policisë së Shtetit, për të dytin vit radhazi, kemi patur një sezon me zero ngjarje kriminale, me pushues të huaj.
Numri i automjeteve që kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria kaloi shifrën 7 milion, më saktësisht me 7.2 milion, ndërsa numri i jetëve të humbura nga aksidentet është ulur me 17%, ose e thënë ndryshe, 21 jetë të shpëtuara më shumë se viti i kaluar. Sikurse e dini, gjatë muajit qershor u zhvillua në Tiranë Konferenca e 51-të Rajonale e INTERPOL-it për Evropën, aktiviteti më i rëndësishëm i këtij lloji në kontinent, me pjesëmarrjen e rreth 200 delegatëve nga vendet anëtare të INTERPOL-it.
Angazhimi i Shqipërisë dhe organizimi nga Policia e Shtetit morën vlerësimet maksimale nga Sekretariati i Përgjithshëm i INTERPOL-it dhe delegacionet e vendeve anëtare.
Zgjedhja e Shqipërisë si organizatore dhe vend pritës për këtë konferencë është dëshmi e fortë se rendi dhe siguria në vend janë në nivele europiane.
Ju kërkoni informacion për ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë verës, për të cilat keni shpjegime të detajuara në materialin që dispononi.
Është e vërtetë që në muajin gusht të këtij viti pati një rritje të veprës penale “vrasje”, krahasuar me muajt e tjerë. Por në analizë të treguesve të 8-mujorit, dua t’ju konfirmoj se jemi pothuaj në të njëjtat parametra me vitin e kaluar, që ka shënuar numrin më të ulët të vrasjeve në 3 dekadat e fundit.
Mbrojtja e jetës dhe e sigurisë së qytetarëve është detyra kryesore dhe e padiskutueshme e Policisë së Shtetit. Prandaj, çdo statistikë, sado pozitive të jetë, mbart në vetvete një peshë, një përgjegjësi për secilin nga ne, pasi siguria kërkon përpjekje gjithëpërfshirëse nga çdo segmet i shoqërisë.
Përgjatë periudhës Korrik-Gusht 2024 kanë ndodhur gjithsej 12 vrasje, nga të cilat janë zbuluar 10 prej tyre. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë parandaluar 12 tentativa vrasjeje.
Kjo padyshim është dëshmi e një pune të mirë të strukturave të policisë.
Sa i takon vitit 2024, janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka patur përgjatë vitit 2023.
Arrestimi i personave të kërkuar nga organet e drejtësisë
Një nga çështjet e parashtruara nga ju është dhe numri i ulët i personave të arrestuar.
Dua të saktësoj se, numri i personave të arrestuar, krahasuar me një vit më parë është më i lartë, si për ata të shpallur në kërkim kombëtar, dhe për ata në kërkim ndërkombëtar.
Më konkretisht, për personat në kërkim kombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, janë kapur 209 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose e thënë ndryshe 17% më shumë.
Për personat në kërkim ndërkombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024 janë kapur 61 më shumë se vitin e kaluar, ose 43% më shumë.
Është e rëndësishme të theksoj se, kapja e personave në kërkim ndërkombëtar është rezultat edhe i bashkëpunimit të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere dhe organizmave të tillë, si Interpol dhe Europol.
Vetëm gjatë këtij viti, Policia e Shtetit është e përfshirë në rreth 20 skuadra të përbashkëta hetimore dhe në 81 operacione policore me homologet e vendeve të BE-së dhe më gjerë.
Sikurse jeni në dijeni, ligji i iri “Për Policinë e Shtetit” i hapi rrugë mundësisë për të përzgjedhur, nëpërmjet konkurrimit dhe meritokracisë, të drejtuesit të kësaj organizate kaq të rëndësishme.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, është miratuar Udhëzimi nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, ku përcaktohen në mënyrë të detajuar të gjitha hapat e procesit për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në vijim të këtij Udhëzimi, Ministria e Brendshme shpalli Thirrjen për Aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në përfundim të afatit ligjor, janë 15 aplikantë që kanë shprehur interes.
Nëse keni interes apo kuriozitet, lista e aplikantëve është e shpallur në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme.
Siç përcakton Udhëzimi, brenda 10 ditëve pune (duke filluar nga data 19 shtator 2024, pas përfundimit të afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit), Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.
Komisioni përbëhet nga një zv.ministër, Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Anëtarët e Komisionit vlerësojnë gjithë dokumentacionin e vënë në dispozicion nga kandidatët, vlerësimin e integritetit, kontrollin e figurës, prezantimin e platformës dhe informacion tjetër, duke bashkëpunuar dhe ndërvepruar me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Komisioni organizon gjithashtu seanca dëgjimore me kandidatët e kualifikuar, seanca ku janë ftuar për t’i ndjekur edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që asistojnë Policinë e Shtetit.
Në fund të këtij procesi, brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve.
Komisioni rendit kandidatët sipas pikëve të marra duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë. Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në profesion dhe përvojës profesionale.
Në përfundim të renditjes, Ministri i propozon Kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë. Propozimi shoqërohet me një relacion, i cili shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan, si dhe arsyet për kandidatin e propozuar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.