Sot, në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), u zhvillua ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2024-2025, ku morën pjesë studentë, pedagogë dhe drejtues të këtij institucioni të arsimit të lartë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe drejtues të universitetit, si Rektori i UPT-së, Prof. Dr. Akli Fundo dhe dekanët e fakulteteve të ndryshme.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e fillimit të këtij kapitulli të ri për të gjithë studentët, sidomos për rreth 20 mijë prej tyre që po hyjnë për herë të parë në auditorët e universitetit.
“Mbi 20 mijë studentë nisin për herë të parë universitetin në të gjithë vendin. Mbi 1200 studentë nisin vitin e parë të studimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe me zemër gjithë studentëve, kudo ku i kanë nisur studimet, u uroj një vit sa më të suksesshëm dhe me sa më shumë arritje.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj.
Manastirliu vlerësoi Universitetin Politeknik të Tiranës për përshtatjen e shpejtë me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe kërkesat e tregut të punës, përmes programeve të reja akademike dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.
“Universiteti Politeknik i Tiranës është vendi ku dijet teknike dhe informacioni bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja. Në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha, nevojiten mendje të mprehta dhe kreative që t’i përgjigjen sfidave të botës moderne, që nga infrastruktura deri te teknologjia e gjelbër, nga ndërtimi i qyteteve inteligjente deri te menaxhimi i burimeve natyrore. Ky universitet është prej universiteteve tona që po përshtatet me shpejtësi me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe me kërkesat e tregut të punës, jo thjesht për shkak të profileve të larmishme që ai ofron, mbi 80 programe studimi, por edhe për shkak të përqafimit të ideve të reja, ngritjes së urave të komunikimit me homologët ndërkombëtarë, 6 programe diplomë të dyfishtë, programet master të delokalizuara dyfishe apo dhe më i riu, diploma katërfishe me universitete prestigjioze evropiane. Nga ana tjetër, po ecim me ritëm të shpejtë me investimet në këtë universitet, nga rindërtimi dhe rehabilitimi i Fakultetit të Gjeologji Minierave, së bashku me Muzeun e Gjeologjisë, te ndërtimi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, për të vijuar me laboratorët kërkimorë të mekanikës dhe elektrikës, si dhe 14 projektet e reja të infrastrukturës së kërkimit shkencor dhe projekte të kërkim-zhvillimit, ku po financojmë për ngritjen e një Laboratori të Inteligjencës Artificiale, për laboratorin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të rrjetit të monitorimit gjeodinamik, të sistemeve elektrike dhe shumë laboratorë të tjerë, të cilët ne jemi duke investuar përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.”
Buxheti për arsimin e lartë është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë, ndërsa janë investuar 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës dhe kërkimit shkencor. Ministrja Manastirliu vuri theksin edhe tek përfitimet që vendi ka arritur nga programet ndërkombëtare.
“Përfshirja në programe ndërkombëtare si Horizon Europe, CERN, COST, CEEPUS dhe EUREKA kanë hapur mundësi të reja financimi dhe mobiliteti për stafin e pedagogëve dhe studentëve. Dhe më vjen shumë mirë që Universiteti Politeknik i Tiranës është një prej universiteteve lider përsa i përket mobilitetit të studentëve dhe gjithashtu të pedagogëve dhe stafeve pedagogjike.
Falë procesit të ndërkombëtarizimit, sot kemi një ofertë edhe më të pasur akademike në Shqipëri, me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe. 10 programe të reja janë shtuar këtë vit në gjithë ekosistemin e arsimit të lartë dhe gjithashtu kemi kulmuar këtë vit me hapjen për herë të parë në vendin tonë të Kolegjit të Evropës, kampusit të Tiranës. Kemi finalizuar dhe shumë shpejt hapim në Gjirokastër kampusin e UNED-it, do të sjellim së shpejti dhe jemi duke përfunduar fazën e nënshkrimit me Universitetin Teknik të Stambollit dhe gjithashtu me filialin e Universitetit Teknologjik të Compiègne, Francë, i cili do të hapë pikërisht në UPT degën e tij.”, tha Manastirliu.
Sfida e Ministrisë së Arsimit është jo vetëm një arsim i lartë cilësor i përshtatur me kërkesat e tregut të punës, por edhe mbështetja sociale për studentët.
“Janë rreth 50,000 studentë që përfitojnë nga mbështetja me bursa, me tarifa të reduktuara apo dhe bursat që ne japim për studentët që studiojnë në programet prioritare. Për këtë vit, 100 bursa sa paga minimale do të jepen për programet prioritare tashmë të vendosura në universitetet në të cilat do të alokohen këto bursa. Kemi prioritizuar degët që lidhen me zhvillimin rural, shkencat e natyrës, degë që lidhen me zhvillimin naval apo inxhinieritë, duke vijuar me inxhinieritë pyjore, shkencat që lidhen me inxhinieritë gjeologjike apo burimet minerale.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në fund, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, uroi studentët dhe stafin akademik për një fillim të mbarë të vitit të ri akademik.