Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Tetor 2024:
V E N D I M
PËR
EKUIVALENTIMIN E GRADAVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS DHE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN ME GRADAT E POLICISË SË BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 55, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të Policisë së Shtetit, sipas ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të Gardës së Republikës, sipas ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, sipas ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me gradat e Policisë së Burgjeve, sipas ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Për ekuivalentimin me gradën “nënkomisar” pranë Policisë së Burgjeve, kandidati duhet të zotërojë një diplomë të arsimit të lartë, të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, të licencuara dhe të akredituara sipas dispozitave në fuqi në kohën e lëshimit të diplomës ose të zotërojë një diplomë të të njëjtit cikël, të lëshuar nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, të njohur e të njësuar pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI KULLOSOR DHE NDRYSHIMIN E DESTINACIONIT, NGA KATEGORIA E PËRDORIMIT TË ZËRIT KADASTRAL “KULLOTË” NË ZËRIN KADASTRAL “TRUALL”, TË PASURIVE ME NUMËR 30/158, ZONA KADASTRALE 2863, ME NUMËR 68/49, 68/50, 68/51/3, 68/119/1, ZONA KADASTRALE 1739, BASHKIA HIMARË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pika 1, shkronja “b”, e 17, pika 6, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga fondi kullosor të pasurive me nr.30/158, zona kadastrale 2863, dhe me numër 68/49, 68/50, 68/51/3, 68/119/1, zona kadastrale 1739, Bashkia Himarë, me sipërfaqe totale prej 21 979,4 (njëzet e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë presje katër) m², pjesë e ekonomisë “Mali i Çikës – Himarë”, që do të përdoret nga shoqëria “White Roads Hotel”, sh.p.k., për realizimin e projekti investues strategjik “White Roads Hotel” në Bashkinë Himarë.
2. Ndryshimin e destinacionit, nga kategoria e përdorimit të zërit kadastral “kullotë” në zërin kadastral “truall”, të pasurive me nr.30/158, zona kadastrale 2863, dhe me numër 68/49, 68/50, 68/51/3, 68/119/1, zona kadastrale 1739, Bashkia Himarë, sipas certifikatave të pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Vlerat përkatëse të produkteve kullosore, në sipërfaqen objekt ndërtimi, paguhen nga shoqëria “White Roads Hotel”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Himarë, sipas përcaktimeve në raportin tekniko-ekonomik, bazuar në tarifat e vendimit nr.559, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim / përdorim të fondit kullosor kombëtar për veprimtari ekonomike, si dhe për prodhimet drusore dhe jodrusore”.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “White Roads Hotel”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen kullosore, për shkak të ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit kullosor, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Bashkia Himarë kryen veprimet për ndryshimet në regjistrin kadastral për sipërfaqen, objekt i aktivitetit, në përputhje me kërkesat e vendimit nr.171, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e bazës së të dhënave për Regjistrin Kombëtar të Fondit Pyjor dhe Regjistrin e Fondit Kullosor, përcaktimin e strukturës, kritereve teknike për evidentimin dhe pasqyrimin e gjendjes dhe të ndryshimeve, mënyrës së mbajtjes së të dhënave në nivel vendor, rajonal e qendror, informacionit që duhet regjistruar, si dhe të afateve të përgatitjes e raportimit nga administratorët ose pronarët e pyjeve”.
6. Bashkia Himarë kryen pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë veprimet për çregjistrimin nga kategoria “kullotë” të sipërfaqes kullosore publike, të identifikuar sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe regjistrimin në kategorinë “truall”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
7. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë bën ndryshimin e llojit të pasurisë në certifikatat e pasurive, sipas të dhënave për pasuritë e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Himarë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES PËR QASJEN NË ARSIMIN E LARTË DHE PRANIMIN PËR TË STUDIUAR NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, LIDHUR ME HAPJEN E PËRFAQËSISË SË BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROJEKTVENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE “PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË SË SHËRBIMEVE TË OFRUARA NGA AGJENCITË E UDHËTIMIT DHE OPERATORËT TURISTIKË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të projektvendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE PËR MBAJTJEN E ARMËS NË PËRDORIM PERSONAL, EDHE JASHTË ORËVE TË SHËRBIMIT, NGA PUNONJËSI I POLICISË SË BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 14, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, i cili, për shkak të detyrës, pajiset më armë në përdorim personal, ka të drejtë që këtë armë ta mbajë me vete, edhe jashtë orëve të shërbimit, sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Punonjësi i Policisë së Burgjeve për të mbajtur armën në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, duhet të plotësojë këto kushte:
a) Ndaj tij të mos ketë nisur ndjekja penale.
b) Në banesën e tij të jetë instaluar kaseta e posaçme për ruajtjen e armës.
3. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Armë në përdorim personal”, pistoleta ose arma e shkurtër e vënë në dispozicion nga institucioni, në të cilin është emëruar punonjësi i Policisë së Burgjeve.
b) “Institucion i Vuajtjes së Veprës Penale” (IEVP), institucionet e paraburgimit dhe institucionet e ekzekutimit të dënimit me burgim.
c) “Kasetë”, një mbajtëse e bërë posaçërisht për të mbajtur armë zjarri, e blinduar, me trashësi e mekanizëm dhe çelës sigurie, e cila duhet të betonohet ose të saldohet në mënyrë të palëvizshme në mur, për të hequr mundësinë e rrëmbimit së bashku me armën.
ç) “Punonjës i Policisë së Burgjeve”, punonjësi, i cili ushtron detyra të natyrës drejtuese, organizuese, mbikëqyrëse ose ekzekutuese për garantimin e rendit e të sigurisë në IEVP dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
d) “Titullar”, drejtuesi i IEVP-së ose drejtori i Policisë së Burgjeve për rastet kur kërkuesi është i emëruar në strukturën qendrore të Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
4. Për t’u pajisur me autorizim për të mbajtur armën në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, punonjësi bën një kërkesë drejtuar titullarit.
5. Titullari për shqyrtimin e kërkesave ngre një komision, i cili kryesohet prej tij dhe ka në përbërje:
a) eprorin e drejtpërdrejtë të kërkuesit;
b) drejtorin e burimeve njerëzore të strukturës në të cilin është emëruar kërkuesi;
c) shefin e Policisë së strukturës në të cilën është emëruar kërkuesi;
ç) përgjegjësin e armatimit të strukturës në të cilën është emëruar kërkuesi.
6. Kërkesa përgatitet me shkrim dhe shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vetëdeklarimin për pajisjen me kasetë metalike për mbajtjen e armës në banesë.
b) Dëshminë nga gjykata dhe prokuroria në juridiksionin territorial të të cilit punonjësi ka vendbanimin që nuk është në ndjekje penale.
c) Dëshminë e aftësisë për punë, e lëshuar nga organet kompetente.
7. Komisioni merr në shqyrtim dhe shprehet me vendim të arsyetuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës së punonjësit të Policisë së Burgjeve.
8. Në rast se vlerësohet e nevojshme, Komisioni mund të njoftojë kërkuesin që të paraqitet për t’u pyetur ose për t’i kërkuar dokumentacion shtesë, duke i caktuar edhe një afat për këtë.
9. Në rastin e parashikuar në pikën 7, të këtij vendimi, afati i shqyrtimit pezullohet derisa kërkuesi të përmbushë kërkesat e Komisionit ose deri në përfundimin e afatit të caktuar. Në rast se ky i fundit nuk paraqitet ose nuk përcjell dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të caktuar, Komisioni vendos mospranimin e kërkesës.
10. Për rastet kur kërkuesi plotëson kushtet, Komisioni nxjerr autorizimin për mbajtjen e armës në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit.
11. Në rastet kur Komisioni vlerëson që kërkuesi nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e armës në përdorim personal, edhe jashtë orëve të shërbimit, vendos refuzimin e kërkesës, me vendim të arsyetuar dhe ia komunikon kërkuesit.
12. Kundër vendimit të refuzimit kërkuesi ka të drejtën e ankimit në gjykatën kompetente.
13. Jashtë orëve të shërbimit, arma mbahet nën veshje e paekspozuar, në brez ose nën sqetull, e futur në këllëf të siguruar me kapëse që të mos dalë në mënyrë të pavullnetshme, në gjendje të shkrehur dhe e vendosur në siguresë, pa fishekë në folenë e fishekut dhe pa krehër.
14. Në banesë, arma ruhet brenda ambientit të saj, në kasetë metalike të posaçme, të siguruar me çelës, që mbahet nga punonjësi i Policisë së Burgjeve, për të mos u përdorur nga persona të tjerë, si dhe të mos ketë elemente të dukshme ekspozimi apo perceptimi.
15. Arma në kasetë ruhet e vendosur në siguresë dhe e ndarë nga municioni dhe duhet të sigurohet me kavo bllokimi, i cili kalon në fyellin e tytës ose me bllokues të këmbëzës së shkrepjes, të kyçur me çelës, i cili mbahet nga përdoruesi i certifikuar i armës së zjarrit.
16. Verifikimi i kushteve të ruajtjes së armëve në banesë realizohet nga një specialist policie, i autorizuar nga titullari, gjatë shqyrtimit të kërkesës sipas pikës 6, të këtij vendimi.
17. Në rastet kur punonjësi pezullohet, lirohet ose largohet nga Policia e Burgjeve automatikisht humb të drejtën e mbajtjes së armës personale jashtë orëve të shërbimit, si dhe detyrohet ta dorëzojë menjëherë këtë të fundit.
18. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin dhe ndjekjen e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA ISH-MINISTRIA E PUNËS, ÇËSHTJEVE SOCIALE DHE SHANSEVE TË BARABARTA TE MINISTRIA E EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE, TË PASURISË ME NUMËR 3/33, ZONA KADASTRALE 8260, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.906, DATË 19.12.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË PUNËS, ÇËSHTJEVE SOCIALE DHE SHANSEVE TË BARABARTA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit nga ish-Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, të pasurisë me nr.3/33, me sipërfaqe 4 878,49 (katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë presje dyzet e nëntë) m2 truall dhe 1 645,61 (një mijë e gjashtëqind e dyzet e pesë presje gjashtëdhjetë e një) m2 gjurmë ndërtimi, ndodhur në zonën kadastrale 8260, me qëllim rikonstruksionin e Qendrës së Formimit Profesional nr.4 Tiranë dhe ndërtimin e shkollës profesionale “Herman Gmeiner” sipas formularit 1 (një) fletë dhe planit të rilevimit 1 (një) fletë, të cilat janë pjesë përbërëse të këtij vendimi.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.906, datë 19.12.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta”, të ndryshuar, hiqet prona me numër rendor 4.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.109, DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË E TË BORDIT TË AKREDITIMIT DHE PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE PËR PROCESET E SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, 15 e 106, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.109, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “a”, e pikës 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) vlerësimin e jashtëm të cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”;”.
b) Pas pikës 34 shtohet pikat 34/1, me këtë përmbajtje:
“34/1. Procedurat e aplikimit sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik “e-Albania”, zbatohen pasi ministria përgjegjëse për arsimin të publikojë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përfundimin e procesit të implementimit dhe datën e fillimit të funksionimit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL. Deri në fillimin e funksionimit të sitemit, aplikimet do të bëhen me kërkesë pranë ASCAL-it.
Kërkesat dhe procedurat administrative, që janë në proces shqyrtimi nga ASCAL-i, deri në momentin e implementimit dhe funksionalitetit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL, trajtohen dhe zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të këtij vendimi, në kohën e paraqitjes së tyre.”.
c) Në tabelën 2/c, bashkëlidhur vendimit, tarifa e përcaktuar në nënndarjen me nr.3 shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË VENDIMIN NR.789, DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET, MËNYRËN E SHPËRBLIMIT DHE TRAJTIMIN E SPORTISTËVE, QË PËRFITOJNË STATUSIN E NIVELIT TË LARTË, DHE TRAJNERËVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.789, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Për shpërblimin financiar dhe trajtimin e sportistit të nivelit të lartë, për sportet individuale, që ka arritur rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare, sipas tabelës nr.I, federata shqiptare sportive përkatëse, sportisti apo trajneri i tij aplikon në portalin unik qeveritar “e-Albania”. Në aplikim përcaktohet rezultati përfundimtar në veprimtarinë ndërkombëtare, në të cilin sportisti ka marrë pjesë, shoqëruar me rezultatin përfundimtar të analizave doping, si dhe deklarimi i federatës që sportisti nuk ka rekorde pozitive të doping-ut të konfirmuar nga Organizata Kombëtare Antidoping. Ministria përgjegjëse për sportin verifikon përmbushjen e kritereve pas marrjes së kërkesës. Fondet alokohen për llogari të sportistit dhe të trajnerit të tij.”.
b) Pas pikës 17 shtohet pikat 17/1, me këtë përmbajtje:
“17/1. Procedura e aplikimit sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, zbatohet pasi ministria përgjegjëse për sportin të publikojë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përfundimin e procesit të implementimit dhe datën e fillimit të funksionimit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL. Deri në fillimin e funksionimit të sistemit, aplikimet do të bëhen me kërkesë pranë ministrisë përgjegjëse për sportin.
Kërkesat dhe procedurat administrative, që janë në proces shqyrtimi nga ministria përgjegjëse për sportin, deri në momentin e implementimit dhe funksionalitetit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL, trajtohen dhe zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të këtij vendimi, në kohën e paraqitjes së tyre.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat sportive shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.418, DATË 10.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR STANDARDET, KRITERET DHE PROCEDURAT PËR HAPJEN, RIORGANIZIMIN, NDARJEN, BASHKIMIN OSE MBYLLJEN E INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË DHE TË DEGËVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 29, 30 e 31, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.418, datë 10.5.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Subjekte juridike, vendase ose të huaja, të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit apo në gjykatën kompetente, aplikojnë në portalin unik qeveritar “e-Albania” për hapjen e një institucioni të arsimit të lartë ose degë të një institucioni ekzistues. Afati fundor i depozitimit është data 15 (pesëmbëdhjetë) tetor, për vitin pasardhës akademik.”.
2. Shkronjat “a”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Aplikimi dhe dokumentacioni për hapjen e institucionit të arsimit të lartë ngarkohet në portalin unik qeveritar “e-Albania”;
…
c) Në rastet kur dokumentacioni është i paplotë apo konstatohen mangësi/pasaktësi nga eksperti, subjektit i kërkohet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania” plotësimi i tij, brenda 3 (tri) javëve nga marrja e raportit të vlerësimit;
ç) Në rastin e refuzimit të aplikimit, ministria përgjegjëse për arsimin informon aplikantin elektronikisht, me dokument me vulë elektronike, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania” për vendimin dhe shkaqet e marrjes së tij, brenda një afati 30-ditor nga data e aplikimit.”.
3. Shkronjat “a”, “c” dhe “ç”, të pikës 4, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Aplikimi dhe dokumentacioni për riorganizimin e institucionit të arsimit të lartë ngarkohet në portalin unik qeveritar “e-Albania”. Iniciativa për riorganizimin e IAL-së/IAL-ve merret me vendim të organeve kolegjiale të IAL-së/IAL-ve të interesuara;
…
c) Në rastet kur dokumentacioni është i paplotë apo konstatohen mangësi/pasaktësi, ministria përgjegjëse për arsimin e lartë njofton subjektin për plotësimin e tij nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, brenda 2 (dy) javëve nga marrja e raportit të vlerësimit;
ç) Ministria përgjegjëse për arsimin e lartë, në rastin e vlerësimit negativ, njofton aplikantin duke ngarkuar dokumentin me vulë elektronike, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, institucionin kërkues për vendimin e tij të argumentuar.”.
4. Shkronjat “d” dhe “e”, të pikës 5, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“d) Aplikimi dhe dokumentacioni për ndarjen ose bashkimin e institucioneve të arsimit të lartë ngarkohet në portalin unik qeveritar “e-Albania”;
…
e) Në rastin e refuzimit të kërkesës së paraqitur, ministria përgjegjëse për arsimin e lartë ngarkon dokumentin me vulë elektronike, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, me anë të të cilit njofton aplikantin për vendimin dhe për shkaqet e marrjes së tij, brenda një afati 90-ditor nga data e aplikimit.”.
5. Në pikën 7 bëhen këto ndryshime:
a) Nënndarjet “iii” dhe “v”, të shkronjës “ç”, shfuqizohen;
b) Në shkronjën “e”, fjalët “… jo më vonë se 3 (tre) muaj pas dorëzimit të dosjes …” zëvendësohen me “… jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas datës së aplikimit …”.
6. Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1. Procedurat e aplikimit, sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, zbatohen pasi ministria përgjegjëse për arsimin të publikojë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përfundimin e procesit të implementimit dhe datën e fillimit të funksionimit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL. Deri në fillimin e funksionimit të sitemit, aplikimet do të bëhen me kërkesë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin.
Kërkesat dhe procedurat administrative, që janë në proces shqyrtimi nga ministria përgjegjëse për arsimin, deri në çastin e implementimit dhe funksionalitetit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL, trajtohen dhe zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të këtij vendimi, në çastin e paraqitjes së tyre.”.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.440, DATË 19.7.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E SKEMËS SË KREDITIMIT STUDENTOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 114, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.440, datë 19.7.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Studenti, i cili nuk është subjekt i përfitimeve prej akteve të tjera, që mbështesin studentin me bursa, mbështetje financiare apo përjashtime nga tarifat, ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, brenda muajit shkurt. Aplikimi shoqërohet me dokumentacionin, që vërteton regjistrimin si student në institucionin përkatës të arsimit të lartë dhe numrin e matrikullimit.”.
b) Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga shpallja e listës me renditjen e kërkesave për të përfituar kredi studentore, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë ua paraqet këtë listë bankave të nivelit të dytë, të cilat kanë pranuar të ofrojnë kredinë studentore, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, me normën më të ulët të interesit. Brenda të njëjtit afat, njoftohen elektronikisht nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania” edhe studentët për vijimin e procedurave dhe lidhjen e kontratës së kredisë me bankën përkatëse.”.
c) Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:
“14/1. Procedura e aplikimit, sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, zbatohet pasi të jetë publikuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare njoftimi i ministrisë përgjegjëse për arsimin për përfundimin e implementimit dhe datën e fillimit të funksionimit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL. Deri në fillimin e funksionimit të sistemit, aplikimet për kredi studentore bëhen me kërkesë pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë.
Kërkesat dhe procedurat administrative, që janë në proces shqyrtimi nga AKFAL-i, deri në çastin e implementimit dhe funksionalitetit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë, SMIAL, trajtohen dhe zhvillohen sipas dispozitave të këtij vendimi, në fuqi në kohën e paraqitjes së tyre.”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.466, DATË 10.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, NË TË CILAT ZHVILLOHEN EDHE LËNDË FETARE APO KU MËSIMI ZHVILLOHET EDHE NË GJUHË TË HUAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.466, datë 10.6.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të shtojcës nr.1, përmendur në pikën 1, të kreut II, shtohet nënndarja “v”, me këtë përmbajtje:
“v. Deklaratë mbi gjendjen gjyqësore të subjektit aplikues, drejtuesin/t e institucionit arsimor parauniversitar, personelin mësimor, administrativ dhe mbështetës.”.
b) Shkronjat “c”, “dh” dhe “gj”, të shtojcës nr.2, e përmendur në pikën 2, të kreut II, shfuqizohen.
c) Shkronja “d”, e shtojcës nr.2, e përmendur në pikën 2, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Listën e plotë të personelit drejtues, mësimdhënës dhe administrativ, si dhe dokumentacionin, si më poshtë vijon:
i. Për drejtuesin e institucionit arsimor ngarkohet certifikata e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar (shkollë/kopsht), e lëshuar nga Shkolla e Drejtorëve ose dokumenti që vërteton pranimin në trajnimin e detyrueshëm përgatitor, si dhe aktmarrëveshja për punësim në rastin e hapjes së institucionit.
Dëshmia e kualifikimit përkatës, ku të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” për drejtuesin e institucionit arsimor parauniversitar, ndërsa për drejtuesin e institucionit parashkollor ngarkohet diploma dhe libreza e punës me të paktën 5 (pesë) vite pune eksperiencë si mësues në arsimin parashkollor.
ii. Për personelin mësimdhënës ngarkohet licenca për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit, me përjashtim të mësuesit në arsimin parashkollor për të cilin ngarkohet diploma, si dhe aktmarrëveshja për punësim në rastin e hapjes së institucionit.
Për personelin mësimdhënës në arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë që përjashtohet nga detyrimi për dhënien e provimit të shtetit, ngarkohet diploma dhe libreza e punës që vërteton ushtrimin e profesionit përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Për drejtuesin e institucionit arsimor ose personelin mësimdhënës, që ka fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të rregulluar të mësuesit jashtë Republikës së Shqipërisë, ngarkohet dokumenti provues, i lëshuar nga vendi ku është fituar kjo e drejtë, i njohur dhe njësuar nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Shqipërisë, si dhe aktmarrëveshja për punësim në rastin e hapjes së institucionit”.
iii. Për punonjësin administrativ, diploma e arsimit përkatës dhe aktmarrëveshja për punësim në rastin e hapjes së institucionit.
ç) Pas shkronjës “d”, të shtojcës nr.2, të përmendur në pikën 2, të kreut II, shtohet shkronja “d.1”, me këtë përmbajtje:
“d.1) certifikatën e gjendjes gjyqësore për subjektin aplikues, drejtuesin/t e institucionit arsimor parauniversitar, personelin mësimor, administrativ dhe mbështetës.
Në rastin kur subjekti aplikues është person juridik, certifikatën e gjendjes gjyqësore edhe për administratorin, drejtorin ekzekutiv dhe anëtarët e organeve kolegjiale.”.
d) Në fund të shtojcës nr.2, të përmendur në pikën 2, të kreut II, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Kopja e lejes higjieno-sanitare dhe e aktit për mbrojtjen nga zjarri për godinën, ku do të ushtrohet veprimtaria e institucionit arsimor parauniversitar privat, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse, sigurohen me ndërveprim nga strukturat përkatëse në ministrinë përgjegjëse për arsimin.”.
dh) Në pikën 3, të kreut VI, fjalët “… duke ngarkuar dokumentacionin që përmban të dhënat dhe deklarimet, sipas shtojcës nr.4…” zëvendësohen me “… duke plotësuar të gjitha të dhënat dhe deklarimet, sipas rubrikave të shtojcës nr.4 …”.
e) Pas pikës 1, të kreut VII, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Procedurat e aplikimit sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik “e-Albania”, zbatohen pasi ministria përgjegjëse për arsimin të publikojë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përfundimin e procesit të implementimit dhe datën e fillimit të funksionimit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit Parauniversitar, SMIP. Deri në fillimin e funksionimit të sitemit, aplikimet do të bëhen me kërkesë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.
Kërkesat dhe procedurat administrative, që janë në proces shqyrtimi nga ministria përgjegjëse për arsimin, deri në momentin e implementimit dhe funksionalitetit të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit Parauniversitar, SMIP, trajtohen dhe zhvillohen sipas dispozitave në fuqi të këtij vendimi, në kohën e paraqitjes së tyre.”.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për arsimin dhe institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.893, DATË 27.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “EKIPET SPORTIVE NË SHKOLLA”, NË KUADËR TË LËVIZJES OLIMPIKE SHQIPTARE TË KOMITETIT OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPTAR (KOKSH)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, pika 1, dhe 15, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 8, të nenit 11, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.893, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e projektit “Ekipet sportive në shkolla”, në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Financimin, në masën 750 000 000 (shtatëqind e pesëdhjetë milionë) lekë, të projektit “Ekipet sportive në shkolla”, në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), të ndarë:
a) 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2022;
b) 350 000 000 (treqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2023;
c) 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga fondet buxhetore të vitit 2024.”.
b) Në pikën 2 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Fjalët “… “Raiffeisen Bank, sh.a., me numër llogarie 0050249325 …” hiqen.
ii. Pas fjalëve “… për vitin 2023 …” shtohen “… si dhe buxheti i miratuar për vitin 2024 …”.
c) Në pikën 3 bëhen këto shtesa:
i. Pas fjalëve “… brenda muajit shkurt 2024 …” shtohen “… si dhe brenda muajit shkurt 2025…”;
ii. Fjalët “… shkronjave “a” dhe “b” …” zëvendësohen me “… shkronjave “a”, “b” dhe “c” …”.
ç) Në fjalinë e dytë, të pikës 4, viti “2024” zëvendësohet me “2025”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.896, DATË 29.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË UNAZËS SË MADHE TË TIRANËS NGA SHESHI SHQIPONJA – BULEVARDI I RI” DHE “RIKUALIFIKIMI I UNAZËS LINDORE PËR LOTET 4, 5, 6”, (FAZA 2)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.896, datë 29.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës nga Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i Unazës Lindore për lotet 4, 5, 6”, (Faza 2)”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, togfjalëshi “… prej 143 632 865.70 (njëqind e dyzet e tre milionë e gjashtëqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë) lekësh.” zëvendësoht me “… prej 181 310 655,4 (njëqind e tetëdhjetë e një milionë e treqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë pikë katër) lekësh.”.
b) Pika 4, ndryshohet si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 181 310 655,4 (njëqind e tetëdhjetë e një milionë e treqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë pikë katër) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) Vlera prej 143 632 865.70 (njëqind e dyzet e tre milionë e gjashtëqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë) lekësh, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
b) Vlera shtesë prej 37 677 789.70 (tridhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë) lekësh, nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
2. Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 12, 16, 18, 19, 21, 23, 26, 28, 32, 33, të tabelës bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me të dhënat për shpronësim, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Rurale 1, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1178, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E DOKUMENTACIONIT DHE RREGULLAVE TË HOLLËSISHME TË EVIDENTIMIT TË NDËRTIMEVE PA LEJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 17, pika 6, dhe 69, pika 9, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.1178, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 20, e kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. Për kryerjen e procedurave të përcaktuara në kreun II, të këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës mund të veprojë nëpërmjet stafit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar sipas ligjit ose mund të kontraktojë subjekte private të licensuara në fushat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.”.
2. Aneksi 1 “Akt evidentimi”, ndryshohet sipas modelit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
II. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe të gjitha bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU