Moody’s përmirëson vlerësimin e Shqipërisë, duke e ndryshuar atë në “Ba3” me perspektivë të “qëndrueshme” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Moody’s përmirëson vlerësimin e Shqipërisë, duke e ndryshuar atë në “Ba3” me perspektivë të “qëndrueshme”

Deklaratë e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, mbi vlerësimin e agjencisë prestigjioze ndërkombëtare Moody’s:

Përshëndetje,

Më lejoni të ndaj sot me ju një lajm tejet pozitiv.

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s ka rishikuar vlerësimin e saj me datën më 18 Tetor 2024, duke vlerësuar me rritje perspektivën e Shqipërisë nga “B1– me perspektivë pozitive” në “Ba3 – e qëndrueshme”.

Ky vlerësim i Moody’s për Shqipërinë reflekton të gjitha përpjekjet për të siguruar një rritje të qëndrueshme të ekonomisë, forcimin e mëtejshëm të financave publike, si dhe një efikasitet më të lartë në zbatimin e reformave strukturore.

Rishikimi për Shqipërinë vjen në një moment kur ekonomia globale po kalon një sërë sfidash siç janë Gjeopolika, Demografia, Digjitalizimi apo Kushtet Klimaterike.
Ky vlerësim pozitiv konfirmon mbi të gjitha se jemi duke ecur në rrugën e duhur sa i takon reformave në kuadër të procesit të integrimit, garantimit të mirëqeverisjes, si dhe forcimit të mëtejshëm të financave publike.

Përfitimet që vijnë nga ky vlerësim për ekonominë dhe për vendin janë konkrete:
Rritja e vlerësimit do të sjellë ndikim pozitiv sa i përket Investimeve të Huaja Direkte, duke rritur besimin te investitorët e huaj.

Gjithashtu, Shqipëria do të përfitojë në daljet në tregjet ndërkombëtare, duke siguruar huamarrje me kosto më të ulët financimi se sa është bërë në të shkuarën. Pra, vlerësimi në rritje, në një gjuhë më të thjeshtë do të thotë “certifikim” ose garanci më e shtuar se ekonomia shqiptare do të jetë e qëndrueshme edhe në terma afatmesëm. Natyrisht që ky vlerësim nuk ndodhi “brenda ditës”, por është reflektim i të gjitha reformave që qeveria “Rama” ka ndërmarrë gjatë dekadës së fundit.

Në harkun kohor të 10 viteve, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me më shumë se dy herë, nga 9.6 miliardë Euro që shënonte ne fund të vitit 2013 në 24.9 miliardë Euro që pritet të jetë deri në fund të vitit 2024. E po kështu, edhe te ardhurat për frymë janë rritur nga 3,300 Euro që shënonin në fund të vitit 2013 në 10,383 Euro që pritet të jenë në fund të vitit 2024.

E ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto në vendet e rajonit u rrit me rreth 53% gjatë 10 vjeçarit të fundit, në Shqipëri ai është rritur me rreth 80%.

Nga ana tjetër, papunësia arriti nivelin më të ulët historik. Nga 16% që ishte në vitin 2013 arriti në nivelin 10.7% në fund të vitit 2023. Ky nivel papunësie është ndjeshëm më i ulët edhe në krahasim me vendet e rajonit, ku shkalla e papunësisë u regjistrua mesatarisht në nivelin 12.4%.

Nga ana tjetër, inflacioni mesatar, gjatë periudhës 2014-2023 në Shqipëri, rezultoi në nivelin 2.5%, ndërsa në rajon kjo shifër u llogarit në 3%.

Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri kanë qenë mesatarisht 8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë periudhës 2013-2023, konsiderueshëm më të larta se sa mesatarja e rajonit për këtë periudhë, e cila shënonte vetëm 6.1% të PBB-së.

Borxhi publik, nga ana tjetër, gjatë 10-vjeçarit të fundit ka njohur një rënie të qenësishme pavarësisht përballjes me tre kriza të forta në vitet e fundit (tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike). Borxhi publik është reduktuar me mbi 14 përqind, nga 70.4% të PBB-së që shënonte në vitin 2013 në 56.3% që pritet të jetë në fund të vitit 2024. Nëse borxhi publik i vendeve të rajonit është rritur mesatarisht me rreth 2 % gjatë 10 vjeçarit të fundit, Shqipëria mundësoi një ulje me rreth 14 pikë përqindje të tij.

Edhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë vlerësuar pozitivisht përpjekjet e Shqipërisë për uljen e borxhit, konsolidimin fiskal dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Së fundmi, procesi i integrimit europian mbetet një faktor i rëndësishëm për ne, si në ritmin e përshpejtimit të reformave të nevojshme, ashtu edhe në përfitimet ekonomike në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor (Growth Plan).
Ju faleminderit!

Përmbledhje e raportit të vlerësimit të Moody’s:

Në “rishikimin e thelluar” të saj më të fundit të datës 18 Tetor 2024, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3 – e qëndrueshme” nga “B1 – pozitive”, duke theksuar përmirësim e profilit të kreditit të vendit si rezultat i forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve ekonomike dhe fiskale.

Moody’s parashikon një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, të nxitur nga financimet e Bashkimit Evropian dhe zbatimi i reformave përkatëse. Investimet e huaja direkte, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe energjisë, pritet të luajnë një rol kyç, ndërsa transformimet sektoriale synojnë të nxisin produktivitetin. Këto ndryshime pritet të përmirësojnë ekonominë duke zhvendosur fuqinë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve më produktivë, si turizmi. Për më tepër, një rritje e qëndrueshme e pjesëmarrjes në tregun e punës do të zbusë sfidat demografike të popullsisë.

Vlerësimi i Moody’s thekson përmirësimin e pozicionit fiskal të vendit, të nxitur nga rritja e qëndrueshme ekonomike e kombinuar me një ulje të konsiderueshme të deficitit fiskal. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është ulur ndjeshëm që nga niveli më i lartë i regjistruar në vitin 2021 dhe parashikon një ulje të mëtejshme graduale në periudhën afatmesme, të mbështetur nga zbatimi i reformave fiskale. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra në 57.5% në vitin 2023, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2008. Agjencia parashikon një rënie të mëtejshme të raportit të borxhit ndaj PBB-së në 54.3% në vitin 2025 dhe, në mungesë të goditjeve, të zbresë nën 50% deri në vitin 2029.

Moody’s thekson gjithashtu angazhimin e autoriteteve shqiptare për të respektuar rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo negativ dhe një ulje të qëndrueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë në 45% të PBB-së.

Agjencia vlerëson ecurinë e reformave fiskale, përfshirë miratimin e mundshëm të strategjisë afatmesme të të ardhurave deri në fund të këtij viti, si dhe përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike.

Për më tepër, Moody’s vlerëson gjithashtu se financimet nga BE-ja dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit në BE do të kontribuojnë pozitivisht në profilin e kreditit të Shqipërisë. Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, kontrollit të korrupsionit dhe llogaridhënies. Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, pritet të përmirësojë potencialin e rritjes ekonomike në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së.

Previous Së shpejti nis ndërtimi i stacioneve të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës