Diskutimi publik dhe informues mbi çështjen e pensioneve vijoi sot nën drejtimin e Kryeministrit Rama me një tjetër kategori, atë të sipërmarrësve, në një debat mbi rëndësinë e luftës kundër informalitetit dhe mos deklarimit të pagave reale.
Kryeministri Rama kërkoi nga sipërmarrësit krijimin e një fronti të përbashkët për t’i dhënë fund këtij fenomeni të pajustifikueshëm dhe për t’u dhënë pensionistëve pjesën e merituar nga çdo pagë në këtë vend.
“Ata që krijojnë punë në këtë vend që janë sipërmarrjet dhe që paguajnë për punën kanë detyrimin që çdo qindarkë të çdo pagese për çdo person që i takon pensionistëve, t’ju shkojë pensionistëve dhe patjetër ky është edhe detyrim i çdokujt që merr një pagë.” – iu drejtua kryeministri pjesëmarrësve, teksa e cilësoi mos deklarimin e pagave reale si një grabitje. “Kemi një problem të madh pavarësisht të gjitha përmirësimeve që janë bërë me deklarimin e pagës reale, një problem shumë i madh që ne jemi shumë të vendosur që ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë një përmirësim të shpejtë, por që dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative, me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje.” – u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.
Në takim morën pjesë edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Ministrja e Shtetit për sipërmarrjen dhe Klimën e biznesit Delina Ibrahimaj, Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani, si dhe drejtuesit e Institucioneve të Sigurimeve Shoqërore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pjesë e grupit drejtues të punës për pensionet, të cilët shpjeguan aspekte të ndryshme të punës që po bëhet në këtë drejtim.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Faleminderit shumë! Faleminderit dhe të zotëve të shtëpisë që na krijuan këtë mundësi këtu në një nga sipërmarrjet e mëdha dhe në njëfarë mënyrë, shëmbëlltyrë e një Shqipërie që thuajse prej 35 vjetësh po rritet dhe kjo sipërmarrje është një nga ato rrënjët e para të trungut të ekonomisë së sotme, kështu që shumë faleminderit për mikpritjen, mundësinë.
Faleminderit dhe të gjithë ju të tjerëve që jeni këtu të pranishëm në këtë diskutim të hapur që ne kemi nisur dje dhe do të vazhdojmë në ditët në vijim, lidhur me një temë kyçe, me një shqetësim prioritar dhe me një detyrim madhor për ne si qeveri, por edhe për ju si sipërmarrje, por dhe për të gjithë ne së bashku si fëmijë prindërish apo nipër e mbesa gjyshërish e gjyshesh që sot janë në pension dhe që me të drejtën e Zotit dhe me atë që kanë bërë me punë një jetë të gjatë, meritojnë, jo thjesht respektin, por meritojnë që askush nga ne të mos i shmanget detyrimeve që ka.
Ne kemi detyrimin si qeveri të bëjmë çmos që jeta e tyre të jetë sa më e qetë, që kushtet e jetës së tyre të përmirësohen sa të jetë e mundur dhe ata që krijojnë punë në këtë vend, që janë sipërmarrjet, dhe që paguajnë për punën kanë detyrimin që çdo qindarkë, të çdo pagese, për çdo person, që i takon pensionistëve t’ju shkojë pensionistëve e patjetër ky është edhe detyrim i çdokujt që merr një pagë. E në ndërkohë që në sektorin publik, ky detyrim është i përmbushur sepse nuk varet nga sjellja e personit që paguhet, por shkon direkt dhe derdhet në arkën e Sigurimeve Shoqërore, nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat.
Pra, për t’i rënë shkurt dhe për t’ia kaluar kolegëve të tjerë që janë këtu me mua fjalën si anëtarë të grupit drejtues të punës për pensionet, – kemi një problem të madh, pavarësisht të gjitha përmirësimeve që janë bërë, me deklarimin e pagës reale. Një problem shumë i madh, që ne jemi shumë të vendosur që ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë një përmirësim të shpejtë, me një adresim të shpejtë, por që dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje. Është fjalë shumë e rëndë, është një turp shumë i madh, është një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes në shumë biznese me një mungesë përgjegjshmërie që jam i sigurt që kur iu thua apo kur dëgjojnë fjalën “grabitje” mund të ndjehen të fyer, por kjo është grabitje.
Kemi ardhur këtu për këtë, duam të përcjellim tek ju, por përmes jush dhe përmes ekranit tek të gjithë ata që i përkasin kësaj kategorie, kategorisë së sipërmarrjes, një shqetësim dhe një apel dhe një ftesë për të krijuar një front të përbashkët në këtë punë sepse në fund të ditës, dhe po e mbyll me kompaninë që na ka mikpritur, e cila është një nga aktorët kryesorë në treg dhe që ka të bëjë drejtpërdrejtë me konsumit, ato para përsëri, në masën më të madhe, rikthehen në konsum dhe përsëri gjenerojnë të ardhura të tjera. Është shumë e padrejtë, është shumë e papranueshme dhe ne duhet së bashku të bëjmë patjetër atë që na takon secilit.
Po ja kaloj fjalën ministrit të Ekonomisë dhe pastaj me radhë ministres për sipërmarrjen, zëvendës ministres së Ekonomisë, drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe drejtorit të ri të përgjithshëm të Tatimeve, i cili i është bashkuar skuadrës sonë pas një eksperience 10 vjeçare në Shtetet e Bashkuara në fushën e taksave dhe auditeve financiare dhe pastaj do përpiqem të bëj disa konkluzione, sigurisht i gatshëm për të dëgjuar dhe ju, çfarëdo që keni lidhur me temën.
* * *
Shumë faleminderit të gjithëve dhe faleminderit dhe juve për durimin dhe vëmendjen dhe dua të bëj një përmbledhje të këtyre që u thanë, duke u nisur nga një shembull që mori drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku tha se ajo që ndodh në realitetin e marrëdhënies mes shtetit dhe pensionistit është që çfarë shteti mbledh nga kontributet e Sigurimeve Shoqërore që deklaron sipërmarrja në muajin shtator i kalon menjëherë për pensione në muajin shtator dhe ky është mekanizmi. Faktikisht, në pagesën e detyrimeve janë detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore, janë detyrimet ndaj sigurimeve shëndetësore, janë dhe tatimi. Tatimi shkon në buxhet. Ai investohet për projekte të ndryshme, ai shpenzohet për funksione të ndryshme të shtetit ndërsa sigurimi shoqëror shkon nga banka ku i jepet paga për punonjësin, tek sporteli apo tek banka ku jepet pensioni.
Këtë e them për të kuptuar që kush nuk paguan sigurimet shoqërore ose kush fsheh peshën reale të sigurimeve shoqërore, faktikisht vjedh nga ky transaksion, heq para nga vagonët e këtij treni që bën vajtje-ardhje midis kontributeve të paguara dhe pensioneve të marra. Është e drejtpërdrejtë.
Në këtë tren duhet të transportohen të gjitha ato që u takojnë pensionistëve, por çfarë ndodh nga vjedhja? Ndodh që treni nuk niset dot për të shkuar tek pensionistët sepse i mungojnë çdo vit afro 500 milionë euro dhe çdo vit ky gjysmë miliardë euro merret nga taksat, futet në tren, bashkohet me shumën tjetër dhe shkon tek pensionistët. Pra, ata që nuk paguajnë sigurimet shoqërore bëjnë dy dëme në të njëjtën kohë. Dëmin e parë e bëjnë mbi pensionistët, dëmin e dytë e bëjnë mbi fëmijët e këtij vendi, që kanë nevojë për një Shqipëri ku të ketë më shumë kopshte, më shumë shkolla, më shumë shërbime cilësore në të gjitha drejtimet e më shumë e më shumë sepse faktikisht, këto 500 milionë euro cdo vit duhet të rrinë për këtë pjesë; duhet të rrinë për fëmijët, duhet të rrinë për zhvillimin, duhet të rrinë për të ardhmen. Nuk duhet të shkojnë për kontributet e të shkuarës. Për kontributet e të shkuarës duhet të shkojë pjesa tjetër, ajo që është e drejtpërdrejtë nga sigurimet shoqërore.
Kjo nuk ndodh ose më saktë, kjo nuk ndodh siç duhet të ndodhë sepse është shumë mirë seç ishte, e tha zëvendësministrja, ne e kemi shtuar thuajse 300 mijë në sigurimet shoqërore kontribuues, e tha ministrja që ne e kemi nisur këtë punë me një situatë ku 60% e pagave ishin nën 40 mijë lekë.
Sot 40 mijë lekë është paga minimale në Republikën e Shqipërisë, 60% por ama sot ne nuk mund të vazhdojmë dot më kështu. Pse? Sepse është rritur ekonomia, rriten çmimet, për shkak të rritjes së gjithë zinxhirëve të vlerave dhe për shkak edhe, patjetër, të një konjukture që është më e madhe se e jona, rriten kërkesat, rriten nevojat, rritet presioni i përgjithshëm dhe në ndërkohë, pensionistët me plot të drejtë kërkojnë pjesën e tyre në këtë rritje. Janë e vetmja pjesë e shoqërisë që nuk kanë akoma pjesën e tyre në këtë rritje por përkundrazi, goditen nga efektet e kësaj rritjeje.
Zëvendës ministrja e tha me fjalë shumë të buta, por unë po e them troç. Jo që nuk mund të imagjinohet por është komplet një mashtrim që të ketë pagë mesatare në ndërtim 600 euro. Kjo nuk ekziston dhe ja ku jeni këtu ju të gjithë që jeni sipërmarrës, ju e dini shumë mirë sot që për sipërmarrjet serioze në Shqipëri nuk është më çështja “Sa më kërkon pagën”. Çështja është “Ku të të gjej të më bësh punën” sepse ky biznes këtu ka filluar thjesht nga ambicia për të dalë nga qerthulli i një situate varfërie, si të gjithë të tjerët, në një pikë të humbur të Shqipërisë. Sot është në mes të Tiranës, është biznes që ka rrjet në gjithë rajonin por ama sot është në kushtet e një konkurrence shumë më të fortë dhe kërkon shumë më tepër dije, shumë më tepër kualifikime dhe sigurisht që është gati të paguajë dhe paguan më shumë.
Tani, të thuash që në ndërtim janë pagat 600 euro ku ndërkohë kompanitë e ndërtimit sot problemin e kanë ku t’i gjejnë punëtorët që u nevojiten, qoftë në numër e qoftë me të gjitha aftësitë që duhen të ndryshme për të bërë një ndërtim, – kjo është të tallesh me përbuzje me këtë hall kombëtar dhe çështja e sigurimeve shoqërore është çështje sigurie shoqërore, nuk është një çështje thjeshtë detyrimi formal. Është një çështje sigurie shoqërore dhe nuk është, as ndihmë qeveritare, nuk është as dhuratë qeveritare, nuk është asgjë tjetër përveçse një detyrim i drejtpërdrejtë.
Sistemi i pensioneve nuk është kompani.
Është thjesht dhe vetëm një sistem që funksionin, siç thashë, si kanal transmetimi i atyre që mblidhen këtej dhe që shkojnë menjëherë andej për të paguar pensionet.
Po i kthehem asaj që u tha këtu.
Flasim për një realitet ekonomik ku për shkak se e kemi filluar nga shumë mbrapa, për shkak se kur e nisëm këtë të përpjetë për ta nxjerrë Shqipërinë aty ku duam ta nxjerrim në fund të kësaj dekade, i gjetëm bizneset të rraskapitura nga goditjet, nga arbitrariteti, nga borxhet dhe e gjetëm shtetin të zhytur në një gropë që mund të kthehej në një humnerë, e 700 e kusur milionë euro borxhe, me një kompani pa llogaritur kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, që vetëm ajo në vete kishte një borxh sa mali i Dajtit dhe ndërtuam një rrugë ku e para, synuam që të stabilizojmë sistemin e taksimit; e dyta, synuam të çlirojmë komplet nga taksimi biznesin e vogël dhe e treta, synuam që pa rritur taksat të zgjerojmë bazën e kontribuuesve dhe sot jemi vendi, e tha ministrja, me hapësirën me të madhe po ju them, të lehtësive për biznesin. Nuk ka asnjë vend në rajonin tonë, se në Europë nuk po i hymë fare asnjë vend në rajonin tonë, ku biznesi i vogël të ketë 0 taksë. Është vetëm ky. Zero! Nuk paguan taksë deri në 140 mijë euro nuk paguan taksë. Ndërkohë që deri në 100 mijë euro nuk paguan as TVSH, as taksë, as TVSH. Ndërkohë që kur ne morëm detyrën ishte 10% taksë mbi biznesin e vogël dhe ishte edhe TVSH sipër për ata që ishin mbi vetëm 8 milionë lekë të reja xhiro. Pra kemi lënë një hapësirë totalisht të lirë dhe çfarë i kërkojmë ne biznesit të vogël? Vetëm të paguajë sigurimet shoqërore, sigurime shoqërore që në fakt në momentin që paguhen shkojnë tek tjetri, por janë garancia që kur ti të shkosh tek tjetri, do vijë ai mbrapa do t’i sjellë ty me atë trenin, pra sigurimi shoqëror është i yti, ti e paguan për vete ndërsa paraja që ti jep në atë moment, i shkon atij që është në anën tjetër të rrugës së jetës, në pension. E të mos paguash sigurime shoqërore? Çfarë do me thënë kjo?
Biznesi i madh, kompanitë e mëdha kanë vetëm 15% taksë dhe e kanë të pandryshuar tanimë prej vitesh dhe kur bëhen krahasimet dhe vihet Shqipëria në ato krahasimet e pagave me rajonin, rajoni është shumë më afër pagës reale kurse ne jemi shumë larg nga paga reale kur dalim atje me ato paga sepse pagat reale në Shqipëri janë njësoj si pagat në vendin më të zhvilluar të rajonit që është Serbia, reale, por në deklarime dalim poshtë dhe mirë që dalim poshtë në pasqyra, por faktikisht aty poshtë është një gropë. Është një gropë ku mbijetojnë pensionistët. Kjo është nga pikëpamja e solidariteti social, një pikëpyetje shumë e madhe për kapacitetin tonë shoqëror për të qenë në lartësinë e solidaritetit social. Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe dhe kësaj pikëpyetje ne duhet t’i japim përgjigje, në një mënyrë ose në një tjetër.
Thonë njerëzit, ‘’bëji pensionet aq, bëji pensionet kaq’’. Nuk ka qeveri, nuk ka kryeministër, nuk ekziston që të mos dojë t’i bëjë pensionet aq sa do të dëshironte prindi ose gjyshi/gjyshja, por pensionet nuk rriten se do ti që t’i rrisësh, sepse nëse vepron në këtë mënyrë, gropa mbulohet në dukje, por në fakt bëhet humnerë poshtë dhe e shemb komplet shtetin. Pensionet rriten duke u rritur ky kontribut dhe duke dhënë thjesht atë që të takon, asgjë më shumë, atë që të takon.
Dhe në këtë pikë dua t’i kthehem asaj që tha drejtori i Tatimeve. Ju e dini shumë mirë që ne kemi bërë një fazë të parë të revolucionit digjital të administrimit të të ardhurave me fiskalizimin. Ka sjellë zhvillime shumë pozitive, por na ka treguar që tek hilja, ne kemi si komunitet po themi, që të mos i biem gjithë popullit në qafë, por si komunitet, kemi një aftësi, që sikur këto kompanitë e mëdha, Google e Microsoft ta shfrytëzonin, do kishin ecur edhe më përpara sepse atë që të kap shqiptari edhe në sistemin më të sofistikuar digjital, nuk ka kap dot dikush tjetër. Ama, kemi gjetur dhe ilaçin. Ky është lajmi që kam për të gjithë biznesin dhe shumë shpejt do shikoni që truket me fiskalizimin nuk do funksionojnë më sepse ka dalë Inteligjenca Artificiale. Pra, ka dalë një ‘’sy’’ që kap çdo hile dhe të gjitha transaksionet do të kalojën nëpërmjet atij syri dhe ai sy, nuk është një sy si syri i inspektorit të Tatimeve, syri i inspektorit të Tatimeve ka problemin që sheh aq sa do dhe ka dhe një veti, që nuk sheh fare kur ti di ta shkelësh. Ti bën një kështu, ai mbyllet fare dhe ti del pastër fare, madje mund të dalësh dhe sikur të ka qeveria borxh. Ky syri i inteligjencës artificiale që është duke i futur në mes tonë, do të na ndihmojë për dy gjëra.
E para, për të kuptuar kush gënjen dhe kush herë e shtyp e herë nuk e shtyp atë kasën fiskale.
E dyta, do të na ndihmojë dhe për një gjë tjetër, që bizneset që janë në të drejtën e tyre dhe qe janë shembull në zbatimin e ligjit se kemi plot nga këto, se po të ishte se s’do kishim asnjë, do thoshim ‘’nuk ka këtu, nuk bëhet’’. Jo, ka plot biznese, ka plot kompani, ato nuk do të shohin më asnjë inspektor në jetën e tyre në derë, fare. Hiç! Nuk do shohin më inspektor Tatimesh në derë, nuk do të duan më të dinë ku është godina e Tatimeve sepse ai sy që do t’i vëzhgojë të tërë, do të vëzhgojë çdo transaksion, çdo lëvizje parash në 24 orë edhe kur ju të jeni duke fjetur. Ai do të japë raportin që ky biznes nuk ka nevojë për asnjë lloj inspektimi, është në rregull. Duhet të përgatiteni që ne nuk do t’i pranojmë më deklarimet e pagave siç doni ju. Kjo duhet të jetë e qartë,. Pra loja “deklaro 600 euro pagën mesatare në ndërtim” dhe ne, qeveria merr nga ato 600 euro atë pjesë të sigurimeve shoqërore që del nga 600 euro dhe çoja pensionistëve dhe ndërkohë pensionistët prit të marrin atë që u takon dhe nga ana tjetër ne, përpiqu që të plotësojmë me taksa. Kjo lojë do të mbarojë me pagat, sepse institucionet e të ardhurave nuk do ta pranojnë mbi bazën analizës së riskut me modelin e inteligjencës artificiale që është duke u testuar dhe që po jep rezultate që të çlirojnë komplet frymëmarrjen edhe nga halli që më në fund bizneset të shpëtojnë nga inspektorët dhe thirrja ime është: ju lutem të gjithë kompanive të deklarojnë pagat reale dhe të mos luajnë me zjarrin në këtë punë. Tani kjo është një lojë me zjarrin. Kjo është njësoj si faturat e energjisë elektrike, njësoj!
Duket në pamje të parë pak më e vështirë për tu sistemuar se nuk është thjeshtë çështja: po s’pagove, priten dritat, por falë teknologjisë është plotësisht e sistemueshme. Ama, nëse në këtë marrëdhënie institucionet do të ndeshen me kokëfortësi, me refuzim për të pranuar të vërtetën kur ta kthejnë deklaratën të thonë “jo, nuk e ke kaq”. Do t’i jepet një mundësi e dytë të gjithëve, në bazë të deklaratës së parë do dali nga analiza e riskut, do ta nxjerri modeli, do thotë: kjo kompani nuk thotë të vërtetën. Do t’i kthehet, do t’i thuhet: “nuk e ke kaq, reflekto”! Por nuk do të jetë një lojë pafund! Mos reflektimi i dytë pastaj do ketë procese të tjera që nuk janë për mua, nuk janë për qeverinë, janë për institucionet, janë dhe për organet e drejtësisë sepse ne pensionistët nuk i lëmë dot më të presin.
Nuk kemi pasur mundësi dhe duhet ta them dhe këtë se dhe kjo është shumë e rëndësishme, kjo nuk është se u kujtuam ne sot. Jemi kujtuar që ditën e parë për këtë punë por nuk kemi mundësitë ta adresojmë seriozisht një rritje domethënëse të mbështetje për pensionistët sepse nuk na i ka lejuar ekonomia. Po sot ekonomia na e ka dhënë dhe nuk doni ju dhe këtu po ju kërkoj shumë ndjese atyre prej ju që se meritojnë këto fjalë, pra nuk duan një pjesë e madhe e kompanive që të na e japin. Pra ekonomia na e ka dhënë dhe nuk duan të na e japin që t’i transferojmë te pensionistët në fund të muajit, po si mund ta lejojmë ne këtë? Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Dhe është realisht shumë sekëlldisëse dhe ua u them sinqerisht për mua që të jetë nevoja ta bëjmë këtë diskutim kur kjo duhet të jetë normaliteti i solidaritetit bazë me gjithë ata të moshuar të cilëve pastaj shumëkush që nuk i paguan sigurimet shoqërore iu qan edhe hallin nëpër televizor e nëpër rrjete sociale. Shumëkush që për veten deklaron tjetër dhe jeton komplet në standarde të tjera, ju qan dhe hallin se çfarë po iu bën qeveria, por në këtë pikë unë skam asnjë problem se e mira e madhe e pensionistëve është që janë analistët politikë më të ditur të këtij vendi dhe nuk ka xhagajdurë që iu çorodit vizionin dhe vijën e arsyetimit për të nesërmen.
Këto kishim ne, e di që u zgjatëm. Është edhe e mërzitshme kjo bisedë me thënë të vërteten për shumë kënd, është dhe e dhimbshme kur zgjatet, por faleminderit që na mundësuat jo thjeshtë të flasim me ju, por përmes këtij takimi dhe me të gjithë ata që shpresoj që të na ndjekin dhe shpresoj të kuptojnë se çfarë po themi dhe shpresoj që të reagojnë. Natyrisht ne nuk do bazohemi vetëm se sa do reagojnë ata, ne jemi përgatitur për reagime shumë të forta, por ne besojmë shumë që marrëdhënia jonë me biznesin duhet të jetë një marrëdhënie partneriteti, një marrëdhënie mirëkuptimi. Nuk hyra këtu t’ju tregoj debitë e biznesit ndaj skemës, por edhe për këtë ne jemi duke punuar. Ajo që tha ministri është baza e planit tonë, përpjekje për mirëkuptim përpara përplasjes për moskuptim. Kjo është për ne.
Nuk mund të ikim pa ju thënë nëse ka diçka, çfarëdo qoftë që doni të ndani me ne, ne jemi në dispozicion. Shqetësim, pyetje, kërkese, ankese, kritikë, sharje të gjitha janë të mirëpritura megjithëse sharjet këtu nuk i lejon i zoti themelues i kompanisë se ai bën fushata globale për etikën, por ne i mirëpresim, s’kemi problem, jemi mësuar!
Në rregull, shumë faleminderit!