Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në Tiranë, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, e cila u nderua fillimisht në një ceremoni zyrtare dhe më pas zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama në zyrën e tij.

Pas takimit me tyre, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma! E nderuar presidente e Komisionit Europian, E dashur Ursula!

Sot, ne ju presim përsëri në Tiranë. Unë e kam humbur numërimin e herëve kur ju keni ardhur. Me siguri keni ardhur më shumë se të gjithë paraardhësit tuaj që nga fillimi i këtij shekulli dhe sot është një ditë shumë e veçantë dhe është një konferencë shtypi shumë e veçantë sepse e di shumë mirë përpara sesa t’ju dëgjoj, që sot ju nuk do ta përsërisni fjalinë me të cilën keni mbyllur të gjitha konferencat e mëparshme të shtypit.

“Ne duam të fillojmë me Shqipërinë negociatat për anëtarësim”.

Sot kjo fjali i përket historisë sepse sot keni ardhur në Shqipëri, pasi tanimë Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim dhe ka hapur grup kapitullin e parë të “Themelore”-ve duke hyrë në një fazë të re. Në fazën kur, kur të vini përsëri do duhet ta mbyllni konferencën e shtypit duke thënë:

“Ne duam anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Ne jemi shumë të vendosur që t’ia dalim edhe në këtë dhe siç ju e dini skuadra jonë e negociatave ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t’u përballur me këtë sfidë të re. Ne e dimë që është një sfidë që nuk shkon duke u bërë më e lehtë, shkon duke u bërë më e vështirë sepse tanimë bëhet fjalë për një sërë detyrash dhe nuk po them sa janë – që të mos tronditet askush që nuk e di procesin në brendësinë e vet, – por janë mijëra dhe janë detyra, të cilat duhet të përkthehen në ligje, në akte nënligjore, por edhe në prova të zbatimit të tyre.

Nga ana tjetër, është një vizitë e veçantë kjo edhe për faktin që sot, pas kësaj konference ne së bashku do të përshëndesim studentët dhe pedagogët e Kolegjit të Europës në Tiranë.

Nga ana tjetër, jam këtu bashkë me ju edhe për të konfirmuar dhe afirmuar të gjitha ato, të cilat Shqipëria i ka demonstruar në këtë rrugë të përbashkët, në aspektin e të qëndruarit krah për krah me Bashkimin Europian, e linjëzuar 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, e përfshirë pa kursim në të gjitha proceset e në të gjitha ato që janë vlera, por dhe sfida që na bashkojnë dhe e gjithë kjo qasje e Shqipërisë vetëm do të forcohet dhe do të konsolidohet në vijim, duke dëshmuar, jo vetëm aftësinë për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin, por dhe qëndrueshmëri në aspektin e afirmimit të gjithë parimeve, vlerave që bashkojnë këtë komunitet vendesh dhe popujsh të Europës.

Nuk dua të zgjatem më shumë, pasi jam i bindur që pas çeljes zyrtarisht të negociatave dhe në momentin kur fillon turi juaj në Ballkanin Perëndimor ka shumë më tepër interes se çfarë do thoni ju sesa çfarë mund të them unë, por unë dua ta mbyll me një falënderim.

Një falënderim shumë të ndjerë dhe shumë të posaçëm sepse pa vendosmërinë tuaj, pa mbështetjen e pakursyer të Komisionit Europian, pa bashkëpunimin e përditshëm me misionin Komisionit Europian në Tiranë, pa ndërveprimin e vazhdueshme me të gjithë ata në Bruksel që janë të lidhur me këtë punë, kjo ditë nuk do të kishte ardhur.

Ne e dimë shumë mirë se sa shumë vështirësi është dashur të kapërcehen, sesa e vështirë ka qenë politikisht për ta kthyer edhe një herë BE-në me sytë nga Ballkani Perëndimor, por jo për të përsëritur që një ditë ne do jemi bashkë, por dhe për ta afruar atë ditë më shumë.

Kështu që, shumë faleminderit edhe në emër të të gjithë atyre që kam privilegjin të përfaqësoj, të gjithë shqiptarëve sepse ne shqiptarët jemi të ndarë në pothuajse çdo gjë. Ne shqiptarët jemi në gjendje të bëjmë debat edhe për ngjyrën e murit atje, edhe për orën se sa është sot, madje në një moment të caktuar pasionalisht mund të bëjmë debat dhe për sa është data sot, por ka një gjë për të cilën shqiptarët nuk kanë asnjë debat: që vendi ynë, që vendi i Shqipërisë është në BE dhe që e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërtohet në BE dhe nëse ka një mision të përbashkët kombëtar të të gjithë shoqërisë, të të gjitha partive politike, të të gjitha forcave aktive në shoqëri, është që të kontribuojnë që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt.

Pra mirë se erdhët në vendin më pro BE-së në Europë, edhe brenda në BE, edhe jashtë BE-së. Ky është vendi. Fanatikët e Bashkimit Europian janë në Shqipëri dhe këtë nuk e them unë, e thotë barometri europian.

 

Presidentja e komisionit Europian Ursula von der Leyen: Faleminderit shumë kryeministër! I dashur Edi!

Jam tejet e gëzuar të shoh se  sa shumë ka arritur tashmë Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Dhe në fakt vërtet që më në fund javën e shkuar, ne hapëm negociatat kështu që vërtet nuk duhet ta kërkojmë më këtë gjë, pra hapëm negociatat për grup kapitullin e çështjeve themelore, sepse ne punojmë me grup kapituj.

I dashur Edi, çfarë suksesi ky!

Sukses që vjen si rrjedhojë e shumë e shumë viteve me shumë punë, por edhe përkushtimi për këtë objektiv të përbashkët dhe ju keni treguar vizion, durim dhe këto gjëra po tregojnë tashmë rezultatet e tyre dhe dëshiroj që të shfrytëzoj këtë mundësi që më jepet që të falënderoj të gjitha ekipet, të gjithë ata që kanë punuar ditë e natë për këto gjëra që janë arritur dhe që tashmë do të vazhdojnë me punën e tyre për negociatat me kapitujt e ndryshëm dhe të jeni të sigurt që zgjerimi do të vazhdojë të jetë edhe në mandatin tim të ardhshëm, përparësi e lartë. Ne tashmë i kemi të gjitha instrumentet, të gjithë mekanizmat në dispozicion, kështu që duhet bërë puna e mirë.

Megjithatë më lejoni që të përmend tre çështje kryesore.

E para ka të bëjë me Planin tonë të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në fakt e diskutuam këtë edhe javën e shkuar në Berlin, në Samitin e Berlinit, pra ju e dini qasjen që ne kemi. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, pra kompanitë e Ballkanit Perëndimor në sektorë të caktuar, por edhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë më zbatim reforma të rëndësishme dhe këto reforma mbështeten nga ne, me anën e investimeve shtesë europiane.

Tashmë ka një vit që ka filluar puna dhe shumica e  vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë gati axhendën e reformave. Shqipëria është një prej këtyre vendeve.

I dashur Edi!

Ju dhe ekipi juaj keni bërë një punë të shkëlqyer për axhendën e reformave. Tani duhet të fillojmë edhe me parafinancimin prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit. Pra, cilësia e planit të reformave është e mirë, kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milion euro nga plani i rritjes. Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultatet konkrete të tjera. Për shembull ju jeni në rrugën e duhur për tu bërë pjesë e zonës  unike të pagesave në euro që prej vitit të ardhshëm. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që transfertat në para mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të jenë më të shpejta më të sigurta dhe falas. Pra një përfitim shumë i madh, si për qytetarët tuaj ashtu edhe për bizneset shqiptare.

Nisma e dytë që dëshiroj të përmend është plani ynë i investimeve për Ballkanin Perëndimor. Punën për këtë plan investimesh e kemi filluar 4 vite më parë. Në Shqipëri me anën e këtij plani janë mobiluar investime prej 1.4 miliard eurosh me fokus të fortë tek tranzicioni drejt energjisë së pastër. Ju e dini që  Bashkimi Europian ka filluar punën për atë arritur neutralitetin ose asnjanësinë e karbonit deri në vitin 2050, ndaj është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e kësaj nisme bashkë me ne.

Megjithatë për Shqipërinë, kjo nuk ka për të qenë sfidë veçanërisht e madhe sepse ju jeni lider në këtë fushë. Prandaj ne po punojmë me ju për projekte që mund ta fuqizojnë këtë lidership që ju keni në këtë fushë. Në fushën e energjisë së rinovueshme, për shembull ne kemi hidrocentralin e Vaut të Dejës me energji diellore, shpresoj ta kem thënë siç duhet Vaun e Dejës, pra mbi lumen Drin. Është i pari i këtij lloji në rajon.

Kemi gjitha gjithashtu edhe një program prej 50 milion eurosh për efiçencen e energjisë të cilën ne e përdorim për instalimin e stacioneve të karikimit të makinave elektrike. Gjithashtu po investojmë edhe për transportin e pastër për të arritur lidhje më të mira brenda për brenda rajonit por edhe ndërmjet rajonit dhe Europës përfshirë këtu linjën hekurudhore të Shqipërisë me BE-në si edhe planet për sistemin e parë të autobusëve elektrik për Tiranën.

Çështja e tretë që dëshiroj të përmend i dashur Edi është një projekt tejet i veçantë që kemi këtu në qytetin tuaj. Dhe sigurisht që fjalën e kam për kampusin e Kolegjit të Europës. Ju patët këtë ide i dashur Edi, ide të shkëlqyer vetëm përpara dy vjetësh dhe ne sigurisht dëshironim që ta bënim realitet, ishte një ide fantastike dhe ja ku jemi dy vite më vonë.

Ne zyrtarisht do të hapim vitin akademik për grupin e parë të studentëve të Kolegjit të Europës në Tiranë. Dhe në fakt me zor prej të takoj këta të rinj të cilët po studiojnë të drejtën Eurpiane dhe integrimin Eurpian këtu në tiranë.

Këta të rinj janë udhëheqësit e ardhshëm e Evropës, pra kjo do të thotë që e ardhmja  e Evropës po formësohet pikërisht këtu në Tiranë, me këtë kolegj dhe me këta të rinj. Gjëja e fundit që dëshiroj të them është edhe një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë dhe në fakt, ndryshe nga të tjerat, sepse sivjet, këtë verë pra Shqipëria si edhe disa shtete të tjera evropiane, anëtare evropiane, u desh që të përballej me zjarret. Janë këto fatkeqësi natyrore të cilat po ndodhin gjithnjë e më shpesh në kontinentin tonë.

Ne e dimë që fatkeqësisht ky është realiteti i vështirë i ndryshimeve klimaterike, por ama këtë realitet të këtyre ndryshimeve ne po e  luftojmë me pasurinë më të madhe që kemi, solidaritetin evropian. Për këtë arsye, partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor, u kemi dhënë të njëjtat masa solidariteti që ne përdorim brenda për brenda Bashkimit Europian. Kjo do të thotë që 4 herë gjatë verës ne aktivizuam mekanizmin e mbrojtjes civile, që do të thotë mobilizuam avionë për të  luftuar zjarret nga Greqia, Rumania, Italia  sepse në fund të fundit ja se ç’do të thotë të jesh fqinji ynë, partneri ynë dhe shteti i ardhshëm anëtar në BE për Shqipërinë dhe kjo duhet ndjerë.

Prandaj, i dashur Edi, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Faleminderit shumë për punën tuaj të madhe, për angazhimin tuaj, për miqësinë tuaj.

Faleminderit!

 

***

– Pyetja e parë për Presidenten, ne këtu në Shqipëri, po besoj edhe në  të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor e njohim kontributin tuaj për t’i dhënë Shqipërisë për anëtarësimin dhe tani ne kemi hapur edhe kapitujt e parë të negocimit, por mesa unë ju kam ndjekur, ju jeni ndër të paktat zyrtare të Bashkimit Europian që nuk jepni një afat konkret për anëtarësimin, të paktën për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera. Edhe tani e thatë që në mandatin e dytë do të keni në fokusin tuaj zgjerimin. Kryeministri Rama, por kam dëgjuar edhe presidentin Charles Michel që ka thënë që 2030 është një afat i mundshëm për anëtarësimin. Për ju është një afat i mundshëm, pyetja e parë dhe nëse do të kishim një mundësi, besoj jeni njohur me zhvillimet më të fundit në Tiranë, dy ditë më parë është arrestuar edhe ish-presidenti. Nëse do të kishit një koment?

Zoti Kryeministër e di qe ju keni vendosur një standard dhe nuk flisni në gjuhë të huaj për zhvillimet politike në vend, por nëse do të kishit mundësi në shqip, një koment për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta dhe për debatin qe ka ngjallur mënyra që u përdor nga policia për zbatimin e urdhrit të gjykatës. Faleminderit!

-Ursula von der Leyen: atëherë pjesa e dytë e pyetjes suaj, siç e dini unë nuk do të bëj komente për procedime gjyqësore. Ne bashkëpunojmë me Shqipërinë dhe punojmë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëjë me çështje individuale. Procesi varet nga meritat e çdo vendi dhe është shumë e rëndësishme kjo edhe për shtetet anëtare që ju të shikoni rezultatet e punës dhe ja që këtu me Shqipërinë kemi shembull vërtetë të shkëlqyer, pra gjërat kanë ecur shpejt dhe në rast se gjërat ecin siç duhet, ne ndoshta, do të hapim të gjithë grup-kapitujt në fund të vitit të ardhshëm, pra është një plan ambicioz. Do të ketë nevojë për shumë punë, kështu që prandaj, është e arsyeshme që të mos kemi një datë të saktë, por që duhet bërë e gjithë puna për t’u bërë shtet anëtar dhe që ky proces varet nga merita e çdo vendi.

Kryeministri Edi Rama: Ju e dini përgjigjen dhe në këtë rast jo thjesht për faktin që unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj apo në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin që, qysh se ne e kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet, as unë dhe as forca politike që un udhëheq, nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë.

Kur ndodh që çështjet të përmbyllen, mbase në ndonjë rast ia vlen të bëhet edhe ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomene katastrofike për shoqërinë, siç është shpifja. Për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë.

 

-Kam nga një pyetje për secilin prej jush. Fillimisht për ju zonja Presidente, sa i takon vendimit për hapjen e negociatave; a ishte vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë më shumë një lëvizje politike, duke pasur parasysh kontributin që Shqipëria ka dhënë me hapjen e kampit të emigrantëve në Gjadër dhe konkretisht, cili do të jetë përfitimi që do të kenë qytetarët shqiptarë në këtë proces?

-Sa ju takon juve zoti Kryeministër, si i përgjigjeni kritikave që reformat politike në Shqipëri shpeshherë kanë qenë dhe janë perceptuar si të ngadalta dhe të ndikuara nga lëvizjet dhe interesat e brendshme politike?

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen: Atëherë, përgjigja e shkurtër për pyetjen tuaj është qartësisht Jo. Ne e dimë që procesi për t’u bërë shtet anëtar ose më saktë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian është shumë e qartë, është shumë i detajuar, është transparent dhe siç e thashë, në fakt, edhe gjatë përgjigjes së parë, bazohet tek meritat që ka çdo vend. Për shembull, javën e ardhshme, Komisioni do të nxjerrë raportin për situatën e zgjerimit. Pra, do të bëhet një shpjegim i çdo vendi kandidat, cila është situata në ato vende dhe do ta shikoni që rezultatet për Shqipërinë janë të shkëlqyera. Kështu që, ky është një proces ku të gjitha shtetet anëtare, luajnë rolin e tyre për të parë sesi po ecin gjërat me transparencë të plotë. Kështu funksionojnë gjërat.

Kryeministri Edi Rama: T’ju them të drejtën, unë kam dëgjuar shpesh që reformat tona janë të nxituara, por nuk kam dëgjuar ndonjë që të thotë që janë të ngadalta dhe nga ana tjetër, që reformat tona janë reforma të lidhura me interesa të politikës së brendshme mund ta thonë të interesuarit në politikën e brendshme, por lajmi i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jo sot, por prej kohësh është që Shqipëria nuk është një ishull i shkëputur nga bota dhe nuk është as një vend në këtë kontinent që ka bërë ndonjë zgjedhje që ja lejon të qëndrojë edhe me kurriz nga Europa.

Shqipëria është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ecën çdo ditë krah për krah me aleatët e vet strategjike dhe në fund të ditës dëgjon vlerësimet e tyre, merr rekomandimet e tyre dhe të nesërmen rizgjohet për të vazhduar të ecë sepse Shqipëria, për faktin që shqiptarët unanimisht kanë vendosur përfundimisht që t’i përkasë Bashkimit Europian, nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe nëse të interesuarit në politikën e brendshme kanë opinione të caktuara, kjo është pjesë e të jetuarit në një vend të lirë, por nëse opinione të caktuara vënë në pikëpyetje reformat dhe rezultatet e tyre, të cilat dhe për shkak të të cilave ne u ulëm në tryezë me Bashkimin Europian, atëherë problemi nuk është as i imi, as i shqiptarëve, as i Bashkimit Europian dhe i asnjë partneri tjetër.

Kështu që, Shqipëria patjetër që ka akoma shumë male për të kapërcyer deri sa të arrijë deri në majën më të lartë që është maja e anëtarësimit.

Ne duam ta arrijmë atë majë brenda kësaj dekade, që do të thotë që ne duam që brenda kësaj dekade të jemi gati, siç ishim gati kur Komisioni Europian dha rekomandimin për të filluar negociatat dhe kur Këshilli Europian tha jo, por në këtë rast, nëse ne jemi gati brenda vitit 2030 që të jemi anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Europian do të thotë që në Shqipëri dhe për shqiptarët, më në fund, do të ketë një shtet, i cili funksionon si një shtet në Bashkimin Europian dhe kjo është më e rëndësishmja për mua dhe për ne të gjithë.

 

– Zonja Ursula von der Leyen, ju në fakt e keni përgëzuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, madje keni sugjeruar që të merret si model edhe për vende të tjera. Sot që Gjykata Europiane ka një vendim, vendim ku në fakt është bazuar dhe gjykata e Romës që de fakto pengon përdorimin apo funksionimin e kampeve që janë ngritur në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër. Ju keni një qëndrim apo një koment për këtë dhe për faktin që një qëndrim të ashpër ka mbajtur dhe kryeministrja italiane, qeveria italiane sa i takon këtij vendimi?

Një pyetje për kryeministrin Rama, sa i takon çështjes së integrimit, një nga çështjet kryesore në fakt që shoqëron Shqipërinë gjithnjë është bashkëpunimi politik, bashkëpunimi i shëndetshëm politik mes maxhorancës dhe opozitës, por sot në fakt që presidentja e Komisionit Europian është këtu, një pjesë e opozitës, disa deputetë protestojnë në Parlamentin Europian, në një institucion tjetër të rëndësishme të BE. A ndikon kjo për imazhin e Shqipërisë në këtë rrugëtim drejtë BE kur vetëm një javë më parë në fakt u hapën zyrtarisht negociatat për grup kapitullin e parë?

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen: Që prej fillimit, ne kemi qenë tejet të qartë, që ne po monitorojmë zhvillimet në lidhje me këtë marrëveshje, por që kjo është një marrëveshje dy palëshe për të cilën bëhet fjalë, pra ne nuk bëjmë komente për të, por monitorojmë zhvillimet e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen, është shumë e vërtetë ,por duhen dy për një tango, thotë një fjalë. Kështu që, nëse nuk ka një dyshe për një tango, atëherë ka vetëm një muzikë që është muzika e BE dhe muzika e BE është shkruar në mijëra partitura me detyra konkrete, me afate konkrete, me monitorim shumë të imtësishëm të këtyre detyrave dhe patjetër dhe me rezultate konkrete. Kështu që, do të ishte shumë mirë nuk diskutohet, që edhe në aspektin që pyetët ju të ndodhte ashtu siç do të ishte e dëshirueshme, por nga ana tjetër, ne nuk mund të qëndrojmë në vend dhe ta vajtojmë këtë situatë, por duhet të vazhdojmë përpara, të bëjmë detyrat dhe siç arritëm ta ulim Shqipërinë në tryezën e negociatave, ta arrijmë ta ulim përfundimisht Shqipërinë në tryezën e Këshillit Europian si një vend anëtar me të gjithë të drejtat dhe detyrat e veta si çdo vend anëtar dhe unë kam shumë besim që më herët sesa vonë, kur ende ne do të jemi rrugës edhe kjo që ju sollët në vëmendje, që BE krejt normalisht e pretendon nga çdo vend që kërkon të futet në shtëpinë e përbashkët, do të ndodhi. Është fillimi i fundit të një historie shumë të gjatë dhe më herët sesa vonë një histori e re do të fillojë dhe në këtë aspekt. Unë jam i bindur për këtë, por do të na duhet edhe ca durim.

Faleminderit!

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Tetor 2024