Takimet e hapura me pensionistë në të gjithë Shqipërinë vijuan sot në Fier me diskutimin informues mbi çështjen e pensioneve, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, ku bashkëbisedues ishin pensionistë të qytetit dhe të zonave përreth, shumë prej të cilëve kontribuues në sektorë të rëndësishëm si ai i industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të naftës, në bujqësi, etj.
“Fokusi ynë kryesor sot janë pagat sepse i gjithë themeli i asaj që më pas ndikon dhe efekton pensionet është kontributi, është paga reale, paga në tregun e punës sot, paga e deklaruar 100%, marrëveshja mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, e ligjshme dhe e deklaruar, e depozituar në bankë dhe pa asnjë informalitet në të. – u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, teksa foli për rëndësinë e ndërhyrjeve në skemë dhe impaktin e tyre afatgjatë. “Përgjegjshmëria jonë sot është shumë e lartë, në mënyrë që për çdo gjë që ne do të studiojmë, do ta realizojmë dhe do të ndërhyjmë, duhet të kemi shumë kujdes sepse ndikojmë breza të tërë pas nesh, jo qeveri, por breza të tërë pas nesh.” – u shpreh ai.
Duke u ndalur në specifikat e qarkut, Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e pranishme në takim tha se “në qarkun e Fierit është aplikuar dhe statusi i naftëtarit, i cili përfshin 6 mijë pensione suplementare dhe nga tjetër ne ia kemi dalë dhe kemi arritur që tashmë të implementojmë moshën 60 vjeç, pra 5 vjet më herët daljen në pension për këtë profesion kaq të vështirë krahasuar me moshën zyrtare të daljes në pension.”
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit që jeni këtu sot. Ne jemi angazhuar në një diskutim të hapur në të gjithë territorin e Shqipërisë përmes drejtuesve politikë të Partisë Socialiste, anëtarëve të kabinetit, deputetëve për të kontaktuar sa më shumë pensionistë dhe pensioniste në një përpjekje për të shpjeguar në mënyrë konkrete dhe me fakte të gjithë panoramën që kemi sot përballë në mënyrë që të kuptohemi sa më mirë për jo thjeshtë çfarë duam të bëjmë, por edhe si mundet ta bëjmë.
Tani, në radhë të parë, dua të them që pensionet janë pa diskutim, pjesa më e vështirë e të gjithë mozaikut të zhvillimit dhe sot tema e pensioneve nuk është një temë thjesht për vendet si ne, por është një temë për të gjitha vendet, duke filluar nga vendet më të pasura, ku në mënyrë të vazhdueshme, ngrihet problemi i vështirësisë për të rritur pensione dhe për t’ju përgjigjur financiarisht rritjes së pensioneve në kohë sepse nuk është diçka që mund të jetë sot dhe duhet të mungojë nesër. Çdo pension që rritet, rritet për të qëndruar i rritur aty në kohë.
Pse kjo është pjesa më e vështirë dhe çka e bën pensionin të ndryshëm nga pagat?
Sepse ndryshe nga pagat, pensioni bazohet tek sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat, të cilat financohen drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, pensioni financohet nga sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat, fondi i pensioneve është një fond i bazuar tek kapaciteti i sigurimeve shoqërore për t’ju përgjigjur nevojës për të paguar pensione.
E para, për arsye të ndryshme historike, ne kemi trashëguar një situatë jashtëzakonisht të vështirë kur vjen puna tek pensionet sepse në radhë të parë, ka pasur, ka akoma, por ka pasur shumë më tepër shmangie nga sigurimet shoqërore.
E dyta, në fillim të viteve ’90 kur u shkatërrua çdo gjë në aspektin e formacionit ekonomik dhe prodhues të vendit, u bë dhe nxjerrja në pension shumë të parakohshëm të shumë njerëzve që ishin punëtorë nëpër fabrika e nëpër ndërmarrje të ndryshme dhe u rrit në mënyrë shumë artificiale, për shkak të atij shkatërrimi, numri i pensionistëve. Pra, u rrit numri i atyre që u futën në skemën e pensioneve dhe të cilët duhet të paguheshin nga fondi përkatës i sigurimeve shoqërore që asokohe ishte jashtëzakonisht i pafuqishëm.
Së treti, ne kemi në këtë periudhë të historisë sonë, një situatë të trashëguar specifike pasi shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen nga emigracioni për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit, por ndërkohë ata njerëz kanë fituar të ardhura në vendin ku kanë qenë në emigracion, kanë paguar atje sigurime shoqërore, por jo këtu dhe kjo ka qenë një tjetër trashëgimi shumë e rëndë sepse kur ne morëm detyrën gjetëm vetëm një marrëveshje pensionesh me një shtet tjetër dhe një shtet që as nuk më kujtohet, Turqia, ku numri i emigrantëve, për hir të vërtetës, nuk është se është shumë i konsiderueshëm.
Sot që flasim ne kemi arritur të lidhim marrëveshje me mbi 20 shtete ku marrëveshja më e rëndë dhe më e vështirë e lidhur deri më tani ishte ajo me Italinë, gjë që bën të mundur që të gjithë ata që dalin në pension dhe që kanë punuar në vendet me të cilat ne e kemi këtë marrëveshje, të mund të përfitojnë nga sigurimet shoqërore që kanë paguar edhe në atë vend. Pra, pensioni i tyre, faktikisht, është shuma e detyrimeve të paguara kur kanë qenë këtu në punë dhe kur kanë qenë atje në punë dhe për këtë arsye do të dalë një pension shumë dinjitoz.
Tani, pjesa e fundit dhe edhe kjo shumë e vështirë, është lidhja e marrëveshjes me Greqinë për të cilën jemi në diskutime me palën greke, por do të kërkojë kohën e vet, jo për shkakun tonë, por për shkak se është një vendimmarrje shumë e rëndësishme dhe ka një peshë të caktuar financiare.
Me Italinë kjo më në fund u realizua dhe faktikisht, shpërblen punën, mundin dhe djersën e një numri shumë të madh shqiptarësh që kanë dalë apo do të dalin në pension duke pas punuar në ekonominë italiane.
Një arsye tjetër që është po kaq e rëndësishme është se, siç thashë më parë, ne vazhdojmë të kemi një problem serioz me shmangien e detyrimeve shoqërore, sigurimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe këtu është koha për të bërë një tjetër përpjekje shumë të fuqishme nga ana jonë pasi tanimë ne jemi në kushtet kur rritja ekonomike dhe rritja e mundësive na e ka krijuar ne këtë mundësi që të vijmë tek ju dhe të diskutojmë se çfarë do të bëjmë konkretisht duke filluar nga fundi i këtij viti. Përpara nuk e kemi pasur këtë mundësi. Nuk është absolutisht se ne i kemi lënë mënjanë apo se ne i kemi neglizhuar apo se ne nuk jemi kujtuar për pensionistët. Komplet e kundërta është e vërtetë.
Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe nëse ne nuk e kemi në qendër të vëmendjes pensionistin, ne nuk e meritojmë emrin që mbajmë, kjo nuk diskutohet, por ama, që të flasësh për rritje pensionesh duhet të marrësh parasysh të gjithë këta faktorë dhe nuk është diçka që mund ta bësh duke u nisur nga thjesht dëshira apo që mund ta bësh duke u nisur nga interesi politik i një momenti të caktuar sepse nëse e bën, atëherë ajo që bën është që thjesht hap një gropë në hapat e mëtejshëm, që është një gropë edhe më e rrezikshme sesa gropa që hapën piramidat. Faktikisht, falimenton shtetin komplet.
Sot që flasim ne, qeveria, buxheti i shtetit mbulojmë me afro 500 milionë euro diferencën midis sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Pra, në çdo pension që jepet sot, një pjesë e paguan drejtpërdrejtë qeveria, jo sigurimet shoqërore. Nuk diskutohet që ne jemi të gatshëm që të paguajmë jo këtë pjesë, por të paguajmë edhe më shumë. Problemi është tek mbajtja e një balance të shëndetshme që të mos pengojë shtetin që të funksionojë siç duhet dhe të mos pengojë zhvillimin prej të cilit pastaj vijnë të ardhurat dhe rriten mundësitë.
Taksat nuk janë për të paguar pensione.
Taksat janë për të paguar të gjitha ato që i duhen shtetit që të funksionojë dhe për të financuar zhvillimin.
Taksat janë, nëse do t’i ndanim në mënyrë brutale, taksat janë për fëmijët. Sigurimet shoqërore janë për pensionistët. Taksat janë për shkollat, janë për çerdhet, janë për kopshtet. Taksat janë për kujdesin shëndetësor, taksat janë për infrastrukturën e për të gjitha të tjerat plus dhe të gjitha shërbimet.
Taksat janë për të financuar mësuesit, për të financuar mjekët, për të financuar punonjësit e policisë, që të gjithë këta janë në shërbim të shoqërisë. Ndërsa sigurimet shoqërore janë për të financuar drejtpërdrejtë pensionet dhe kush i shmanget, praktikisht i heq pensionistëve drejtpërdrejtë të drejtën që të marrë një pension më të mirë.
Ne kemi bërë një reformë në 2014 dhe nga ajo reformë e kemi rritur në afro 300 mijë numrin e kontribuuesve të sigurimeve shoqërore se ishte përtokë fare. E kemi rritur në afro plus 300 mijë, por ka ende një shmangie të konsiderueshme, jo më nga puna në të zezë, fare, por nga deklarimi jo i vërtetë i pagave dhe mjafton të shikojmë çfarë ndodh me ndërtimin, apo çfarë ndodh me turizmin, ku e dimë shumë mirë që pagat sot janë në novele konkurruese me të gjithë rajonin dhe në turizëm pagat janë thuajse sa në Greqia, dhe ndërkohë deklarimi i pagave është shumë më i ulët sepse qoftë punëdhënësit, qoftë punëmarrësit mendojnë që këto para që janë për pensionistët, janë një ngarkesë që ata mund ta heqin duke i shkelur syrin njëri-tjetrit dhe ajo që ndodh faktikisht, është që kur ne mbledhim taksa, ato mblidhen në buxhet dhe projektohen për si të shpenzohen vitin e ardhshëm; kur ne mbledhim sigurime shoqërore, ato menjëherë merren nga ata që janë sot në punë dhe kalojnë tek ata që sot janë në pension, menjëherë dhe për këtë arsye ne e kemi bërë një plan tjetër. Një plan shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit, nga sipërmarrjet, por edhe nga ata që janë punëmarrës dhe që pranojnë që të marrin në dorë paratë të cilat ju bëjnë atyre, na bëjnë një dëm dyfish; e para duke i thënë punëdhënësi punëmarrësi; ‘’shiko, unë po të jap 400 euro me bankë ose 500 euro me bankë se deri në 500 euro nuk ka tatim fitimi, po të jap 500 euro në bankë dhe po të jap edhe 200 të tjera në dorë dhe kështu i ke komplet për vete dhe s’paguan taksa për pensione e për shëndet’’.
Ato nuk janë taksa, ato janë një financim që ti e bën sot që të të dalë pensioni ndryshe nesër dhe sot që flasim, ka një pafundësi ankesash në ISKSH çdo vit sepse kur njerëzit dalin në pension, habiten me pensionin që marrin e thonë “po s’ka mundësi ta kem kaq pensionin se nuk më del llogaria, se unë pagën e kam pasur më të lartë”. Po në fakt kanë pasur më të lartë pagën, duke futur aty dhe atë që kanë marrë nën dorë, por ajo që kanë marrë nën dorë nuk figuron në regjistrin e shtetit dhe shteti llogarinë e bën me regjistrin, nuk e bën me çfarë ke marrë nën dorë dhe faktikisht ti i ke hapur vetes një gropë ku bie vetë brenda kur del në pension, por ndërkohë ke bërë dëm dhe për pensionistin që duhet t’i merrte ato lekë çdo muaj, se kështu funksionon.
Ndërkohë që unë jam në punë paguaj dhe për prindërit e mi që janë në pension dhe kur unë dal në pension fëmijët e mi që janë në punë, paguajnë dhe për mua që jam në pension. Është zinxhir. Pra ti sigurimet shoqërore i paguan për vete dhe për këtë arsye, aq sa paguan sigurime shoqërore, aq të del dhe pensioni. Mbi atë bazë të del pensioni, mbi bazën e kontributit që ke dhënë. Kush nuk ka dhënë kontribut, ose ka dhënë një kontribut më të ulët sepse ka rënë në kurthin e parasë të marrë në dorë dhe thotë “po e marr tani se kur të dal në pension”, se kështu na dukej edhe ne kur shikonim ato tabelat që vdiq filani 55 vjeç, thoshim “po ky ç ‘bënte 55 vjeç i vjetër paska qenë’’. Tani që 55 kaloi, thua “po prit mo se e kemi jetën përpara”. Vjen shumë shpejt dhe për këtë arsye ne do të ndërhyjmë shumë fort kundër kësaj vjedhjeje sepse duhet patjetër ta rrisim volumin e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore, për të pasur një rritje të qëndrueshme të pensioneve.
Tani e përmendi Belinda, dua ta sjell dhe unë këtu në vëmendje që u bë një bolori e madhe me atë 4.1 % e indeksimit se këtu tani, ju e dini mirë dhe në fakt për hir të së vërtetës, pensionistët në Shqipëri janë analistët më të mirë politikë dhe prandaj edhe nuk i hani ato broçkullat e tyre që shtrihen nëpër kolltukë çdo natë nëpër klubet e televizorëve edhe ça nuk thonë, e ça nuk sajojnë, e ça nuk shpifin, e ça nuk akuzojnë, por sidoqoftë u bë një bolori e madhe dhe për faktin se këtu kanë dalë shumë tani që thonë “na jepni ne votën se do ta bëjmë pensionin 400 mijë, e do e bëjmë 500 mijë, e do e bëjmë 1 milionë’’. Se kush nuk ka gjë në dorë e bën dhe 5 milionë! Ta hajë kush ta hajë, pastaj shihemi herën tjetër!
Ndërkohë që ne e kemi detyrimin dhe që e kemi në dorë vendimin, duhet të matemi shumë mirë. Ai 4.1% nuk është rritje pensioni. 4.1 % është indeksim, është me ligj. Ligji e ka që çdo vit duhet ndërhyrë për të kompensuar rritjen e çmimeve dhe ka një llogari që bëhet, nuk është as me qejf, as pa qejf. Llogaria që bëhet nxjerr 4.1 ose 3.9 , ose 5.2, siç e nxjerr. Dhe qeveria ka detyrimin ta paguajë, nuk është rritje ajo, që filluan të tërë; ‘’ja kjo ishte, ja këtu, ja ashtu’’. Nuk është, ajo është çdo vit dhe ju e dini çdo vit madje ne kemi bërë një ndërhyrje që kemi bërë një indeksim dy herë brenda vitit kur ishte koha e krizës së çmimeve të luftës në Ukrainë që u rritën të gjitha etj. Kështu që ajo për të cilën ne kemi ardhur dhe ajo që duam të bëjmë, është komplet tjetër gjë dhe ajo për të cilën kemi folur. Dhe pse është ky momenti? Sepse është rritur ekonomia, prandaj, sepse janë rritur mundësitë se po të mos ishin rritur mundësitë në pikën që ne të jemi në gjendje të fillojmë një tjetër qasje ndaj pensioneve, ne nuk do të diskutonim sot këtë gjë, por unë do t’ju përsërisja atë që ju kam thënë. Duam me çdo kusht që të rrisim pensionet, por nuk jemi akoma në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë. Ja u kam thënë siç është e vërteta.
Tani, mund të fillojmë të mendojmë ndryshe sepse është rritur ekonomia. Tani duhet t’ju them dy fjalë për pagat sepse ka gjithmonë një reagim nga rritja e pagave, sikur kur rriten pagat, dëmtohen pensionistët, por në fakt ju duhet të jeni të parët që të gëzoheni kur rriten pagat sepse nga çdo pagë e rritur ne marrin më shumë për të paguar pensionet, pra çdokush që merr një pagë më të lartë, kontribuon më shumë për pensionet dhe kur ne rrisim pagat, ne rrisim pagat në sektorin publik dhe natyrisht e tërheqim dhe sektorin privat prapa, se ne e çojmë pagën mesatare për mësuesit siç e kemi çuar në 950 euro në muaj, atëherë nga ajo shumë, çdo mësues paguan diçka më shumë për sigurimet shoqërore dhe mësuesi do ta ketë pensionin më të mirë kur të dalë në pension, por ama nga paratë që paguan sot, fondi ynë i sigurimeve zgjerohet dhe kështu që nga rritja e pagave, përfituesi i parë kryesor përveç personit që merr pagën është pikërisht Fondi i Sigurimeve Shoqërore.
Ndërkohë që kini parasysh, fondi i përgjithshëm i pagave nuk është gjëkundi i barabartë në peshën që ka në buxhetin e shtetit me fondin që ne nxjerrim nga buxheti i shtetit për të mbushur hendekun e sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore. 1 miliard, 1 miliard paguajmë ne çdo vit nga taksat që të mbulojmë pensionet dhe të mbulojmë shërbimin shëndetësor që normalisht duhet të vijë drejtpërdrejtë nga sigurimet shoqërore. Llogarisni vetëm kaq, 4.1 %, ai 4.1% që është 100 milionë euro. Pra vitin tjetër do të jenë 100 milionë euro plus në fondin e pensioneve që do paguajë qeveria.
Dhe janë disa që thonë: pse rrisni pagat e deputetëve, rritjani pensionistëve. Po sikur ato pagat e deputetëve të mbulonin rritjen e pensioneve, ne i nxirrnim deputetet vullnetarë të gjithë, por pagat e deputetëve, 140 deputetë në krahasim me 700 mijë pensionistë me 700 mijë pensione janë një pikë ujë në oqean. Dhe kjo është vetëm demagogji shumë e shëmtuar për të hedhur sa më shumë helm në gjakun dhe në mendjen e pensionistëve, s’ka lidhje fare, zero.
Dhe e përsëris që nga rritja e pagave përfiton fondi i pensioneve, gjithmonë, nga çdo rritje page. Problemi ynë është që të reflektohet rritja reale e pagës në sektorin privat. Se ne nuk mund ta pranojmë që një kompani ndërtimi deklaron paga nga 500 mijë lekë e 600 mijë lekë të vjetra, se ne e dimë që nuk ka paga të tilla në kompani ndërtimi, nuk ekziston dhe për këtë arsye do të ndërhyjmë dhe ja kemi bërë shumë të qartë kompanive dhe ja kemi bërë shumë të qartë të gjithë atyre që janë punëdhënës. Me shumë respekt, por kjo është grabitje dhe ne do t’i qepemi mbrapa të gjitha kompanive për të marrë pjesën që u takon pensionistëve njësoj siç iu qepëm atyre që vidhnin energjinë elektrike ose që e merrnin nga rruga dhe nuk e paguanin, ose që s’paraqiteshin fare atje dhe gjysma e popullit përfshirë dhe pensionistët ishin paguesit më të rregullt të energjisë elektrike. Paguanin dhe për gjysmën tjetër! Kjo nuk mund të funksionojë.
Dhe kini parasysh dhe një gjë tjetër, që bënte pyetje njëri nga këta që pagat e deklaruara i kanë shumë më pak sesa pagat që marrin nën dorë dhe që rrinë netëve nëpër klubet e televizioneve dhe tregojnë sesi luftohet korrupsioni dhe sesi luftohet informaliteti. “Po mirë”, thoshte, – “si mund të jetohet me një pension 70 mijë lek”. Tani pensioni minimal është një pension social që e kemi vendosur ne me reformën e 2014. Nga 1990 deri në 2014 ka pasur një numër të konsiderueshëm pensionistesh që s’kanë marrë asnjë lek pension, zero! Me 70 mijë lek pension nuk jetohet, mbijetohet, por me asnjë lek pension si jetohet? S’ka sesi të jetohet as të mbijetohet. Atëherë, duhet bërë referimi në kohë, ne në atë kohë vendosëm që asnjë person në Republikën e Shqipërisë, gjyshe apo gjysh nuk mund të ishte pa një pension dhe vumë pensionin social. Njerëz që s’kanë punuar asnjë ditë, kanë qenë shtëpiakë, s’kanë punuar, s’kanë paguar sigurime shoqërore, i vumë një pension social.
E dyta, ne kemi vendosur çdo vit një shumë jo të vogël, por rreth 20 milionë dollarë për të paguar, për të kompensuar energjinë elektrike të pensionistëve të vetmuar dhe të pensionistëve që janë kryefamiljar, që janë në çift ose që janë vetëm dhe nuk janë pak para çdo vit. Është një sasi e kufizuar kilovat orësh që paguhet drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për pensionistët, është çdo vit në buxhet. Tani këto nuk janë gjëra të jashtëzakonshme, por janë thjeshtë për të treguar që çfarë na është dhënë mundësia të bëjmë, e bëjmë. Tani është koha që ndërkohë që të gjithë kanë marrë, kanë filluar të marrin përfitimet e tyre nga rritja e ekonomisë në formën e pagave, në formën e investimeve edhe pensionistët të hyjnë në këtë mozaik dhe edhe pensionistët të marrin një përfitim më shumë nga ekonomia që rritet. Dhe prandaj ne po përgatitemi, po bëjmë të gjitha llogaritjet me kujdes se nëse do rrisim bonusin në fund të viti për shembull, se tani që të flasë një pensionist është në të gjithë të drejtën e tij, por që të flasin ata që iu thoshin pensionistëve do t’ju japim një gjel për vit të ri që ishte në fakt një gjysma gjel dhe thonë tani “do t’i bëjmë pensionet kaq e do i bëjmë pensionet aq”, është për të vënë duart në kokë.
Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë 5 mijë lek të reja ose 50 euro për pension, për çdo pensionist, jo një bonus për gjyshen dhe gjyshin bashkë por të ndarë. Tani ne po përgatitemi që të bëjmë një bonus tjetër të ri që të jetë një bonus i përvitshëm dhe të jetë natyrisht më i lartë se ky që është se ndryshe për çfarë e diskutojmë?
Por ky është hapi i parë dhe do të jetë i menjëhershëm dhe do të jetë i përhershme. Pra nuk është bonus “hajde po e bëjmë këtë vit, pastaj shikojmë vitin tjetër”. Është një fond që ne do ta lëmë mënjanë në çdo buxhet për pensionistët. E dyta, po bëjmë dhe projeksionet për të filluar një rritje graduale të pensioneve brenda mandatit të ardhshëm.
E treta, jemi duke punuar dhe për një tjetër masë që do të kërkojë pak kohë për ta kalibruar që të lidhim pensionistët me rritjen ekonomike të drejtpërdrejtë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që, ju i dëgjoni “Shqipëria pati 3% rritje ekomomike”, 3.2%, 4%, 4.6%, nuk ka rëndësi. Rritja ekonomike vjetore parashikohet, bëhet një parashikim dhe mbi bazën e atij parashikimi ndërtohet gjithë buxheti. Pra do kemi këto investime, do kemi këto të ardhura nga taksat, do bëjmë këto punë mbi bazën e kësaj rritje ekonomike dhe prandaj do vëmë këtë buxhet.
Ne duam që çdo gjë që rritet përtej parashikimit dhe zakonisht në pjesën më të madhe rritja shkon, ne e parashikojmë le të themi 3.5%, shkon 3.7%. Ne parashikojmë 3.3%, shkon 3.5%. Pra në çdo pjesë që rritet mbi parashikimin ne duam ta lidhim me pensionistët dhe themi këtë do e marrin pensionistët çfarë del mbi parashikimin. Ka disa vende që e kanë bërë dhe ne po i studiojmë. Kjo do të ishte pastaj qershia mbi tortë besoj unë për këtë fazë, sepse e përsëris, ne duam që çdo gjë që do të bëjmë sot, të qëndrojë aty përherë, jo e bëjmë sot, pastaj nesër e ulim, pastaj pasnesër e harrojmë që bëmë.
E fundit që kam është që dy gjëra janë të rëndësishme për mua të paktën më shumë se të gjitha të tjerat për mandatin tonë të katërt.
E para është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
E dyta është lehtësimi sa më i madh i frymëmarrjes së pensionistëve që Shqipëria në Bashkimin Europian të mos jetë vetëm Shqipëria e të gjithë të tjerave që janë në moshën aktive me mundësi më të mëdha, po të jetë edhe Shqipëria ku pensionistet e fillojnë ditën më të buzëqeshur.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelor të mandatit të katërt dhe për këtë mos kini as më të voglin dyshim. E kam pritur me shumë padurim, po më është dashur shumë durim që të vij dita si sot që ne të diskutojmë së bashku disa hapa konkret për pensionet, nuk e kemi pasur mundësinë ta bëjmë më përpara dhe nuk do të na e kishte lejuar me të drejtë asnjë institucion financiar ndërkombëtar, sepse do të ishte ekspozuar Shqipëria në një formë shumë të rrezikshme edhe për kreditorët edhe për tregjet financiare, etj etj.
Sot jemi në kushtet kur ne mund t’iu shohim në sy dhe t’ju themi me plot gojën që këtë vit të ri ju do të buzëqeshini më shumë se çdo vit të ri më përpara. Tani buzëqeshja nuk ka fund, nuk diskutohet, por sidoqoftë të buzëqeshësh më shumë sot se dje është një parim i rëndësishëm.
Më kishte çuar Belinda përpara se të vija këtu disa shënime nga takimet me pensionistët e Fierit dhe më kishte nënvizuar një pikë që është e vërtet, është shumë e vërtetë. Edhe më thoshte si ka mundësi që vetëm në Fier e dëgjoj këtë gjë. Që nuk janë vetëm punëdhënësit që bëjnë shmangie, po janë edhe punëmarrësit. Nuk janë vetëm ata që japin pagën, po janë edhe që pranojnë të marrin një pagë gjysmë të bardhë, e gjysme të zezë që duhet të përballen me masa. Dhe unë i thashë: – Po se në Fier në radhët e pensionisteve ka shumë që e kanë kaluar jetën aktive me laps në dorë, se mbahen gjirokastritet për llogaritar, por gjirokastritët e bëjnë me mend llogarinë, e kanë më të shpejt dhe e kanë të lidhur vetëm me veten e vet, kurse në Fier është punuar shumë me laps për shumë aktivitet që ka pasur këtu dhe është shumë e drejtë kjo dhe unë iu falënderoj nga zemra për të gjitha, janë shumë që ti numëroj, por nga ana tjetër iu them që mos e vini në dyshim asnjë sekond që rritja e pensioneve tuaja dhe lehtësimi i barrës suaj është prioriteti i prioriteteve të çdo dite të punës sime.
Tani duke qenë se jemi në Fier dhe ju jeni të lapsit nuk po e mbyllim siç e kemi mbyllur në Tiranë dhe me shumë kënaqësi nëse ka dikush diçka për të thënë do qëndroja këtu që ta dëgjonim ose ti dëgjonim. Kështu që nëse dikush nga ju do që të marri fjalën ju lutem dhe si gjithmonë gratë janë të parat në Fier se gratë janë të parat kudo, po në Fier ua kanë njohur forcën dhe e di që janë të parat kështu që prandaj dhe burrat në Fier bëjnë më shumë sukses.
* * *
– Faleminderit zoti kryeministër që sot keni ardhur në një takim me ne, pensionistët e qarkut Fier. Ju kujtojmë që qeveria juaj ka një deficit të madh në sigurimet shoqërore. Unë jam dakord shumë për nismën që keni marrë ju për kontrollet që do të bëni ju në të gjitha firmat private. Këto kontrollet që do të bëhen, të bëhen kontrolle të rrepta, të sigurta dhe të zgjidhen ekipe që të mos abuzojnë. Nuk asnjë lloj tolerimi. Unë kam një problem për ne që kë kemi dalë përpara 94 në pension. Në qoftë se ka mundësi të na bëhet nga një shtesë e vogël pensioni se ne jemi shumë a pak, por të futemi edhe ne në ato lista. Jashtë temës së pensioneve kam një përshëndetje për ju dhe për Ministrinë e Infrastrukturës për rrugën që po bëhet Durrës – Ndroq, Pezë dhe Kombinat, se ishte një rrugë gangrenë dhe iu falënderoj për këtë.
Kryeministri Edi Rama: Shiko dua të sqaroj diçka, është shumë e rëndësishme se ju thatë deficiti që ka qeveria, kjo nuk është deficiti që ka qeveria është deficiti i një historie të gjatë dhe i një skeme ku ne nuk kemi pritur këtë ditë për të filluar të rrisim numrin e kontribuuesve dhe të ardhurat. Mos harroni që nga 2014 mbas reformës të pensioneve për të cilën nuk fola, por mund të them dy fjalë. Ne e kemi rritur numrin e kontribuuesve me rreth 300 mijë, se në qoftëse nuk do kishim bërë punë çdo vit për të rritur numrin e kontribuuesve nuk do kishim më mundësi të paguanim as gjysmën e këtyre pensioneve që paguajmë. Tani çfarë ka ndryshuar me reformën e 2014? Ka ndryshuar që një mësues që del në pension pas 2014 e ka pensionin më të lartë se një mësues që ka dal në pension përpara 2014. Janë të dy mësues, kanë bërë të njëjtën punë. Kjo në pamje të parë është e padrejtë, por po ta shikosh si funksion mekanizmin, është e pashmangshme. Pra përsa na takon ne në aspektin e atyre gjërave që kemi mundur të bëjmë ne, ne i kemi bërë dhe faktikisht, të gjithë pensionistët e rinj pas 2014 marrin një pension që i përgjigjet drejtpërdrejtë sigurimeve të tyre shoqërore në mënyrë korrekte. Më parë, ngaqë skema ishte komplet e falimentuar dhe nuk është marrë njeri me formalizim, por është marrë me çformalizim dhe me rrëmujë, ju e dini shumë mirë, gjej shesh e bëj përshesh dhe merr duartrokitje edhe “Hajde na jep votën” e vazhdo prapë shesh e përshesh, janë dëmtuar drejtpërdrejtë ata që duhet të ishin shërbyer, e para.
E dyta, ne sot kemi një problem me pikërisht punonjësit e ish kooperativave dhe ndërmarrjes shtetërore të deri ’94 të cilët nuk janë në skemë si të tjerët dhe prandaj po përgatisim tani projektligjin dhe janë rreth 45 mijë, në mos gabohem dhe për të gjithë këta, ligji i ri do të hapë rrugën e lidhjes së pensioneve të reja ku shpresoj përfshiheni dhe ju. Pra, edhe këtë kategori që është më e goditura, po themi dhe më e harruara, do ta përfshijmë dhe do të bëjmë lidhje të reja pensionesh, apo jo?
Edhe ajo është shumë e konsiderueshme që do të futet, pavarësisht skemës, sepse përmendim dhe një faktor tjetër. Ka një faktor tjetër që është i rëndësishëm këtu për tu kuptuar dhe pastaj çohen disa dhe thonë “Po pse, çfarë doni ju, të vdesin pensionistët më herët”? ne e themi si fakt që është rritur jetëgjatësia dhe shyqyr që është rritur jetëgjatësia por ama, nga ana tjetër, rritja e jetëgjatësisë bën që të rritet numri i atyre që janë këtu me ne dhe të rrojnë sa malet që duan, të marrin pension.
Kjo është një arsye tjetër për t’ju thënë atyre që vjedhin pensionet që “stop” sepse kjo nuk do të tolerohet më. Kemi, sipas llogarive tona, kemi një shumë të rëndësishme të ardhurash që, nëse do të jemi në gjendje t’i nxjerrim nga ato kanalet e qarkullimit të parasë në dorë, do të na japin mundësi të reja për të ardhur vitin e ardhshëm dhe për të folur me edhe më shumë optimizëm për një rritje më të qëndrueshme të pensioneve, ky është fakt.
Ka dikush tjetër?
– Kam një sugjerim kryeministër. Nëse rrogat u shtuan tani, edhe ai kontributi 11,2 që është që mbahet nga rrogat të shikohet dhe ajo. Mbase ngrihet dhe pak përqindja që të fitojmë sa më shumë kontribute. Faleminderit që më dëgjuat dhe më falni që u zgjata.
Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë, që të sqaroj. E para, kemi pasur një problem që pensionistët që vazhdonin punonin si të vetëpunësuar i kërkohej që të paguanin edhe sigurimet shoqërore dhe këtë gjë ne e kemi ndryshuar.
Ndërkohë që, tani me këto ndryshime që po përgatisim, sepse ajo që po bëjmë është paralelisht përgatitja për bonusin dhe një reformë më e gjerë pastaj e pensioneve dhe besoj se është shumë e rëndësishme për këtë qark, edhe për të tjerët por sidomos në këtë qark, është që atyre që deri më sot u thuhej “Nuk kemi çfarë të bëjmë sepse ke dalë, je nga ata të vitit ’93-’94” dhe arkivat ishin komplet inekzistente kështu që nuk kemi regjistra, nuk dimë se ku të të llogarisim, do t’i bëjmë njohjen automatike të viteve të punës të gjithëve dhe kjo nuk do të ketë asnjë burokraci, asnjë “Jo, ku ke punuar, jo letrat”. Do t’i bëhet një njohje automatike dhe për këtë shkak, do t’i lidhet një pension i ri.
Tani, e fundit që kisha sepse na u mërzitën burrat, e fundit që kisha meqë përmende Belindën dhe the “shyqyr që na e solle në Fier”. I kam thënë Belindës “Ti je ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nuk e di si do bësh, por tani që shkove në Fier, po deshe që ata në Fier të të mbajnë në krahë, duhet që qoftë edhe një qindarkë tua ulësh çmimin e energjisë elektrike, qoftë edhe një “. Jo vetëm për Fierin, kuptohet, por duke u nisur nga Fieri për të çuar një mesazh të ngrohtë tek të gjithë dhe duke filluar, sigurisht, nga pensionistët që përveç bonusit të kenë edhe një lehtësi tjetër që nuk e di sesa dhe si do të dalë, por ja kam thënë “Nuk duhet ta kalojmë Vitin e Ri pa u thënë pensionistëve që kaq, një lek një lek, nuk ka rëndësi, por ama tek fatura, kur tu vijë fatura në janar a në shkurt kur vjen, do t’ju vijë më pak sesa ishte” se ju i numëroni të gjitha qindarkat. Të shikojmë do ta bëjë apo nuk do ta bëjë por, dashuria e Fierit është gjë e madhe, duhet të investosh.
Shumë faleminderit të gjithëve!