Durrës, në diskutimin e hapur me pensionistët, mbi angazhimin e qeverisë për përfshirjen e tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Durrës, në diskutimin e hapur me pensionistët, mbi angazhimin e qeverisë për përfshirjen e tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit

Diskutimi i hapur për pensionet në rrugën e Shqipërisë 2030, si angazhim i qeverisë për të ndarë me pensionistët në të gjithë vendin, vizionin e duhur dhe mundësinë e përfshirjes së tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit, – vijoi sot në Durrës nën drejtimin e Kryeministrit Rama, ku të ftuar në bashkëbisedim ishin pensionistë të qytetit dhe zonave përreth.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako tha se ky takim zhvillohet pas një dëgjese dy javore të zhvilluar me pensionistët nga Kryetarja e bashkisë, deputetët e qarkut të Durrësit, drejtues të bashkive të Shijakut dhe të Krujës, të cilët kanë qenë në terren në takime të përditshme me grupe pensionistësh për të folur mbi problematikat e lidhura me këtë kategori, sfidat, si dhe planet për të ardhmen, lidhur me pensionet.
Duke folur për ndërhyrjet që do të bëhen në procesin e përllogaritjes së pensioneve, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja tha se: “Një sfidë tjetër është dhënia fund e gjithë peripecive të atyre rasteve, të cilat nuk janë pak, do jenë mbi 40 mijë në vitin 2025 që do lidhim pensione të reja që do t’u njihen në mënyrë automatike të gjitha vitet para 1994, si për kooperativa, si për ndërmarrje shtetërore. Pra, ata që do të lidhin pension të ri, në vitin 2025, do t’u njihen automatikisht pa gjyqe, pa peripeci, pa asnjë ankesë, vitet e panjohura deri tani për shumë nga ju të kësaj periudhe dhe kjo do t’u japë një lehtësim të madh.”

Në takim merrte pjesë edhe Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani, e cila informoi mbi ecurinë e punës që po bëhet në këtë drejtim.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë mundësi. Jam i bindur që ju e keni ndjekur nga afër këtë diskutim të hapur që ne kemi nisur prej më shumë sesa 10 ditësh tanimë në të gjithë Shqipërinë, për të komunikuar me pensionistët drejtpërdrejtë sepse në këtë kohë që jetojmë, edhe ne si pjesë e kësaj bote, po kjo bota jonë është akoma më e ngarkuar nga llumi edhe nga ujërat e zeza të kanaleve mediatike të ekraneve, ku çfarë nuk dëgjon, por ajo që rrallë e dëgjon, është e vërteta. E rrallë dëgjon të flitet për fakte dhe të flitet për çështje që janë vërtetë çështje thelbësore, të rëndësishme për njerëzit, siç është në rastin konkret çështja e pensioneve, për të cilën po të hapësh televizorin, dëgjon lloj-lloj sharlatanësh që premtojnë lloj-lloj çudish dhe ndërkohë ngrenë lloj-lloj akuzash, e prandaj është shumë e rëndësishme që të flasim drejtpërdrejtë dhe t’i komunikojmë gjërat drejtpërdrejtë në bazë të fakteve.

Tani në radhë të parë, pse është koha për ta bërë këtë diskutim? Është koha për ta bërë këtë diskutim me ju, sepse është koha kur ne jemi në kushtet që ekonomia, jo vetëm po rritet, por po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe faktikisht nga kjo rritje ekonomike, të gjitha kategoritë e tjera kanë përfituar dhe po përfitojnë. Po përfitojnë në formën e rritjes së pagës, po përfitojnë në formën e rritjes së volumit të biznesit, po përfitojnë në formën e rritjes së volumit të të ardhurave. E vetmja kategori që nuk ka përfituar deri tani drejtpërdrejtë nga kjo rritje ekonomike është kategoria e pensionistëve për të cilët ne kemi bërë shumë gjëra, por akoma nuk kemi bërë atë gjë që ju e prisni dhe që ne e kemi objektiv qysh ditën e parë që jemi ulur në tryezën e qeverisë; që është një rritje graduale dhe e qëndrueshme e pensioneve.

Po pse na është dashur ne 10 vjet që të bëjmë këtë bisedë? Sepse rritja e pensioneve nuk është si rritja e pagave. Janë dy gjëra komplet të ndryshme. Pagat rriten në bazë të taksave. Pensionet rriten në bazë të kontributeve. Pra, sot secili prej jush merr nga fondi që krijohet nga kontributet e atyre që sot janë në punë dhe që kur marrin pagën, derdhin një sasi të caktuar në Sigurimet Shoqërore dhe ky fond është i pamjaftueshëm për 1001 arsye që kanë të bëjnë me të shkuarën, por edhe me disa arsye që kanë të bëjnë me të tashmen, sepse ndryshe nga pagat, pensionet janë investimi sot për 10, 15, 20, 30, 40 vjet i kujtdo që është në punë dhe trashëgimia jonë në këtë pikë është e tmerrshme, pasi në fillimet e këtij procesi të demokratizimit, ne kemi pasur një katastrofë të vërtetë me shkatërrimin komplet të të gjithë infrastrukturës së trashëguar të prodhimit, qofshin ndërmarrje, qofshin kooperativa dhe kemi pasur një dalje masive në pension në një moshë shumë të re, për shkak se njerëzit nuk kishin ku shkonin dhe kjo ka rritur në mënyrë shumë të shpejtë dhe artificiale dhe numrin e pensionistëve, që do të thotë numrin e atyre që kanë nevojë për pension, duke bërë qe kontribuuesit të vendosen në një raport, jo të drejtë me ata që përfitojnë nga kontributet, pra pensionistët.

Tjetra është që deri në vitin 2014, kur në bëmë reformën e parë të pensioneve, disa nga ju me siguri e mbajnë mend, Shqipëria është në një situatë totalisht kundër të ardhmes me një pension tavan që ishte 100 euro, pra ti mund të kishte bërë 40 vjet punë, mund të kishe derdhur të gjitha kontributet, nuk kaloje dot 100 euro. Dhe nga ana tjetër, puna në të zezë ishte dominante.

Në 2014 ne e hoqëm tavanin dhe si pasojë e heqjes së tavanit, të gjithë ata që dalin në pension që nga 2014 e këtej kanë një pension më të lartë, pra një mësues që ka dalë në pension në 2010 ka një pension më të ulët sesa një mësues që ka dalë në pension pas 2014, pavarësisht se mund të kenë bërë të njëjtën punë apo mund të kenë të njëjtat vite pune. Kjo ka qenë gropa e madhe që hapën edhe për pensionistët, si për të gjitha gjërat e tjera, ata që vazhdojnë sot çirren nëpër ballkone që do rrisin pensionet, do i çojnë nga 1000 euro.
Ndërkohë që ne kemi arritur sot të kemi rreth 100 mijë pensionistë që kanë pensione mbi 300 euro si pasojë e reformës. Kemi arritur të fusim në skemën e kontributeve, pra të detyrojmë pagimin e kontributeve shoqërore të rreth 300 mijë punonjësve që ishin komplet jashtë dhe sot ne kemi një pension mesatar 190 euro. Pra ishte mesatarja e pensionit 105, është 190. Thuajse dyfish është rritur pensioni mesatar, por sigurisht që është pak dhe mbi të gjitha sigurisht që kemi një masë akoma të madhe pensionistësh që kanë një pension shumë të ulët dhe ky është një problem që ne duam ta adresojmë.

Tani përpara disa javësh u bë indeksimi i pensionit me 4.1 % dhe ju dëgjuat që u turrën të gjithë xhagajdurët e natës, e mbrëmjes duke thënë “ja si u tall Edi Rama; ja si u tall qeveria; iu premtuan”, pra u bë një bolori e madhe që me demek kjo ishte e gjitha, rritja e pensioneve 4.1%. Indeksimi nuk është rritje e pensionit në sensin që ne flasim. Indeksimi është një korrigjim i përvitshëm që i bëhet pensionit për pasojë të inflacionit dhe është një llogari me kalkulatriçe.

E kemi bërë çdo vit, është detyrim ligjor, nuk është në dëshirën tonë a është 4,1, a është 4,3 apo është 3,9. Del nga llogaria dhe megjithatë, duhet të keni parasysh që ky 4,1% i vogël, i vogël siç është, është 100 milionë euro. 100 milionë euro që janë për t’u paguar, plus dhe duhet të keni parasysh që kemi bërë dy vite më parë dy herë indeksimin; ligji thotë 1 herë, ne e kemi bërë 2 herë sepse ishte vit shumë i vështirë me krizën që u shkaktua nga fillimi i luftës në Ukrainë, me rritjen e çmendur të çmimeve dhe në total, sot që flasim, nëse marrim efektet e indeksimit, duke përfshirë edhe këtë 100 milionëshin, nëse marrim pensionet e reja sepse ka vazhdimisht njerëz që dalin në pension, nëse marrim bonusin e fund vitit, nëse marrim të gjitha kompensimet që ne bëjmë; kompensime në faturën e energjisë elektrike për të gjithë pensionistët që janë kryefamiljarë, – pra ose të vetmuar ose çift kanë kompensim në faturën e energjisë elektrike, – nëse marrim kompensimet për statuse të caktuara që janë ushtarakë e minatorë, invalidët e me radhë, janë 770 milionë euro që janë përtej skemës së pensioneve, përtej sigurimeve shoqërore. Vetëm deficiti i skemës plus kompensimet është rreth 500 milionë euro në vit.

Pra, janë shuma jashtëzakonisht të mëdha për buxhetin e shtetit.

Ju do thoni që “këto i dimë ose dhe po nuk i ditëm nuk na interesojnë sepse ndërkohë po rriten pagat dhe ne nuk po na rrisin pensionet”. Nuk është e njëjta gjë, e para.
E dyta, për çdo rritje page, ata që duhet të gëzohen të parët duhet të jenë pensionistët. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nga çdo pagë e rritur, ne marrim më shumë sigurime shoqërore për të paguar pensionet. Po sa më të ulëta pagat, aq më pak kontribute për sigurime shoqërore, aq më pak fond për pensionet.
Tjetra, janë disa që thonë “po mirë mo, hiqjani deputetëve fare. Pse rriten pagat e deputetëve”?
E para njëherë, pavarësisht se për shkak të një numri të caktuar deputetësh, figura e deputetit është bërë zhele, shumica e deputetëve nuk e meritojnë fare këtë lloj perceptimi dhe në fund të ditës, pagat për Kuvendin e Shqipërisë janë paga për Kuvendin e Shqipërisë pavarësisht se ç’mund të mendojmë dhe ç’mund të themi për disa deputetë e për disa të tjerë, por edhe sikur ne ta pezullonim fare Parlamentin e të merrnim të gjitha pagat e deputetëve, e dini ju se çfarë ndikimi do të kishte tek pensionet kjo? Kjo do të kishte një ndikim 30 lek. Sikur ta pezullonim komplet qeverinë bashkë me deputetë, 30 lekë! Dhe, sigurisht që ky është muhabet kot se nuk mund të bëjmë hiq një gjë dhe shto një gjë, por ky është thelbi. Ndërkohë që, nga ata paga përsëri merren sigurime shoqërore. Këtu çështja nuk është kështu.

Taksat janë të fëmijëve. Sigurimet shoqërore janë të pensionistëve.

Taksat janë për të bërë këtu ku jemi ne sot, taksat janë për të bërë ato që foli kryetarja e bashkisë, taksat janë për të bërë shkollat, taksat janë për të bërë spitalet, taksat janë për të bërë gjithë llojet e investimeve dhe të gjitha llojet e shërbimeve të shtetit, taksat janë për të mbajtur në këmbë të gjithë trupat që shërbejnë për të gjithë ne. Taksat nuk janë për të paguar pensione. Për pagimin e pensioneve janë kontributet shoqërore, por kur ndodh që kontributet shoqërore janë më pak sesa ç’na duhen, atëherë i marrim nga taksat. Ia marrim të ardhmes për të garantuar të tashmen e pensionistëve dhe për këtë arsye po ju them që 500 milionë është çdo vit gropa që ne duhet të mbushim për pensionet dhe 500 milionë të tjera është gropa që do të mbushim nga mospagimi i detyrimeve të sigurimeve shëndetësore.

Atëherë, çfarë duam të bëjmë ne për të ardhur tani tek pika që pse po diskutojmë sot dhe si duhet patjetër ne t’ju përfshijmë edhe ju në rritjen ekonomike të vendit që rritet ekonomia, rriten pagat. Rriten pagat, rriten investimet, rriten të ardhurat dhe ju të merrni diçka nga kjo rritje, pavarësisht të gjitha diskutimeve që bëjmë dhe pavarësisht të gjitha problematikave, por ama është shumë e rëndësishme që të kuptohet problematika, për të kuptuar që çdo qindarkë që shtohet është sakrificë. Nuk është dorë e shtrënguar e kam fjalën, nuk ka një thes diku apo një shpellë diku me flori që është e mbyllur dhe ta hapim dhe ta derdhim sepse nga ana tjetër, çdo pension që rritet, rritet përgjithmonë, nuk rritet vetëm për sot. Pra, nuk do e paguash njëherë. Ai 4,1%, 100 milionë, ai 100 milionëshi është aty çdo vit. Do bëhet dhe indeksimi vitin tjetër, i radhës, nëse ne do të jemi në rregull siç parashikojmë me inflacionin, por ai do të jetë edhe 50 milionë të tjera, por ajo shkon e rritet.
Atëherë, ka dy gjëra për të bërë. Njëra gjë është që ne të fillojmë që tani. Në fund të vitit ju keni marrë çdo vit bonusin. Ka qenë njëri që e mbani mend ju që thoshte “Do ju japim gjel për Vitin e Ri”. Ju kujtohet një i gjelit që është duke kënduar si gjysmagjeli atje në majë të penxheres? Dhe ju jepte një gjysmagjel atëherë dhe jua bënte për gjë të madhe. Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë jo një gjel për dy pensionistë, por një bonus 50 euro për secilin nga pensionistët në rast kur janë çift në një shtëpi. Pra, nuk merr vetëm një gjel dhe ndajnë një krah njëri e një kofshë tjetri. Tani kjo nuk mjafton më. Kjo është shumë e qartë për ne. Nuk mund t’ju themi që prapë do të merrni 50 euro bonus dhe kaq.

E para, jemi duke finalizuar dhe do të rrisim bonusin e fundvitit që do të jetë çdo vit aty.
E dyta, jemi duke parë një plan rritjeje graduale të pensioneve, duke shtuar ne pjesën tonë, por duke filluar edhe një tjetër operacion për të rritur të ardhurat nga ata që duhet t’i paguajnë një për një sigurimet shoqërore nga paga dhe ka akoma shumë rezervë aty, megjithëse kemi bërë goxha punë, por ka shumë rezervë dhe prandaj ne e mendojmë që kjo e detyrimeve që burojnë nga ligji për sigurimet shoqërore për pensionet është njësoj si faturat e energjisë dikur që duhen paguar dhe pikë. Duhen paguar dhe duhen paguar sepse çdo biznesmen, çdo biznes që shmang deklarimin real të pagës për të mos paguar sigurime shoqërore dhe sigurime shëndetësore ose për t’i paguar ato minimale vjedh nga një pensionist, se ato normalisht mblidhen sot e kalojnë tek pensioni nesër dhe me këto të dyja besoj që ne do të arrijmë të kemi një kapacitet që të rrisim gradualisht edhe pensionet, përveç bonusit të fund vitit që thashë, do të jetë këtë vit një bonus më i madh dhe do të qëndrojë aty për çdo vit.

E treta që ne po përpiqemi të kalkulojmë është pjesëmarrja e pensionistëve në përqindjen e rritjes ekonomike. Pra qeveria ka gjithmonë një projeksion të rritjes ekonomike mbi të cilin bën planin e buxhetit, si çdo familje që thotë kemi këto të ardhura, do investojmë të blejmë nuk e di, një televizor apo shtëpi dhe do ta paguajmë me këto të ardhura që kemi të parashikuara, kështu bën dhe qeveria dhe përgjithësisht kur ne parashikojmë një rritje ekonomike 3%, ndodh që rritja të jetë 3.1 ose të jetë 3.2, pra mbi parashikimin.
Ne po shohim si të fusim një kusht që përqindja mbi parashikimin të jetë një përqindje nga e cila të përfitojnë në radhë të parë pensionistët, pra të jetë si një bonus plus i çdo viti përtej bonusit të fund vitit.

Këto janë pak a shumë gjërat që duam të bëjmë. Ajo që do të na japi dorë shumë është presioni shumë i madh që do të bëjmë mbi kompanitë për deklarimin e pagës reale. Sot në Shqipëri pagat reale janë shumë më të larta se ato që deklarohen dhe arsyeja përse nuk deklarohen pagat reale është pikërisht për t’iu shmangur taksave dhe detyrime shëndetësore dhe shoqërore. I thotë punëdhënësi – punëmarrësit “po t’i jap këto 500 mijë lek me banke se deri 500 mijë lekë nuk ka tatim mbi pagën” dhe pjesa që paguhet për pensionin është shumë e vogël dhe “po të jap edhe nja 300 të tjera në dorë, kështu që I ke vetë, bëj çfarë të duash i ke pa taksa” dhe ky që i merr bën dy gabime shumë të mëdha. E para merr pjesë në vjedhjen e një pensionisti, e dyta godet veten se kur del në pension pastaj i del pensioni i vogël. Dhe kemi mijëra raste pensionistësh që dalin në pension sot dhe çojnë ankesë të Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe thonë: “po mirë mo si ka mundësi më del pensioni mua kështu kur unë pagën e kam pas kështu”? Ti pagën nuk e ke pas kështu sepse paga që shteti di për ty është paga që ai punëdhënësi ka deklaruar për ty, ajo që ke marrë me bankë. Ajo që ke marrë ti në dorë se të ka ardhur mirë ta marrësh dhe thua hajt se e kemi pa taksa, ajo ka ik dhe ajo nuk llogaritet më.

Prandaj, duhet që çdo punëmarrës të kuptojë që nëse bën marrëveshje me punëdhënësin që “ca të mi japi në bankë e ca të mi japi në dorë”, i bën gropën vetes, se në fund të ditës pensioni i tij nuk del siç në fakt ka punuar, por i del shumë më i vogël. Po ndërkohë, ama sot për sot vjedh një pensionist tjetër sepse çfarë pensionistët marrin sot është çfarë punojnë ata që sot janë në punë dhe e marrin për punën që kanë bërë vete.

Nesër ata që janë sot në punë do jenë pensionistë, të tjerët do paguajnë për ta për të mbuluar skemën. Kjo është mënyra si funksionon dhe për këtë arsye ne do ta rrisim shumë presionin mbi kompanitë dhe mbi të gjithë ata që kanë një biznes. Nuk ka në asnjë vend në Europë, nuk ka asnjë vend në Ballkan se në Europë nuk diskutohet fare, se në Europë janë taksat uhu, po në Ballkan nuk ka që biznesi i vogël të ketë zero taksë, vetëm Shqipëria e ka. Zero taksë. Asnjë lekë nuk i marrim ne, asnjë biznesi të vogël për fitimin. Asnjë lekë nuk i marrim ne për TVSH-në, zero. Dhe çfarë i kërkojmë ne biznesit të vogël, vetëm të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, tani të mos paguash as sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke pas zero taksë, domethënë të mos paguash për pensionin tënd nesër dhe ndërkohë t’ia vjedhësh sot një pensionisti që pret pensionin, kjo është skandaloze, është e paimagjinueshme. Dhe pastaj të gjithë thonë, “hë mo rritja içik pensionet pensionistëve”. Po ata që thonë rritja pensionet pensionistëve duhet të pyesin veten në radhë të parë ça paguajnë ata nga paga për pensionistët njëherë, se aty fillon. Ti ke një dyqan, ke një ndërmarrje dhe thua rritja içik pagën, po ti sa i paguan pensionistëve nga detyrimi ligjor që ke? Dhe ka një gjë ligji që për taksat ti mund të negociosh me shtetin, pra mund të hysh në marrëveshje me shtetin, shiko nuk i kam të gjitha sot, po do paguaj 70%, 30% do ti jap në fund të vitit se kështu i kam punët. Për sigurimet shoqërore nuk ka asnjë negociatë, duhet të paguash. Nuk e lejon ligji negociatën se s’ka ca të negociosh. Ajo që ti paguan shkon direkt te pensionistët që janë sot në pension dhe meritojnë të marrin pensionin në kohë dhe ta marrin të plotë. Këto janë pak a shumë ato që unë doja të ndaja me ju bashkë me kolegët dhe sigurisht që me kënaqësi do merrja nëse ka pyetje ose nëse ka ndonjë gjë për të thënë.

* * *

– Përshëndetje të gjithëve. Ajo që po themi sot zoti kryeministër është që ka probleme të mprehta që mbase duhet t’ia vëmë theksin. Informaliteti në fushën e ekonomisë është disi i papranueshëm, është gangrenë, e cila ka ndikuar dhe këtu tek ne. E dyta, kontrolli administratës. Qeveria ka ligje që e bllokon, e kontrollon, i fut dhe një gjobë. Dua të insistoj që në këtë drejtim kontrolli administratës të jetë më i mprehtë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Dua të them disa gjëra. Që të them dy fjalë lidhur me çfarë tha zotëria. E para, çështja e kontrolleve nuk është kaq e thjeshtë sa mund të thuhet me fjalë për 1001 arsye, por pavarësisht ecurisë pozitive të reformës në drejtësi, që unë jam shumë dakord, e vërteta është që çfarë sot shqiptarët shohin dhe përshëndesin si rezultate të reformës në drejtësi, lidhet me punën e Prokurorisë Speciale. Ndërsa me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duke filluar nga Prokuroria e Tiranës ne kemi probleme të mëdha që flasin akoma për sa shumë nevojë ka që kjo reformë të shtrihet në praktikën e përditshme edhe të këtyre prokurorive. Pse e them këtë? Keni dëgjuar ju, deri sot që ndonjë sipërmarrës të merret si i pandehur për evazion? Nuk keni dëgjuar. Domethënë për shmangie taksash me miliona. Keni dëgjuar ndonjëherë? S’keni dëgjuar. Mendoni ju që nuk ka. Patjetër që ka. Por mendoni që administrata nuk i ka identifikuar disa prej tyre? I ka identifikuar. Mendoni se nuk ia ka referuar prokurorisë? Ia ka referuar. Në Prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Evazion që më vjen keq ta them, por që e kanë prokurorinë në xhep se unë nuk gjej asnjë shpjegim tjetër. Pra është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur. Se ju thatë që ligji e ruan rendin ekonomik, financiar jo vetëm rendin kushtetues, por nëqoftëse ligji nuk funksionon për këtë kategori si për gjithë të tjerët, atëherë ne kemi problem të madh. Sepse hallka e fundit e zinxhirit na mungon dhe prandaj është jo e lehtë.

Megjithatë ne do vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe kemi një plan që na mundëson një zhvillim tjetër që kemi bërë që është digjitalizimi i transaksioneve. Sot ne kemi praktikisht, të gjitha bizneset i kemi në sistem të digjitalizuar të transaksioneve. Edhe aty kanë filluar të bëjnë hile, por tani kemi një tjetër mekanizëm që po e vëmë në funksion me inteligjencën artificiale, që do të jetë e pamundur që të na shmangen nga detyrimet dhe nga ana tjetër ne nuk do pranojmë më, unë e kam thënë publikisht, nuk do pranojmë më që operatorë turistikë, hotele këtu në Durrës të na bëjnë ne deklarime pagash që ne e dimë shumë mirë që janë nën pagat reale që paguajnë.
Sot problemi kryesor i industrisë së turizmit nuk është më sa paguan, është ku ta gjej punonjësin. Ata problemin kryesor kanë që s’kanë mjaftueshëm krah të kualifikuar pune, se është rritur shumë puna, janë rritur shumë kërkesat dhe iu duhen më shumë punonjës. Dhe nuk ekziston sot një pastruese në një hotel, merr një pagë shumë herë më të lartë se paga minimale. Pastruese! Mos të diskutojmë pjesën tjetër të kamerierëve, kamarier me 800, me 900, me 1000, me 1100, 1200 euro që deklarohen sikur marrtin pagë minimale pikërisht për të mos paguar taksë mbi pagën dhe për të paguar një minimum sigurimesh shoqërore. Po nga dalin këto? S’kemi për ti pranuar më këto!

Nuk do ti pranojmë, do ua u kthejmë dhe i kemi thënë që në deklarimin e ri të pagave duhet të jeni sa më të vërtetë dhe mundësisht plotësisht të vërtete më shtetin se do ua u kthejmë dhe në rast se do ua u kthejmë për rishikim dhe nuk do reflektoni, do përfundoni në ndjekje penale. Nuk kemi rrugë tjetër. Tani të bësh këtë për çfarë? Sepse kanë miliona dhe prapë nuk e kuptojnë dhe s’duan ta kuptojnë që atë që ti ia detyron si fillim pensionistëve të tij nuk mund t’ia marrësh, kjo është një gjynah i madh përveç të tjerave. A thua se çfarë po jep!

Në industrinë e ndërtimit, si mund të pranojmë ne në industrinë e ndërtimit që na paska paga minimale. Nuk ka, nuk ekzistojnë. Edhe industria e ndërtimit sot problemin kryesor ka forcën e punës, nuk ka më sa paguajnë. Ka paga që janë absolutisht konkurruese me gjithë rajonin. Në turizëm janë si të Greqisë pagat, sot. Në pjesë të caktuara të industrisë janë si në Itali. Si mundet ne të vazhdojmë të pranojmë të deklarojnë sikur kanë qenë dikur. Pse? Se duan t’i shmangen atyre taksave dhe mbi të gjitha duke filluar nga sigurimet shoqërore, kjo është e papranueshme. Dhe për këtë arsye ne do ta shtrëngojmë shumë këtë litar sepse është e pamundur që t’ju dalim juve për zot deri në fund nëse kjo nuk bëhet në front.

Nuk është vetëm qeveria këtu. Është dhe biznesi që duhet të jetë front i përbashkët, social se në fund të ditës, çfarë bëjnë pensionistët me ato të ardhura? Çfarë bëjnë? Konsumojnë. Pra, prap ia kthejnë ekonomisë. Prap do shkojnë te dyqani të blejnë, prap do shkojnë të pinë kafe, prap do shkojnë aty të konsumojnë, është drejtpërdrejt konsum dhe kjo prap e stimulon ekonominë, prap i rikthehet ekonomisë. Kjo është ajo që kisha si reagim ndaj fjalës tuaj. Se ne jemi përtej të majtës dhe të djathtës, e dini ju. Por nuk mbajmë anë, i duam të gjithë. Sidomos këta djathtas që kanë ngelur dhe pa shtëpi, duhet t’i respektojmë, t’i mirëpresim në shtëpinë tonë.

– Sa i përket statusit të minatorit. Ti thua e keni statusin. Nuk e kemi. Dhe informalitetin e ka krijuar vetë parlamenti shqiptar. Unë kam dalë në 2018 pension, marr një pension shumë të ulët. Kërkoj punë, kam gjetur me bollëk. Kërkojnë punëtorë sa të duash. Shkoj tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore, thonë pa bërë 65 vjeç nuk bën. Edhe merr sigurimin Instituti, mua nuk më lenë të punoj. Jam me pension të parakohshëm. Dhe 1% që nuk na e jepni pa u bërë 65 vjeç, e duam 1% e viteve të punës së minierës.

Kryeministri Edi Rama: E para e punës statusin e minatorit e kemi miratuar ka kohë dhe nuk është e rastit që minatorët të dalin në pension 10 vjet para të tjerëve. Është në status. Dhe siç është në status dalja në pension para të tjerëve, janë në status dhe të gjitha përfitimet e tjera, njësoj si kategoritë e tjera. Se ta shpjegova dhe përpara, që ne kemi faktikisht vetëm me statuset e veçanta, me kompensimet, me trajtimin e veçantë për pensionistët për dritat e të tjerë, 270 milion euro paguajmë. Te këto 270 milion euro, përfshihen dhe minatorët me pjesën e tyre, që të jemi shumë të qartë. Ke dalë përpara kohe dhe këtë jam përpjekur të shpjegoj gjatë gjithë kohës dhe nuk është kaq e thjeshtë. Statusi është i miratuar. Është e kotë që vazhdon kjo histori nga një grup njerëzish. Duam status. Statusi është i miratuar. A doni ndonjë status tjetër? Jeni në të drejtën tuaj, por nuk ka më nga këto gjëra, nuk do të ketë më përjashtime të kësaj natyre. Këto përjashtime kanë mbaruar. Tani ne do të fokusohemi tek të gjithë pensionistët për të bërë gjënë e duhur sepse një përjashtim këtu, një përjashtim atje dhe krijohen pastaj disbalanca dhe ndërkohë janë, po ta përsëris, 270 milionë euro në vit. E di ça janë 270 milionë euro në vit për Republikën e Shqipërisë apo jo? Dhe në total janë 700 milionë me gjithë deficitet e skemës. Kështu që prandaj ne e bëjmë këtë diskutim. Nuk e bëjmë këtë diskutim as t’ju themi që “shiko, ky problemi është i vështirë dhe nuk e zgjidhim dot’’, s’e bëjmë këtë diskutim as t’ju themi që “shiko, mos prisni gjë’’. E bëjmë këtë diskutim që të gjithë të jeni të vetëdijshëm, të jeni të gjithë ju të vetëdijshëm se për çfarë flasim se dalin llok-lloj xhagajdurësh që ‘’do ta bëjmë pensionin 1000 euro, do ta bëjmë 2000 euro’’. Ata që bënë ato firmat piramidale, po janë dhe ca me fytyra të reja që janë njësoj si ata po e kanë fytyrën e re, e para.

E dyta, e bëjmë këtë diskutim që ta dëgjojnë dhe ata që duhet të kontribuojnë më shumë, që janë kompanitë, që janë bizneset, që ta dëgjojnë dhe ata, prandaj ne jemi këtu bashkë dhe ne jemi këtu bashkë në këtë përpjekje. Përsa i përket asaj që the, ne kemi bërë një hap. Kemi bërë një hap që pensionistët e vetëpunësuar të mos paguajnë Sigurime Shoqërore. E kemi bërë këtë sepse janë pensionistë dhe për këtë arsye, ata që vetëpunësohem, ua kemi hequr pra, që t’ju lëmë lekë më shumë në xhep; iu kemi thënë që dhe këto mund t’i mbanim.

– Unë përfaqësoj Shoqatën e Ushtarakëve të Durrësit dhe përfaqësoj të gjitha interesat e këtyre ushtarakëve. Çfarë ka ndodhur, zoti Kryeministër? Unë sot jam 64 vjeç, duhet të kisha 17 vjet që duhet të kisha dalë në pension. Në fakt, ne sipas ligjit të ushtarakut, duhet të bëjmë 15 vite punë. Unë kam 14, shoku im ka 14.5. Ai që ka 15 e përfitoi këtë pension. Me këtë rast në këtë takim erdha të të përcjell këto shqetësime, të ktheni kokën dhe nga kjo shtresë sepse janë ushtarakët që kanë mbaruar në vitin ’82, në vitin ’95 shteti i asaj kohe më tha ‘’hap krahun’’, në kulmin e karrierës sime ushtarake.

Kryeministri Edi Rama: Tani unë i kuptoj të gjitha këto, por nëse nuk vendosen disa rregulla, ne ngelemi prapë në gropë. Vendosja e rregullave fatkeqësisht, erdhi koha të bëhet me shumë vonesë. Nëse këto reforma që ne kemi bërë, do ishin bërë jo në ‘91, ‘92, ‘93 kur s’kishin haberin se për çfarë bëhej fjalë, po të paktën do ishin bërë në fillim të viteve 2000, sot Shqipëria do ishte komplet në një pozicion tjetër. Nuk do diskutonim fare nga këto gjëra, do të kishim një rritje shumë më të madhe dhe zhvillim shumë më të madh. Pra janë rregulla që duhet të vihen në një ditë të caktuar. Tani 15 vite është minimumi. Nuk mundet dot të thuash ‘’pse është 15 vite, të bëhet më pak’’, sepse rregullat nuk vihen thjesht për një segment, rregullat vihen për të gjithë. E si bëhet kjo? Dhe duke pasur parasysh që trajtimi i ushtarakëve është komplet një gjë tjetër sot pagat e ushtarakëve janë komplet një gjë tjetër, po i çojmë drejt mesatares së NATO-s, ushtrive të NATO-s, por duhet të kemi këtë mirëkuptim, sepse e thashë dhe më përpara; mos harrojmë asnjëherë, taksat janë të fëmijëve, taksat nuk janë tonat. Me taksat ne investojmë për të ardhmen dhe nëse ne i marrim nga taksat dhe patjetër që një pjesë do i marrim nga taksat, se s’kemi si e nxjerrim, po nëse e ekzagjerojmë në marrjen nga taksat, ne e lëmë brezin tjetër pa shumë gjëra të tjera sepse ndërkohë çdo gjysh e çdo gjyshe, gjëja e parë që thotë nuk është ‘’më rrit pensionin’’, thotë ‘’fëmija të ketë një kopësht si duhet; nipi, mbesa të ketë një shkollë si duhet; të ketë një kënd lojërash’’. Pra të gjitha këto duhet t’i shohim të gjitha bashkë, nuk mundet dot të bëjmë luftë civile mes fëmijëve dhe të moshuarve se kush ia merr njëri-tjetrit dhe për këtë arsye duhet të gjejmë rrugët si të bëjmë më të mirën për moshën e tretë, nuk diskutohet, pa dëmtuar të nesërmen dhe kjo e mundësisë për punë edhe pas daljes në pension, është diçka që ne po e bëjmë, e kemi pjesë të këtij plani. Pra mundësia e plotësimit të viteve sepse nëqoftëse zotëria do të futet në punë, do ketë mundësi të kontribuojë dhe kështu do të plotësoje vitet dhe për vete. Do t’i rriten vitet e kontributeve dhe kështu do të pretendojë të marrë një pension më të mirë kur mos të ketë më fuqi.

Ju falënderoj shumë dhe kam shumë besim që do t’ju gëzojmë në fund të vitit, një gëzim që në fund të vitit duhet patjetër, pastaj do vazhdojmë punën për më shumë e më mirë në vitet qe vijnë.

Previous Ministri Vengu përshëndet Forumin e Funksioneve të Rojës Bregdetare: Fuqizojmë mbështetjen për operacionet detare