Universiteti Kombëtar i Arsimit në Distancë (UNED) i Spanjës, një institucion publik model që sjell eksperiencën më të mirë spanjolle dhe europiane, hapi sot zyrtarisht kampusin më të ri në qytetin e Gjirokastrës.
Në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të ri ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; Rektori i UNED, prof. Ricardo Mairal Usón; Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Alvaro Renedo Zalba; Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi; stafi akademik i Universitetit “Eqrem Çabej” si dhe të rinj e studentë të këtij universiteti.
Ministrja Manastirliu e cilësoi këtë hap, si një moment historik për arsimin e lartë në Shqipëri, duke theksuar se ky kampus përfaqëson një standard të ri arsimor që vjen për herë të parë në vendin tonë.
“Universiteti Kombëtar i Arsimit në Distancë (UNED) i Spanjës hap dyert këtu në Gjirokastër me një ofertë të re akademike, me eksperiencë rreth 50-vjeçare të mësimit në distancë përmes metodave më të mira të mësimdhënies dhe teknologjisë që ofrohet nga ky universitet me një ofertë të larmishme, e para e këtij lloji që vjen në Shqipëri. UNED është një mundësi unike dhe është një gur kilometrik në të gjithë kapitullin e ndërkombëtarizimit në raport me ofertën akademike për të rritur cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te puna që po bëhet në procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare.
“Kur nisëm programin e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, sigurisht që fokusi ishte që universitetet tona mund të krijonin partneritete në ndërtimin e programeve të përbashkëta apo të diplomave të dyfishta me universitete prestigjioze dhe shumë shpejt kaluam nga kjo fazë në hapjen e kampuseve të universiteteve prestigjioze këtu në Shqipëri, siç është UNED, sikurse është Kolegji i Europës, sikurse në vijim do të hapim kampusin në Universitetin Politeknik të Tiranës të një prej universiteteve prestigjioze të Francës si Universiteti Teknologjik i Compiegne, apo hapja e programeve të studimit të Universitetit Teknik të Stambollit që jemi duke punuar për ta sjellë në Shqipëri sa më shpejt. Këto janë hapa që tregojnë vizionin tonë për të dimensionuar ofertën e arsimit të lartë në Shqipëri dhe për ta rritur në një standard europian, duke sjellë Europën në Shqipëri,” tha Manastirliu.
Në ceremoninë e sotme, Universiteti “Eqrem Çabej” nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me UNED për të zgjeruar shkëmbimet akademike dhe për të përshtatur ofertën arsimore sipas kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit turistik të Gjirokastrës, qytet i listuar në UNESCO. Për studentët shqiptarë, kjo është një mundësi unike për një arsim cilësor në distancë, rritjen e standardeve akademike, duke i përgatitur ata për sfidat e tregut të punës dhe për të qenë konkurrues në nivel ndërkombëtar.
Kampusi do të jetë aktiv që këtë vit akademik 2024-2025 dhe regjistrimet për programet e reja në këtë universitet janë hapur online deri më 5 nëntor, për të gjithë studentët shqiptarë dhe ata nga rajoni, pa kufizime gjeografike.
Në këtë kampus, studentët do të kenë mundësinë të ndjekin programe studimi të ofruara nga UNED, të pajisur me standardet ndërkombëtare dhe të përfitojnë nga bursa përmes bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.