Raporti i Progresit 2024 i Komisionit Europian për Shqipërinë, iu dorëzua sot Kryeministrit Rama nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, në vendin tonë Silvio Gonzato, pas një takimi të zhvilluar me tyre në Kryeministri.
Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast, ambasadori Gonzato u shpreh se Komisioni Europian sheh mundësi për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE vitet e ardhshme. “Çka është më e rëndësishme, Komisioni deklaron se është gati që të mbështesë objektivin ambicioz të qeverisë shqiptare për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në fund të 2027.” – tha ai.
Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se ky është raporti më pozitiv i gjithë këtyre viteve, i cili rikonfirmon përparimin e bërë nga Shqipëria. “Më vjen shumë mirë që ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë sepse e tillë është dhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi faktikisht njohjen nga të gjitha institucionet dhe të vendeve të BE të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve në këtë fazë të negociatave për anëtarësim.” – u shpreh Kryeministri.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Tani është një ritual, çdo tetor ne marrim rezultatet e provimeve vjetore të shtet bërjes në pasqyrën e raportit të progresit të Bashkimit Europian. Ky tetor është i posaçëm sepse pak javë më parë në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare e Shqipërisë me BE për çeljen e negociatave për grupi e parë të 8 kapitujve dhe kritereve, themeloret.
Konferenca siç e dini afirmoi njohjen nga të gjitha institucionet dhe vendet e BE të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë të negociatave për anëtarësimin në BE dhe gjithë sa është thënë dhe është bërë nënvizohet në raportin e sapodalë nga KE.
Unë jam këtu së bashku me ambasadorin e delegacionit të BE për të marrë zyrtarisht një kopje të raportit, prandaj po e ndërpres këtu fjalën time, për ta ri vazhduar pasi të marr kopjen e raportit dhe ambasadori të bëjë paraqitjen e përmbledhur të arsyeve pse është këtu sot bashkë me mua.
Ambasadori i Delegacionit të BE, Silvio Gonzato: Faleminderit kryeministër. Është kënaqësi për mua që të jem këtu sot. Është raporti im i parë i zgjerimit këtu në Tiranë dhe një raport zgjerimi i cili u miratua dje nga KE dhe është vërtetë kënaqësi që ua dorëzoj. Ja kam dorëzuar tanimë dhe Presidentit të Republikës dhe pas kësaj konference shtypi do takohem me kryetaren e Kuvendit dhe me kryetaren e komitetit të çështjeve të BE.
Qartësisht raporti i këtij viti del në një kontekst të favorshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, siç e thatë dhe ju kryeministër, dhe isha atje dhe ishte një privilegj i vërtet për mua, çelëm negociatat për grup kapitullin e themeloreve në konferencën e dytë ndërqeveritare dhe pasi Shqipëria paraqiti tre udhërrëfyeset që do të orientojnë përpjekjet e saj për reformën. Nuk do të lodhem kurrë së theksuari sesa shumë kjo shënjon një moment kyç në rrugëtimin drejtë anëtarësimit. Javën e kaluar KE miratoi po kështu dhe agjendën e reformave të vendit që do t’i çelë rrugën zbatimit të planit të rritjes që nga ana tjetër do veprojë si katalizator për ta sjellë vendin më shpejtë drejt anëtarësimit në BE.
Në paketën e zgjerimit miratuar dje nga KE vërehet angazhim i palëkundur i Shqipërisë drejt integrimit në BE si përparësia kyçe strategjike e vendit. Ai njeh plotësisht faktin që Shqipëria ruan bilancin e saj të harmonizimit të plotë me politikën e jashtme të sigurisë të BE dhe kjo vazhdon të përçojë një sinjal të fortë rreth zgjedhjes strategjike të BE, të interesimit në BE dhe të rolit të saj si një partnere e besueshme. Komisioni sheh një mundësi për Shqipërinë që të përshpejtoje procesin e anëtarësimit në BE vitet e ardhshme. Ashtu siç e theksoi dhe presidentja von der Leyen gjatë vizitës së saj javën e kaluar, nëqoftëse hapi i reformave përshpejton Shqipëria mund t’ia dalë të çelë të gjithë grup kapitujt deri në fund të 2025.
Ashtu siç komunikata e publikuar dje thotë: komisioni mbështet çeljen e grup kapitullit 6, marrëdhëniet me jashtë, drejtë fundit të këtij viti nëqoftëse ky trend pozitiv vazhdon, çka është më e rëndësishme, Komisioni deklaron se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të qeverise shqiptare për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në fund të 2027.
Siç e thashë, këto afate ambicioze mund të bëhen realitet nëqoftëse autoritete shqiptare intensifikojnë më tej hapin e reformave të orientuara nga BE, konkretisht të sundimit të ligjit, konsolidimin e bilancit për zbatimin e ligjit, luftën efektive të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nxitjen e të drejtave themelore përfshirë dhe lirinë e medias, të drejta e pronësisë dhe pakicat.
Këtu raporti i 2024 për Shqipërinë i publikuar dje ofron orientim të rëndësishëm se zakonisht raporti ofron një vlerësim të drejtë se ku qëndron vendi dhe ofron rekomandimin se cilat janë masat që duhet të përcaktojnë si përparësi vitin që vjen.
Më lejoni kryeministër që të theksoj disa prej gjetjeve kyçe të raportit me vëmendje të veçantë tek grup kapitulli i themeloreve që po negociojmë aktualisht. Sa i përket kriterit politik, raporti vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike si pjesërisht të kënaqshme, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet kyç ligjvënës dhe të mbikëqyrjes dhe rezulton po kështu dhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçe.
Po kështu dhe për shkak të mangësive të pa trajtuara në procesin zgjedhor dhe mungesës së konsultimeve kuptimplota publike. Mesazhi kryesor këtu është nevoja urgjente për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik dhe kjo është thelbësore për sistemin demokratik të Shqipërisë, por gjithashtu dhe për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE.
Funksioni i gjyqësorit vazhdon të zërë një hapësirë të madhe të raportit vjetor. Komisioni vëren disi progres në këtë fushë sidomos me afrimin drejt fundit të procesit të vetting-ut në shkallën e parë që është një gur themeli kryesor. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor dhe mangësi sa i takon emërimeve bazuar në merita anëtarëve jo magjistratë në KLGJ dhe në KLP si dhe integritetin e tyre
Raporti po kështu dhe jep rekomandime specifike për të trajtuar këto çështje. Sa i takon cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë raporti thekson nevojën për të përmirësuar zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe gjithashtu bën thirrje për më shumë përpjekje për të siguruar shtrirjen graduale të sistemit në një kohë që po bëhet progres konkret në këtë drejtim.
Korrupsioni vazhdon të shihet si një shqetësim serioz. Raporti vëren disi progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer të bërë nga SPAK i cili ka vazhduar të prodhoje rezultate konkrete përfshirë edhe për çështje që përfshinë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë.
Përdorimi sistematik i SPAK i hetimeve financiare dhe konfiskim të aseteve po ashtu është përmirësuar. Komisioni bën thirrje po kështu për përpjekjet për të forcuar më tej rritjen e referimeve pro aktive të institucioneve. Gjithashtu për të forcuar si dhe për një thirrje pro aktive të referimeve të institucioneve përkatëse në SPAK.
Në të njëjtën kohë komisioni sheh hapësire të rëndësishme për përmirësim sa i përket përpjekjeve për të luftuar korrupsionin që kanë pasur ndikim të kufizuar deri më tani. Në këtë drejtim bën thirrje dhe për vlerësim të synuar të rrezikut për sektorët vulnerabël. Zbatimi i strategjisë së re kundër korrupsionit miratimi i së cilës është i shpejtë duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim këtu.
Kur vjen fjala për luftën kundër krimit të organizuar komisioni konsideron se është bërë disi progres në këtë drejtim, sërish falë SPAK që në fakt ka rritur kapacitetin në investime, në hetime financiare, forcimin në luftën e pastrimit të parave, gjithashtu dhe në sekuestrimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar.
Shqipëria ka nevojë të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të zbatimit të ligjit. Po ashtu rekomandime kyçe në këtë fushë përfshin dhe nevojën për të vazhduar bashkëpunime me shtete anëtare të BE dhe agjentët e BE duke rritur kapacitete për të luftuar krimin kibernetik dhe pastrimin e parave si dhe për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore
Shqipëria po kështu pritet të krijojë zyrë për rikuperimin e aseteve pa vonesë në përputhje me “acquis” të BE dhe shoh që ka zhvillime dhe këtu. Duke u kthyer të drejtave themelore raporti vëren progres në disa fusha sidomos në të drejtat e viktimave gjithashtu u bën thirrje autoriteteve të intensifikojnë përpjekjet për zbatim në përgjithësi, sidomos në fushën e dhunës kundër grave dhe duke zbatuar efektivisht agjendën kombëtare për të Drejtën e Fëmijëve.
Rekomandime të tjera kyçe në këtë fushë përfshin gjithashtu nevojën për të ecur përpara me harmonizimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale për “acquis” të BE-së, kështu për të përpjekjet për të konsoliduar të drejtat e pronësisë përfshi edhe progresin vendimtar për regjistrimin fillestar, kompensimin dhe për të përmirësuar transparencën e Kadastrës shtetërore.
Të drejtat për personat që u takojnë minoriteteve, raporti thekson nevojën për të miratuar gjithashtu edhe zbatimin e akteve nënligjore, pra nxjerrjen e akteve nënligjore që mbetet për tu nxjerrë, konkretisht për identifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe për të rritur kapacitetin e komitetit shtetëror për pakicat kombëtare.
Së fundmi do të doja një tjetër fushë shumë e rëndësishme është edhe ku vazhdon raporti i këtij viti për lirinë e shprehjes natyrisht për fat të keq Komisioni nuk vëren asnjë progres në këtë fushë dhe sa i përket çështjeve afatgjata që kanë qenë shqetësuese sidomos mbi vendosjen e interesave të biznesit, medias dhe politikës në këtë drejtim dhe kushtet problematike të kushteve të punës së gazetareve dhe dua të them që po bashkëpunoj me profesor Markun për ta përmirësuar këtë gjë.
Gjithashtu dua që të them që shpresoj që çelja e grup kapitullit 1 të negociatave do të jetë një mundësi për autoritetet shqiptare për të realizuar këto angazhime reformash për mediat të ndërmarra në udhërrëfyesin e sundimit të ligjit.
Do doja të përmbyll këtu gjithashtu duke inkurajuar edhe njëherë jo vetëm qeverinë, por të gjitha institucionet shqiptare për të përfituar plotësisht nga vëmendja e ripërtërirë politike e BE-së drejt zgjerimit. Do të kërkoj udhëheqje të fortë politike në unitet të gjerë ndër partiak dhe strukturë të fortë negocimi, gjithashtu edhe mekanizma efektive konsultimi.
Shumica e shqiptareve duan që vendi i tyre të afrohet sa më shumë me BE-në dhe nuk mund t’i zhgënjejmë. Delegacioni i BE-së do të jetë këtu me ju, t’iu shoqërojë në këtë rrugëtim.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit zoti ambasador!
Unë e kam thënë më shumë sesa në një rast edhe sot është rasti për ta përsëritur që raporti i progresit në këndvështrimin tim është dokumenti më i plotë, më i detajuar, më i besueshëm dhe më ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi fjali për fjali në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standardeve të funksionimit të institucioneve europiane dhe shteteve anëtare dhe me vjen shumë mire që ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë sepse e tillë është edhe ecuria e vendit dhe Konferenca e dytë Ndërqeveritare afirmoi faktikisht njohjen nga të gjithë institucionet dhe vendet e Bashkimit Europian të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë të negociatave për anëtarësim.
Raporti është real dhe i balancuar dhe siç njeh të gjitha përpjekjet e progresin e bërë, shënjon me përpikmëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej, si dhe çështjet ku duhet të përqendrohemi për t’i përmbushur plotësisht kushtet e anëtarësimin dhe në paraqitjen e përmbledhur të ambasadorit ishte shumë e qartë se cilat janë adresimet që duhen bërë në këtë fazë të re të procesit.
Patjetër që ky proces është një proces që vazhdon, por cilido që dëshiron vërtet të kuptojë dhe të mësojë se ku ndodhet sot Shqipëria në të gjitha fushat bën mirë ta lexojë këtë raport. Bën mirë ta lexojë këtë raport sepse askund tjetër nuk do të gjejë një analizë më të përpiktë dhe një panoramë më të vërtetë të situatës aktuale të vendit. Më lejoni që të ndaj vetëm disa nga momentet më kryesore të raportit.
Së pari drejtësia. Përtej të gjitha polemikave të brendshme, raporti bën një vlerësim të lartë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe thekson se kjo reformë ka çuar në përmirësime të ndjeshme në funksionimin e drejtësisë në vend. Patjetër, që siç theksoi dhe ambasadori ka pika të caktuara që duhen adresuar dhe ka ende boshllëqe që duhen mbushur. Me shumë të drejtë në këndvështrimin tim Komisioni Europian përmes këtij raporti vlerëson punën e SPAK-ut e dëgjuat edhe nga ambasadori në përmbledhjen e tij, vazhdimësinë e rezultateve, avancimin më tej në ndjekjen përmes hetimeve të thelluara të rasteve komplekse të korrupsionit përfshirë edhe ato në lidhje me profile të larta politike dhe zyrtare.
Së dyti, ekonomia dhe rritja e mirëqenies. Raporti e rikonfimon në vlerësimin e vet edhe këtë vit, vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit dhe përgatitjen e mëtejshme të Shqipërisë për një ekonomi tregu funksionale, në bazë të parimeve dhe kushteve që garanton Bashkimi Europian në çdo vend anëtar të tij. Rritja ekonomike ka qenë një rritje e fortë thotë raporti, siç është e vërteta dhe po ashtu mbështetja e kësaj rritje dhe rritja e turizmit dhe në investimet në rritje është një fakt. Nga ana tjetër, raporti vlerëson performancën e përmirësuar dukshëm fiskale të vendit, rënien e deficitit dhe uljen e mëtejshme të borxhit publik dhe nënvizon që sektori financiar i vendit është i qëndrueshëm.
Së treti, ka një pikë që unë e vlerësova ta ndaj veç në këtë paraqitje shumë të përmbledhur, është progresi i mirë dhe afrimi më shumë drejt kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian në fushën e energjisë që është një fushë kritike dhe me një karakter strategjik, gjithmonë e më të theksuar edhe për vetë kushtet e sotme globale dhe të Europës, për afrimin me tregun e energjisë dhe standardet e Bashkimit Europian dhe në fushën e certifikimit të operatorëve përkatës. Vazhdimi i punës dhe rritja e investimeve në energji, por edhe mbështetja ndaj qytetarëve dhe biznesit, si dhe ambicia për tu bërë një vend eksportues neto i energjisë brenda kësaj dekade dhe pjesë e tregut europian të energjisë janë element shumë të rëndësishëm që pasqyrojnë ekzaktësisht transformimin epokal që ne kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë në sektorin e energjisë.
Së katërti, digjitalizimi. Shqipëria është një lider në rajon në digjitalizim dhe gjithë procesi i transformimit të shërbimeve publike, është një proces që na ka vendosur në një bazë shumë të mirë për të bërë edhe zhvillime të mëtejshme.
Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, e theksoi dhe ambasadori, politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë që vlerësohet me notat më maksimale. Nuk dua të zgjatem më tutje dhe e përsëris, kush flet për Bashkimin Evropian, kush flet për integrimin evropian, kush del nëpër ekrane apo merr penën përmes tastierës së kompjuterit për të shkruar për këtë proces, bën mirë ta lexojë këtë raport sepse është një bazë e pazëvendësueshme të dhënash për të folur gjëra që bëjnë sens, kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Raporti është publik, kushdo mund ta lexojë, mund ta vlerësojë, munda ta inspektojë, mund ta përdorë dhe siç e thashë në fillim, dua ta përsëris, është pasqyra më e detajuar, më e imët, më besnike e realitetit ë zhvillimeve në vend të 12 muajve të fundit.
Të gjithë të tjerët shkruajnë, japin opinione, mbledhin perceptime, bëjnë konkluzione, por janë shumë, shumë larg profesionalizmit dhe objektivitetit të Komisionit Evropian dhe për këtë arsye, Evropa, BE, Komisioni Evropian janë bekimi më i madh për një vend si Shqipëria që përndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën dhe të bëhej pjesë e një familjeje me vlera, me standarde dhe me kritere funksionimi që nuk i gjen askund tjetër në botë.
Faleminderit për Raportin, faleminderit për vlerësimin, faleminderit për kritikat, faleminderit për detyrat. Ne jemi nxënës ambiciozë në këtë proces. Më vjen shumë mirë që nga viti në vit marrim nota të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale që është vula e anëtarësimit në Bashkimit Evropian kemi shume akoma për të bërë dhe kemi të meta dhe boshllëqe për të adresuar dhe jemi të bindur qe kemi të gjitha kapacitetet për të adresuar dhe falë edhe partneritetit gjithnjë e më të ngushtë që kemi me delegacionin e Komisionit Evropian këtu dhe me vetë Komisionin Evropian në Bruksel.
* * *
-Në deklaratën e Progres Raportit citohet që qeveria shqiptare ka shprehur ambicien për hapjen e të gjithë grup-kapitujve të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Sa e mundshme është përmbushja e kësaj ambicieje dhe cili është ai prioritet ose sfidë që duhet të realizohet në këtë moment. Ndërkohë që pyetje për zotin Kryeministër; edhe ambasadori në deklaratën e tij theksoi që ka nevojë vendi për një dialog politik urgjent. Zoti Kryeministër, keni ju mundësi, rrugë apo një ofertë për opozitën shqiptare për ta afruar për këtë proces dhe gjithë proceset parlamentare që lidhen edhe me integrimin pasi nga ana e tyre ka patur edhe një shqetësim që ndihen te përjashtuar? Faleminderit.
Ambasadori i Delegacionit të BE, Silvio Gonzato: Siç e thatë, komunikata që u miratua dje nga Komisioni, shpreh mbështetjen dhe gatishmërinë e Komisionit për të shoqëruar qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj, në objektivin e saj për të çelur të gjitha kapitujt e negociatave në 2025.
Kemi bërë një vlerësim, kemi parë që është e mundur, shumë ambicioze, por e dimë që Shqipëria po kështu mund të jetë ambicioze dhe kjo është treguar dhe nga kapacitetet teknike gjatë procesit të skanimit të legjislacionit për të shqyrtuar gamën e gjerë të çështjeve të mbuluara nga acquis e BE-së në mënyrë profesionale, kështu që kjo është një ofertë. Është një ofertë nga ana jonë për gatishmëri dhe mbështetje, por kërkon po kështu, nga njëra anë, përpjekje te konsiderueshme dhe vullnet të vendosur politik nga ana e Shqipërisë, po kështu kërkon gatishmërinë e shteteve anëtare për të rënë dakord për çeljen e këtyre kapitujve. Më lini të them sigurisht, nëqoftëse shtetet anëtare janë të bindura që Shqipëria vërtetë ka bërë progres dhe ka përmbushur piketat apo standardet e anëtarësimit që janë të nevojshme për të kaluar këtë fazë, jam vërtetë besimplotë që mund të bëjmë progres të konsiderueshëm në këtë drejtim dhe në fakt mendoj që është e rëndësishme që të kesh një objektiv të tillë sepse kjo jep fokus dhe po kështu ofron stimul e gjithashtu jep pronësi mbi procesin e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjet dhe po e filloj me të parën; ju e dini shumë mirë që konferenca e dytë ndërqeveritare u shty në kohë për shkak të një ngërçi politik me vëllezërit tanë në kufirin jugor dhe po ashtu, nëse keni qenë të vëmendshëm duhet të keni dëgjuar që unë kam thënë se kjo nuk ka pikë rëndësie për ne, përsa i përket progresit sepse ne do të bëjmë të njëjtën punë dhe në momentin që do të ulemi në tryezën e konferencës, kurdo që ajo të ndodhë, do të jemi më përpara. Tani po jap një fakt; ne kemi hapur grup-kapitullin e parë dhe të tjerë në rajon janë në negociata prej disa vitesh, por Shqipëria është i vetmi vend i rajonit, përfshirë dhe ata që janë në negociata prej disa vitesh, që në fushën e prokurimeve publike nuk ka piketa të ndërmjetme deri në anëtarësim. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që Shqipëria konsiderohet vendi më i avancuar në prokurimet publike që është dhe një fakt shumë kokëfortë, por që shqiptaret nuk e mësojnë dot nga mediat, për fat të keq dhe në raportin më të ri të SIGMA-s që është organizmi i OECD që punon dhe i ofron analiza faktike dhe rezultate mbi faktet Komisionit Evropian, Shqipëria sot renditet me diferencë në vendin e parë në rajon për standardet dhe implementimin e prokurimeve publike, që do të thotë, solla një shembull, por mund të sjell dhe të tjerë, që ne nuk kemi humbur asnjë minutë, pavarësisht problemeve të natyrës politike që na kanë penguar t’i hapim negociatat më përpara, ndërkohë që Komisioni ka rekomanduar tre here rresht hapjen e negociatave, ama stacioni ynë dhe destinacioni ynë i përcaktuar prej kohësh, është; ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për qenë anëtare me të drejta të plota e ulur në tryezën e familjes së bashkuar evropiane, brenda kësaj dekade. Dhe ne do të jemi gati ta ngremë flamurin tonë kombëtar në Bruksel, krahas flamujve të tjerë dhe do e kemi dhe të parin në radhë se fillon me A, Shqipëria , brenda kësaj dekade. Kështu funksionon. A do t’i hapim ne të gjithë grup-kapitujt dhe a do të bëjmë ne të gjithë këtë punë gjigande që s’e ka bërë asnjë vend tjetër më përpara deri në fund të 2027? Ne do të bëjmë punën që kjo të ndodhë. Mos harroni asnjëherë, që nga puna dhe nga faktet e punës qe vlerëson Komisioni Evropian tek vendimmarrja për t’u ulur në tryezë, ka dhe një nivel tjetër që është niveli politik që lidhet me vendimmarrjen politike. Vendimmarrjen politike ne nuk e kemi në dorë. Ne kemi në dorë të bëjmë punën tonë dhe ta bëjmë Shqipërinë një vend ku gjërat funksionojnë njësoj si në shtetet anëtare të Bashkimin Europian. Kjo është detyra jonë dhe këtë ne po bëjmë e këtë do bëjmë. E përsëris, ndërkohë që të gjithë shqiptarëve u thuhet, në mëngjes, në drekë dhe në darkë, se në Shqipëri janë 5 persona që marrin çdo gjë dhe nuk ka prokurime publike, Shqipëria është në vendin e parë në rajon për prokurime publike dhe në vlerësimin e standardeve të prokurimeve publike ka marrë maksimalen në këtë stad dhe nuk ka piketa të ndërmjetme që do të thotë që nuk ka detyra të ndërmjetme për të përmbushur, por duhet vetëm të konsolidojë këtë sistem që ka.
Kjo është e vërteta shumë e ndryshme, shumë e kundërt me çfarë u thuhet shqiptarëve nga burimet që duhet t’i informojnë në bazë faktesh, por që gjithmonë e më shumë dhe nuk është vetëm në Shqipëri ky fenomen por në të gjithë botën, i kanë kthyer faktet në opinione dhe në këtë pikë ne nuk kemi se çfarë bëjmë.
Fatmirësisht, kemi Komisionin Europian që vlerëson mbi bazë faktesh dhe jo mbi bazë opinionesh.
Sa i përket pyetjes tjetër lidhur me dialogun, unë jam shumë dakord. Problemi është që kur duhet të vallëzosh, duhen dy vetë dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog sot është shumë e thjeshtë, kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është shumë e thjeshtë; kush nuk është i gatshëm të flasë dhe nëse nuk ka gatishmëri nga të dyja anët për të folur, nuk ka dialog. Ndjehen të përjashtuar, më vjen shumë keq, është vetë-përjashtim absolut pa asnjë bazë faktike të lidhur me qasjen dhe qëndrimet tona. Është zgjedhja e tyre legjitime, jemi një vend i lirë demokratik, secili bën zgjedhjen e vet dhe edhe zgjedhja për të vrarë veten politikisht është legjitime, nuk ndalohet dot.
-Zoti ambasador, raport i pasqyron dhe situatën politike e në mënyrë të veçantë edhe situatën e parlamentit shqiptar dhe në këto momente që komunikojmë, situata në parlament ka një tension. Duke ju referuar, zoti kryeministër me lejen tuaj, dhe çfarë tha kryeministri pak momente më par sa i përket faktit që në valle duhen dy vetë, a do jetë Komisioni Europian dirigjenti për të bërë bashkë dy palë për të hequr këtë valle?
-Zoti kryeministër, ju e cituat raportin si rezultatet e provimeve vjetore të shtet-bërjes por pati, në këndvështrimin tim personal, një minus sa i përket qeverisë në raport kur thotë se qeveria ka miratuar nisma dhe ligje jo në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ju si e patë këtë vlerësim?
Ambasadori i Delegacionit të BE, Silvio Gonzato: E dini? E dua shumë muzikën, por nuk mendoj se jam dirigjent i mirë. Më mirë rri në auditor dhe e dëgjoj muzikën, në këtë rast. Por, do të keni dëgjuar që në mënyrë konstante, kur jam pyetur për situatën publike kam theksuar faktin që duke pasur rëndësinë e reformave që duhet të ndërmarrë Shqipëria, duke marrë parasysh që janë reforma shoqërore, nuk janë reforma për të shënuar një kutizë dhe për të miratuar disa rregullore, por për të ndryshuar mirëfilli mënyrën sesi funksionon e gjithë shoqëria dhe kjo është e rëndësishme që opozita të ulet në tryezë.
Jam përpjekur që ta lehtësoj sa më shumë të jetë e mundur këtë gjë. Jam përpjekur që të bëj thirrje dhe ta mbaj të përfshirë opozitën sepse sërish, siç e thashë edhe në Komitetin e Përbashkët Parlamentar, midis euro-parlamentarëve dhe anëtarëve të Kuvendit pak ditë më parë, suksesi i Shqipërisë është pronësi e gjithkujt, nuk është thjesht një prerogativë e shumicës apo e opozitës. Të gjithë duhet të ndjehen autorë, të gjithë duhet të kenë pronësi në të dhe do të vazhdoj ta ndaj këtë mesazh.
Ka mënyra për ta shprehur mospajtimin, për të shprehur ndryshimin e mendimit dhe anëtarët e Parlamentit Europian patën një dialog për këtë me homologët shqiptarë. Në këtë kontekst, nuk mendoj se dhuna dhe ndërprerja e mbarëvajtjes së veprimtarisë është mënyrë. Ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në një dialog politik, që sigurisht, mbështetet në ndryshimin e pikëpamjeve.
Kështu që, shpresoj që do të gjendet një rrugë për të riangazhuar opozitën. Nga ana ime, mbetem i gatshëm të ndaj çdo lloj informacioni që duan, por siç e thashë më parë, kjo kërkon edhe gatishmëri dhe angazhim nga të dyja palët, jo vetëm nga ana e qeverisë.
Kryeministri Edi Rama: Qeveria nuk ka disponimin të ulet me opozitën. Tanimë, unë mund të flas edhe për eksperiencën në krye të opozitës dhe kur ne kemi qenë në opozitë, problemi ka qenë që qeveria nuk pranonte të fliste me ne dhe kemi dërguar letra për të kërkuar të flasim. Nuk kemi marrë përgjigje. Kemi bërë propozime për të kërkuar të bashkëpunojmë, nuk kemi marrë përgjigje. Ndërkohë që sot, jo sot, por që nga dita e parë dhe deri më sot dhe deri ditën kur të paktën unë do të jem në këtë detyrë, asnjëherë nuk do të jetë problem qeveria dhe shumica për tu ulur në tryezë dhe për të diskutuar, por diskutimet bëhen përmes gjuhës e jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve dhe muskujve. Kjo është shumë e thjeshtë.
Përsa i përket pyetjes tjetër, e thashë dhe njëherë tjetër, unë e vlerësoj maksimalisht raportin e progresit dhe t’ju them të drejtën, është i vetmi raport që lexoj nga fillimi e deri në fund nga të gjithë raportet ndërkombëtare sepse është një raport i bazuar vetëm në fakte, nuk ka aty opinione, as perceptime “Pyesim 300 veta si mendoni ju, Shqipëria është e ndershme apo e korruptuar” dhe na del që Shqipëria është e korruptuar. Raporti është i bazuar në fakte dhe faktet janë të analizuara me filtrin, me të gjithë filtrat e kritereve dhe standardeve të funksionimit të Bashkimit Europian dhe pa diskutim, nëse shohim anën kritike të Raportit, ky është Raporti më kritik, Raporti i Progresit flas, pra ka të gjithë vlerësimet pozitive, por ka dhe anën kritike dhe sigurisht që ne kemi nevojë për anën kritike sepse ne nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian sepse nëse nuk do të kishte raporti këto kritika, atëherë ne do të ishim e do na thonin “Tani hajde futuni në BE se jeni si ne”. Ne nuk jemi akoma si vendet anëtare të Bashkimit Europian, për këtë po luftojmë dhe për këtë po përpiqemi të transformojmë çdo ditë Shqipërinë. Kështu që, edhe ato që ju thatë janë ashtu siç ju i thatë; ka vërejtje, patjetër edhe për nisma të caktuara të qeverisë, ka vërejtje dhe për shumë aspekte të tjera dhe ne këto vërejtje nuk i diskutojmë janë apo nuk janë. I marrim të mirëqena dhe hap pas hapi i adresojmë.
Faleminderit shumë.