Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në takimin mbi forcimin e mekanizmave dhe matjen e performancës së funksioneve të Thesarit, për menaxhimin e parasë së gatshme, të organizuar nga “PEMPAL Treasury Community of Practice (TCOP)”. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të 17 vendeve të ndryshme, me qëllim ndarjen e përvojave mbi reformat e ndërmarra në këtë fushë nga Ministria e Financave. Gjatë takimit, me drejtuesit e lartë të TCOP-it dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian, u theksua nevoja thelbësore për të forcuar sistemet e menaxhimit financiar publik dhe zbatimit të praktikave më të mira.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj nënvizoi faktin se Ministria e Financave ka ndërmarrë një sërë hapash në kuadër të forcimit të sistemeve të menaxhimit financiar, si: përmirësimi i Sistemeve të Planifikimit dhe Kontrollit të Buxhetit; rritja e Transparencës dhe Llogaridhënies, duke përsosur automatizimin e proceseve të planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit; zbatimi i Reformave Institucionale dhe Ndërtimi i Kapaciteteve; si dhe nxitja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
Menaxhimi efektiv i shpenzimeve publike, tha Ministri, është thelbësor për sigurimin e stabilitetit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, ku dhe struktura e Thesarit luan një rol kyç.
“Përmes mekanizmave të konsoliduar kontrollojmë dhe monitorojmë nga afër shpenzimet, duke siguruar që çdo qindarkë e investuar të shkojë drejt projekteve dhe programeve që kanë një ndikim të prekshëm në mirëqenien e qytetarëve tanë”, u shpreh z. Malaj,
Nga ana tjetër, Ministri informoi se Ministria e Financave është duke punuar sa i përket rritjes së efikasitetit operativ, për të zbutur rreziqet financiare dhe për të siguruar që burimet publike të menaxhohen sa më mirë.