Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka përfunduar vizitën zyrtare në Mal të Zi, ku zhvilloi disa takime të rëndësishme me homologët e tij. Gjatë kësaj vizite, ai u takua fillimisht me Ministrin e Drejtësisë, Bojan Božović. Të dy ministrat u dakordësuan që pas publikimit të progres raportit të BE të organizonin takime periodike në nivel teknik dhe ekspertësh për kapitullin 23 të procesit të integrimit në BE, si në Tiranë ashtu edhe në Podgoricë. Ata angazhuan për të ndarë përvoja dhe përmirësuar praktikat në fushën e drejtësisë, me qëllim të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.
Në vijim të vizitës, Manja zhvilloi një takim me Ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj. Ata diskutuan për rëndësinë e përmirësimit të shërbimeve publike dhe digjitalizimin e administratës, duke theksuar nevojën për transparencë dhe efikasitet. U dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e një administrate moderne, e cila do të shërbejë më mirë për qytetarët dhe do të kontribuojë në një të ardhme më të mirë për të dy komunitetet.–
Kjo vizitë pasqyron përkushtimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Malit të Zi për të forcuar marrëdhëniet dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një Ballkani më të fortë dhe të integruar evropian.