Korçë, Në bashkëbisedimin e hapur me pensionistët mbi planin e ri të pensioneve dhe angazhimin e qeverisë për rritjen e tyre të qëndrueshme - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Korçë, Në bashkëbisedimin e hapur me pensionistët mbi planin e ri të pensioneve dhe angazhimin e qeverisë për rritjen e tyre të qëndrueshme

Korça është qyteti i radhës në bashkëbisedimin me pensionistët mbi planin e ri të pensioneve dhe angazhimin e qeverisë për të përfshirë pensionistët në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit. Kryeministri Edi Rama së bashku me Zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, Drejtorin e ISSH, Astrit Hado dhe kryetarin e grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, zhvilluan një diskutim të hapur e informues me pensionistët e qarkut, mbi një sërë çështjesh të lidhura me pensionet, si rëndësia e pagesës së kontributeve, lufta kundër informalitetit dhe deklarimi i pagës reale, përllogaritja e re e viteve të pensionit, etj.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë për mikpritjen dhe për praninë tuaj këtu në një numër të konsiderueshëm!

Më vjen shumë mirë që më jepet mundësia të ndalojmë këtu sot për të vazhduar këtë diskutim dhe dua ta nis nga arsyeja pse ne e bëjmë këtë diskutim sot.

Nuk është një diskutim që e kemi bërë më parë dhe ju e dini shumë mirë se jeni posaçërisht të vëmendshëm ndaj jetës politike, që më parë, unë edhe ne asnjëherë nuk kemi bërë premtime për rritje pensionesh. Kemi thënë vetëm që qëllimi ynë kryesor është të rrisim pensionet, por është dhe qëllimi më i vështirë për t’u arritur sepse mundësitë e ekonomisë kanë qenë shumë të kufizuara. Ndërkohë që trashëgimia në të gjitha fushat ka qenë problematikë, por sidomos në fushën e pensioneve ka qenë dramatike.

Kështu që, na është dashur kohë e gjatë, është e vërtetë. Kohë e gjatë për të gjithë ju, por jo kohë e gjatë për mënyrën sesi funksionon sistemi i pensioneve. Është një fakt i njohur botërisht që një skemë pensionesh e ndërtuar keq, është kostoja e një brezi të tërë. Një brez i tërë digjet nga një skemë pensionesh e ndërtuar keq dhe kjo është botërisht e njohur. Dhe skema e pensioneve që ne trashëguam nuk ishte e ndërtuar keq, ishte një skemë skandaloze dhe vetëm për të shtyrë të sotmen pa menduar asnjë moment për të nesërmen e pensionistëve. Jam i bindur që ju e mbani mend që kur ne morëm detyrën, situata e pensioneve ishte një situatë pa asnjë shpresë sepse ishte vendosur një tavan që ishte 24 mijë lekë dhe pavarësisht se çfarë kontributesh kishin dhënë njerëzit, nuk mund të merrnin dot më shumë se 24 mijë lek, nuk kishte pension mbi 24 mijë lek në vitin 2013. Të gjitha ishin 24 mijë lek e poshtë. Pensioni mesatar në atë kohë ishte 105 euro.

Pa folur fare pastaj për minimalin që ishte një pension që nuk e merrnin të gjithë pasi ne gjetëm dhjetëra mijëra pensionistë pa pension fare. Zero. Për arsye se nuk kishin kontribuar në skemë asnjë ditë, përgjithësisht gra shtëpiake apo edhe burra që s’kishin dhënë asnjë kontribut. Pra nuk merrnin asnjë pension, fare. S’kishte asnjë lek.

Ne bëmë reformën, e cila ka bërë që tavani i atëhershëm prej 24 mijë lekësh të zhbëhet dhe sot ne të kemi një numër pensionistësh që marrin pensione edhe 300, edhe 350, dhe 400 mijë lekë, për shkak të kontributeve që kanë dhënë.

Nga ana tjetër, kemi një pasqyrë diferencimi midis mësueseve për shembull që kanë dalë në pension përpara 2014 dhe mësuesve që kanë dalë mbas 2014 dhe për shkak të reformës ata që kanë dalë mbas 2014 kanë pension më të lartë sesa ata që kanë dalë përpara 2014 dhe kjo është e gjitha ajo që thashë. Sepse ne mund të shprehim dëshira, ne mund të flasim për sa shumë e nevojshme është kjo por ama me faktet nuk luftojmë dot. Faktet janë fakte dhe këtu në vendin tonë, në mexhlisin ku bëhen debatet ka shpërthyer një luftë me faktet nga të katërta anët dhe çdolloj opinioni dhe çdolloj gënjeshtre paraqitet si fakt, por në fakt, faktet nuk janë opinione dhe prandaj thuhet që një skemë pensionesh është fatura e një gjenerate për mirë ose për keq dhe kostoja më e rëndë dhe e vazhdueshme e asaj trashëgimie është kostoja që kanë paguar dhe paguajnë pensionistët. Thonë disa: “po mirë si ka mundësi, ju u bëtë 11 vjet në qeveri akoma bëni diskutim se çfarë ishte në të shkuarën”?. Po, po, akoma, pikërisht për këtë arsye. Prandaj është shumë  e rëndësishme se kujt ia beson qeverinë dhe kujt i ngelet në dorë qeveria se ja sesi ndodh.

Ne kur e nisëm këtë detyrë, ne e kishim prodhimin e përgjithshëm të vendit, pra e gjitha paraja e Shqipërisë e prodhuar ishte nën 10 miliardë euro. Sot është 24 dhe i afrohet 25 miliard eurove. Pra e kemi rritur volumin ekonomik të vendit me 2 herë e gjysmë.

Pagat sot janë rritur dhe faktikisht qoftë në aspekt të rritjes së prodhimit të përgjithshëm, qoftë në aspekt të pagave nga të parafundit ose të fundit në rajon, ne jemi të parët në rajon për rritjen dhe me pagat kemi arritur në mesataren e lartë të rajonit, 950 euro është sot paga mesatare e mësuesve. Dhe sigurisht që për ata që kanë paga në sektorin publik, kontributet në sigurimet shoqërore janë të sigurta sepse ato i merr shteti menjëherë dhe ia jep pagën duke ua marrë kontributet. Problemi është për pagat në sektorin privat. Çfarë ka ndodhur? Se dhe këtu është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi se dëgjoni me siguri ata që thonë: “po mirë tani u kujtuat juve të luftoni informalitetin e pagave”? Jo, fare. Ne e kemi gjetur skemën me 520 mijë kontribuues dhe e kemi rritur në 800 mijë kontribuues, mbi 800 mijë kontribuues. Që do të thotë janë afro 300 mijë kontribuues më shumë që kemi në skemë dhe për këtë arsye skema që financon pensionet, e cila garantonte 510 milionë euro në total, sot që flasim mbledh 1.3 miliard, por ama nuk mjafton se për të paguar pensionet ne na duhen 1.8 miliard dhe midis 1.3 dhe 1.8 është një gjysmë miliardi euro që paguhen nga buxheti i shtetit për të dhënë këto pensione që janë, jo më shumë, për këto që janë, gjysmë miliardi.

Ndërkohë që ne kemi rritur bonusin e fund vitit. Ju kujtohet juve që dikur ishte njëri që ju thoshte “do t’ju japim një gjel në fund të vitit”. Edhe jepej një bonus tre mijë lek për gjelin dhe jepej kur ishin dy pensionistë në shtëpi merrnin 3 mijë lek, nuk merrnin 6 mijë lek. Ne bëmë bonusin 50 euro për secilin pensionist. Pra nëse janë një çift pensionistësh marrin 100 euro bonus dhe pse po ua përmend? Sepse po të mbledhim të gjitha ato para që janë vënë nga buxheti i shtetit ekstra, janë, vetëm nga bonuset 440 milionë euro, pra afro gjysmë miliardi tjetër.

Tani u bë indeksimi i pensioneve me 4.1% dhe ju u gjendët para një furie të madhe nëpër ato klubet e natës televizive, “ja si u tall Edi Rama, ja si u tallën socialistët, ja se ç’ju dhanë në fund; ju thanë se do ju rrisin pensionet dhe ua rritën 4.1%”! Apo jo?

Ai 4.1% nuk ka të bëjë fare me diskutimin tonë për të rritur pensionet. 4.1 % është indeksimi vjetor që bazohet në ligjin që qeveria e zbaton çdo vit dhe ai 4.1% nuk del nga dëshira ose nga mundësia, ai del nga llogaria përkundër rritjes së çmimeve, pra sa çdo vit ne bëjmë indeksimin në mënyrë që krahas me rritjen e çmimeve që është normale se zhvillimi sjell rritje çmimesh; arsyeja pe çmimet rriten do të thotë që zhvillohet vendi dhe ndërkohë, bëhet ky indeksim për pensionistët se atyre pensionet nuk iu rriten siç rriten pagat dhe e kemi bërë indeksimin madje vetëm një gjë kemi bërë ne, që e kemi bërë me vullnet, kur plasi lufta në Ukrainë dhe pati një shpërthim të çmimeve, ne e indeksuam dy herë pensionin dhe nga të dyja indeksimet shkoi deri në 9 % rritja e pensionit, totali i vetëm këtyre indeksimeve që duken si një gjë e vogël dhe pensioni nuk janë një gjë e konsiderueshme, vetëm nga këto ne kemi nxjerrë edhe 250 milionë euro të tjera në vite nga buxheti i shtetit.

Pra siç e shikoni nga shifrat, tek pensionet nuk është si tek pagat.

Bëhet fjalë për një masë shumë të madhe sepse ndërkohë është rritur dhe numri i pensionistëve. Në 2013 ne kishim 570 mijë pensionistë, sot kemi 705 mijë sepse është rritur dhe jetëgjatësia dhe volumi i pagës, i pensioneve në shifra, rritet nga pikëpamja e parasë. Tani të gjitha këto janë fakte që është shumë e rëndësishme që të dihen, ndërkohë që dua t’ju them që kur juve dëgjoni për rritje pagash, duhet të jeni të parët që duhet të gëzoheni në sensin që çdo rritje pagash, është rritje e fondit të pensioneve sepse nga një pagë më e lartë ti merr një kontribut për sigurimet shoqërore më të madh. Nëse pagat nuk do të rriteshin problemi do ishte shumë më i madh me skemën e pensioneve sepse iu thashë, ishte 510 milionë euro dhe sot është 1.3 miliardë, pra është më shumë se sa dyfishi. Po nga dalin këto? Dalin nga pagat.

Tani, për çfarë e bëjmë këtë diskutim, se dakord, të gjitha këto. E bëjmë këtë diskutim sepse ne jemi sot në kushtet kur ka filluar të na hapet mundësia që ne të rrisim pensionet dhe ne tani do të fillojmë rritjen e pensioneve. Për këtë e bëjmë këtë diskutim, jo që t’ju themi që pensionet nuk do rriten se shikoni sa e vështirë është. Ua kemi thënë përpara, unë jua kam thënë troç, është krye qëllimi i Partisë Socialiste sepse është “qershia mbi tortë” e gjithë rritjes së përgjithshme të ekonomisë që rrit pagat, kjo është ‘’qershia mbi tortë’’ por ju kam thënë nuk jemi në gjendje t’i rrisim. Do t’i indeksojmë, por për t’i rritur që të ndërhyjmë me më shumë, nuk jemi në gjendje. Sot ne mund të flasim për mundësi. Pse? Sepse edhe ky vit, po ta shikojmë, është një vit me rritje të ardhurash, por duhet të vazhdojmë ndërkohë të jemi shumë të vetëdijshëm që kur dalin disa sharlatanë që flasin për rritje të menjëhershme; “do ta bëjmë pensionin minimal 400 euro, do ta bëjmë pensionin 1000 euro”, këta janë maskat e Sudes! Maska të njohura dhe maska më të panjohura të reja, por është Sudja prapa. Është fryma anti-shtet dhe fryma e anti të ardhmes  e Sudes, qoftë kur dalin “maskat” në penxhere në kat të 8, qoftë kur shfaqen “maskat’ në majë të malit me tuta, qoftë kur dalin maskat nëpër dritare të vogla të telefonit apo të ekraneve dhe paraqiten si e reja që po vjen, në fakt është Sudja që del bashkë me shpirtin, por shpirti nuk del, kështu që Suden e kemi hije ne që denbabaden në histori, ne Suden e kemi një hije që na ndjek nga prapa dhe prandaj nuk kemi arritur dot të bëjmë drejtësi, prandaj s’kemi arritur dot të bëjmë prokopi ashtu siç në fakt ne meritojmë në shumë vite, sepse ka qenë një kombinim i një çifti fatal; Haxhi Qamili nga njëra anë dhe Sudja nga ana tjetër. Ky është çifti që ka udhëhequr si frymë politikën dhe rrugën e shtetit shqiptar dhe prandaj Ismail Qemalin e detyruan të ikë e të marrë arratinë. Prandaj Fan Nolin e detyruan të marrë arratinë, prandaj ata që u përpoqën më idealizëm dhe me gjithë shpirt, o morën arratinë, o vajtën nën dhe’ , o përfunduan nëpër kampe, ndërkohë që disa idealistë të tjerë që  nuk iu dilte Haxhi Qamili nga shpirti, therën, vranë e prenë gjithë dynjanë.

Tani ne kemi hapur negociatat me BE, jemi në kushtet kur kemi një moment të jashtëzakonshëm historik kur rrethanat janë përgatitur dhe në një farë mënyre yjet janë vënë bashkë, që ne ta ngremë flamurin tonë kombëtar në Bruksel dhe ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE. E dini ç’do të thotë kjo? Do të thotë që çifti Haxhi Qamili-Sude nuk e kërcënon më Shqipërinë sepse futemi në një familje që është një familje ku çdo anëtar i familjes nuk lëviz dot shumë, por lëviz pak dhe e marrin prapë dhe e fusin në rresht dhe popujt e kësaj familje kanë disa garanci që nuk i ka asnjë popull tjetër.

Pra, sot jemi ende me hijen e Sudes sepse hija e Haxhiut është duke u tretur, por Sudja është shumë e pranishme dhe vetëm përqendrohuni dhe dëgjojini. Ka shumë njerëz që mendojnë nga këta sharlatanët, që pensionistët votojnë PS se janë komunistë. Në fakt nuk është kështu, pensionistët në shumicën e tyre votojnë Partinë Socialiste sepse janë analistët më të mirë të politikës në Shqipëri. Ata që dalin nëpër ekrane dhe shkruajnë poshtë analistë, ata janë sharlatanë, pjesa më e madhe. Ndërkohë që pensionistët e dinë shumë se ça është puna; si krijohet e mira me punën dhe sa e vështirë është dhe mbi të gjitha, pensionistët nuk janë të shkollës kur aritmetika u bë “7 herë 7, 42”. Janë të një shkolle që u ka mësuar që “1 dhe 1 bëjnë 2”, nuk bëjnë dot 7, se këta të bëjnë të vdekur, kur thotë një miku im, të bëjnë të vdekur “Kur dalin dhe flasin,të bëjnë të vdekur”.

Prandaj, kur t’ju dalin në televizor mos e harroni asnjëherë që po ju flet Sudja me fytyra të ndryshme dhe me zëra të ndryshëm; disa zëra të çjerrë, disa zëra rinorë, disa zëra si fishkëllima. Është Sudja.

Vijmë tani tek realiteti ynë dhe tek problemi që keni ju, që kemi edhe ne dhe që duhet të fillojmë t’i japim një zgjidhje të re dhe jemi në kushtet kur mundemi të fillojmë t’i japim një zgjidhje të re.

Nga pagat e rritura në sektorin publik, ne marrim më shumë sigurime shoqërore, kjo është njëra anë.

Tani, çfarë po na ndodh? Po na ndodh që pagat, pasi ne bëmë një përpjekje dhe që na rriti kontributorët siç ju thatë, na i rriti kontributorët në skemë nga 520 mijë në 810 mijë dhe këta ishin shumica dërrmuese kontributorë të sektorit privat që nuk shënoheshin fare, punë në të zezë kryesisht, kemi pasur dhe një rritje tjetër të kontributeve, kur kemi shtyrë shumë fort, atëherë kur dolën pagat sheshit dhe u pa që pagat reale ishin shumë më mëdha sesa ato që deklaroheshin dhe tani kemi prapë një rritje të pagave reale dhe kemi një fshehje nga ana e sektorëve. Për shembull, nuk ekziston në Shqipëri, dhe këtë e dimë të gjithë, në ndërtim pagë 500 euro, 600 euro, 700 euro. Nuk ekziston, nuk ka.

Pagat në ndërtim janë 800, 900,1200,1300,1500,2000 sipas profesioneve kuptohet, por punëtorët e ndërtimit nuk marrin 600 euro, nuk marrin as 700 euro, nuk ka dhe sot industria e ndërtimit nuk e ka më hallin që sa t’i jape, por e ka hallin se ku t’i gjejë punëtorët. Mirëpo, kur sheh pasqyrat që deklarojnë, 500-600. Pse? Sepse ne kemi bërë, jo për këta që bëjnë pallate, por për ata që marrin deri në 500 euro, për të ndihmuar ata, kemi thënë që tek pagat deri në 500 euro nuk ka tatim, por ka sigurime shoqërore, patjetër.

Ama, këta ju japin 500 euro me bankë se nuk ka tatim aty, me kuotën më të ulët të sigurimeve shoqërore dhe u thonë “Urdhëro dhe 300, 400, edhe 500 të tjera në dorë se i ke për qejfin tend, pa taksa” dhe ja ku u vodh një pensionist, ndërkohë që ky tjetri që i merr këto me idenë  që “I kam për vete dhe nuk mi merr shteti” ky tjetri i hap vetes gropën që kur të dalë në pension të habitet sepse do të mësohet me 700-800-900 euro, por kur të dalë në pension do t’i thonë “Ti 500 euro e ke pasur rrogën”.

Sot, Astriti e di shumë mirë se është drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, 3000 gjyqe bëhen në vit. Do dalin 18 mijë pensionistë në vit? 3000 gjyqe. Pse janë gjyqet? Shkojnë në gjyq dhe thonë “Ma keni llogaritur pensionin gabim sepse unë nuk kam marrë kaq, kam marrë më shumë”. Ke marrë më shumë, është e vërtetë, por nuk i ke marrë me letra, i ke marrë nën dorë, i ke marrë me marrëveshje me hile. Ose të ka pëlqyer hileja sepse ke menduar që do mbetesh i ri gjithë jetën dhe ke thënë “Ehu, kur të dal në pension unë, do ketë Zoti për mua” ose nuk e ke kuptuar që ai tjetri të ka bërë një hile të madhe.

E njëjta gjë ndodh sot me sektorin e turizmit. Në sektorin e turizmit nuk ka paga nuk ekzistojnë këto pagat 400-500 e 600. Pagat në sektorin e turizmit sot janë paga si në Greqi.

Prandaj dhe këtë vit kemi parë fillim të një trendi kthimesh nga Greqia për të punuar në industrinë e  turizmit këtu sepse nëse punojnë këtu, shtëpinë e kanë këtu, transporti është shumë më i kollajshëm brenda për brenda qytetit të tyre, kur janë nga ai qytet dhe patjetër që taksat dhe qeraja e detyrimet e tjera nuk janë si në Greqi, kështu që në fund të muajit i mbeten më shumë.

Po kështu edhe në sektorë të tjerë.

Ne, dhe po e përsëris që ta dëgjojnë dhe ata, ne nuk do tua pranojmë më deklarime të tilla, nuk kemi për tua pranuar dhe tani Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka çuar një njoftim, përpara 10 ditësh apo dy javësh, një njoftim tek të gjitha bizneset, kompanitë që të kenë parasysh në deklarimin e pagave që bëhen në fund të vitit të mos vjedhin pensionistët, por të deklarojnë pagat reale. Nëse do të na vijnë nga kompani ndërtimi, nga operatorë turistikë apo nga të tjerë sektorë, ku ne e dimë shumë sesi janë paga, deklarime që nuk janë në përputhje me realitetin, do t’u kthehen mbrapsht dhe do t’u thuhet “Shikojeni dhe njëherë dhe ki parasysh që nëse ti e rishikon dhe nuk e shikon, pasojat janë penale, nuk janë thjesht civile sepse këtu jemi në kushtet e evazionit dhe për ne është vjedhje e pensioneve”.

Ne besojmë që kjo do të na japë edhe më shumë të ardhura në skemë, por nuk po ju them që kjo do ta plotësojë, nuk po them “Do prisni këtu ju tani sepse kjo do ta plotësojë”. Kjo nuk do ta plotësojë, por ama sa më shumë të marrim mbi këtë 1,3 miliardëshin, sepse e kemi hendekun 500 milionë sot me pensionet që kemi. Nëse duam të rrisim vit pas viti pensionet, atëherë duhet të marrim më shumë nga sigurimet dhe të shtojmë më shumë këtej që volumi i përgjithshëm t’i përgjigjet trendit të rritjes.

E dyta është, në ato diskutimet na është përforcuar bindja për dy gjëra; e para që me rritjen e jetëgjatësisë duhet të shohim rritjen e kohës përpara daljes në pension. Pra, t’i japim mundësi të punojnë më shumë sepse nga ana tjetër, dëgjojmë shumë pensionistë që thonë “Po mirë, unë punoj, unë dua të punoj, unë jam në gjendje të punoj” sepse ka pensionistë që marrin pension minimal sepse kanë vetëm 14 vjet sigurime. Ai tani thotë “Unë kam qenë ushtarak e kam një pension qesharak. Miku im ushtarak ka një pension shumë të mirë. Pse kemi këtë dallim”?

Sepse Niko ka kontribuar për të gjitha vitet e nevojshme, ky tjetri nuk ka kontribuar ama ne duhet t’i japim mundësinë që të punojë dhe sigurimet shoqërore nga puna t’i derdhë në funksion të pensionit të vet, më kuptoni?

Domethënë, për të gjithë ata, të cilëve ju japim mundësi që si pensionistë të punojnë, duhet t’u japim mundësi, për shembull, kemi rastin e pensionistëve që vetëpunësohen. Ata kanë dalë në pension, përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore e nga ana tjetër, si të vetëpunësuar, ne bëmë një ndërhyrje për tua hequr detyrimet e sigurimeve shoqërore. Tani ne mund t’ua rivëmë detyrimin e sigurimeve shoqërore, por ama t’u themi kjo që do paguani këtu do t’iu influencojë pensionin tuaj dhe po kështu edhe pensionet e tjera. Tjera është bonusi. Ne nuk e kemi akoma, por patjetër brenda një kohe të shkurtër, çështje ditësh ne do t’iu njoftojmë se si do të ndryshojë bonusi i fundvitit. Dhe ndryshimi i bonusit të fundvitit është fillimi i këtij procesi të rishikimit të të gjithë hapave që ndjekim në raport me pensionistët dhe me pensionet.

Ne duam që duke filluar nga viti i ardhshëm dhe në vijim, skema të forcohet që të na ndihmojë të kemi pensione më të mira, por njëkohësisht nga të ardhurat që vijnë nga rritja ekonomike, një pjesë të shkojë te pensionistët në formë bonusesh që nuk është vetëm ky i fundvitit, po më shumë sesa kaq dhe këto të dyja bashkë të na çojnë në një situatë shumë më pozitive dhe me një perspektivë që  vit pas viti pensionet vetëm të rriten, rriten e rriten.

Ky është qëllimi dhe këtë do të bëjmë.

Kështu që në mbyllje unë dua t’iu them që kjo është si drejtësia. Asnjë forcë tjetër këtu në këtë vend nuk mund ta bënte këtë që po bëhet me drejtësinë, asnjë dhe asnjë forcë tjetër në këtë vend nuk mund të bëjë asgjë pozitive për pensionet dhe pensionistët, përveç kësaj force që quhet Partia Socialiste. Për këtë të gjithë duhet të jenë të bindur dhe shumica e pensionistëve nuk diskutohet që mbështesin këtë forcë, por edhe pensionistët e tjerë që nuk e mbështesin, në këtë pikë duhet të jenë shumë të bindur që pavarësisht se mund të kenë arsyet e tyre përse nuk na mbështesin ne, duhet të jenë shumë të bindur që në mënyrë të pavetëdijshme ndoshta apo për paragjykime ndaj nesh mbështesin Suden. Janë në mbështetje të Sudes.

Pensionistët që nuk na mbështesin ne apo të tjerë që shkojnë pas maskave të Sudes qofshin 80 vjeçare, qofshin 30 vjeçare duhet ta dinë të paktën që për inatin tonë flenë me Suden. T’i dëgjosh kur flasin dhe t’i dëgjosh kur thonë çfarë do bëjnë, nuk bëjnë sens fare, njësoj si nuk bën sens edhe Sudja, prandaj inat le të na kenë ne, por hakun nuk duhet të na e mohojnë për një arsye shumë të thjeshtë se i bien vetes, nuk na bien ne. Se ne gjithsesi e kemi mbështetjen që na duhet për të vazhduar të bëjmë këtë punë. Dhe jini të bindur që pavarësisht se kjo temë, se ne e hapëm këtë diskutim e prandaj kanë dalë ata tani dhe i gjëmojnë. Është njëri, është një Sude me gjyzlyke që sjell ca pensionistë për të bërë protestë atje, dhe dalin në protestë. Dhe vërtet unë jam shumë i keqardhur për ata pensionistë, jo se ata kërkojnë pension më të lartë se janë në të drejtën e Zotit, po se dalin të nxitur nga Sudja dhe se i besojnë asaj Sudeje. Vetëm për këtë jam shumë i keqardhur një Sude me një maskë e me gjyzlyke.

Këto ishin ato që kisha unë, po sigurisht nuk do ikim pa iu dëgjuar edhe juve. Kështu që cilido qoftë që ka diçka për të thënë, pyetje, shqetësim kritikë, sharje ju nuk bëni, po ta dini që jemi mësuar me sharje.

Jeni të mirëpritur.

Fevziu është e vetmja opozitë që na ka mbetur për të bërë debat, mos e harroni këtë gjë, se s’ke ku i gje për të bërë debat, ku t’i gjesh. Është e vetmja opozitë me të cilën mund të bësh debat. Më thoni ju mua po mos të jetë Fevziu ku ta gjesh si pozicion gjeografik opozitën që të bësh debat. Duhet të shkosh o në ndonjë udhëkryq në rrugë të presësh natën që të gjesh ndonjë që të bësh debat, o duhet të kapesh mbas ndonjë tubi të ujërave të bardha të ngjitesh në kat të 8-të të bësh debat, o pastaj  akoma më vështirë. Kështu që Fevziu të na rrojë sa malet se është opozita me të cilën mund të bëjmë debat.

* * *

– Si sekretar i shoqatës së ushtarakëve, ka plot ushtarakë që kanë diferencime për vite të njëjta, për paga të njëjta, për vjetërsi të njëjtë.

Kryeministri Edi Rama: Tani të bëjmë një marrëveshje fjale se nuk mund të hyjmë në gjithë këto detaje. Rastin konkret mund ta shikoni me Astritin, por besoj se është e njëjta gjë edhe për rastet e tjera se në pamje të parë kështu duket, ushtarak unë, ushtarak ai, njësoj jemi. Pse? Nuk janë kështu sepse ka llogari që bëhen muaj për muaj nga sigurimet e derdhura shoqërore. Megjithatë dhe për rastet e tjera s’kemi asnjë problem që ju, duke qenë se drejtoni shoqatën, t’i mblidhni rastet konkrete, t’i shikojmë me sigurimet shoqërore dhe të marrim përgjigje se mund të ketë dhe ndonjë rast që mund të jetë gabim, nuk përjashtohet dhe ishalla është gabim që të korrigjohet.

Me atë që ju kemi bërë ne ushtarakëve, sot dhe falë këtij zotërisë që kam unë në krah të djathtë, që u bë më ushtarak se ushtarakët duke më shpjeguar mua sa herë takoheshim se pse pagat e ushtarakëve duhen afruar me pagat e NATO-s, dhe faktikisht ne kishim ushtrinë, në NATO nuk diskutohet, po dhe në rajon e kishim ushtrinë më të keqpaguar, sot e kemi ushtrinë e dytë më të paguar të rajonit dhe natyrisht ne do vazhdojmë me ushtarakët se ne duam ta çojmë në mesataren e NATO-s.

Se në një takim tjetër, një pensionist tha, “po mirë, oficerë do bëheshim të gjithë ne”, por në fakt e vërteta është se situata e ushtarakëve ishte skandal dhe Sudja e penxheres, kishte një tmerr të vetin me ushtarakët dhe trashëgimia e pensioneve të ushtarakëve dhe pagave të ushtarakëve ishte skandaloze, ndërkohë që patjetër meritonin ata që kanë marrë, mbase meritojnë dhe më shumë por ne kemi bërë sa kemi mundur.

– Përpjekja juaj për të sjellë gazin këtu është një avantazh shumë i mirë se nëpërmjet kësaj ju na rrisni pensionet pa marrë vesh njeri se nuk do blejmë dru të cilat janë të shtrenjta nuk do prishim pyjet.

Për pensionistët që janë tek, për pensionistë që janë çift, ne kemi kontakuar dhe me bashkinë e qytetit dhe me çfarë mundësish ka pasur ka ndihmuar dhe bashkia në këto raste. Një ndihmë e madhe është dhe për pensionistet kryefamiljarë, dhënia e parave për pagesën e energjisë elektrike. Këto nuk duhen anashkaluar.

Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj dhe që dhe mundësinë të them disa gjëra. Është e vërtete që edhe ky është një element, se nuk i përmenda të tëra, pensionist të vetmuar ose kryefamiljar që janë burrë dhe grua ne iu paguajmë çdo muaj 185 kw nga fatura e energjisë elektrike.

Nuk mund të shprehem sot konkretisht, por jemi duke studiuar edhe një ulje të çmimit të energjisë. Ajo që unë kam kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është që pensionistët të përfitojnë patjetër një ulje, edhe një lek, ama të përfitojnë një ulje, natyrisht s’do jetë një lek dhe tani po bëjmë një studim sesi afekton kjo por thashë, duke qenë se ekonomia është në një rrugë shumë të mbarë edhe shpresoj që të mos kemi larg qoftë ndonjë situatë si ato që na dolën përpara kur menduam që kapërcyem më të këqijat dhe rritja ekonomike është goxha e qëndrueshme. Prandaj është koha që të bëjmë këto diskutime dhe prandaj është koha që ne të fillojmë që nga kjo rritje ekonomike pensionistët të përfitojnë dhe këtu duam të fusim dhe një koncept tjetër që kur rritja ekonomike e parashikuar dhe kur të ardhurat e parashikuara kapërcehen dhe kjo ndodh shpesh, atëherë për çdo përqindje të rritjes ekonomike që është mbi parashikimin pensionistët të jenë përfituesit e parë se duhet të kompensojmë me të tilla ndërhyrje atë që skema e kontributeve nuk na e jep dot menjëherë. Sepse skemat e kontributeve janë me deficit kudo, problemi është që ne deficitin duhet ta ngushtojmë.

Për sa i përket gazit, atë po bisedonim me Nikon para se të vinim këtu dhe do shkojmë bashkë në Azerbajxhan sepse projekti është në fazë shumë të avancuar. Financimi është i garantuar dhe do shkojmë për dhënë një shtysë të fundit që të fillojë të zbatohet, kështu që Korça do jetë zona e parë që do ngrohet me gaz. Natyrisht që kjo do impaktojë patjetër xhepin pozitivisht. Tani pa Ersekën s’kemi ku shkojmë ne, por ta fillojmë nga Korça.

Dhe tjetra që kam është ajo lidhur me punën. Tani, koha e këpucarëve dhe artizanëve për fat të keq është një kohë e lavdishme që duket e pakthyeshme sepse sot këpucarët dhe artizanët e sotëm janë ato ekranet e telefonit, aty i bëjnë të gjitha, madje aty luajnë dhe futboll, por është shumë e vërtetë kjo gjë, që preferenca për punën në shtet e prindërve për fëmijët është problem.

Megjithatë unë nuk harroj një skenë, kam shumë nga këto por ishim në Durrës tek këto kantieret e rindërtimit dhe ishin 4 djem, ora 11 e mëngjesit, 4 djem që po pinin kafe aty edhe më thotë njëri: “o shtet na gjej ndonjë punë”. I thashë, “unë hajde tani çohu, ngjitemi bashkë lartë dhe direkt në punë”. “Po jo o shtet se s’ka shtet këtu lart, shteti është këtu poshtë. Ne s’jemi për atë punë”.  “Po çfarë je ti”? “Jurist”. “Po mirë”. Kështu që kjo është një tjetër hall i trashëguar që kemi prodhuar numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë. Kjo është situata.

Shumë faleminderit edhe shumë shpejt do t’ju japim ato të dhënat konkrete.

Previous “Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese”, mes Policisë dhe Zyrës Rajonale të Sigurisë, në Ambasadën e SHBA