Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në konferencën mbi rolin e sistemit bankar në rrugën drejt Bashkimit Evropian, e cila u organizua nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj u shpreh se proceset integruese me BE kërkojnë që bashkëpunimi mes institucioneve të ketë qasje të koordinuar dhe të standardizuar, e në këtë drejtim Ministria e Financave ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëveprim me Bankën e Shqipërisë, institucionet e kontrollit fiskal, por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Jemi të fokusuar në zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta për të forcuar monitorimin dhe raportimin e politikave financiare, në mënyrë që të sigurojmë qasje dhe standarde të njëjta, në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian”, u shpreh z. Malaj.
Po ashtu, sipas Ministrit, rruga drejt integrimit europian kërkon harmonizimin e politikave fiskale dhe atyre monetare, për të siguruar që trendet e zhvillimit të vendit të jenë pozitive dhe bazuar në zhvillimet financiare.
Ministri Malaj vlerësoi se transformimi digjital është një nga fushat ku duhet të synohet nxitja e përdorimit të pagesave elektronike në mënyrë që, së bashku me përmirësimin e shërbimeve, të rritet akoma më shumë aksesin në financë të konsumatorëve shqiptarë. Një masë e tillë, tha z. Malaj, do të ndihmonte në reduktimin e parasë “cash” dhe do të shërbente për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.
Fjala e Ministrit Malaj:
I nderuar z. Guvernator,
E nderuar znj.Dhuka,
I nderuar z. Shalsi,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në këtë konferencë, ku “kryefjalë” është integrimi në Bashkimin Europian.
Shqipëria ka hyrë tashmë në një rrugë pa kthim, atë të çeljes së negociatave dhe diskutimit të kapitujve “Themelorë”.
Progres raporti i fundit i Komisionit Europian e vuri theksin te përparimet që ka bërë vendi ynë, që lidhen me zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, por edhe në stabilitetin e treguesve makroekonomikë.
Sa i përket performancës së ekonomisë kemi përmirësuar dukshëm rritjen ekonomike, kemi rritur të ardhurat e po kështu edhe Investimet e Huaja Direkte, ndërsa kemi vijuar me reduktimin e ndjeshëm të borxhit publik dhe të normës së papunësisë, që llogaritet në nivelin e saj më të ulët.
Në lidhje me politikat fiskale, brenda këtij viti ne parashikojmë miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024 – 2027, që synon rishikimin e politikave të caktuara fiskale, në përputhje me direktivat e BE-së dhe përafrimin e legjislacionit.
Rruga drejt integrimit europian kërkon që politika fiskale dhe politika monetare të jenë të harmonizuara, për të siguruar që trendet e zhvillimit të vendit të jenë pozitive dhe bazuar në zhvillimet financiare.
Në këtë kontekst, gjej me vend të përgëzoj punën e bërë nga Banka e Shqipërisë e cila ka arritur të ushtrojë me eficiencë dhe përgjegjshmëri rolin e saj mbikëqyrës dhe rregullator. Vetë sistemi bankar, si aktor primar, ashtu edhe Shoqata Shqiptare e Bankave, si një mekanizëm efektiv kordinues dhe promovues, po kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për promovimin e standardeve më të mira në fushën e bankingut.
Të nderuar pjesëmarrës,
Integrimi europian na vë përpara një sërë detyrash, që ne duhet t’ju përqasemi me standarde. Për këtë, pikat tona të bashkëpunimit ndërinsitucional janë të ndërthurura.
Transformimi digjital është një nga fushat ku së bashku duhet të synojmë nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike që, së bashku me përmirësimin e shërbimeve, do të rriste akoma më shumë aksesin në financë të konsumatorëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, një masë e tillë do të ndihmonte në reduktimin e parasë “cash”, dhe do të na shërbente për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.
Proceset integruese me Bashkimin Europian, gjithashtu kërkojnë që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona të ketë një qasje të koordinuar dhe të standardizuar.
Për të përmbushur këtë objektiv, Ministria e Financave ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëveprim me Bankën e Shqipërisë, institucionet e kontrollit fiskal, por edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Gjithashtu, jemi të fokusuar në zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta për të forcuar monitorimin dhe raportimin e politikave financiare, në mënyrë që të sigurojmë qasje dhe standarde të njëjta, në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Duke përfituar nga rasti, dëshiroj të përshëndes Shoqatën Shqiptare të Bankave me rastin e 25 vjetorit të krijimit të saj dhe t’i uroj, së bashku me Bankën e Shqipërisë, si bashkëorganizatore e kësaj konference, suksese në punën e tyre.
Ju Faleminderit!