Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, u prezantua “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe,” një vepër madhore e realizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ky projekt përfaqëson një monument gjuhësor, shkencor dhe kulturor, me mbi 120 mijë fjalë që dëshmojnë pasurinë e gjuhës shqipe.
Gjatë prezantimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vuri theksin te rëndësia historike e kësaj vepre dhe simbolikën e prezantimit të tij në një ditë të rëndësshme si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një gur themeli i historisë kombëtare dhe zhvillimit të gjuhës. “Në datën 22 nëntor, ne kujtojmë një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit. Sot, 116 vite më pas, përmes këtij fjalori, ne vijojmë të përmbushim atë mision të rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës sonë amtare. Ky fjalor është më shumë se një thesar fjalësh. Është një dëshmi e kulturës sonë shprehimore dhe e rrugëtimit të gjuhës shqipe. Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe.” tha Ministrja Manastirliu.
Fjalori, rezultat i dekadash pune nga gjuhëtarë, leksikografë dhe studiues të shquar shqiptarë, është një burim unik për studiuesit, mësuesit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe.
“Ky fjalor nuk është vetëm një mjet për komunikim, por një mburojë kundër ndikimeve të globalizmit dhe një burim për hulumtime të mëtejshme shkencore, duke dëshmuar se gjuha shqipe mbetet shtylla e identitetit tonë kombëtar.”
Duke përfunduar, Manastirliu citoi Gjergj Fishtën.
“Gjuha shqype asht kumbona e zêmrës së kombit.”
Ajo shtoi se ky fjalor është dëshmi e gjallë se gjuha shqipe mbetet kumbona që bashkon identitetin, historinë dhe shpirtin tonë kombëtar.