Vijon në Fier konsultimi publik me prindër dhe mësues mbi forcimin e sigurisë në shkolla dhe jashtë saj, si dhe mbi kufizimin ose ndalimin e aksesit të adoleshentëve në rrjete të caktuara sociale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vijon në Fier konsultimi publik me prindër dhe mësues mbi forcimin e sigurisë në shkolla dhe jashtë saj, si dhe mbi kufizimin ose ndalimin e aksesit të adoleshentëve në rrjete të caktuara sociale

Konsultimi publik me prindër, mësues e staf mbështetës, lidhur me bashkëveprimin shkollë/familje/komunitet për të rritur sigurinë e nxënësve dhe adoleshentëve, brenda dhe jashtë shkollave – vijoi takimin e dytë në një prej institucioneve arsimore të qytetit të Fierit.

Ky cikël konsultimesh i marrë shkas nga tragjedia e vrasjes së një 14 vjeçari nga bashkëmoshatari i tij, bëri bashkë prindër, përfaqësues të këshillit kombëtar dhe atij rajonal të prindërve, mësues e drejtues shkollash, në një shkëmbim të gjerë opinionesh mbi fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe krijimin e një fronti të përbashkët kundër të gjitha formave të dhunës, përfshirë këtu edhe bullizmin në rrjetet sociale.

“Ne duhet që të marrim një opinion tuajin, por nga ana tjetër dhe të diskutojmë se si ne mund të rrisim bashkëveprimin dhe bashkërendimin e veprimeve shkollë, familje, komunitet, në funksion të rritjes së mëtejshme të sigurisë së fëmijëve tanë brenda dhe mbi të gjitha dhe jashtë perimetrit të shkollës, pra kudo. Ajo që duhet të vijojmë të bëjmë dhe mbi të gjitha së bashku, – është një angazhim edhe më i madh mes trekëndëshit aq të rëndësishëm, që garanton pikërisht sigurinë, mbrojtjen dhe edukimin e arsimimin edhe më të mire të fëmijëve tanë dhe është pikërisht trinomi, mësues, nxënës dhe prind. Ndaj është shumë i rëndësishëm që të angazhohemi të gjitha palët së bashku, që të intensifikojmë këtë komunikim.” – u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në takimin, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Ndjesë shumë për vonesën, por ishte një vonesë krejt e paparashikuar dhe e pashmangshme, megjithatë më vjen mirë që arrita të ndjek rreth, besoj, gjysmën e këtij bashkëbisedimi dhe nuk dua të zgjatem  shumë, por dua të them disa gjëra që janë edhe në një farë mënyre, reflektim i bashkëbisedimit të parë që zhvilluam me ministren në Tiranë me një grup përfaqësues të këshillave të prindërve të shkollave të Tiranës dhe natyrisht edhe atyre që munda të dëgjoj këtu.

Gjëja që më ka bërë  më shumë përshtypje nga ai bashkëbisedim, është dallimi shumë i madh midis shqetësimeve serioze që shprehën ata, që ishin në atë takim, nëna, baballarë, por edhe njerëz që duke qenë pjesë e këshillit të prindërve, kishin edhe si të thuash, një lloj horizonti edhe më të gjerë përsa i përket komunitetit të prindërve, në tërësi edhe këndvështrimit të komunitetit të prindërve dhe reflektimit të shqetësiemve në të gjitha pasqyrat e mediave, qofshin ekrane, qofshin portale, dita me natën.

Dita me natën në aspektin e qasjes, por edhe në aspektin e mënyrës së komunikimit dhe jo një, po disa nga ata prindër, duke folur për këto rrjetet sociale, duke folur për TikTokun në mënyrë të veçantë, ngritën shqetësimin që presioni i jashtëm i këtyre lloj platformave, mbingarkohet në mënyrë të jashtëzakonshme edhe nga presioni i platformave mediatike edhe brenda vendit.

Dhe nuk e sjell këtë, këtu, për të folur për mediat, por e sjell këtë këtu për të vendosur në një kornizë sfidën që ka sot një familje, që kanë sot edhe të rriturit që janë edhe prindër, përballë këtij presioni që rrit tensionin dhe rrit konfuzionin dhe nuk e bën më të lehtë, e bën më të vështirë që të mund të kesh atë qetësi që të duhet të merresh pastaj, edhe me pjesën që ka të  bëjë me të vegjëlit, qoftë në familje, qoftë në shkollë.

Edhe mësuesit janë nën këtë presion si të gjithë qytetarët e tjerë. Një furtunë e përditshme lajmesh, pjesa më e madhe e të cilave janë gjysmë të vërteta, një lum i madh njerëzish që flasin, që debatojnë, por që në fakt nuk debatojnë, por zihen. Një mënyrë e komunikimit  në mexhelis përmes ekraneve që është shqetësuese dhe që pastaj nuk diskutohet, në këndvështrimin tim, kulmon aty, ku normalisht duhet të kishte si minimum një etikë komunikimi që është salla e parlamentit. Dhe në të gjithë këtë atmosferë të mbingarkuar që është një pasqyrë shumë e deformuar e realitetit, jo se realiteti nuk ka probleme; realiteti mund të ketë probleme më të thella sesa ato që diskutohen, por fakti që problemet reale nuk diskutohen, fakti që nga problemet reale merren spunto për të hedhur në mexhelis sa më shumë material në favorin tënd dhe kundër tjetrit, bën që shoqëria të jetojë një lloj tensioni artificial, por që sidoqoftë është tension dhe që prodhon pastaj vështirësi në të gjitha marrëdhëniet dhe këtu në mes, në këtë vorbull ku janë të gjithë të përfshirë, hyjnë fëmijët, që përveç të tjerave, jetojnë në dy botë komplet paralele.

Nëse janë më pak të afektuar nga bota paralele e mediave që kanë të bëjnë me të rriturit, por tensionin e asaj bote e marrin nëpërmjet të rriturve, janë shumë të afektuar nga bota paralele e klasës, e shtëpisë dhe e ekranit të TikTokut, të SnapChatit apo cilitdo rrjet tjetër social.

Tha një këtu nga zonjat që ata janë selektiv. Në fakt, faktkeqësisht nuk janë ata selektivë, është algoritmi i platformave që i fut ata thellë e më thellë në ato gjëra, të cilat ata shikojnë, sepse në përmbajtjen e vet, këto platforma kanë një instrument shumë djallëzor, që marrin informacion nga çdonjëri prej nesh. Për njëri-tjetrin, në këto platforma ne jemi persona, ndërsa për platformat ne jemi mallra, njësoj si ato që shkojnë blejnë në markete që kanë atë kodin e tyre, secili prej nesh në ato rrjete përsa i përket vetë platformës ka kodin e vet. Dhe kur nga ky kod platformës i klikohet,  i intereson kjo, i intereson ajo, platforma t’i sjell ato sapo t’i hyn.

Dhe për këtë arsye, ne të gjithëve në platformë na shfaqen gjëra të ndryshme, sipas fushave të interesit. Tani imagjino te fëmijët. Një fëmijë hyn ose për kuriozitet, ose rastësisht në një nga ato pjesë të labirintit të pafundëm, ku ka diçka që ai nuk duhet ta shohë. Në atë moment që fëmija hyn në kodin e tij platforma lexon që “ky ka interes për këtë,” ku platforma s’bën dallime me moshën. Ky është problemi i problemit, nuk bën dallime me moshën.

Një fëmijë mund të jetë dhjetë vjeç, futet aty dhe mund të shkojë në të gjithë platformën. Nuk ka, gardhe, nuk ka identifikim, nuk thotë kush je, sa vjeç je, ça problemesh ke? Por thjesht je një kod. Kodi ynë në platformë dhe kodi i fëmijëve tanë s’kanë dallim nga njëri-tjetri.

Ndërsa për platformën, të gjitha kodet janë të ndryshme sipas interesave dhe atëherë në atë lloj pjese  të labirintit ku fëmija futet, ka jo një gjë që e sheh rastësisht, po ka qindra, mijëra gjëra që platforma fillon ja sjell. Dhe ai sa herë futet aty, merr gjithmonë e më shumë dhe është një gropë që i jep në pafundësi informacion dhe patjetër natyra njerëzore është vetë e bërë kështu, se edhe jeta njerëzore, siç e dini, fillon me mëkatin e mollës së ndaluar, aty fillon, e ndaluara është më tërheqëse sesa e lejuara, kur ti nuk je mjaftueshmërisht i ndërgjegjshëm për të ndarë të mirën nga e keqja, për të ndarë të ndaluarën nga lejuara, për të ndarë dhe për të kuptuar pasojat e njërës dhe të tjetrës. E pastaj, patjetër që të gjithë kemi qenë fëmijë, të gjithë kemi qenë adoleshentë dhe e dimë shumë mirë që të gjitha llojet e situatave ku na është dhënë mundësia që të bëjmë diçka që na ka pëlqyer, por që për prindërit ka qenë diçka që nuk do ishte gjëja e duhur, – këto platforma e stimulojnë në mënyrë kriminale.

E ndërkohë që me të gjithë ne, me të gjithë humanët, platformat bëjnë biznes. Janë biznese. Nuk janë hapësira demokratike. Janë biznes, të gjithë futën aty, pastaj bëhen të interesuar, pastaj fillojnë hyjnë në ato pjesët e tjera, ku jo reklamat, jo këto, afektohen. Edhe reklamat që vijnë të shfaqen, të vijnë të shfaqen kur je në një moshë të caktuar, që ke interesa të caktuara për mallra të caktuara ose për ku di unë, persona të caktuar, etj. Dhe në të gjithë këtë, jemi në kushtet e një kohe që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogat, është e njëjta varësi.

Edhe ju, jam i bindur që kush ka fëmijë që kanë telefona, e ka shumë qartë se çfarë po them. Domethënë, ia heq telefonin nga dora, ke të bësh me një person që tjetërsohet, që nuk ka përqendrim, që t’i thuash, lër telefonin, kap librin është sikur i thua, “dorëzohu, je i arrestuar” dhe po ashtu di shumë mirë edhe efektin tjetër. Çfarë lloj qetësie fiton ti si prind, sa i lë atë në dorë, sepse ai nuk ndihet më, nuk është më aty. Dhe duket normale, por është gjëja më anormale dhe gjëja më e frikshme, kur ti shkon, futesh në një restorant, futesh në një lokal dhe shikon prindër dhe në këtë pikë bëjmë dallim që të jemi të qartë, shikon prindër dhe është një gjë e vogël,  dy apo tre, ka dhe nga ata të vegjlit fare që janë nëpër karroca, që iu vënë pjatë iPhone-in përpara.

Edhe ata janë në karrocë, ata s’dinë të flasin. Ata janë aty, e heq atë, fillon klithma. Dhe kjo botë është faktikisht një forcë e re në jetën e familjes dhe të shkollës. Nuk është më mësuesi, nxënësi, prindi, është dhe ky tjetri, një hije, që e ke në çantë, e ke në xhep dhe që të shoqëron gjatë gjithë kohës. Dhe në rastin e fëmijëve, ajo hija i thotë të gjitha të kundërtat e asaj që i thotë mësuesi dhe të gjitha kundërtat e asaj që thotë prindi. Ajo hija ia bën jetën shumë të lehtë. Në Tik Tok nuk ekziston fjala “faleminderit”, “mirëmëngjes”, “mirëdita”, “më falni”, nuk janë këto fare. Në ato rrjete nuk ekziston asgjë nga ato që përpiqet mësuesi t’i thotë, jo po se shiko “të rriturit foli me respekt”. Dhe aty ata marrin një frymëzim tjetër komplet.

Në momentin që i jep fëmijës atë telefonin dhe nuk e kontrollon se është edhe pjesa e kontrollit, çfarë shikon çfarë dhe unë mendoj që prindërit kur fëmijës i blejnë një telefon dhe i japin një telefon, i kanë dhënë një “rrugaç” për shok. Kaq, kështu e shoh unë. Mund ta kem të ekzagjeruar. Por këto rrjetet sociale, edhe pse për shkak të detyrës i përdor siç i përdorin gjithë të tjerët, se është diçka që nuk e shmang dot, po kështu e shoh unë telefonin në dorën e fëmijëve dhe të adoleshentëve. Sidomos të adoleshentëve, si një “rrugaç” që ia ke dhënë për shok. Njësoj, kur jep atë që thua, merre, urdhëro, vazhdo, merru me atë. Është njësoj sikur i thua, “shiko se do bëj pak punët e shtëpisë”, ose “kam ca punë për të bërë, dil tani edhe me atë kryerrugaçin e lagjes bëni një xhiro”, është e njëjta gjë.

TikToku, po ashtu në Kinë, se Tik Toku është në Kinë, është dhe në botën perëndimore. Në Kinë, Tik Toku nuk është ky që ka bota perëndimore, pse, sepse kodet që ka secili i ka dhe secili atje, mirëpo platforma nuk e ushqen atë kodin me këto lloj gjërash që ushqen fëmijët dhe adoleshentet në perëndim.

Platforma në Kinë i çon fëmijëve si mëson një fëmijë, si i zgjidh problemet aritmetike, sa i zoti është në gjeografi, sa bukur këndon, sa bukur kërcen, si fëmijët bashkë mbjellin pemë, është një platformë edukimi. Komplet edukimi, kjo është një platformë që patjetër përdoret për propagandën e shtetit, edhe për atë. Të gjithë po të shikoni, unë e kam tmerr atë Tik Tokun, por herë pas here jam interesuar thjesht për të kuptuar. Po të shikoni ç’a del material Tik Toku nga Kina, që janë gjëra që janë postuara në Kinë janë gjërat më të jashtëzakonshme, më mbresëlënëse, jo vepra publike, jo njerëz që punojnë dhe që qeshin, ndërkohë që në botën perëndimore, përfshirë edhe Shqipërinë, është një “ferr”.

Pa llogaritur dëmet e jashtëzakonshme që bëjnë të gjitha këto rrjete sociale tek më të rinjtë, tek vajzat, që me të gjitha ato historitë e veshjeve të pozave etj, etj që krijojnë idenë që ka një jetë që është fushë me lule janë të gjitha reklama, janë të gjitha truke për të tërhequr në drejtim të tyre.

Tani thënë të gjitha këto, problemi tjetër është që në pikëpamja teknike, thjesht teknike, këto janë të pandalueshme plotësisht, edhe sikur të duash.

Australia ka kaluar ligjin e parë në botë, flas për vende demokratike, se ka ca vende që nuk ka, nuk futet fare asnjë rreth social po s’po i referohem atyre. Ligjin e parë në botë para dy ditësh, tani e kaluan që ndalon të gjitha rrjetet sociale për fëmijët deri në 16 vjeç, të gjitha, s’kanë akses.

Mirëpo nuk e kanë mekanizmin se si ndalohen, sepse vendosja e filtrave kërkon identifikim, vendosja e kushtit të identifikimit kërkon pastaj një mekanizëm që platformat nuk ta japin dhe për këtë arsye, i kanë lënë 12 muaj kohë një institucioni të veçantë, që kanë ata për sigurinë online, etj.

Megjithatë, thënë kjo, ndalimi është i mundur në një pjesë shumë të madhe. Pra një ulje e rëndësishme e volumit të njerëzve, të fëmijëve që mund të kenë akses, është i mundur. Por kjo nuk është zgjidhja, kjo është një nga shumë elementët e zgjidhjes ose e lehtësimit të problemit, se unë mendoj që kështu si po shkon bota dhe kështu si po zhvillohet teknologjia, të flasim për një zgjidhje definitive është kot. Nuk ka! Në këtë aspekt që e mendojmë ne brezat që nuk kemi lindur dhe nuk kemi rritur me Tik Tok-ra e me këto tjerat.

Ne, ose po ta them ndryshe, brezat e rritur pa pasëord, sepse asgjë nga këto, nuk heq dot përgjegjësinë edhe peshën që ka ndërveprimi midis të rriturve në familje dhe fëmijëve që aty gatuhet një pjesë e madhe e produktit, që pastaj del i mirë apo jo i mirë.

Pastaj është ndërveprimi mes familjes dhe shkollës, mes shkollës dhe familjes, dhe në mes të dyjave është rruga nga shkolla në shtëpi, nga shtëpia në shkollë që janë si të thuash është hapësira tjetër ku janë të gjitha të tjerat që kanë rëndësi.

Tani u fol për sportin këtu dhe sigurisht që sporti është një nga ilaçet pa diskutim. Sporti është një nga ilaçet për 1001 arsye që s’do rrimë t’i diskutojmë këtu.

Por unë dua të qëndroj te një pikë tjetër, se kam dëgjuar në këto ditë kur një tragjedi është marrë dhe vazhdon akoma dhe përdoret si material, si ai materiali që thashë, të gjejmë material për të bërë sa më shumë konfuzion në trurin e njerëzve dhe me qëllimin për interes politik, luftë për pushtet ose biznes mediatik. Biznes mediatik domethënë të krijojë audiencë sa më shumë, të mbledhë sa më shumë njerëz, duke treguar dhe ta tregojë gjënë në mënyrë sa më katastrofike që filmi të mbajë sa më shumë njerëzit mbas ekranit. Nuk po hyj fare, them që një pjesë e atyre që janë në ekran, dalin atje të bëjnë moral, të tregojnë historira, të tregojnë edhe gishtin dhe dalin pastaj që janë të paguar nga të tjerë për të cilët ti akuzohesh se etj etj, s’dua të hyjë në këtë fushë dhe në këto kushte. Gjatë gjithë këtyre ditëve është stimuluar një ndjenjë e madhe pasigurie, a thua se këtu në të gjitha shkollat, të gjithë fëmijët shkojnë dhe s’dihet a kthehen a nuk kthehen larg qoftë, që nuk është rasti.

Në aspektin e sigurisë, nëse dëgjon të gjithë të huajt që vijnë, po nëse dëgjon dhe shqiptarët që vijnë, që jetojnë jashtë, Shqipëria është një nga vendet më të sigurta. Çfarë ndodh hera-herës mes grupesh kriminale, nuk ka lidhje me qytetarët. Është një nga vendet më të sigurta dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse turistët e pëlqejnë Shqipërinë.

Unë takoj për shkak të detyrës herë pas here njerëz që vijnë nga jashtë, të huaj, edhe që kur qëllon që qëndrojnë një natë këtu, të nesërmen thonë, si ka mundësi këtu?

Ndërkohë që nuk është ky, nuk është ky realiteti në qytetet e Europës. Qytetet e mëdha të Europës, – unë kam shumë e shumë vite që s’mbaj orë, – por në Londër nuk ecet në rrugë në qoftë se ke një orë në dorë, mund të ketë një vlerë të caktuar. Nuk ecën dot, nuk ecën në Londër, nuk ecën në rrugë nëqoftëse ke një çantë të shtrenjtë në krahë dhe kjo nuk është vetëm për Londrën, është për shumë vende.

Tani bëjmë këto biseda, sepse në fund të ditës gjithë procesi i bashkëjetesës së shoqërisë është një proces ngjarjesh, është një proces problemesh, probleme të vjetra që s’janë zgjidhur akoma, probleme të reja që dalin dhe si pjesë e këtij procesi, edhe qeverisja është një proces përmirësimi të vazhdueshëm dhe thonë, “Tani u kujtuat ju për këto”? Jo mo, nuk jemi kujtuar tani ne, se po të ishim kujtuar tani ne, kjo shkolla këtu, që unë e kam parë edhe kur nuk ishte e rindërtuar, nuk do ishte kështu. Po nuk do ishin kështu shumica dërmuese e shkollave të Shqipërisë sot.

S’jemi kujtuar tani, se kur ne kemi nisur  këtë përpjekje, të gjeje libra që rrinin nëpër rafte në shkollë duhet të kërkojë në memorie se si kishte qenë dikur, se s’ekzistonin. Të gjeje banjo në shkolla, që nuk e nxirrnin ujin në korridor, – në banjo shkoje duke ndjek ujin, ta tregonte uji ku ishte banjo.

Dhe ky është se unë i kam parë, për fat të keq dhe të mirë, të gjitha gjërat në Shqipëri më shumë se kushdo tjetër, sepse më ka kërkuar detyra. për të mos folur për të tjera e për të tjera.

Palestrat, me të drejtë e tha profesori që të ketë më shumë palestra. Patjetër, por sot ne nuk kemi më projekte shkolle, nuk e lejojmë më prej kohësh që bëhet një rindërtim shkolle pa palestrën, ose që të bëhet një shkollë e re pa palestër.

Sot ka palestra, – se më kujtohet gjithmonë e më vjen për të qeshur, – një drejtor shkolle në një fshat, nga ato të rindërtimit që tha, “O kryeministër, po e tepruat o burrë, kemi më shumë banjo nëpër shkolla se nëpër shtëpiat e fshatit? Ka më shumë banjo shkolla se fshati. Domethënë gjithë ky transformim infrastrukture ka qenë i domosdoshëm, por nuk është i mjaftueshëm se nuk mjafton të ndryshosh tullën e vjetër me tullën e re, që të ndryshojë përmbajtja e procesit mësimor.

Komponenti tjetër që ne nuk u kujtuam tani janë mësuesit.

Mësuesit ne i kemi gjetur njerëz të pambrojtur nga shteti, në çfarë kuptimi? Asnjë mësuese nuk e kishte të sigurt vendin e punës. Mund t’i vinte urdhri “Çohu tani ik. Do shkosh andej, madje çohu nga këtu, do shkosh në një ku di unë se ku”, që ta detyronin të jepte dorëheqjen se do vinte një tjetër që kishte mik. Ku ekzistonte futja e mësuesit në shkollë sipas meritës? Nuk e di kush e mban mend që kemi gjetur mbi 4 mijë mësues që ishin jashtë profilit, mësues biologjie që jepte gjeografi, mësues që kishte mbaruar për muzikë që jepte aritmetike, kap e fut njerëz nëpër punëra për funksione të tjera. Ku ndodh më? Nuk ka ndodhur që nga dita 1 kjo me ne, por sot po ta thuash duket sikur po flasim për një epokë tjetër, në kuptimin e 50 vjetëve, por nuk po flasim për këtë, po flasim përpara 10-11 vjetësh. Ku ka ndodhur më që t’i thonë njëri “Çohuni se ka miting”?

Edhe këto takime që po bëjmë tani me kujdesin më të madh që të vijnë njerëz që janë përfaqësues të prindërve, se nuk është puna të bëjmë një takim që “Hajde se po flasim ne dhe të tjerët të rrinë sfond”. Mësuesit ishin “Çohuni, hajde se erdhi”. O burra të gjithë, me gjithë kalamaj. Mbushur sheshet me mësues e me kalamaj.

Tjetra që është e gjithë pjesa e trajnimeve të mësuesve e të tjerë. Drejtorët, unë e besoj atë se e dëgjova në takimin e mëparshëm që “Mësuesit janë shumë të rëndësishëm”, por shumë të rëndësishëm janë drejtorët e shkollës, nuk diskutohet.

Nëse ne me mësuesit e zgjidhëm më parë dhe nuk i prek më njeri mësuesit “Për kë voton” është e pamundur. Nuk  e merr dot një mësues ta kapërcesh dhe t’i thuash “Do të çoj ty në punë se ti je me ne dhe do të heq këtë tjetrën se kjo është kundër nesh”. Nuk e bën dot sepse e kemi bërë dhe me ligj portalin etj. Mund të ketë gjëra që nuk shkojnë dhe nuk e përjashtoj, por në tërësi është kështu.

Tek drejtorët problemi ishte që nuk e kishim këtë sistem dhe politizimi, në kuptimin e influencës jo deputeti, jo ky e ai, nga influencë që ishte nga mësuesit, tek infermierët, tek policët e tek të gjithë mbeti një influencë tek drejtorët e shkollave dhe edhe këtu kemi një shkollë drejtorësh prej disa vitesh që funksionon me fondin amerikan që të rrisë kapacitetet menaxheriale të drejtorëve.

Pse i them të gjitha këto? Jo për të thënë që çfarë mrekullish kemi bërë. Po i them që nuk jemi kujtuar tani, por probleme do ketë gjithmonë, sfida do të ketë gjithmonë dhe patjetër ka gjithmonë vend për përmirësim.

Tani vijmë tek siguria. Ne i kemi vënë oficerët e sigurisë në shkolla, nuk kishte oficerë sigurie. Problemi është që kur ne kemi vënë oficerët e sigurisë, nuk ishin nxënësit që dilnin jashtë, ishte gjithë hashashi që futej brenda në shkollë, nëpër klasa, futej nga dera e shkollës në kuptimin që shkolla ishte komplet han pa porta.

Ne i kemi vënë oficerët e sigurisë, e kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë.

Patjetër që duhet shtuar akoma, nuk diskutohet, patjetër që mes oficerëve të sigurisë ka ndër ata që e bëjnë punën shumë mirë, ka ndër ata që nuk e bëjnë punën shumë mirë, nuk diskutohen të gjitha këto, por bindja ime është që në këtë botë ku teknologjia është bërë oportunitet dhe jo vetëm problem, me teknologjinë ne mund të zgjidhim gjëra që nuk do të mund t’i zgjidhnim kurrë deri dje dhe faktikisht ne brenda dhjetorit, kemi një vit që merremi me këtë projekt, do të mbyllim marrëveshjen përfundimtare me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për një program të sigurisë në shkollë që është një nga sukseset më të bukura të teknologjisë dhe që është një rast suksesi i jashtëzakonshëm në atë shtet, me vendosjen nën monitorim digjital të shkollës në çdo klasë, në çdo korridor, në hyrje e në dalje. Çfarë ka sjellë atje? Ka sjellë që ka ndryshuar komplet dinamika e jetës në shkollë.

S’ka aty “doli, shkoi te lokali”, se duke gjëmuar me njerëz, disa e bëjnë si duhet, disa nuk e bëjnë si duhet, dikush mbyll sytë, dikë e ka zënë gjumi, dikush bën sikur s’kupton, kurse me këtë sistem që nga drejtoria e shkollës, tek drejtoria rajonale, tek policia, do ta kenë shkollën në kohë reale në çdo moment pasqyrë për të parë kush hyn, kush del, çdo klasë, edhe mësuesit, edhe nxënësit, çdo prind, sa herë dojë, do vijë, do shikojë. Po ma trego pak fëmijën tim si rri në klasë. Rri në bankë, rri mbi bankë apo rri nën bankë?

E me këtë program, ata praktikisht e kanë çuar bullizmin në nivele minimale, sepse të qënit sikur po bën mësim në sy të të gjithë publikut, natyrisht që ai është një program që ka protokoll, që kush shikon çfarë shikon, si shikon, etj., ka bërë që të ketë një transformim shumë të madh të marrëdhënieve dhe të sjelljes dhe që të fokusohet vëmëndja realisht, aty ku duhet fokusuar dhe jo të shpërqëndrohet dhe të shikohet nga të katër anët, sikur nga të katër anët të gjithë fëmijët janë me thika, janë me celular etj.

Tek celulari përsëri, është një diskutim që e kemi ne të brendshëm. Ne e kemi ndaluar celularin në shkollë. Përgjithësisht, ka një nivel respektimi më të lartë se sa unë personalisht mendoja, por nuk është absolutisht një standard i sigurt. Ka toleranca, njëri e nxjerr këtej, tjetri poshtë dhe kemi mundësi ta ndalojmë fare hyrjen e celularit në shkollë. Vjen në shkollë, s’ka celular fare. Përsëri me kontroll digjital, s’ka nevojë as hap çantën, mbyll çantën, mbaj radhë, futu jo. Ai lloj programi e bën që kush hyn e kush del, ç’a ka në trup, pa e ndaluar fare, ç’a ka në trup, gjëra që janë metalike ose që lëshojnë sinjal, menjëherë, po ky duhet të ndërrohet. Dhe kështu evitohen të gjitha llojet e frikërave, jo “hyri thika”, jo “hyri celulari”. Dhe e fundit që kam është pjesa e programeve të tjera, sepse ajo hapësira midis shkollës dhe shtëpisë, midis klasës po themi, dhe shtëpisë, është një hapësirë që po nuk u mbush nga ne, do mbushet nga gjë tjetër dhe jo të gjithë prindërit kanë mundësi që të t’i marrin fëmijët, kur fëmijët dalin.

Shumë prindër nuk i marrin dot vetë sepse janë në punë. Prandaj, shkolla qëndër komunitare, detyrat e shtëpisë në klasë, programi i arteve dhe zejeve, sporti, ne kemi nxitur, unë kam qenë shumë partizan i programit të fermës në shkollë kanë filluar të bëhet, por jo me ritmin që duhet të jetë, që çdo shkollë duhet të ketë fermën e vet, edhe parcelën e vet atje, që fëmijët mos e humbin fare kontaktin dhe mos iu duket sikur edhe domatet ia u sjell TikToku, por ta dinë si mbillen, si dalin, se është komplet e pabesueshme që mos njohin dot edhe kush është qen, kush është dele.

Kuptohet, kur vajtëm kishin bërë këta bashkisë të Tiranës një si panair atje në shesh me kafshët shtëpiake, edhe se harroj kurrë, ishin dy fëmijë dhe i thoshte njëri mamasë a babait. Pse është ashtu ai qeni? S’ishte qen fare. Ishte dash. Ç’është ai qen? Sepse nuk kanë asnjë lidhje me natyrën, edhe qenin dhe dashin i shohin si njerëz të TikTokut që flasin.

Këto janë pak a shumë gjërat dhe për ta mbyllur do thosha që edhe gjë tjetër, që ne faktikisht kemi përfunduar një projekt për një institut të fëmijëve në konflikt me ligjin, është një model demokratik i shkollës së riedukimit, sepse ato sistemet e riedukimit kanë problematikën e tyre. Unë personalisht i kam parë gjithmonë me skepticizëm, se duket sikur në fakt i çon në një shkollë që të dalin më të shkolluar për të bërë atë, për të cilën ti në fakt i çove, që ata mos e bëjnë më.

Por ky është një program që e mbështet shumë Bashkimi Europian, është një model i ri institutesh i fëmijëve që janë në konflikt me ligjin, që do të thotë fëmijë minorenë, të cilët kryejnë vepra penale të lehta ose të rënda, që në rast se do të kishin mbushur moshën të shkojnë në burg, por për shkak se janë nën moshë nuk mund t’i çosh në burg dhe është, nuk është burg, nuk është shkollë vagabondësh. Është një institut ku ka programe të veçanta dhe ka një pedagogji të veçantë për t’u marrë me këta fëmijë, që mundësisht çfarë ka ndodhur të mos jetë një traum, që pastaj thellohet dhe sa më shumë rriten, aq më shumë futen në atë rrugë të gabuar.

Ne, numrin e këtyre fëmijëve, thjesht për të patur një ide, e kemi shumë më të ulët sesa shumë vende të tjera të zhvilluara, në raport me numrin e përgjithshëm, që ta dini.

Është diçka, që fatmirësisht e kemi sot, mund të mos ndodhi kështu nëse këto situata me këto media që krimi, krimi, krimi, krimi e kanë në ‘majë të gjuhës‘ dhe me këto rrjete sociale nuk e përshkallëzojnë këtë influencë, por nuk e kemi të lartë numrin, në raport me numrin e përgjithshëm të nxënësve, të fëmijëve,të miturve në konflikt me ligjin. Fatmirësisht, tani për tani.

Këto janë pak a shumë gjërat që unë mund të thosha dhe shumë faleminderit për praninë, për bisedën dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë tonën. Secili duhet të përpiqet në pozicionin që ka të bëjë pjesën e vet, shkolla, drejtoritë, inspektorët, inspektimet.

Policia ka pjesën e vet, por kjo nuk është punë policie. Në fund fare, kjo nuk është punë policie. Këtu bëhet fjalë për fëmijë, këtu bëhet fjalë për adoleshentë dhe këtu bëhet fjalë për edukim, edhe për hapësira që e balancojnë sa më shumë atë hapësirën ku lëviz çdo ditë ai armiku i padukshëm për ne, po i dukshëm për ata, se ndezin atë, futen aty e aty pastaj…. Dhe kontrolli i telefonave të këtyre fëmijëve, adoleshentë që kanë telefonin e tyre është një minimum që duhet ta bëjë çdo prind, mendoj unë.

Dhe kam dëgjuar këto ditë nga që shumë prindër me këtë rast, janë futur në telefonat e këtyre figurave dhe kanë dalë më të tromaksur se ç’kanë hyrë, se çfarë shohin ata nëpër këto platforma e nëpër ato labirinthe, se duke u kthyer tek kodi, në qoftë se futesh te telefoni i dikujt, do shohësh aty se çfarë ai person ndjek, çfarë i intereson, kush i shfaqet atje në ato rrjete, e kështu me radhë. Kështu, edhe ky lloj kontrolli, herë pas here me thënë ‘sille telefonin të shoh pak se ku po lundron në këtë periudhë dhe ku po fluturon’, do të ishte një lloj parandalimi sado i vogël, megjithëse me këta midis nesh dhe këtyre, ata kanë një avantazh tjetër që pasëordet e tyre nuk i hap dot. Ata na i hapin ne të gjithë pasëordet.

Shumë faleminderit!

Previous Kampusi i Kolegjit të Europës, një simbol i fuqishëm i Shqipërisë si Europa e Ballkanit