Takimi konsultativ me prindër e mësues mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve vecanërisht në hapësirat digjitale të rrjeteve sociale, – vijoi sot në shkollën “Halit Çoka” në Kamëz, ku Kryeministri Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu bashkëbiseduan me prindër, mësues e staf mbështetës për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të çdo forme dhune, si dhe bullizmit të fokusuar tek rrjetet sociale.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe opinione mbi çfarë mund të bëhet më mirë sa i përket sigurisë në shkolla, si dhe kufizimit të aksesit apo ndalimit të plotë të rrjeteve të caktuara sociale për fëmijët dhe adoleshentët.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për praninë dhe dua t’ju them që në fillim që pjesëmarrja në këto bashkëbisedime me përfaqësitë e prindërve në radhë të parë na ka dhënë dhe mua personalisht më ka dhënë shumë arsye për të qenë shumë optimist për situatën dhe për fuqinë që së bashku mund të vëmë në dispozicion të përmirësimit të mëtejshëm të situatës.
Them optimist për situatën, sepse është fare e qartë që ka një dallim të jashtëzakonshëm midis të gjitha atyre prodhimeve të politikës dhe të medias lidhur me gjithë sa ndodhi që u bë shkak për këtë proces dhe perceptimit dhe shqetësimit të komunitetit të prindërve, që është një perceptim shumë më tepër i bazuar në realitetin e përditshëm të shkollës dhe që është një shqetësim shumë më tepër i lidhur me çfarë realisht duhet përmirësuar.
Në radhë të parë, këtu në Kamëz, besoj është vendi më i duhur për të ballafaquar të gjithë së bashku realitetin e zhvillimit të infrastrukturës shkollore dhe të përmirësimit të kushteve të shkollës.
Po sjell këtu një nga dëshmitë e prindërve, që më ka bërë përshtypje kur tha që, çfarë ndodh sot në aspektin e gjërave që nuk duhet të ndodhin është 2% e atyre që ndodhnin deri dje, por që nuk merrnin kaq shumë vëmendje dhe nuk bënin kaq shumë zhurmë për faktin se në njëfarë mënyre, njerëzit ishin mësuar me një situatë që dukej e pashpresë dhe faktikisht, këtu, kur ne kemi filluar, edhe dua ta nënvizoj, në radhë të parë, falë vullnetit të këmbënguljes të Kryetarit të Bashkisë, i cili do të ishte mirë të ishte këtu sot sepse është i veçantë në këtë aspekt që lidhet me transformimin e gjithë situatës në sistemin dhe infrastrukturën e sistemit parauniversitar në Kamëz, pasqyra ka qenë dramatike, domethënë pasiguria ishte shtrirë deri në pusetat e hapura në rrugën gjithë baltë të shkollës.
Sot situata është katërcipërisht e ndryshuar, edhe shkollat në Kamëz, por jo vetëm shkollat, po dhe kopshtet janë absolutisht të të njëjtave standarde dhe kanë të njëjtat kushte si shkollat e reja, jo si të gjitha shkollat, po si shkollat e reja në çdo kryeqytet të Europës dhe këtë e them me bindje të plotë.
Por, natyrisht që sot ne ballafaqohemi me një problem që është ende i ri për shoqërinë, jo vetëm shqiptare, por për shoqërinë njerëzore.
Sot fëmijët tanë, ata më të vegjlit, nuk janë vetëm me ne, me mësuesit dhe me shokët.
Sot ata kanë edhe një “shok” tjetër, që për fat të keq e preferojnë më shumë se ne, e preferojnë më shumë se sa ç’preferojnë mësuesit, e preferojnë më shumë se ç’preferojnë edhe shokët e tyre, dhe preferojnë shumë më shumë se sa librat, – që është “shoku” që iu del kur futen në telefon nëpër rrjetet sociale. Posaçërisht në TikTok, po jo vetëm në TikTok, ata kanë një shok që ju thotë ekzaktësisht të kundërtën e të gjitha gjërave që mund t’i themi ne në shtëpi, mund t’i thotë mësuesi në klasë apo që mund të lidhen me detyrime të tyre, që nga detyrimi për të ulur dhe për të lexuar libra ose për të shkruar me dorë.
Iu thotë komplet të kundërtën dhe ua bën shumë të lehtë dhe ju dhe të gjithë ata që kanë fëmijë në shtëpi e dinë shumë mirë se çfarë lloj lufte është për t’ia marrë nga dora ose për mos ia dhënë në dorë dhe nga ana tjetër, e dimë shumë mirë të gjithë që për 1001 arsye, ne të gjithë bëhemi palë në gabim, kur për të pasur një moment ose më shumë se një moment qetësie, ia lëmë në dorë “shokun” edhe aty ata bëhen sikur s’janë fare aty, as nuk i dëgjohet zëri, as nuk dëgjojnë zërin.
Dhe ky është një fakt me të cilin përballen gjitha shoqëritë sot dhe është fakt që në të gjitha shtetet demokratike ka filluar një debat dhe ka filluar të përshkallëzohet një shqetësim shumë i madh që çfarë po ndodh dhe si mund të frenohet ajo që po ndodh, jashtë komplet kontrollit, dëshirës, vullnetit apo pritshmërive të shkollës, të prindërve, të shoqërisë, në raport me fëmijët tanë.
Dhe nëse flasim për TikTok-un, problemi është që TikToku në vendet tona bazohet në një algoritëm që stimulon të gjitha ato gjëra që nuk duhen stimuluar.
Ndërsa TikToku, për shembull në Kinë, që është edhe vendi i lindjes dhe i origjinës së Tik Tokut, është komplet tjetër. Aty fëmijëve në ekran, iu dalin vetëm gjëra të bukura, po dhe të gjithëve, jo si lexohet, jo si zgjidhen ushtrimet, jo si dilet bashkë me shokët, jo si këndohet, ndërkohë që në të botën tonë është komplet tjetër. Prandaj edhe ka lindur një debat i madh botërisht në shumë vende dhe po zgjerohet që këto rrjete duhet marrë në kontroll, të paktën për pjesën e atyre që janë deri në moshën 16 vjeç.
Janë marrë disa masa në aspektin administrativ, në aspektin ligjor, por nuk ka akoma mekanizma teknologjik për të vendosur filtra dhe për të ndarë kush është fëmija, kush është i rrituri, kush mund ta përdori, kush s’mund ta përdori, sepse dihet që rrjetet sociale pranojnë anonimitetin dhe në momentin kur pranohet anonimiteti, asgjë më nuk është e qartë.
Ne jemi duke i studiuar të gjitha aspektet dhe jemi në këtë bashkëbisedim, sepse jemi të prirur të besojmë që bllokimi i plotë i TikTok-ut, edhe për një sërë arsyesh tjera, që lidhen me faktin e gjuhës shqipe, që lidhen me faktin e pamundësisë për të pasur të njëjtat kritere dhe standarde si vende të tjera do të ishte një rrugë, qoftë edhe për një periudhë, për të parë se çfarë do të bëjnë të tjerët, si të tjerët do të gjejnë mekanizma të tjerë dhe faktikisht për ta hequr “një shok” shumë të keq nga duart e fëmijëve dhe për të pasur pak më shumë kontroll mbi atë momentin kur ata shkojnë nëpër ato labirinthe.
Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë është që ne, që këto rrjete janë të ndërtuara tamam si gropa thithëse dhe çdokujt i çojnë më shumë, në bazë të gjërave që çdokush klikon dhe sheh aty dhe në një farë mënyre kanë të njëjtin efekt, siç kanë drogat që i bëjnë njerëzit të varur nga ekrani, sepse ju japin më shumë ushqim në varësi të oreksit të tyre. E natyrisht që kur vjen puna tek më të rinjtë edhe tek fëmijët, gjërat e ndaluara ose gjërat që atyre ju thuhet në shtëpi, ju thuhet në shkollë: “Kjo nuk është e mirë, kështu nuk bëhet. Këtu nuk duhet”, tërheqin më shumë, tërheqin më shumë edhe mbi bazën e kësaj tërheqje më shumë, krijohet pastaj gjithë ai konfuzion në kokën e tyre midis jetës reale edhe gjithë stresit që krijohet nga kërkesat e prindërve, të familjes, të shkollës dhe jetës virtuale që është pa stres në dukje, por që ka efekte të studiuara dhe të publikuara deri mbi shëndetin mendor të fëmijëve.
Dhe një nga arsyet kryesore që shumë vende të mëdha po luftojnë, po përpiqen ta luftojnë këtë fenomen është pikërisht shëndeti mendor i fëmijëve, krijimi i një situate skizofrenike midis realitetit dhe botës virtuale dhe pastaj fillimi i një sjelljeje që përpiqet ta sjellë botën virtuale në botën reale, duke krijuar deri dhe akte të rënda kriminale, sikur faktikisht zgjat aventurën e ekranit në jetën reale dhe bëhet personazh që arrin deri dhe të vrasësh edhe mos kuptosh se çfarë ke bërë.
Megjithatë është pak, por e sigurt që në fund të ditës, edhe bllokimi i TikTokut është një ndihmë, por nuk është zgjidhje. Dhe nuk ka asnjë zgjidhje nëse nuk ka më shumë përfshirje të drejtpërdrejtë të familjes, të shkollës dhe të të dyjave bashkë pastaj, prindërit, mësuesit dhe natyrisht, edhe institucioneve të tjera, në funksion të rritjes, të zgjerimit dhe forcimit të parametrit të sigurisë.
Tani këtu ne jemi duke bërë një plan të ri masash, por dua të them një gjë që shumëkush thotë : po mirë tani u kujtuat ju, keni kaq vite që jeni në këtë punë. Në fakt, ne nuk jemi kujtuar tani. Sepse edhe rindërtimi masiv i infrastrukturës dhe ndërtimi i shkollave të reja, dhe standardet në ndërtimin e shkollave të reja, ku për shembull nuk ndodh më që të bëhet një investim ose të bëhet një rikonstruksion dhe mos ketë palestrën brenda, që është kriter për investimin për të shtuar aktivitetin sportiv fëmijëve dhe kthimi i fizkulturës.
Ne e gjetëm shkollën pa asnjë orë edukimi fizik, sepse edukimi fizik ishte hequr edhe s’kishte as mësues më të edukimit fizik. Po dhe krijimi i ekipeve sportive në shkolla, Kamza ka shkëlqyer në këtë aspekt. Ka dhe më duket skuadër kampione. Po dhe oficerët e sigurisë që nuk kanë ekzistuar, po dhe psikologët që nuk kanë ekzistuar. Po edhe mbi të gjitha, garancia për mësuesin që nuk ka ekzistuar.
Sot mësueset dhe mësuesit nuk e kanë më, as nuk ju shkon nëpër mënd që mund t’ju vijë në mëngjes, një urdhër nga drejtoria: je i larguar ose je e larguar nga puna, se do vijë filania jashtë profilit, do marrë punën tënde apo do shkosh në një shkollë në anën tjetër të Shqipërisë, që të detyrohesh që të thuash “s’po shkoj fare, se unë nuk e kam të mundur”. Këto nuk ndodhin më. Nuk ndodh më që të vijë urdhri nga drejtoria e shkollës: Hajde, se do dalim miting të gjithë bashkë se ka ardhur kryeministri apo ka ardhur Kryetarja e Kuvendit dhe mbi të gjitha, nuk ndodh më që të ketë mësues që punësohen jashtë profilit.
Kemi gjetur një sistem me mijëra e mijëra e mijëra mësues jashtë profilit, që kishin mbaruar për fizkulturë dhe jepnin aritmetik ose kishin mbaruar për biologji dhe jepnin kimi. Pse? Se ishin të hapura rrugët që “hajde po të marr në punë, se je i partisë, je i krushqisë”, je i ku di unë se kujt, dhe kështu e gjitha ishte një konfuzion i madh dhe një çorodi e madhe.
Të gjitha këto janë sistemuar, por ama nga ana tjetër, për sa kohë do ketë shoqëri, për sa kohë do të ketë shtet, për sa kohë do të ketë qeveri, do të ketë gjithmonë gjëra për të përmirësuar dhe gjëra për t’i ndryshuar në varësi të situatave dhe gjëra për të shtuar në varësi të mundësive. Mundësitë, fatmirësisht, falë ekonomisë që po rritet dhe falë të ardhurave që po rriten, po zgjerohen. Dhe kështu, sot ne i kemi mësuesit shumë më të mirë paguar se ç’i kishim. Ishin mësuesit më të keqpaguar të Ballkanit. Dhe sot statusi i mësuesit ka ndryshuar, megjithatë jemi prapë shumë të qartë të gjithë që autoriteti i figurës së mësuesit është ende në pikëpyetje, për shkak se çohen tre në një bankë atje dhe marrin peng gjithë klasën.
Kam mësuar në këto bashkëbisedime, për shembull, që problemi kryesor janë nxënësit e shkollës dhe klasat e nënta, që janë më të mëdhenjtë e 9-vjeçares, por që kur shkojnë në gjimnaz, pastaj bëhen më të urtët, sepse aty janë më të vegjlit. Por ama janë një problem shumë i madh. Dhe në ato të dhënat që kemi marrë nga të gjitha këto rastet e bullizmit të denoncuara, pjesët dërrmuese vijnë nga nxënësit e klasave të nënta. Kemi pasur raste mësuesish që nuk e kanë pasur të mundur të hyjnë në klasë për shkak të një grupi apo një individi të kësaj kategorie.
Tani të gjitha këto janë probleme që mund të adresohen më mirë, vetëm duke forcuar bashkëpunimin dhe duke rritur informacionin.
Ne kemi ndërtuar një sistem informacioni për prindërit, por ky sistem informacioni duhet zgjeruar, nuk është thjesht mungesat dhe notat, por prindërit duhet të marrin në mënyrë periodike dhe jo të rrallë, por të shpeshtë, informacion mbi sjelljen, mbi një problematikë (x), një problematik shëndeti, që mund të jetë reale ose mund të jetë një gënjeshtër, por prindi duhet ta dijë që djali ose vajza, sot për shembull, kanë thënë që kanë munguar, se thonë ku di unë, ose kanë thënë kemi dhimbje barku, po themi, tani e kanë reale, se kanë reale, po prindërit duhet ta dinë.
Apo sjellja me shokët, raportet. Në mënyrë që të rritet ndërveprimi dhe të rritet presioni pozitiv i të dyja palëve dhe prindërit të jenë shumë më të hapur pastaj për të dëgjuar kritikat, se është edhe kjo pjesë që shpeshherë prindërit kanë të vështirë të pranojnë kritikat e mësuesve për fëmijët, por dhe mësuesit të ndihen më të mbështetur kur pastaj bëjnë më shumë presion mbi fëmijën për ta nxitur më shumë, që të mësojë më shumë dhe të sillet më mirë, dhe mos ndjehen si të vetmuar, ndërkohë që prindi mund të mbajë anën e fëmijës dhe për këtë arsye, sistemi që kemi po zhvillohet nga pikëpamja teknologjike që të bëjë të mundur këtë lloj informacioni.
E dimë shumë mirë që ndërkohë që kemi konsoliduar pjesën e mësuesve, na duhet të bëjmë, të rrisim më shumë nivelin e drejtimit të shkollave dhe për këtë kemi hapur prej disa vitesh shkollën e drejtorëve dhe drejtuesit e shkollave kalojnë teste në atë shkollë dhe marrin certifikata ose nuk i marrin dhe largohen si drejtues të shkollës.
Tani duhet të rrisim më shumë numrin e oficerëve të sigurisë, patjetër që duhet ta rrisim, por mos harrojmë një gjë, – se po shikoja pak një raport nga seanca e parlamentit për buxhetin dhe ajo ishte një kryevepër nga pikëpamja, domethënë ishte njësoj si të kishe hyrë në një klub pas gotës së disatë të rakisë, po jo komplet në gjendje të dehur, po të ardhur shumë në qejf dhe t’i thoshe çfarë mendoni ju në klub për buxhetin e shtetit dhe të gjithë të fillonin të lëshonin dëshira, – njësoj.
Dhe ishte një amendament që i kishte bërë një deputet që të rritet numri i psikologëve me 3500 vetë. Pyetja e parë është pse 3500 dhe jo 3600 ose 3400 për shembull ose 2700 ose 4900, po jo 3500.
Dhe tjetra është që, nuk është thjesht çështje se ti do të rrisësh numrin, çështja është që ti do që ata që do të shkojnë atje dhe do të bëjnë psikologun, të kenë kapacitetin që ta bëjnë atë punë si duhet, sepse domethënë të kenë licencën e nevojshme, të kenë bërë trajnime të nevojshme, sepse një gjë është që ti të kesh mbaruar shkollën për psikologji, një gjë tjetër është që ty të thuhet “shko tani atje dhe merru me fëmijët” dhe merru me fëmijët në këtë moshë kaq delikate, sepse është njësoj sikur të marrësh ushtarë dhe t’i nisësh që ditën e parë në luftë, njerëz që nuk kanë bërë asnjë stërvitje me armë, për të bërë një krahasim.
Nuk është çështja “hajde se po risim numrin e oficerëve të sigurisë”, patjetër që po e rrisim, por do ta rrisim gradualisht. Nuk mund ta rrisim të numërojmë sa shkolla ka, herë kaq oficerë, bëjnë kaq oficerë, hajde merreni, sepse mund të bëjmë shumë më tepër dëm se sa mund të sjellim atë që duhet. Dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja për mua, është që ne të gjithë së bashku duhet të jemi të vetëdijshëm që Shqipëria nuk e ka një problem sigurie.
Dikush, se lexoj herë pas here komentet që bëjnë në Facebook-un tim. Kam hequr dorë nga dhënia e përgjigjeve, po i lexoj. Edhe thoshte njëri, po ti – thoshte – për të thënë që paska probleme sigurie në Londër edhe në Paris. Me siguri që ti nuk e ke seriozisht, po ti kujton se mund të tallesh me shqiptarët’’.
Fatmirësisht që ky patjetër ishte shqiptar, po fatmirësisht që shqiptarët nuk janë si ky, se vajmedet, po kjo është e vërtetë, kjo është absolutisht e vërtetë.
Problemi i sigurisë po bëhet gjithmonë e më shumë një problem serioz në kryeqytetet e vendeve të mëdha dhe në qytetet e mëdha, serioz në pikën që gratë dhe vajzat natën nuk mund të lëvizin vetëm në çdo cep të Milanos, nuk është e mundur, sepse nuk ka siguri; serioz në pikën që në Londër në pjesën më të madhe të qytetit, burrat dhe gratë, nëse lëvizin, i lënë orët dhe çantat në hotel ose në shtëpi, se nuk është e sigurtë që kthehen me orën dhe me çantën, kjo është e vërtetë.
Dhe tjetra, patjetër që në Shqipëri ka vrasje, por ama, ne sot kemi një numër mesatar vjetor të vrasjeve, që është një numër që shkon drejt mesatares së vendeve të tjera. Nuk janë 115, 120 në vit, siç ishin përpara 10 vjetësh, një vrasje çdo tre ditë dhe nuk i bënte përshtypje njeriu në kuptimin që ishte kaq e zakonshme, ndërkohë që sot kur ndodh një vrasje – jashtë atyre vrasjeve që bëhen me të këtyre që lajnë hesapet me njëri-tjetrin, – që për ata kam thënë dhe them gjithmonë, kokat të hanë, – flas për vrasje njerëzish të pafajshëm, të cilat janë shumë të rralla dhe ky është fakt dhe të cilat natyrisht janë shumë tronditëse, por merren dhe pastaj rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur sa më shumë ndjenjën e pasigurisë dhe për të dhënë idenë që këtu ka pasiguri, por këtu nuk ka pasiguri.
Dhe aq shumë e vërtetë është kjo, sa dy vrasje që kanë ndodhur ajo e Pogradecit dhe kjo e 14-vjeçarit që ishte një tragjedi shumë e madhe, janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e policisë së shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video. Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata, kur vetvetiu, njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje, nga ku, për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakti.
Dhe në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTok-ut, është edhe gjithë çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nxitet nga nevoja për të pasur sa më shumë audiencë dhe për ta përdorur me netë të tëra, me ditë të tëra shqetësimin që krijohet vetvetiu tek prindërit për t’i mbajtur ata mbas ekranit, duke iu treguar historira.
Megjithatë, kjo është një pjesë se nuk besoj se kemi ndonjë shans që ta rregullojmë për sa kohë sa politika do jetë kjo që është dhe për sa kohë kundërshtia politike do të jetë kjo që është, dhe për sa kohë politika dhe Kuvendi i Shqipërisë do të jenë në top listë të burimeve të gjuhës së shpifjes, së urrejtjes të helmit, gjithsesi kjo është një bisedë, ku patjetër është shumë e rëndësishme që t’u dëgjojmë edhe ju.
Por do ta mbyll duke ju thënë që ne kemi rreth një vit që po punojmë me një projekt që besoj do të na japë një dorë të madhe të gjithëve bashkë, Ministrisë së Arsimit, drejtorive të shkollave, mësuesve dhe prindërve, një dorë të madhe që është një projekt i sigurisë së lartë të shkollave përmes sistemit të kamerave inteligjente, të cilat, falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara ku ky sistem është instaluar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ku ka një rënie drastike të dhunës, të bullizmit, të mungesave, të sjelljeve, sepse gjithçka është transparente, ne do kemi mundësinë që të kemi në dorë një pasqyrë të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve. Natyrisht që sistemi do të menaxhohet me protokolle të qarta, por ama çdo prind që do të dojë të shikojë fëmijën e vetë si ka qëndruar në klasë ose nëse fëmija ka bërë ndonjë gjë që duhet ballafaquar me atë fakt, do të ketë mundësinë ta bëjë bashkë me fëmijën.
Po kështu, edhe mësuesit. Mësuesit do jenë, qoftë edhe të monitoruar, po edhe të mbrojtur, të dyja bashkë dhe unë kam shumë besim te ai sistem, sepse është fjala e fundit e teknologjisë.
Ne tani mbyllim brenda dhjetorit edhe marrëveshjen e financimit, projekti është gati dhe fillojmë menjëherë vitin e ardhshëm me instalimin e këtij sistemi që do të na japë një dorë shumë të madhe, një dorë shumë të madhe për të pasur shumë të qartë çfarë ndodh dhe për të monitoruar edhe një rregull të thjeshtë, që është celulari nuk merret në klasë, mirëpo faktikisht, ne nuk mund të pretendojmë që kjo zbatohet 100%. Patjetër që kjo do të na japë një dorë shumë të madhe për monitorimin e provimeve.
Kështu që, unë jam shumë optimist për zhvillimet e mëtejshme.
Sot kemi pasur edhe një lajm shumë të mirë të një testimi ndërkombëtar që bëhet me vendet për të vlerësuar aftësitë në matematikë dhe në shkencë të nxënësve, ku Shqipëria, nxënësit që janë testuar nga Shqipëria, – që zgjidhen në mënyrë rastësore, jo që kemi çuar ne atje, por zgjidhen në mënyrë rastësore nga organizata ndërkombëtare që ka një besueshmëri shumë të lartë të cilës i referohen vendet, – kanë bërë të mundur që Shqipëria të rritet shumë në klasifikimin e cilësisë së arsimit parauniversitar për matematikën dhe për shkencën. Kjo është një e dhënë shumë inkurajuese për ne, është një provë që gjërat që po bëjmë po sjellin përmirësim, është një provë që mësuesit i kemi më të motivuar dhe më të angazhuar edhe që nxënësit nuk janë për t’u parë si kriminelë potencial.
Dhe kishte nxjerrë një, i pashë, ishte një nxënëse thoshin që thoshte “të vritet filan mësuese, e të vritet filan mësues” dhe këta profesorët e medias thoshin – shikoni çfarë fëmijësh po rriten në Shqipëri. Kjo është kriminale ta ekspozosh atë fëmijë si fillim, se me siguri duhet marrë në përkujdesje, është kriminale ta ekspozosh atë fëmijë dhe është edhe më kriminale pastaj ta përdorësh atë fëmijë për agjendën tënde politike apo për të marrë ato like-et e gjithë atyre që janë të varur nga këto ekranet. Kjo është koha që jetojmë.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe me shumë kënaqësi, sipas dëshirës merrni mikrofonin dhe të dëgjojmë pjesën tuaj.
* * *
Nga bashkëbisedimi me prindërit
– Unë do flas në dy role sot, si prind dhe si mësues. Ka raste që për fëmijët e mi jam e paaftë t’i kontrolloj, t’i menaxhoj, qoftë nga rrjetet sociale, qoftë me grupet që krijojnë me shokët e tjerë, rrjetet sociale. Sa për TikTokun unë jam me mendimin që të mbyllet totalisht, mbase nuk është zgjidhja e duhur, por për një kohë, që të bëjmë dallimin midis kësaj periudhe që po kalojmë tani me periudhën e re, që do të jetë mbyllja totale e TikTok-ut sepse e shoh që nga TikToku vjen bullizmi, vjen kërcënimi, vjen vrasja. Në një farë mënyre vjen çdo gjë e keqe. Rrjetet sociale po na bëjnë të humbim në gjuhën shqipe. Po shoh që shumë të rinj sot po flasin me shkurtime fjalësh, me fjalë të huaja. Unë punoj në shkollën profesionale. Më duket vetja e paaftë qoftë për menaxhimin e orës së mësimit, qoftë për kontrollimin e nxënësve, sepse do më duhet një çerek ore ose dhjetë minuta të mbledh telefonat. Ka nxënës që marrin nga një nga dy telefona, e kështu me radhë. Nga komentet e fundit që kam parë nëpër rrjetet sociale, nëpër media është dukur sikur roli i mësuesit po bie dita-ditës në nivele më të ulta. Domethënë, mirëqënia është më e mirë, përsa i përket pagesës, përsa i përket infrastrukturës, përsa i përket çdo gjëje. Ndërsa roli i mësuesit është duke rënë. Sepse prindi e ngren gishtin, thotë e ka fajin mësuesi. Mësuesi e ngre gishtin, thotë e ka fajin prindi. Dhe më duket një top që hidhet nga familja tek shkolla, nga shkolla tek familja. Do të ishte zgjidhja më e mirë që rrjeti social të mbyllet totalisht, qoftë dy muaj, tre muaj, katër muaj, që të bëhesh një diferencë. Dhe të ndahej roli i prindit nga roli i mësuesit.
Kryeministri Edi Rama: Dy gjëra dua të them këtu. E para, kjo hedhja e fajit, në masë të madhe krijohet nga distanca e gjatë në mungesë komunikimi mes shkollës dhe prindit dhe këtu është shkolla që duhet ta bëjë hapin e pare. Prandaj ne, siç e thashë, po investojmë për ta zgjeruar kapacitetin e programit të informimit të prindërve, që për hëpërhë kanë notat dhe mungesat, duke futur dhe informimin periodik me një protokoll që po e përgatit Ministria e Arsimit për sjelljen dhe për problematikat e tjera. Pra, nëqoftëse prindi është më i informuar besoj se distanca shkurtohet edhe pastaj edhe ballafaqimi bëhet më i arsyeshëm. E dyta, që dua të them është që, sa i përket celularëve, është që ne rregullin e kemi që nuk lejohet, por zbatimi nuk është edhe aq i thjeshtë dhe jemi të vetëdijshëm që celularët futen nëpër shkolla, mbase jo të gjithë, por një pjesë dhe prandaj sistemi që fola do të na ndihmojë shumë dhe në ndërkohë besoj do fillojmë me një shembull të parë shumë shpejt dhe do ta bëjmë tek shkolla “Fan Noli” simbolikisht për një kontroll digjital tek dera, jo nga ato si në aeroport që krijojnë radha etj, por është një sistem që detekton direkt çdolloj objekti celular, thikë, çdolloj objekti që ka në trup personi dhe kjo do ta ulë në mënyrë të ndjeshme mundësinë që të futesh me celular në shkollë dhe e treta është që patjetër ne duhet të vendosim sanksione. Duhet të vendosim sanksione sepse përndryshe ajo që ju thoni se ndodh do vazhdojë të ndodhë. Do vendosim sanksione që në rast se, të paktën sa i përket fëmijëve të sistemit para-universitar, fëmija a fëmijët e sistemit parauniversitar nuk mund të blejnë dot celular; celularin e blen prindi ose ja dhuron një shok ose një kushëri ose ku e di unë por ama prindi duhet të marrë përgjegjësi, duhet të marrë një përgjegjësi në rast se fëmija shkel këto rregulla dhe familja duhet të paguajë sepse përndryshe është e pamundur. Në rast se nuk bashkohen të gjitha këto gjëra bashkë, atëherë bëhet kjo që thatë ju, hidh fajin njëri tek tjetri dhe në fund fare i vetmi subjekt që nuk stresohet nga kjo punë është po ai që është shkaktari, fëmija që vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë, aq më tepër në rast se prindi ia hedh fajin mësuesit fëmija merr në mbështetje dhe vazhdon të njëjtën gjë.
-Ka nxënës që janë të detyruar ta marrin telefonin në shkollën ku punoj unë, në shkollën profesionale Kamëz. Janë shumë nxënës që vijnë nga qytete të tjera. Pjesa më e madhe e nxënëse në shkollën tone vinë nga Kruja, nga Fushë-Kruja, etj, domethënë që janë të detyruar.
Kryeministri Edi Rama: Këtu nuk flasim që nxënësit mos kenë telefon. Këtu flasim, telefoni lihet te dera e shkollës. Nuk futesh dot me telefon në klasë, le ta kesh prindin ku të jetë, telefoni nuk mund të hyjë në klasë. Dhe nuk je fare i detyruar të vish me telefon në shkollë në rast se për rastet e nxënësve, që mbase po themi, që kanë telefonin dhe nuk duan ta lënë gjëkundi, se mos e humbasin e të tjerë, bëhet një vend aty, futet telefoni me çelës, edhe vazhdo, siç i kemi nëpër institucione. Në institucionet tona nuk futesh dot me telefon. Lë telefonin aty dhe pastaj futesh. Kështu që është e domosdoshme kjo. Po këto janë gjëra të vogla teknike që gjenden mënyra, ajo që ka më shumë rëndësi është që ne së bashku dhe e theksoj së bashku se nuk ka institucion në botë që vetëm mund të bëjë të gjitha gjërat, se ne themi shteti, shteti, shteti, por shteti nuk bën dot as prindin, shteti nuk bën dot as mësuesit.
Mësuesin e bën mësuesi, prindërin e bën prindi. Shteti nuk vjen dot në shtëpi të bëjë rolin e prindit. Është fare e qartë dhe nuk e zëvendëson dot asnjë masë nuk e zëvendëson dot prindin dhe nuk zëvendëson dot mësuesin dhe nuk zëvendëson dot atë që del nga bashkëpunimi mes këtyre të dyve. Po duhet të jetë palë, të jetë pjesë, edhe të mbështesë, edhe të mësojë nga të dy palët pa diskutim. Dhe ajo që duhet është që të gjithë bashku ne të kufizojmë sa të mundemi miqësinë e fëmijëve tanë me këtë “shokun”. Është njësoj, – e di si është, -kur ia lë atë në dorë jashtë kontrollit, është njësoj sikur i thua, shiko tani, mos bëj zhurmë fare, më lë rehat. Dil tani dhe shko rri me çunin më të keq të lagjes. Madje, me çunin më të keq të lagjes, kushedi edhe mund të mësojë ndonjë gjë. Kurse me atë më ‘’mrrokllën’’ në dorë jashtë kontrollit nëpër ato gropat ku buron gjithë prodhimi kundër etikës, kundër mirësjelljes, kundër edukatës, kundër mësimit, kundër librave nuk mëson asgjë dhe këtë ne duhet të kufizojmë dhe të paktën ora e mësimit dhe koha në shkollë të jetë koha në shkollë. Nuk ka celular në shkollë dhe të mbarojë. Kaq e thjeshtë duhet të jetë. Madje, për mendimin tim edhe mësuesve, i duhet kufizuar celulari në shkollë. Celulari liher tek hyrja dhe nuk mund të rrish me celularin. Mësuesi me celular në dorë nuk mundet, dakord? Se është edhe ajo pjesë që që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin dhe të jemi realistë. Ka dhe mësues që po rrinë me celular në dorë gjithë ditën.
-Përshëndetje, ju falenderoj që jeni këtu për këtë dëgjesë dhe konsultim. Është e rëndësishme për ne si prindër të merret mendimi ynë. Në bazë të gjithë situatave është krijuar një amulli e madhe. Është problem tek të gjithë ne, çështja është sa prindërojmë, domethënë sa theks vëmë ne tek prindërimi pozitiv. Sepse duke kaluar topin, siç edhe ju e thatë, nga njëra anë në tjetrën, ne vetëm dëmtojmë fëmijën, dhe ky topi është fëmija faktikisht. Problemi është që ne si prindër duhet të forcojmë pozitat tona. Duhet ta kontrollojmë fëmijën që ai nesër të mos jetë i përgjumur në shkollë, duke qenë i përgjumur sepse ka parë gjithë natën i pakontrolluar rrjetet sociale me gjithë çfarë kanë ato brenda do të sjellin gjithë pasojat e tjera. Sot shkolla ofron mundësi jo të vogla, me thënë të drejtën. Shkolla është qendër komunitare. Mund të ofrohet fëmija dhe prindi aty nëse ka nevojën për kalçeton apo për këndin sportiv apo për palestrën. Në shkollë ofrohen ekipet sportive, kemi konkretisht ekipe të volejbollit, të basketbollit dhe fëmijët aty mund të gjejnë vetveten. Shkolla po ofron art, sport dhe zeje, domethënë jashtë orarit mësimor, duke i ofruar fëmijëve mundësinë për të zhvilluar diçka ndryshe. Shkolla po ofron përsëri edukimin për karrierën, që do të thotë që mëtojmë ëndrrat e tyre, i zbulojmë, i zhvillojmë. i shpërfaqim duke i fokusuar më mirë. Ajo që më shqetëson është është kjo zhurma mediatike kundër mësuesit, apo zhurma mediatike, duke ekspozuar pikërisht fëmijë. Ne jemi duke thënë gjithë kohës që fëmija nuk duhet të ekspozohet, që ta mbrojmë. Dhe del një media e caktuar dhe shumë media, të gjitha bashkë dhe nxjerrin dhe ekspozojnë dhe bëjnë të famshëm një rast flagrant, një sjellje jo të mirë të një fëmije. Çështja është tek modelet që do të shfaqim, modelet duhet të jenë nga shkolla, modelet duhet të vijnë edhe nga media, të promovohen talentet, të promovohen cilësitë e mira të fëmijëve. Nuk është çështja që ata të zgjedhin idhuj sipas kapacitetit të tyre. Kështu që, ajo që unë dua është që këto rrjete sociale duhet të kontrollohen. E mira është që të mbyllen ose të krijohen filtra. E kemi të vështirë si prindër t’i kontrollojmë, le të mos ngelet në ndërgjegjen vetëm të prindit, por të bëhet edhe me rrugë ligjore, le të themi, ligji është më i drejti. Kështu mendoj, shkolla le të ofrojë ato që ofron edhe më shumë edhe më mirë, po e bën vazhdimisht. Fëmijët e mi janë të shkolluar në shkolla publike. Kam dy vajza, janë të shkolluara në këtë zonë. E madhja është në shkollë të lartë në vitin e dytë mjekësi. E vogla, shpresoj të fitojë vitin që vjen të drejtën për në Liceun Artistik për të studiuar për kanto. Pse të mos i fokusojmë fëmijët drejt profesioneve që në fillim? Më ka pëlqyer shumë kjo pjesa e edukimit për karrierën që është futur. Kjo do t’i mbante ata më pranë nesh, më pranë prindërve të tyre.
–Të faleminderit, përshëndetje zoti kryeministër! Miranda është me fat se ka dy vajza, unë kam dy djem. Dhe më besoni, zoti kryeministër, jeni prind vetë. Kam frikë se çfarë më pret. Kam frikë për shkak se ne nuk mund të dalim kundër rrjedhës së rrymës, nuk mund të privojmë, nuk mund të ndalojmë përdorimin e teknologjisë tek fëmijët tanë, është e pamundur. Ndaj, vendosja e saksioneve përsa i përket rrjetëve sociale, sidomos tiktokut, po jam dakord që jo të mbyllen plotësisht, por të vendosen saksione. Një çështje që vërtetë dua ta ngre këtu dhe kam fatin e mirë të jem përballë jush si prindi i këtij komuniteti është që kemi frikë të hapim stacione televizive. Shembuj që ndjekin fëmijët tanë. E çon tek një media private, telenovela turke nga ora tetë e mëngjesit deri në ku flemë gjumë. I vetmi televizion publik, Rtsh, që ka një program sportiv. I vetmi, edhe atë e kap stacioni, s’e kap, se po na mund media private. Programe me të rritur, me një fjalor banal që më fal, por detyrohem ta ndërroj ose t’i jap pultin djalit dhe e çoj në YouTube. Djali të madh sapo lë YouTube-in, merr tabletin e të gjitha me radhë. Zgjedhjet t’ia heqim teknologjinë, t’ia heqim pajisjet. Po e kam tentuar edhe këtë, prapë shumë e vështirë.
– Unë jam nënë e dy djemve. Fakti që mua më shqetëson është siguria e fëmijëve në shkollë dhe për këtë them që në këto dy shkolla që unë kam hasur janë rikonstruktuar me standarde moderne, ku në shkollat tona ka kamera sigurie dhe për këtë jemi të qetë. Por jo të gjithë nxënësit shfaqin një sjellje shembullore në klasë dhe kjo është për t’u shqetësuar, se ata mund prishin gjithë orën e mësimit. Por çfarë duhet të bëjmë ne si prindër? Sepse prindërit janë hallka kryesore e fëmijëve. Bashkëpunimi që ne duhet të kemi me mësuesin të jemi sa më korrekt, sa më të gatshëm me mësuesit që të arrijmë një sukses te fëmijët tanë, por a ndodh në të gjithë prindërit kjo? Jo, sepse ka prindër që unë kam qenë prezente vetë në klasë, që i ka thënë mësuesit, unë nuk kam çfarë të bëj. Por kur dorëzohet prindërit, çfarë mund t’i kërkojmë mësuesit? A do ishte efektive një shkollë riedukimi për këtë kategori nxënësish që kanë sjellje problematike në shkollë? A do të ketë sukses në përmirësimin e këtyre fëmijëve? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi hasur këtë pyetje ose këtë sugjerim në forma të ndryshme në këto takime për shkollën e riedukimit. Këtu duhet pasur pak kujdes, sepse ne po bëjmë një projekt dhe do fillojë së shpejti ndërtimi i një instituti që quhet “Instituti i Fëmijëve në Konflikt me Ligjin”. Fëmijët në konflikt me ligjin janë ajo kategori minorenësh që kanë kryer vepra penale të shkallëve të ndryshme, por që nga pikëpamja e legjislacionit nuk shkojnë në burg dhe këto institute janë një formë e trajtimit të këtyre fëmijëve si raste kur ende në moshë jo plotësisht të përgjegjshme përpara ligjit, kanë nevojë për një asistencë ndryshe, për një tjetër lloj pedagogjie dhe për një tjetër lloj shkolle. Janë midis shkollës edhe izolimit po themi. Është një praktikë europiane që do ta fusim edhe për hir të vërtetës, numri i fëmijëve që ne kemi të kësaj kategorie është shumë i ulët. Pra, fëmijë në konflikt me ligjin nga pikëpamja e veprës penale, ne kemi rreth 500 në gjithë Shqipërinë, që është shumë i ulët krahasimisht me vende të tjera shumë më të zhvilluara se ne, në raport me numrin e përgjithshëm të nxënësve, që përsëri tregon atë që thashë, që ne kemi një programatikë që është një programatikë shumë serioze dhe që është shqetësuese, por ne nuk duhet të na rrëmbejë emocioni negativ që krijohet në situata të caktuara për të dalë në konkluzione të nxituara dhe të gabuara dhe për të për të rënë pre e gjithë kësaj çmendurie që shtrihet nga rrjetet sociale tek ekranet, te debatet politike deri te parlamenti i Shqipërisë, që është koka e kësaj qasje komplet çedukative, sepse këto janë probleme që po i konfrontojnë të gjithë. Këtu nuk bëhet fjalë që problemet e fëmijëve me rrjete sociale, për shembull, i kanë prindër që mund të konsiderohen të një pamundësie objektive sociale, këtu i kanë të gjithë. Në të gjitha nivelet, në të gjitha llojet e familjeve në qytet, në fshat, në qendër, në periferi, me shtresa sociale të ndryshme. Ky është problem uniform, momenti që fëmija ka të “mrrokullën” në dorë, aty është menjëherë në kontakt me një “rrugaç” shumë të zgjuar, shumë tërheqës, shumë argëtues, i cili i futet në tru dhe ia ndryshon gjithë panoramën që ne përpiqemi t’i krijojmë me teoritë tona, Kështu që, ky është një shqetësim që duhet të përpiqemi edhe ne, siç përpiqen të gjithë të adresojmë, duke parë nga të gjitha këndet.
Ndalimi i Tik Tok-ut është një gjë, po pastaj disiplinimi i të paktën pjesës së qëndrimit në shkollë dhe i moslejimit të celularit, si pjesë që i sposton vëmendjen e të tjerë, përdoret edhe për këto historitë, jo video për t’u tallur, jo për të bërë kopje, etj, është një gjë.
Sporti, arti, kultura në shkollë, zgjerimi i kapaciteteve për shkollën qendër komunitare, rritja e përfshirjes së prindërve e të tjerë, janë disa gjëra të tjera. Unë prej kohësh kam nxitur, edhe në fakt po bëhen që në çdo shkollë të ketë edhe ferma të vogla që të kenë orën ose kohën për t’u marrë me mbjellje, me kultivim, që të keni një kontakt, se mos iu duket sikur edhe domatet i prodhon TikToku, edhe i sjell Tik Toku në shtëpi. Dhe domatet në Tik Tok duken më të bukura se domatet që janë në pazar, por në fakt ato ka një ndryshim shumë të madh. Ato të pazarit haen, sepse sepse vijnë nga jeta reale ato të Tik Tokut vetëm krijojnë perceptime që pastaj të bëjnë të thuash “kjo nuk bën”, “ti nuk kupton”, “”ti nuk merr vesh”, “zysha nuk merr vesh”, “ju nuk dini”, dhe krijohet iluzioni që në fakt jeta është ajo që shohin atje në ekran, që gjithë ai spektakli i rrobave, i veturave, i lekëve është në fakt jeta reale.
Arsyeja pse ai i vogli nuk i ka, është prindi, është mësuesi që janë pa lidhje dhe ky kthehet në një konflikt shumë të madh në një moshë që nuk kanë vetëdijen që të kuptojnë, që shiko se jo, nuk është kështu. Jeta reale është kjo, ajo tjetra është lojë, dhe pastaj përshkallëzohen gjërat në gjëra që fatkeqësisht çojnë në lloj-lloj rrugësh ku humbet fëmijën praktikisht, e humbet. Jo vetëm e humbet në pikëpamjen e lidhjes, por mund ta humbasë largqoftë në të gjitha mënyrat prej lloj-lloj kurtheve dhe lloj-lloj të këqijave, kështu që në këtë pikë besoj shumë që ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm në çdo ditë, sepse kam dëgjuar nga prindër që mbasi ndodhi tragjedi, ka pas një sulm të gjithë prindërve mbi telefonat e kalamajve edhe kanë parë aty brenda, çudira. Mirëpo, ajo s’është një ditë dhe nuk duhet të presim të ndodhë diçka. Ajo duhet bërë në mënyrë sistematike për të pasur sa më shumë kontroll dhe për të pasur sa më shumë idenë se ku shkojnë ata? Ku shkojnë kur futën atë ekran. Se ti ia jep edhe e sheh që fillon me kukulla. Ktheve kokën, aty del mitralozi. Le pastaj te ata të vegjlit fare, shkon në një lokal, sheh ca të vegjël fare që rrinë tek ato karriget me këmbë druri që rrinë kështu, se i vënë përpara një ekran dhe ata as dinë të flasin akoma dhe rrinë atje. Pastaj normal ai kur bëhet tre vjeç luan Playstation, se ai që tre muajsh…Të bën dhe telefonin me pasword dhe ti s’e hap dot. Ta ndërron paswordin dhe qesh. Jo, problem është.
-Dua të të them diçka, se ndoshta e tha Ogerta, por duhet ta theksoj një nga gjërat që ne po mendojmë, edhe besoj që do ta bëjmë, se nuk kushton asgjë, se ajo që më ka bërë shumë përshtypje në këto takime është fakti që pavarësisht se është e vërtetë që ka shumë prindër që nuk marrin pjesë e të tjerë po, gjithsesi këshillat e prindërve janë struktura reale, e kryetarët dhe kryetarët në këshillat e prindërve, realisht, unë kam dëgjuar që kur flasin ka një lloj përgjegjësie më të madhe për një fakt të thjeshtë, aq më tepër që duke qenë se këtu dalin edhe në televizor ose në ato rrjetet tona dhe i shohin të tjerët, përpiqen të flasin në emër të të gjithëve, pra se në fund të fundit, nesër pasnesër, dikush nga prindërit do thotë pse s’the këtë, ose pse the këtë? Dhe mendoj që duhet në mënyrë periodike që Ministria e Arsimit edhe Drejtoria Arsimore të bëjnë takime me kryetarët e këshillave të prindërve në mënyrë periodike, si një kuvend i shkollës, ku sipas gjeografisë dhe zonave, me kryetarët e këshillit të prindërve në Tiranë, pastaj atë në Durrës, pastaj sipas qarqeve dhe aty ku nuk është e mundur që të bëhen gjithë bashkë, se ka qarqe që kanë bashki me distanca më të gjata, ato mund të bëhen dhe në një nivel tjetër. Besoj që një takim periodik me kryetarët e këshillave të prindërve, i ministres personalisht, së bashku me përfaqësues kryesor të strukturës së drejtorisë arsimore të qarkut, besoj një herë në tre muaj do ishte shumë i vlefshëm, po takim ku të gjithë të sjellin problematikat, edhe ku të flitet për të tre komponentët, për drejtimin e shkollës, edhe për organizimin për mësuesit për situatën e këshillit të prindërve dhe angazhimin e prindërve dhe për nxënësit, kuptohet që është arsyeja kryesore pse ne diskutojmë këtë dhe pastaj marrja e sa më shumë ideve konkrete apo sugjerime konkrete nga prindërit e angazhuar, se ata nuk merren gjithë kohës me atë punë. Na ka vlejtur shumë edhe tani, dhe nuk e them për kështu, po realisht edhe tani, në dy takime, takimin e parë edhe atë të Fierit, kemi pasur realisht një kontribut konkret, të bëhet kjo, të bëhet kjo, të bëhet kjo. Një pjesë të madhe të atyre propozimeve bëjnë sens, edhe një pjesë tjetër janë pjesë e atyre gjërave që ne duam të bëjmë, por më e rëndësishmja është të krijohet një frymë skuadre e përbashkët, kjo është më e rëndësishmja. Se në momentin kur ka një skuadër të përbashkët, edhe një skuadër të përbashkët, unë e di se unë kam qenë, kam luajtur në një skuadër, prapë ka “kush e kishte më shumë fajin kur humbi”, por gjithsesi, prapë je pjesë e skuadrës dhe nuk e çon në pikën që kush je ti e kush jam unë dhe po iki s’po loz më.
Kjo frymë në skuadër na ndihmoi për të pasur më shumë qartësi se si të adresojmë terrenin. Unë personalisht jam dakord. Personalisht flas, jo si kryeministër, po kështu personalisht jam shumë më i prirur të shoh shumë më keq tek rrjetet sociale, jo thjeshtë te TikToku te të gjitha, pa përjashtim. Unë mendoj që bota pa rrjete sociale ishte shumë më e mirë, unë personalisht. Po tani vjen ajo mosha, besoj që s’po zgjatem se do më shohë çuni jot në televizor, do thotë me këtë, me ty do merremi ne. Ata e thonë, po do ta thotë në sy pastaj, kështu që s’po e zgjas.
Gjithsesi, është dhe aspekti teknologjik që nuk është i thjeshtë. Ki parasysh, nuk është i thjeshtë. Për të vënë filtra është shumë e vështirë. Shumë e vështirë për t’i ndarë që këta po, këta jo. Tjetra është anonimiteti, ti nuk e di se sa vjeç është ai që futet aty. Ai mund të jetë 3 vjeç, ose jo tre vjeç, s’di akoma të shkruaj, po mund të jetë dhjetë vjeç dhe thotë, unë jam 30.
Dhe faktikisht, Australia mori vendimin që t’i mbylli të gjitha rrjetet sociale deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç, mirëpo nuk e kanë aplikuar, kanë lënë dymbëdhjetë muaj kohë sepse teknikisht nuk bëhet akoma, kurse mbyllja totale është më e thjeshtë, por edhe aty mund të gjejnë rrugë, po gjithsesi domethënë, edhe sikur gjejnë rrugë, duhet që ata që gjejnë rrugët, nuk janë këta të thjeshtët, fëmijët. Duhet të jenë pak më të aftë në teknologji dhe me këtë po merremi. Ka disa metoda, ne po mundohemi të gjejmë, të zgjedhim teknologjinë e duhur për bllokimin dhe në rast se do ta vendosim përfundimisht, që këtë do të bëjmë, të paktën t’i japim kohë vetes. Mund të vendosim një bllokim një vit, dy vjet, tre vjet, nuk e di, po kështu nuk lihet dhe pastaj të shohim me këto rrjetet e tjera se çfarë mund të bëjmë në aspektin e moshës, e të tjerë, prap shumë e vështirë, po të paktën Facebook-u apo Instagram-i janë më bashkëpunues mund të bësh denoncime, mund të mbyllësh, bllokosh etj. Kurse ky është rrjet i frikshëm. Janë dhe ato të tjerat, se çdo ditë del nga një dhe janë lloj-lloj që nuk e di, po të paktën të bëjmë këtë e pastaj.
Duhet një solidaritet më i madh dhe një mirëkuptim më i madh e një unitet më i madh mes prindërve për të vënë disa vija të kuqe dhe për të thënë okej, sepse në qoftë se të gjithë mbajnë një qëndrim uniformë në ca gjëra që janë direkt të lidhura me shëndetin mendor. Gjëja që ne nuk shohim sot, ose shohim vetëm shenja që mund të arrijnë deri tek ajo që ndodhi tragjikisht, nesër është tejet vonë, kur pasojat në shëndetin mendor të fillojnë të duken në moshën njëzetvjeçare, në moshën njëzet e dy vjeçare, njëzet e pesë vjeçare. Është problem shumë i madh, për shkak të kësaj historie dhe për shkak të këtij bashkëbisedimi, jam përpjekur të lexoj sa më shumë, edhe realisht sa më shumë lexon, aq më shumë shqetësohesh, sepse po të lexosh, pjesën e atyre që merren me shëndetin mendor, për këtë gjë është e frikshme, është komplet dhe thua o Zot, inshallah, janë këta gabim që në Amerikë, në Australi, në Francë, – dhe problemin kryesor e kanë vendet demokratike, sepse në vendet demokratike ka shumë komponentë shoqëria dhe pastaj fillon jo e drejta informimit, jo liria e mediave, jo që janë të gjitha gjëra që bëjnë sens, mirëpo, këtu tani jemi në kushtet kur kjo liria ka humbur komplet kuptimin, mendoj unë personalisht, edhe ka pas qenë një gazetar i famshëm i BBC-së shumë vite më parë që thoshte “lajm nuk është kur qeni kafshon njeriun, lajm është kur kafshon njeriu qenin”. Ky kafshimi i qenit nga njeriu, këtu u bë për ditë. Në rrjetet sociale, në TikTok është orë e çast. Është njeriu që ha dhe kafshon çdo të vërtetë të vendosur nga historia botërore e marrëdhënies së prindërit me fëmijën, nga çfarë është sjellje e mirë, çfarë është e gabuar, nuk ka aty fare. Aty të gjitha të gabuarat janë të mira, të gjitha të mirat janë për t’u tallur. Si minimum për t’u tallur, ky është problem.