Gjimnazistët ekselentë vlerësohen me Medaljen e Artë për punën, përkushtimin dhe arritjet e tyre - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Gjimnazistët ekselentë vlerësohen me Medaljen e Artë për punën, përkushtimin dhe arritjet e tyre

Në prag të festave të fundvitit, nxënësit e gjimnazeve të vendit, me rezultate të shkëlqyera në mësime, u vlerësuan me “Medaljen e Artë”, në një ceremoni enkas, e kthyer tashmë në traditë, organizuar në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

Kryeministri Edi Rama iu dorëzoi 188 maturantëve, aktualisht studentë në universitete të ndryshme, medaljen e artë, simbol i suksesit të tyre akademik.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Kemi 188 medalje për të ndarë, kështu që unë nuk po e hap dosjen ku e kam fjalimin dhe ju premtoj që nuk do ju jap asnjë këshillë sepse e kujtoj gjithmonë kohën kur kam qenë sa ju dhe kur gjendesha nën bombardimin e prindërve flisja me vete dhe i thosha vetes “Betohu që kurrë nuk do ta harrosh që kur të bëhesh si këta, nuk do bësh si këta dhe nuk do japësh këshilla të pa kërkuara”.

Gjithsesi, meqë ju jeni këtu, do t’ju kërkoj ndjesë për faktin se do të përsëris të njëjtën gjë që më vjen shumë natyrshëm sa herë që kam nderin e veçantë të jem për shkak të detyrës, në këtë ceremoni sepse është një nder i veçantë dhe besojeni këtë, që të të jepet mundësia të kesh të mbledhur brenda 4 mureve të gjithë ajkën e ekselencës dhe të kesh fatin që t’i shohësh në sy të gjithë heronjtë e një kohe kur nuk është e lehtë të jesh hero pozitiv dhe kur hapësira e komunikimit, falë edhe rrjeteve sociale, është e mbushur me heronj negativë.

Çka do të përsëris është që jam i bindur se ndër ju ka vajza, ka djem të cilët janë rritur në familje me halle. Jam i bindur që ndër ju ka vajza dhe ka djem që mund të kenë vetëm njërin nga prindërit në punë.

Jam i bindur që ndër ju ka vajza e ka djem që i kanë marrë të gjitha 10-at duke pasur edhe një alternativë tjetër, alternativën për të gjetur pa asnjë vështirësi të gjitha justifikimet e mundshme për të mos qenë në majë dhe për të mos qëndruar në majë sepse kjo e ajo e ajo.

Jam i bindur që ndër ju ka vajza e djem që mund të kenë pasur nevojë të ecin çdo mëngjes gjatë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe pastaj të ecin gjatë në këmbë për tu kthyer nga shkolla, por ja që pavarësisht këtyre vështirësive të përditshme, pavarësisht mundësisë për të thënë “Nuk e bëj dot këtë punë se kam këtë problem, kam këtë problem, kam atë problem” dhe për të qenë plotësisht të justifikuar, që të jemi të qartë, ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë, keni zgjedhur që t’i sfidoni të gjitha vështirësitë objektive me të cilat jeni hasur, jo për fajin tuaj dhe sot jeni këtu si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë. Nuk është një provim, nuk janë dy, nuk janë tre; është një jetë e tërë në shkollë, është një jetë e tërë e kaluar duke ngjitur të përpjetën, pavarësisht pengesave dhe vështirësive që ju ka bërë që sot këtu të jeni në majë dhe natyrisht maja të tjera janë përpara jush për tu ngjitur.

Për këtë arsye, ju jeni heronj për mua! Për këtë arsye ma besoni këtë gjë, ky i dhënies të medaljeve të arta është i vetmi moment gjatë gjithë punës sime në 365 ditë ku mua më duket vetja realisht më i shkurtër se ata që kam përballë, besojeni këtë gjë. Besoni që ju kam zili.

Ju kam zili sepse në ndërkohë e gjithë bota është aty përpara jush që ju ta zotëroni. Keni të gjithë kohën e nevojshme përpara dhe në ndërkohë, ndryshe nga unë në moshën tuaj, keni gjithçka në dispozicion nëse doni që dija juaj të jetë sa bota. Nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota falë teknologjisë. Nuk ju mungojnë autorët që doni të takoni dhe me të cilët doni të bëni shoqëri, nuk ju mungojnë mjetet për të qenë më të mirët në botë dhe ju po e bëni këtë. Vazhdoni ta bëni këtë!

Kjo është e vetmja këshillë që nuk është as këshillë në fakt, por është thjesht inkurajim dhe mos e harroni kurrë që një ëndërr edhe këtë e përsëris gjithmonë kur bëj këto takime me ju, që e shikon me sy hapur, përderisa e shikon me sy hapur, ti mund ta arrish, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det që ti duhet të jesh i gatshëm ta kalosh në këmbë pa u sprapsur nga dallgët, pa u dorëzuar kur furtunat i ngrenë dallgët aq lart sa gati të mbysin, pa u tunduar që nga lodhja të kthehesh prapë në breg dhe nëse je i gatshëm t’i bësh të gjitha ato sakrifica që ajo ëndërr kërkon sepse sa më e madhe të jetë aq më shumë sakrifica kërkon nga ty, ti do t’ia arrish. Kjo është e sigurt dhe kjo është jeta e shumë yjeve që sot ju i shihni dhe i admironi, në të gjitha fushat. Asnjë nga ata yje nuk ka shkëlqyer vetvetiu dhe nuk ka shkëlqyer sepse thjesht fati e ka dashur që të shkëlqejë, sepse fati është karakteri i njeriut.

Këto janë pak fjalët që unë ndaj me ju sot, duke bërë fjalimin më të shkurtër nga të gjithë të tjerët, gjë që nuk më karakterizon, sepse dua që të mos iki dhe të mos ikim pa i dorëzuar të gjitha 188 medaljet për ju kështu që po ftoj Ogertën dhe Borën që të më shoqërojnë në këtë nderim për ju dhe ju falënderoj shumë dhe besojeni këtë gjë. Ju falenderoj me gjithë zemër sepse më frymëzoni!

Kur mendoj ato që thashë dhe kur mendoj se ju jeni këtu në majë të një arritjeje të parë të historisë suaj për të marrë medaljen e artë pasi keni refuzuar çdo lloj justifikimi për çdo lloj vështirësie, unë them me vete, “Përderisa ju ia keni dalë, edhe unë mund t’ia dal”.

Nëse kur të dilni nga kjo sallë do ndjeheni pak të lodhur, duhet ta dini që është energjia që unë kam marrë nga ju për veten time. Qeshni, por besojeni. Është kështu si po ju them.

Nuk na ndodh shpesh, ndodh shumë rrallë që të gjendemi në kushtet kur mund të marrim kaq shumë energji dhe nëse unë mund ta pranoj që jam në kushtet e një abuzimi me detyrën, është ky: ju kam ftuar këtu dhe ndërkohë po ju marr sa të mundem nga energjia juaj, se ju keni plot. Do të ndjeheni pak të lodhur, pastaj do të shkoni në shtëpi, aty në shtëpi do t’ju presin me gjithë nderimet përkatëse, do qajë mami, do qeshë babi, do qajë gjyshja, do të përlotet gjyshi dhe ju do ia merrni atyre energjinë, do zëvendësoni energjinë që ju mora unë.

Po ata për ju janë gati të japin gjithçka, siç kanë dhënë sa kanë mundur deri tani dhe ndërkohë edhe për ata, do të jetë shumë e lehtë ta rinovojnë energjinë thjesht duke menduar që nëse ndihen pak të lodhur në fund të ditës, janë lodhur për ju.

Shumë respekte! Shumë mirënjohje! Shumë admirim për të gjithë ju!

Koka e fortë, shikimi drejt, ecni përpara. Asgjë nuk ju zmbraps. Kini besim. Do zmbrapsni ju gjithçka në rrugën e realizimit të ambicies suaj, cilado qoftë ajo.

Faleminderit shumë!

Previous Prezantohet Plani i Ri i Veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkolla